XHAMIA E MIRAHORIT


XHAMIA E MIRAHORIT
✤ KORÇË. Sipas një mbishkrimi të vonë mbi portën e hyrjes është ndërtuar më 1494-1504 nga Iljaz bej Mirahori

me origjinë nga fshati Panarit i Korçës. Sipas gojëdhënës është ngritur mbi themelet e kishës së vjetër të Shën e Premtes, në fshatin e dikurshëm Peshkopi, pronë e Iljaz beut, të cilin më 1505 ai e ktheu në vakëf. Së bashku me një numër ndërtimesh përreth saj si imareti, banja, furra, më vonë kulla e sahatit etj. Xh. e M. formonte në mesjetë një qendër urbane pranë tregut të qytetit. Përbëhet nga salla e lutjeve me përmasa të mëdha, e mbuluar me kupolë mbi tambur, e cila paraprihet nga hajati i hapur nga një arkadë me harqe të mprehta mbi -mbështetje masive, i mbuluar me tri kupola të vogla. Në skajin VP të sallës ngrihej minareja. Shkallëzimi i vëllimit qendror, harmonizimi me pjesët e tjera përbërëse, dritaret e shumta dhe harqet e mprehta krijojnë një perspektivë të pasur që thekson hedhjen në lartësi të monumentit. Dekoracioni arkitektonik është i kufizuar kryesisht në përpunimin e muraturës sipas tektonikës tradicionale, të kornizimit të gurëve me tulla.

(Gj.F.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Xhamia E Mirahorit


[cite]