Ç’BËRI MENELAU KUR U KTHYE NË SPARTË
Helena shkonte larg nëpër det, e shoqëruar nga Paridi dhe dukej si një buzëqeshje e detit. Një ëndërrim që vinte nga Afërdita e shtynte të harronte njerëzit dhe gjërat që kishte lënë në vendin e saj dhe s’e linte të mendonte për hidhërimin e thellë që do t’i shkaktonte vetes dhe të tjerëve faji që po bënte.
— O mbret i Trojës, o mbretëreshë, dhe ju, o princa e princesha. Pa shikoni, po ju paraqit Helenën. Kush e sheh me sy, i gufon zemra nga gëzimi. Ajo është më e bukur se Hesiona, princesha që na kanë rrëmbyer e që unë shkova ta kërkoja. Dhe ju ta doni si bijën e si motrën tuaj.
Kështu foli Paridi. Princat dhe princeshat e vështruan me vëmendje gruan e mrekullueshme dhe zemra u gufoi nga gëzimi, sepse s’kishte njeri që ta shihte Helenën dhe të mos i gëzohej zemra. Helena trupgjatë dhe e hollë, e veshur në të bardha, me sytë e kaltër si deti dhe flokët e verdhë si dielli, dukej sikur sillte me vete diellin kudo që vente.
Mirëpo Kasandra, një nga vajzat e Priamit, u trishtua kur pa Helenën, sepse ajo e dinte të ardhmen; ajo i shihte si në një ëndërr me sy hapur gjërat që do të ndodhnin: vrasje dhe hakmarrje, festa dasme dhe luftëra, ngadhënjimtarë dhe të mundur. E, ndërsa vështronte Helenën, një mjegull e lehtë, e përbërë prej lotësh, prapa së cilës ndiheshin vajtime dhe vringëllima armësh dhe prangash, u ngrit përpara syve të Kasandrës.
— Helenë! Armë të shndritshme! Vajtimet e atyre që heqin shpirt! Brengë e pangushëllueshme! Skllevër me pranga!
Kështu pëshpëriti Kasandra, që shihte në mjegullën e lotëve armë dhe pranga dhe dëgjonte vringëllimat e tyre. Po asnjeri s’ua vuri veshin fjalëve të saj. Dhe Priami tha:
— O Parid Aleksandër, as unë as ndonjëri prej nesh s’ka parë kurrë grua më të bukur se kjo që na ke sjellë, dhe nëna jote, unë dhe vëllezërit e tu do ta duam si bijën e si motrën tonë.
Në këto fjalë e sipër Kasandra pa një vetëtimë shpatash, dëgjoi një vajtim të thellë në ajër dhe qau me të madhe.
— Helenë! Vuajtje pa mbarim! Vuajtje e pangushëllueshme! Trojanë të vrarë! Trojanë me pranga! Pa vështroni! Qyteti digjet i tëri!
Kasandra u rrëzua përtokë duke ulërirë, duke qarë, duke u ankuar, duke shkulur flokët. Nuk e ndiente më veten në pallatin e t’et, midis vëllezërve dhe motrave të saj, por i dukej sikur ishte në një fushë beteje, të mbushur me të vrarë dhe të plagosur, dhe së largu, një flakë e madhe e kuqe ngrihej në qiell. Prandaj qante dhe ankohej Kasandra.
Po asnjeri s’ia vuri veshin dhe asnjeri s’i besoi fjalët e saj. Të gjithë mbetën pa mend duke vështruar Helenën, sikur shihnin një perëndeshë, dhe Helena nuk mendonte më as për Spartën, as për Hermionën, por jetonte si në një botë mrekullish, sepse Afërdita e kishte magjepsur dhe ajo s’e kishte mposhtur dot.
Ndërkaq Menelau, hipur në anijen e tij, po kthehej në Spartë. Kishte parë një ëndërr të çuditshme, që ia kishte lënduar zemrën. Në shtëpinë e tij, te kreu i shtratit të Helenës, ishte mbështetur një pëllumb i bardhë dhe i hijshëm. Pastaj, një shqiponjë me pupla të arta e të larme kishte hyrë në dhomë, i ishte afruar pëllumbit, e kishte kapur lehtë në kthetrat e saj dhe e kishte shpënë jashtë, larg. Shqiponja dhe pëllumbi ishin zhdukur në ajër dhe një dhembje e mprehtë, si dhembja që shkaktohet nga një shigjetë që shpon mishin e gjallë, plagosi zemrën e mbretit që flinte.
Menelau mendonte ëndrrën dhe nuk guxonte të fliste, veç nuk kishte durim gjersa të kthehej në shtëpi, të kthehej te Helena, ta shihte të ecte me hap të lehtë nëpër dhomat e pallatit.
— Lundroni shpejt! — thërriste. — Përpara, përpara!
Vozitësit e ngitnin anijen me sa fuqi kishin. Një fllad i lehtë i gufonte velat e bardha dhe anija rrëshqiste shpejt mbi detin e gjerë. Arritën në bregun e Lakonisë. Menelau zbriti me nxitim dhe, pa i folur asnjeriu, hipi në karron e tij, fshikulloi kalin e zi dhe shkoi me vrap nëpër rrugën e bardhë për të arritur në qytet, te Helena.
Vraponte mbreti i ri flokëverdhë e mezi priste të mbërrinte. Vraponte drejt qytetit dhe shtëpisë së tij, ku mendonte të gjente gruan e vet; vraponte i lumtur përmes pyjeve dhe luadheve, maleve dhe fushave.
