Zengo
Zengo Nga plejada e ikonografëve dardharë mund të veçojmë 24 prej tyre, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar në zbukurimin e kishave ortodokse. Në Muzeun e Artit Mesjetar të Korçës ruhen ende 270 ikona, të cilat janë punuar nga mjeshtrit dardharë. Prej tyre mund të përzgjedhim: Vangjel Zengon, Sotir Keren, Grigor Zdrulin etj. Ikonografët dardharë kanë punuar jo vetëm nëpër kishat e qytetit të tyre, por edhe në Amerikë, Greqi, Rumani e gjetkë. Më i spikaturi prej tyre ka qenë Vangjel Zengo (1875-1941), i cili e mësoi artin e ikonografisë në Malin Athos, në atelienë e Grigor Zdrulit. Vangjeli shquhet si ikonografi më cilësor dhe prodhimtar. Firmën e tij mbajnë 180 ikona, të cilat gjenden në Muzeun e Artit Mesjetar. Ai ka punuar ikonat e kishave të Shën Gjergjit, Shën Triadhës, katedralen e Korçës etj. Një ikonograf tjetër nga Dardha është Efthim Zengo (1890-1940), i cili e mësoi artin e ikonografisë prej të vëllait Vangjelit. Të dy së bashku kanë punuar për zbukurimin e kishës së Shën Gjergjit në Dardhë. Në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë nëntë ikona janë pikturuar nga dora e Efthimit. Gjithashtu ai ka bashkëpunuar me ikonografë të tjerë dardharë në pikturimin e kishës së Shën Gjergjit në Korçë. Niko Zengo e zhvilloi aktivitetin e tij në Boston, ku emigroi në vitin 1910. Afresket e punuara prej tij janë në Kryekishën e Shën Gjergjit. Dy fotografi prej punimeve të tij ndodhen në Muzeun e Artit Mesjetar, të cilat janë dhuruar prej Kryekancelarit të Shën Gjergjit, Atë Artur Liolinit gjatë vizitës që bëri në qytetin e Korçës. Njëra prej fotografive paraqet afreskun e Krishtit si Kryeprift dhe tjetra skenën “Gjykatësi i Drejtë” që është pikturuar në kubenë e kishës. Andromaqi Zengo ka lindur në vitin 1913 në Korçë. Artin e ikonografisë e mësoi nga i ati Vangjeli. Së bashku kanë pikturuar kishën e Shën Mërisë në Korçë në vitin 1928 dhe më 1930 kishën e Shën Kollit në Hoçisht. Më vonë Andromaqi studioi në Akademinë e Arteve të Bukura të Athinës. Gjatë pushimeve të verës ajo ka punuar për zbukurimin e kishave. Kështu në vitin 1933 ajo pajisi me ikona kishën e Shën Triadhës. Në vitet 1929-1945 Andromaqi Zengo ka pikturuar në pesë kisha në rrethin e Korçës. Në vitin 1960 ajo ka punuar ikonat e kishës së Palasës në rrethin e Vlorës. Në vitet 1964-1965 Andromaqi Zengo ka realizuar me mjeshtëri afresket e Katedrales së Ungjillëzimit në Tiranë, e cila sapo qe ndërtuar dhe përurimin do ta bënte Kryeepiskopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Amerikës, Fortlumturia e Tij, Imzot Theofan Noli. Këto afreske janë pikturuar në stilin rus. Në kubenë e Katedrales është pikturuar Pantokratori, katër Ungjillorët dhe të katër engjëjt përreth kubesë. Këto afreske janë bërë me shpenzimet e kishës dhe kanë kushtuar 168 000 lekë. E veçanta në afresket e Andromaqi Zengos është se emrat e shenjtorëve janë shkruar shqip.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)