VOJO KUSHI


VOJO KUSHI
✤ Kompozim figural i karakterit monumental, vepër e Sali Shijakut (1969, Galeria e Arteve, Tiranë, vaj 1200×300 cm). Subjekti i saj është akti sublim i Heroit të Popullit Vojo Kushi, i cili më 1942 i rrethuar nga ushtarët fashistë, u hodh mbi tankun armik, hapi kapakun dhe flaku brenda një bombë. Tabloja është lakonike, me një figurë në përpjesëtime vigane dhe me tre tone: kuq e zi e gri. E kuqja mbizotëron dhe ka marrë variaeionet më të ndryshme, duke rritur ndjenjën e tensionit të mjedisit të luftimit dhe të heroizmit. Figura e Vojo Kushit shtjellohet në diagonale, duke sugjeruar trajtën e një shkreptime. Trajtimi epik i tablosë, Vojo që e mposht tankun, këmisha e tij e kuqe që valëvitet si flamur i japin frymë legjendare dhe simbolizojnë qëndresën e popullit shqiptar përballë pushtuesit të huaj. Përmbajtja heroike e ka bërë tablonë një nga veprat më të njohura të pikturës së sotme shqiptare.

(A.Ku.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Vojo Kushi


[cite]