ZEMRA – QENDRA MOTORE E JETËS

ZEMRA – QENDRA MOTORE E JETËS

Kaluan shumë e shumë shekuj derisa njeriu arriti të kuptojë mekanizmin e qarkullimit të gjakut dhe funksionimin e zemrës në të. Këtë zbulim të rëndësishëm e bëri mjeku i madh anglez Uiliam Harvej, në vitin. 1628. Më parë nuk dihej me saktësi se çfarë ishte zemra dhe çfarë funksionesh kryente. Mendohej se zemra kishte njëfarë lidhje me gjakun, por besohej se ajo ishte qendra e ndjenjave dhe e guximit. Edhe mjekët e mëdhenj të lashtësisë, Hipokrati dhe Galeni, nuk kishin arritur të kuptonin se ç’është zemra.

Zemra është një muskul shumë i fuqishëm në madhësinë e një grushti. Puna që kryen zemra është ajo e një pompe: zemra tkurret e lëshohet pa ndërprerje. Kur tkurret, ajo e shtyn me presion gjakun në arteriet, për ta shpërndarë në të gjithë trupin; kur lëshohet, mbushet përsëri me gjak. Kjo është puna që kryen zemra në çdo çast e gjatë gjithë jetës, prandaj thuhet se ajo është «qendra motore e jetës».

Zemra është e vendosur në kraharor, sipër diafragmës, ndërmjet dy mushkërive dhe është e mbështjellë nga një këllëf që quhet perikardi. Është e ndarë në dy pjesë: e majta dhe e djathta.

Në të vërtetë zemra nuk është një pompë e vetme, ajo është e përbërë nga dy pompa të ndara nga njëra-tjetra, por që bashkëpunojnë. Në mjekësi, në fakt, flitet për dy zemra: «zemra e majtë» dhe «zemra e djathtë». Të dyja këto ndarje që formojnë zemrën, paraqesin secila dy zgavra të vendosura njëra mbi tjetrën: zgavrat e sipërme, që i kanë muret më të holla, quhen veshi i majtë dhe veshi i djathtë, ndërsa dy zgavrat e poshtme quhen barkushja e majtë dhe e djathtë. Veshi dhe barkushja e njërit krah formojnë një pompë më vete dhe janë të ndara nga një valvolë, e cila e lejon gjakun të qarkullojë vetëm në një drejtim.

Trupi — Ynë

[cite]