3.2 Fillimet e shkrimit shqip
Krahasuar me gjuhët e tjera kombëtare të Evropës, shqipja nuk gëzon traditë letrare të
gjatë. Në fakt, shqipja është gjuha kombëtare e fundit në Evropë që është dokumentuar. Kjo
rrethanë është sidomos për të ardhur keq jo vetëm nga pikëpamja letrare (ndonëse dihet që kemi
disa dokumente të shkruara në latinishte për shqiptarët), por edhe nga ajo gjuhësore, d.m.th. nuk
ka gjurmë të rëndësishme të gjuhës shqipe që të datojnë para shekullit të pesëmbëdhjetë.
Fillimet e letërsisë shqiptare, ose për të folur më saktë për këtë periudhë – të shkrimit shqip, janë
të rralla dhe disi të errëta.
Fillimi i shekullit të pesëmbëdhjetë na vë përpara një tekst kureshtar që mund të përbëjë
pikënisjen për shkrimin shqip. Ky është i ashtuquajturi teksti Bellifortis9, që ruhet në Muzeun
Konde (Musée Condé) në Shato dë Shantiji (Château de Chantilly) në veri të Parisit. I datuar
1405, ai përbën një shtojcë prej 29 rreshtash ndaj të ashtuquajturit dorëshkrimi Bellifortis (ms.
348/663, fol. 153v), një traktat i njohur mesjetar, në pjesën më të madhe në latinishte, mbi armët
dhe fortifikimet ushtarake, nga pirotekniku gjerman Konrad Kyezer (Conrad Kyeser, 1366-
1405). Kjo shtojcë, që nuk ka lidhje aspak me pjesën tjetër të dorëshkrimit Bellifortis, është një
tekst misterioz që merret me ritet e pagëzimit, ku bën pjesë edhe njëfarë ceremonie e pjekurisë
seksuale. Tetë rreshtat, ndoshta në shqipen e hershme, janë ndërfutur në tekstin latin. Teksti i
përkthyer është:
“Kjo është bukuria e të dymbëdhjetë shenjave të ndritshme. Djali i virgjër duhet pagëzuar në një ditë me diell në orët e para të mëngjesit, duke e mbajtur atë gjënë e
rrumbullakët me dorën e majtë të trupit [të tij] joharmonik. Kurse me dorën e djathtë të
ngritur lart ai duhet të mbajë një pishtar, duke shqiptuar dymbëdhjetë herë atë që është
perifrazuar. Pas një pauze, vjen ajo që kërkohet, e përshkruar më parë. Vjen e provohet
ajo punë e hollë. Ai që e kupton, e di se ç’është kjo punë. Mjafton një shprehje e
thjeshtë. I lidhshin e i bashkofshin dymbëdhjetë majat e qiellit me gjithë virtytet që kanë
brenda gjërat e paracaktuara
due racha yze inbeme zabel chmielfet dayce dayci
dayze yan yon yan.
Thuaji djalit [në] veshin e djathtë “ragam”, kurse [në] të majtin “echem” aq herë sa
lypset përsëritur, derisa të plotësoni normën e trupit joharmonik. Pastaj, profetët Enoh
dhe Elias dhe klerikët e lartë të ftuar do të lidhin bashkë gjërat e paracaktuara.
ragam ragma mathy zagma concuti perbra
ista aus auskar auskary ausckarye zyma bomchity
wasram electen eleat adolecten zor dorchedine
zebestmus lisne zehanar zehanara zensa
echem biliat adolecten zeth dorchene zehat stochis
lisne zehanar zehanara zehayssa.
Atë gjënë e mprehur e të fortë sipër duhet ta mbështjellësh me dyllë të paprekur dhe po
ashtu gishtin e madh të kthetrës së djathtë të djalit. Gjithashtu, ajo gjëja e rrumbullaktë
duhet të mbahet si më lart në dorën e djathtë, dhe nëse ngrihet e rëndohet më shumë,
mund të mbahet kështu edhe me dorën e majtë. Rrjedhtë e kaloftë ajo vala me të cilën
do të plotësosh atë që kërkohet. Për hir të Zotit.”
Pjesët e paqarta të tekstit Bellifortis përmbajnë namatisje e formula magjike me
përsëritje dhe shndërrime fjalësh, pa dyshim për arsye tabush, dhe kësisoj nuk janë menjëherë
të përkthyeshme. Me një shqyrtim më të imtë, për shembull, mund të shihet se dy rreshtat e
fundit duket se përsërisin dy rreshtat para tyre. Qoftë edhe në këtë formë të gjymtuar, shumë
elemente të tekstit jo rastësisht të kujtojnë shqipen.
Mister është në një farë mënyre edhe origjina e tekstit Bellifortis. Si ka përfunduar më
i hershmi dokument i shkruar i shqipes, po t’i quajmë kështu, në një dorëshkrim për punimet
xhenjere e fortifikuese në ushtri në Château de Chantilly? Dihet se Karli Anzhuin zbriti në
Vlorë më 1269 dhe tre vjet më vonë e shpalli veten rex Albaniae. Sundimi anzhuin në Shqipëri
zgjati deri në mesin e shekullit të katërmbëdhjetë dhe përfundoi në kthimin e disa viseve të
Shqipërisë veriore në katolicizëm. Disa nga këta katolikë, ose të paktën disa klerikë frëngj me
një farë njohjeje të shqipes, duhet të kenë ikur nga vendi e të kenë vajtur në Itali dhe Francë kur
u larguan frankët. Prandaj është fort bindëse që folës të shqipes të gjendeshin në Francën e
shekullit të katërmbëdhjetë e të pesëmbëdhjetë, ku është ruajtur ky tekst.
