ZËRI I RINISË
✤ (1942). Gazetë politike, shoqërore, kulturore e letrare, organ i Komitetit Qendror të BRPSH. Është vijim i revistës klandestine Kushtrimi i Lirisë që doli me porosi të PKSH e të vetë shokut Enver Hoxha gjatë Luftës ANÇ. Numri i parë doli më 29.8.1942 dhe i fundit në dhjetor 1944, gjithsej 16 nr. U botua me shaptilograf në Tiranë. Luajti rol të rëndësishëm për organizimin dhe mobilizimin e rinisë rreth PKSH në luftën për çlirimin e vendit, pasqyroi heroizmin masiv të rinisë në këtë luftë. Botoi edhe mjaft krijimtari letrare,përçoi mendimin e ri revolucionar për letërsinë dhe artet, për traditat dhe për perspektivën e zhvillimit.
Më 1.1.1945 në vend të revistës nisi botimin gazeta Rinia, e cila mori emrin e sotëm nga janari 1954. Z. R. del dy herë në javë. Si organ i BRPSH pasqyron jetën dhe punën e rinisë për ndërtimin e socializmit, aksionet dhe lëvizjet e saj revolucionare në fushën ideologjike dhe ekonomike, veprimtaritë dhe arritjet në përvetësimin e kulturës, arsimit e shkencës, në kalitjen fizike e ushtarake. Z. R. boton krijimtari letrare nga të rinjtë, nxit dhe përkrah talentet e reja në fushën e letërsisë e të arteve. Pasqyron veprimtarinë e BRPSH dhe të organizatave-bazë të rinisë dhe jep ndihmesë të rëndësishme për edukimin komunist revolucionar të rinisë, për përçimin dhe përvetësimin e mësimeve të PPSH e të shokut Enver Hoxha.
(Z.G.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Zëri I Rinisë