Krifa e kalit dhe puplat e helmetës valëviten në erë. Flokët e verdhë dhe ari i armëve shkëlqejnë në diell. Mbreti sheh më në fund së largu qytetin dhe shtëpinë me pullazin e lartë, fshikullon kalin dhe zemra i rreh fort kur zbret nga karroja përpara pallatit. Zemra i rreh fort: beson se do të shohë Helenën që shkëlqen me atë huzëqeshjen e saj…
Mirëpo Helena nuk është, nuk i del përpara, i dalin vetëm shërbëtorët, vetëm Hermiona. — Ku është Helena? — thërret Menelau. Po asnjeri nuk përgjigjet, asnjeri nuk flet, përveç Hermionës.
— Nuk ma ke sjellë mamin? Nuk e ke sjellë në shtëpi? Dua mamin! Ku është?
Kështu i tha Menelaut Hermiona e vogël, e cila e kishte kërkuar shumë t’ëmën ditët e fundit dhe kishte qarë shumë, sepse ajo nuk po kthehej.
Menelaut iu prish fytyra, u bë dyllë i verdhë dhe nuk iu përgjigj foshnjës. I bëri me shenjë Klimenës që t’i vinte pas dhe hyri me të në dhomën e Helenës.
— Klimenë, — i tha Menelau kur u gjendën në dhomë, — Klimenë, -ti rrije gjithnjë pranë mbretëreshës. Fol, tregomi të gjitha ato që di.
Klimena i tregoi të gjitha ato që dinte.
— Mirë, kthehu te shoqet e tua.
Këto fjalë tha Menelau dhe nuk foli më. Klimena u kthye te shoqet e saj dhe Menelau, si mbeti vetëm, u lëshua mbi shtrat e ndjenji si i ngrirë, si një lis i ri e i fortë, që shtrëngata e tërbuar e thyen dhe e shemb përdhe. Ndenji fillthi një copë herë të madhe.
Më në fund, mbreti doli nga dhoma dhe fytyra e tij dukej si fytyra e një njeriu që ka hequr një dhembje të thellë: ishte e zbehtë dhe e rreptë. Nuk i shfryu asnjeriu, vetëm u tha të mbrehnin kuajt.
Kuajt u mbrehën. Menelau hipi në karro, fshikulloi mëzat e i ngau me vrap derisa arriti në Mikenë, ku ishte mbret vëllai i tij, Agamemnoni.
— Ta kam nevojën. Kam nevojë për ju të gjithë. Parid Aleksandri, biri i Priamit, mbretit të Trojës, më ka rrëmbyer Helenën. Dikur, të gjithë ata që e patën kërkuar për grua Helenën, i janë betuar Tindarit se do të ndëshkonin këdo që do të guxonte ta rrëmbente Helenën dhe tani duhet ta mbajnë fjalën. Të gjithë duhet të armatosemi kundër Paridit.
Agamemnoni i dha fjalën të vëllait se do ta ndihmonte dhe u përpoq ta ngushëllonte. Pastaj Menelau shkoi në Pilos te Nestori, në Argo te Diomedi, në Ftia tek Akili, në Melibe te Filokteti, në Itakë tek Odiseu. Të gjithë i dhanë fjalën se do ta ndihmonin.
Mirëpo Odiseu, mbret i Itakës, që ishte njeri paqedashës dhe e donte atdheun, i tha Menelaut:
— Vëru veshin fjalëve të mia, o mbret i Spartës. Të gjithë jemi betuar vërtet se do të bashkohemi për t’i dalë krah të shoqit të Helenës, dhe nuk do ta shkelim fjalën e dhënë. Po, para se të armatosemi për luftë, a nuk bëjmë një orvatje për ta shtënë në dorë me të mirë? Sepse lufta djeg qytetet, shkatërron anijet, vret mijëra njerëz. Të mundurit bëhen mish për t’u shitur e për t’u blerë.
— Për t’u blerë? — pyeti Leoja.
— Ata që e humbin luftën bëheshin skllevër. Mbretër dhe mbretëresha, princa dhe princesha, të varfër dhe të pasur, pleq, të rinj dhe fëmijë — të gjithë bëheshin pronë e ngadhënjimtarëve, që i ndanin midis tyre të mundurit, i bënin ç’të donin, dhe mund t’i shitnin e t’i blinin.
Kur dëgjoi fjalët e urta të Odiseut, Menelau ra në mendime.
— Mirë thua. Do të shkoj te Priami që të marr vesh në ka ndër mend të ma kthejë Helenën. Paridi është i ri dhe i riu është si veriu, po Priami është plak dhe s’ka si të mos jetë i arsyeshëm. Po duhet të vish edhe ti me mua, se je i mençur dhe i zoti i gojës, dhe e ke më lehtë t’u mbushësh mendjen trojanëve që të ma kthejnë time shoqe.
— Do të vij me ty. Ia vlen barra qiranë të bëjmë një udhëtim për ta shpëtuar atdheun nga një luftë.
Kështu foli Odiseu dhe të dy mbretërit u nisën. U hipën anijeve, kapërcyen ishujt e lulëzuar të detit Egje, vazhduan udhëtimin dhe kapërcyen ishullin e Lemnos, lundruan prapë dhe arritën më në fund në brigjet e Azisë. Zbritën nga anija, hynë në qytetin e Trojës dhe kërkuan të takoheshin me Priamin, mbretin e Trojës.
[cite]