Zgavra e gojës

Goja është «reparti» i parë i aparatit tretës. Nga goja hyjnë ushqimet në organizmin tonë. Detyra e saj është kjo: të shndërrojë ushqimet e forta në një gjendje gjysmë të lëngshme. Këtë punë e kryejnë dhëmbët. Ata e copëtojnë, e shtypin dhe e përtypin ushqimin që ne hamë. Në të njëjtën kohë, ushqimi njomet me pështymë, të cilën e lëshojnë në sasinë e në kohën e duhur gjëndrat e pështymës. Kur kafshata është përpunuar e njomur në masën e duhur, shtyhet në fund të gojës e pastaj në faring, nga ku një unazë muskulore e kalon në ezofag.

Goja ka formën e një zgavre dhe në të ndodhen organet që kryejnë përpunimin e ushqimit: dhëmbët, të vendosur në mishrat e dhëmbëve në formë patkoi; gjuha dhe gjëndrat e pështymës. Pjesa e sipërme e zgavrës së gojës quhet qiellzë, ndërsa në pjesën e poshtme të saj qëndron gjuha. Zgavra e gojës, në anën e saj të prapme, komunikon me faringun. Faringu është një gyp i vogël dhe pjesa më e sipërme e gypit tretës. Ai jo vetëm që lidh gojën me ezofagun, por komunikon nga brenda me vrima e hundës dhe me laringun.

Trupi — Ynë

[cite]