XHANI MUSTAFA
✤ (Baba Faja Martaneshi, 1910-1947). Një nga figurat e shquara të Luftës ANÇ, patriot : dhe luftëtar trim e i vendosur, një ndër komandantët e çetave të para partizane, Hero i Popullit.
Lindi më 1910 në fshatin Luz i Madh të rrethit të Durrësit në një familje të dëgjuar për qëndrimin e vet patriotik e antizogist. Pushtimin e vendit nga Italia fashiste e priti me urrejtje dhe u hodh menjëherë në veprimtari antifashiste. U lidh ngushtë me Luftën ANÇ dhe dha ndihmë të madhe për fitoren e saj, duke luftuar me armë në dorë kundër pushtuesve të huaj e tradhtarëve. Që më 1942 e ktheu teqenë e Martaneshit ku ishte gjysh bektashian në një bazë të rëndësishme të Luftës ANÇ; punoi me të gjitha forcat për bashkimin e popullit të Martaneshit, Çermenikës, Labinotit etj. rreth Frontit NÇ. Mori pjesë në Konferencën e Pezës (1942), ku u bë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm ANÇ, u caktua komandant i batalionit partizan të Martaneshit (1943) dhe me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm u emërua anëtar i tij (1943). Konferenca II NÇ e Labinotit e rizgjodhi anëtar të Këshillit të Përgjithshëm ANÇ (1943), kurse Kongresi i Përmetit e zgjodhi nënkryetar të KANÇ (1944).
Pas Çlirimit, si nënkryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dha ndihmesë të çmueshme për forcimin e pushtetit popullor dhe për rindërtimin e vendit. Reaksioni i brendshëm në bashkëpunim me klerikët reaksionarë organizoi vrasjen e këtij luftëtari besnik e të vendosur më 17 prill 1947. Deputet në Kuvendin Popullor në legjislaturën e parë (1945).
(M. I. -K. P.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Xhani Mustafa