ZORRA E TRASHË
Ajo që mbetet nga tretja, pasi prej saj janë thithur të gjitha lëndët e dobishme për organizmin, kalon në zorrën e trashë. Siç e thotë edhe vetë emri, zorra e trashë e ka diametrin më të madh se ai i zorrëve të holla, por është shumë më e shkurtër, 1,5-2 metra. Zorra e trashë është pjesa e fundit e aparatit tretës. Funksioni i saj është që të thithë nga lënda e tretur që vjen nga zorra e hollë, pjesën e lëngshme, të ujshme dhe, së fundi, atë që mbetet dhe që është e papërdorshme për organizmin, ta nxjerrë jashtë.
Zorra e trashë përbëhet nga tri pjesë kryesore, që janë: zorra e verbër, zorra kolonë dhe zorra e drejtë. Zorra e verbër është fillimi i zorrëve të trasha dhe ndodhet në krahun e djathtë, në pjesën e poshtme të barkut. Në të ndodhet një zgjatim në formë krimbi, që quhet apendiks. Zorra kolonë ndodhet në vazhdim të zorrës së verbër, ka një pjesë që ngrihet përpjetë në anën e djathtë, një pjesë tjetër që përshkon gjithë barkun, nga e djathta në të majtë, në lartësinë e kërthizës, dhe një pjesë që zbret në krahun e majtë. Zorra e drejtë është pjesa e fundit e këtij organi dhe përfundon tek anusi. Mukoza e zorrëve të trasha nuk është si ajo e zorrëve të holla, nuk ka ngritje dhe rrudhosje, është më e lëmuar.