ZONA E GASHIT
✤ Zonë tektonike e Albanideve të brendshme veriore, që shtrihet në skajet më V të Shqipërisë. Vazhdon përtej kufirit në Dinaridet, ku emërtohet Zona e Durmitorit. Është e ndërtuar nga shkëmbinj sedimentarë paleozoikë e mesozoikë, pjesërisht të metamorfizuar, nga shkëmbinj magmatikë efuzivë bazikë e mesatarë, si dhe nga shkëmbinj mesatarë, acidë dhe më pak bazikë e ultrabazikë. Në krahinën e Gashit janë të përhapura rreshpet metamorfike paleozoike si dhe shkëmbinj të formacionit efuzivo-sedimentar, ndoshta jurasik. Ndërmjet tyre gjenden edhe masivi i granodioritëve të Trokusit, më i madhi i këtij lloji në Albanidet, si dhe trupa shkëmbinjsh subvullkanikë, andezitesh e dacitesh, me moshë ndoshta kretake. Në krahinën e Vermoshit janë të përhapur shkëmbinjtë karbonatikë të triasit të mesëm, si dhe shkëmbinj të ndryshëm vuilkanikë (diabaz, andezit, trakiliparit). Përgjithësisht struktura e Z. së G. ka rrudhosje të shumta e metamorfizëm të theksuar e në tërësi është e mbihipur në J mbi Zonën e Alpeve Shqiptare (shih). Në Z. e G. janë gjetur xeherorë polimetalorë (shih).
(K.Gj.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Zona E Gashit
[cite]