ZONA E ALPEVE SHQIPTARE


ZONA E ALPEVE SHQIPTARE
✤ Zonë tektonike e Albanideve të jashtme veriore, që shtrihet pothuajse në tërë Alpet Shqiptare (shih). Vazhdon përtej kufirit në Dinaridet, ku emërtohet Zona e Karstit të Lartë. Shkëmbinjtë më të vjetër të Z. së A. Sh. janë ranorët e konglomeratët e permianit dhe të triasit të poshtëm. Mbi to shtrihen shkëmbinj karbonatikë me ndërshtresa tufesh vullkanike të triasit të mesëm dhe gëlqerorë e dolomite të triasit të sipërm. Duke filluar nga jurasiku në Z. e A.Sh. janë veçuar dy nënzona. Nënzona e Malësisë së Madhe, që ka pamjen e një sinklinali të madh, në pjesën qendrore të Z. së A. Sh., ka qenë një kurrizore nëndetare në të cilën janë formuar gëlqerorë organogjenë neritikë të jurasikut dhe kretakut, si dhe flishi i eocenit të poshtëm. Nënzona e Valbonës, që ka pamjen e një antiklinali të madh, në periferinë e Z. së A. Sh. ka qenë një shpat që lidhte nënzonën e Malësisë së Madhe me hullitë që e rrethonin. Në të janë formuar gëlqerorë, herë-herë pelagiikë, me ndërshtresa të pakta stralli në jurasik e kretak, si dhe flishi i majës së kretakut. Z. e A. Sh. si tërësi ka pamjen e një monoklinali me rënie të përgjithshme VP, të koklavitur nga rrudha më të vogla antiklinale e sinklinale, me krahë jo të pjerrët, që në disa raste, pranë shkëputjeve tektonike, janë të përmbysura. Tiparet strukturore kjo zonë i ka fituar gjatë fazave malformuese paleogjenike (sidomos në eocen), kur ka pësuar edhe zhvendosje horizontale. Si rrjedhojë Z. e A. Sh ka mbihipur në J e JL mbi Zonën e Krastës-Cukalit, ndërsa mbi të ka mbihipur Zona e Mirditës. Veç mbihipjes kryesore edhe në brendi të Z. së A. Sh. Ka shkëputje të shurnta tektonike, si rrjeahojë e të cilave pjesë të veçanta të saj kanë mbzhipur njëra mbi tjetrën. Në Z. e A. Sh. janë gjetur vendburime boksiti, që lidhen me ndërprerje në formimin e shkëmbinjve karbonatikë dhe shfaqje hekuri. (A.Xho.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Zona E Alpeve Shqiptare


[cite]