VLLEHËT
✤ Popullsi me prejardhje nga fise të vjetra ballkanike të romanizuara, që sot është e shpërndarë në një varg visesh të Gadishullit Ballkanik, Qendror e Jugor, duke përfshirë edhe disa krahina të Shqipërisë, kryesisht të Jugut. Gjuha e saj është një degë e rumanishtes së lashtë.
Dyndja e sllavëve nga shek.VI e më vonë i shktili këto fise nga tokat fushore, duke i detyruar të shpërnguleshin e të shtegtonin drejt J në luginat malore të Ballkanit, që kishin kushte më të përshtatshme për blegtori dhe sidomos në Maqedoni, në zonën e Pindit (arumunët) dhe në Shqipëri (vllehët).
Në Ballkan V. përbëjnë një popullsi me tipare dalluese etnike, me gjithë proeesin e asimilimit në mjediset ku jetojnë dhe me kalimin në një mënyrë jetese më të përparuar. Të folmet e tyre kanë sot interferenca me gjuhët sllave, shqipe e greke.
Duke qenë kryesisht barinj shtegtarë (sarakaçanë) V. ruajtën mirë deri në fund të shek.XIX zakonet dhe veshjet e tyre dhe një organizim bashkësish të tipit patronomik të drejtuar nga krerët e tyre (çelnikët, gllavarët, koxhabashët etj.), të cilët ishin zakonisht pronarët më të mëdhenj të tufave. V. ishin të njohur në të gjithë Ballkanin edhe si pronarë mushkash e qiraxhinj.
Në gjysmën e dytë të shek. të kaluar në trevat shqiptare një pjesë e V. ishin ngulitur në fshatra, një pjesë vazhdoi jetën e barinjve shtegtarë kurse një pjesë tjetër u vendos në qytete, sidomos në Voskopojë dhe pastaj në Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Korçë. Në këto qytete u morën kryesisht me zejtari e tregti, duke humbur shkallë-shkallë kompaktësinë etnografike dhe pjesërisht duke u asimiluar.
Pas Çlirimit V. shtegtues, që dikur shkonin nga Opari e Vithkuqi e deri në Sarandë, duke përparuar bashkë me shndërrimet e thella ekonomike-shoqërore të gjithë vendit, janë vendosur në rrethet e J dhe janë përfshirë në punën e përbashkët të gjithë popullit shqiptar për ndërtimin socialist të vendit.
(K.N.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Vllehët