ZOGRAFËT


ZOGRAFËT
✤ (shek. XVIII). Vëllezërit Konstandin dhe Athanas, piktorë afreskesh e ikonash. Ishin nga fshatrat e Mokrës (Korçë). Mbiemrl i tyre i parë ishte Vaho. Krijimtaria e Z. shtrihet në vitet 1741-1783 dhe është më e pasura ndër gjithë piktorët e tjerë mesjetarë shqiptarë. Veprat i kanë punuar së bashku dhe në periudhën e fundit kanë bashkëpunuar me ta edhe Tërpoja, i biri i Kostandinit, si dhe Eftimiu, i biri i Atlianasit. Afresket e tyre ndeshen në shumë kisha: «Burimi jetëdhënës» në katedralen e vjetër të Korçës, afresket në kishën e Manastirit të Ardenicës (1744), në Shën Thanasin (1744-1745) dhe në Shën Kollin e Voskopojës (1750), në kishën e manastirit të Shën Pjetrit në Vithkuq (1750) etj. Më 1755, 1757 dhe 1765 kanë punuar tri afreske në malin Athos (Greqi). Ndër ikonat e shumta të tyre janë ato të kishës së Shën Kollit në Vanaj (Lushnje), të ikonostasit në katedralet e Beratit, të kishave të Korçës, Voskopojës etj.

Veprat e Z. shquhen për përmasat e mëdha, kanë kompozime të larmishme, pasuri etnografike dhe të veshjeve të pikturuara, nivel të lartë mjeshtërie artistike. Me këto shpjegohen porositë e shumta që kanë marrë për vepra në krahina të ndryshme të Shqipërisë dhe në malin Athos, i cili ishte qendër e artit të pikturës kishtare në atë periudhë.

(H.N.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Zografët


[cite]