ZHYTRA
✤ (Podiceps L.). Shpend uji i familjes së zhytrakëve (Podiceyidae),, me qafë të kuqe e krahë të shkurtër që përfaqësohet nga 5 lloje. Më e madhja (Podieeps cristatus, L.) që njihet edhe me emrin shator (Pogradec) ose Zh. e madhe, ka trup 52-55 cm, puplim të përhimët të errët në anët kurrizore, në pjesën barkore të bardhë, ka xhufka me pupla të zgjatura në anët e kokët (më të vogla tek femra), në pranverë mashkulli ka një «shall» me pupla të bukura. Zh. e madhe është shpend i përhershëm dhe dimërues i zakonshëm. Është e përhapur në Evropë, Azi dhe në Afrikën V. Në Shqipëri ndeshet në të gjitha gjolet bregdetare në liqenin e Shkodrës, Prespës dhe të Ohrit. Jeton tërë kohën në ujë ku ushqehet me insekte të ujit, peshq të vegjël, butakë etj. Në folenë e ndërtuar mbi grumbuj bimësh, që qëndrojnë mbi ujë, femra pjell 3-4 vezë. Zogjtë e porsaçelur janë në gjendje të notojnë. Mishi i Zh. nuk përdoret për t’u ngrënë, gjuhen për lëkurën me pupla të buta. (F.L.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Zhytra


[cite]