VOSKOPOJA
✤ Fshat në rrethin e Korçës (P), i vendosur në një pllajë 1160 m të lartë, të rrethuar prej malesh. Qendër e fshatit të bashkuar që përfshin ‘edhe fshatrat .Shipskë, Krushovë dhe Gjergjevicë, popullsia gjithsej 1880 banorë. Dëshmohet si fshat i vjetër që në shek.XIV (1330).
Në shek.XVII-XVIII V. u bë një qytet i madh i begatshëm me rreth 20.000 banorë, një nga qendrat kryesore ekonomike e kulturore të vendit me artizanat të zhvilluar. Kishte marrëdhënie tregtare me shumë vende të huaja (me Venedikun, Vienën, Lajpcigun etj). Këtu lulëzoi një veprimtari e gjerë arsimore e kulturore, që gjeti shprehje në themelimin e Akademisë së re (shih) dhe të një shtypshkronje (1720). Të kësaj periudhe janë një varg monumentesh kulture, si manastiri i Shën Prodhromit (1632-1634) dhe një varg bazilikash. Shquhen për vlerat arkitektonike e konstruktive bazilikat e Shën Mërisë (1712), Shën Kollit (1722) pikturuar nga kryemjeshtri David Selenica (1726), ndërsa hajati nga vëllezërit korçarë Kostandin e Athanas Zografi (1750), Shën Mëhillit (1722), Shën Thanasit (1724) pikturuar nga Kostandin e Athanas Zografi, e profet Ilisë (1751). Katër të parat janë të një tipi arkitektonik: trenefëshe, me përmasa të mëdha, të mbuluara me një sistem qemeresh e kësulash sferike. Dallohen nga kompozimi dinamik, përkujdesja për trajtim arkitektonik e dekorativ duket sidomos në harkadën e hajatit, dekoraeionin e pasur me tulla, në teknikën e lartë të muraturës etj. Monumentet ishin shoqëruar me ndërtime të tjera, si konakë, kisha të vogla, duke formuar komplekse të ngjeshura e të rrethuara me mure. Kambanaret e larta (të rindërtuara në një periudhë më të vonë) u jepnin komplekseve një theksim vertikal, që spikaste në gjithë siluetën e qytetit. Rënia e V. filloi pas djegies së parë të saj më 1769, që u pasua nga dy djegie të tjera (e treta u bë më 1916) dhe që shkaktuan largimin e banorëve të saj në qytetet e tjera të vendit (kryesisht në Korçë) dhe në vende të huaja. Në Voskopojë ka jetuar edhe Teodor Kavalioti (shih). Këshilli NÇ u ngrit në shkurt 1943. Në maj në bazë të udhëzimeve të sh.Enver Hoxha u ngrit Shtabi i Qarkut të Korçës. Aty ishte intendenca e qarkut. Në Gjergjevicë në nëntor 1942 u ngrit çeta «Ostrovica». Në janar 1943 u zhvillua lufta e Voskopojës, kundër fashistëve italianë që solli çlirimin e krejt zonës. Koop. e
V. u ngrit në shtator 1957 dhe koop. e bashkuar me qendër V., u formua më 1967. Drejtimi kryesor i ekonomisë është prodhimi i drithërave të bukës, i patateve dhe rritja e bagëtive. Ka hidrocentral, shkollë 8-vjeçare, shtëpi kulture, muze, monumente historike e kulturore (si ura e Voskopojës etj.), shtëpi pushimi, njësi tregtare e komunale. Sot V. është një qendër e rëndësishme klimaterike, pikë turistike dhe për garat e skive.
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Voskopoja