VURGU
✤ Krahinë në J të rrethit të Sarandës, midis liqenit të Butrintit dhe kodrave të Sopikut në J dhe JL, malit të Finiqit e kodrave të Bregarit (Vromeros) në V, përroit të Navaricës në L dhe kodrave gëlqerore të Sarandës në P. Ka gjatësinë 18 km, gjerësinë 4-8 km e sipërfaqja e përgjithshme (bashkë me kodrat) është rreth 9000 ha, nga të eilat fushat zënë afërsisht 6000 ha. Fusha kryesore dhe më e madhja e rrethit të Sarandës është fusha e Vurgut që shtrihet midis liqenit të Butrintit në J dhe rrugës automobilistike Sarandë-Delvinë në V. ajo përbëhet nga depozitime të kuaternarit dhe të sotme të prura nga Kalasa e Bistrica, ndërsa kodrat përbëhen nga flishi e pjesërisht nga gëlqerorë. Fusha e V. është shumë e sheshtë dhe e ulët (0-30 m mbi det), kodrat, që më shumë zënë pjesën L kanë lartësi 150-280 m (mali i Finiqit). Para Çlirimit pjesa më e madhe e fushës së V. zihej nga këneta e moçale, në periudhën e dimrit vërshonin Kalasa e Bistrica. Përmirësimi ujor i V. u bë në vitet 1955-1960. Lumenjtë Kalasa e Bistrica, që më parë derdheshin në liqenin e Butrintit u futën në shtrate të reja dhe afër grykëderdhjes në një shtrat të përbashkët dhe me anë të kanalit të Çukës derdhen në det, 3 km në J të Sarandës. Për sistemim përfundimtar të fushës së V. u hapën 40 km shtretër të rinj lumenjsh, u ndërtuan mbi 1500 vepra arti të mëdha e të vogla, u ngritën
dhjetëra km argjinatura, kanale kulluese e ujitëse, një hidrovor etj. U përfituan
2300 ha tokë e re, u përmirësua kullimi në 5100 ha dhe u vunë nën ujë 5400 ha tokë. Sot i gjithë V. është nën ujë. U ndërtua edhe një rrjet i tërë rrugor, të gjitha fshatrat u ndërtuan ngs e para rrëzë kodrave të fushës, u elektrifikuan dhe u lidhën me telefon. Banohet pjesërisht nga popullsi e minoritetit grek, fshati kryesor është Finiqi (shih).
Që në shek.XVIII ndeshej sistemi i çifligpt, mjaft fshatra mbanin emrin e pronarit të tokës. Banesa karakteristike ishte kasollja prej balte. Burrat mbanin veshjen me fustanellë e më pas me poture. Gratë mbanin veshjen e bardhë, të punuar prej liri, në krahun e djathtë të Bistricës mbahej veshja me cibun, në krahun e majtë me allaxha. V. është një nga zonat bujqësore më të pasura e më të përparuara të vendit, ku merren rendimente të larta në drithëra dhe ka blloqe të mëdha me drurë frutorë, kryesisht agrume. Në fshatrat ka një rrjet të dendur tregtar e shërbimesh komunale, shërbim mjekësor, shkolla, shtëpi e vatra kulture etj.(Me.K.—Dh.V.—S.Sh.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Vurgu