UDHËTIMI I ODISEUT E MENELAUT PËR TROJË
Priami po rrinte i qetë në shtëpinë e tij bashkë me të kushëririn, Antenorin. Kishin marrë fund festat për nder të Paridit dhe të Helenës e në qytet ishte qetësi si më parë. Ndërsa Priami dhe Antenori po flitnin me njëri-tjetrin, hyri një shërbëtor dhe tha:
— O mbret i Trojës, kanë ardhur dy të huaj. Njëri është Odiseu, mbret i Itakës, tjetri është Menelau, mbret i Spartës. Ç’duhet të bëjmë, o mbret i Trojës?
— T’i presim me të gjitha nderimet të dy mbretërit që na kanë ardhur si mysafirë dhe të marrim vesh çfarë kërkojmë. Ti, o Antenor, shko t’i takosh, shpjeri në shtëpinë tënde dhe priti me nderim. Unë do të thërres dijetarët e do të shoh se ç’do të më këshillojnë.
Antenori shkoi aty për aty të takonte Odiseun dhe Menelaun, i përshëndeti dhe i shpuri në shtëpinë e vet. Ndërkaq, Priami thirri djemtë e tij, të afërmit dhe njerëzit më të ditur të Trojës e u tha:
— Menelau dhe Odiseu, njëri mbret i Spartës dhe tjetri mbret i Itakës, kanë ardhur te ne. Ata do të kërkojnë të marrin prapë Helenën, pa dyshim. Ç’duhet të bëjmë? Ti, i urti Asios, më i moçmi dhe më i urti i të gjithëve, më thuaj mendimin tënd.
Plaku Asios, me mjekër e me flokë të gjatë e të bardhë, u përgjigj:
— O Priam, meqë ma kërkon, do të ta them mendimin tim. Mendoj se nuk ishte e udhës që ia rrëmbyen Helenën të shoqit dhe, në qoftë se Menelau kërkon Helenën, duhet t’ia kthejmë.
Si mbaroi së foluri, plaku Asios u ul, po princat u ngritën duke bërë zhurmë të madhe e duke bërtitur se nuk donin ta kthenin e se nuk ia kishin frikën asnjeriu. Secili deshi që të pranohej mendimi i vet dhe të gjithë ulërinin duke bërë një potere aq të madhe, sa s’merrte vesh i pari të dytin.
Pa ç’pa, u ngrit dhe mori fjalën një kushëri i Priamit, Eneu. Ky ishte një djalë i urtë dhe trim e të gjithë e donin. Zëri i tij i fortë dëgjohej mbi të tjerët dhe, kur e dëgjuan, të gjithë heshtën.
— Dëgjomëni mua ç’do t’ju them; ndoshta kjo do t’ju kënaqë. Të thërresim Menelaun dhe Odiseun. Pastaj të thërresim në mbledhje princat dhe popullin, që gjithë qyteti të vendosë ç’duhet bërë. Pranoni?
— Pranojmë! — u përgjigjën të gjithë.
Tellallët u ngarkuan t’u njoftonin qytetarëve se mbreti i thërriste në mbledhje. Ata u shpërndanë nëpër rrugë duke thirrur:
—Mbreti ju thërret në mbledhje, o qytetarë! Mblidhuni te sheshi! Shpejtoni!
Dhe njerëzit u derdhën si lumë. Të gjithë donin të shihnin Menelaun dhe të merrnin vesh pse kishte ardhur në Trojë. Njerëzit vinin, shtyheshin e bërtitnin duke mbushur sheshin e madh. Odiseu dhe Menelau zunë vendet më të larta dhe, kur Menelau u ngrit në këmbë ashtu i ri, flokëverdhë, trupderdhur e i pashëm, në shesh ra një heshtje e thellë.
— Një tradhtar, një njeri i poshtër, i rrëmbeu Spartës mbretëreshën dhe mua time shoqe. Popull i Trojës, a keni ndër mend ta mbani në qytetin tuaj Helenën? Po ta ktheni, Helada dhe Troja do të mbeten mike. Në qoftë se nuk e ktheni, le të bëhet luftë!
Si mbaroi së foluri Menelau, shpërtheu një zhurmë e madhe:
— Helena është jona!
— Nuk e rrëmbyen!
— Erdhi sepse donte të vinte!
— Nuk e kthejmë!
— Asnjë nga ne nuk ka ndër mend ta kthejë.
— S’kemi frikë nga lufta!
— Nuk e kthejmë Helenën!
Kështu thërritnin nga tërë anët trojanët të pezmatuar nga fjalimi i ashpër i Menelaut. Midis britmave u ngrit në këmbë Odiseu. Kishte një pamje të thjeshtë e të përunjët, i mbante sytë përdhe e nuk ta mbushte syrin. Po kur filloi të fliste, të gjithë ndien respekt e admirim, sepse fjalët dilnin nga goja e tij si flokët e dëborës që bien nga qielli një ditë dimri.
— Trojanë, dëgjoni fjalët e mia. Ndoshta Helena erdhi me dashjen e saj, por a duhej të vinte? A nuk ishte e shoqja e mbretit të Spartës? Dorëzoni gruan që mund të bëhet shkak i shumë fatkeqësive, o trojanë, kthejani Helenën Menelaut dhe atëherë Helada dhe Troja do të mbeten mike përgjithmonë!
Si mbaroi së foluri Odiseu, të gjithë mbetën një çast të heshtur; disa mendonin se do të ishte më mirë të dorëzonin Helenën dhe i jepnin të drejtë Odiseut, ndërsa të tjerë donin ta mbanin në Trojë.
U hëngrën midis tyre; secila palë ngulte këmbë në të vetën dhe që të gjithë s’pushonin së foluri. Odiseu dëgjonte me durim dhe po vriste mendjen në ishte nevoja të kërkonte të shtyhej mbledhja për ditën tjetër. Por, ndërkaq Menelau u ngrit përnjëherë dhe mori përsëri fjalën:
—Nuk më thoni, o trojanë, a keni ndër mend të ma ktheni Helenën? Ajo ishte gruaja ime para se të bëhej gruaja e princit tuaj tradhtar. A keni ndër mend të ma dorëzoni, apo jo?
Në këto fjalë të Menelaut, populli u zemërua sërish dhe u bë një potere e madhe.
— Jo, jo!
— Nuk duam!
— Atëherë luftë! — thirri Menelau.
Shumë vetë iu afruan këtij duke iu kanosur me grushte, gati për ta goditur, dhe as që ia vinin veshin Priamit dhe Eneut që u thoshin të ndaleshin.
Mirëpo Menelau, me shpatë në dorë, i plagosi ata që ishin më afër, doli me Odiseun te sheshi, u sul tek anijet dhe u largua në det.
[cite]