Teksti i kuptueshëm më i lashtë në gjuhën shqipe është një formulë pagëzimi që mban
datën 1462 e që thotë: Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit (Unë të pagëzoj në
emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë). Autori i kësaj formule ishte Pal Engjëlli (lat.
Paulus Angelus, rreth 1417-1470), argjipeshkëv i Durrësit dhe mik i ngushtë e këshilltar i
Skënderbeut. Këtë përkthim në shqipe të formulës së pagëzimit, e cila nevojitej shumë
për kthimin në fenë katolike të atyre që nuk flisnin latinisht, Engjëlli e përfshiu në një letër
pastorale me rastin e një sinodi të mbajtur në kishën e Trinisë së Shenjtë në Mat më 8 nëntor
1462. Teksti u zbulua në Bibliotekën Laurentiane10 në Firence nga dijetari rumun Nicolae Iorga (1871-1940) dhe u botua prej tij më 191511.
Njëzetenjë vjet më pas, më 1483, ndeshemi me një fjali në gjuhën shqipe (çka është
njëherazi edhe mallkimi i parë) në një pjesë teatrale të kohës së Rilindjes evropiane me titullin
Epirota12. Në këtë komedi në stilin e Plautit, të shkruar latinisht nga Thoma Mediusi (ital.
Tommaso de Mezzo), bashkëkohës dhe i njohur i Xhovani Piko dela Mirandola (Giovanni Pico
della Mirandola, 1463-1494), një këngëtar epirot (d.m.th. shqiptar) me emrin Damasken shan
një hanxhi që nuk ia pëlqen këngët, duke e mallkuar në gjuhën e vet me fjalët Dramburi te
clofto goglie (T’u dridhtë goja). Ky mallkim është në gjuhën shqipe dhe u ngjan shumë sharjeve
që përdoren edhe sot, “T’u mbylltë goja”, “T’u thaftë gjuha” etj., d.m.th. “Humbsh zërin për të
keqen tënde”. Pjesa teatrale u botua në Venedik më 1483, ndërsa kjo frazë njihej se ishte në
gjuhën shqipe dhe u botua vetëm më 197213.
Një dokument tjetër e më i rëndësishëm i shqipes së hershme është i ashtuquajturi
Ungjilli i Pashkëve ose Perikopeja14, pesëmbëdhjetë rreshta në shkronja greke, të përkthyera
nga Ungjilli i Shën Mateut (27: 62-66). Ai u zbulua nga historiani grek Spiridon Lampros
(1851-1919) më 1906 në një dorëshkrim greqisht15 të ruajtur në Bibliotekën Ambroziane në
Milano. Teksti, autori i të cilit nuk dihet, është në dialektin toskë, ndonëse jo i përkthyer mirë.
Për moshën e tij vlerësimet shkojnë nga shekulli i katërmbëdhjetë në shekullin e tetëmbëdhjetë.
Një analizë paleografike e tekstit e përcakton si shkrim të kohës nga shekulli i pesëmbëdhjetë
në shekullin e gjashtëmbëdhjetë.
Shekulli i pesëmbëdhjetë mbyllet me një tjetër tekst shqip (1497) që ruhet jashtë, kësaj
radhe në Gjermani. Është fjalori shqip i Arnold fon Harfit16 (Arnold von Harff, rreth 1471-
1505), një kalorës gjerman, udhëtar dhe shkrimtar, i lindur në një familje fisnikësh në Rinin e
poshtëm (në Harff mbi lumin Erft, në veriperëndim të Këlnit). Në vjeshtën e vitit 1496, fon
Harfi u nis për një udhëtim, me sa duket një pelegrinazh në Tokën e Shenjtë, çka e shpuri në
Itali, nëpër bregdetin shqiptar, në Greqi, Egjipt, Arabi, Palestinë, Azi të Vogël, dhe pastaj në
kthim nëpër Evropën qendrore në Francë e në Spanjë. Ai u kthye në Këln në vjeshtë të vitit
1498 ose 1499 dhe vdiq më 1505. Gjatë udhëtimeve, fon Harfi mblodhi materiale mbi gjuhët që
ndeshi në vende të ndryshme. Në një ndalesë në portin e Durrësit në pranverën e vitit 1497, kur
po lundronte me anije tregtare me vela nga Venediku në Aleksandri, ai shënoi njëzetegjashtë
fjalë, tetë fraza dhe dymbëdhjetë numra në shqipe, të cilat i hodhi bashkë me përkthimin
gjermanisht në ditarin e tij të udhëtimit. Përshkrimet e këtij udhëtimi u botuan më 186017, dhe
konsiderohen si shembujt më të mirë të kësaj gjinie, aq shumë të përhapur në fund të periudhës
së mesjetës. Gjatë udhëtimeve fon Harfi tregoi një interesim të vazhdueshëm për gjuhët dhe
zakonet e huaja, duke dhënë, përveç materialit në shqipe, edhe fjalorë të shkurtër me fjalë e
shprehje në gjuhët kroate, greke, arabe, hebraishte, turke, hungareze, baske dhe bretone. Këto përbëjnë atë që mund të quhej fjalor xhepi për udhëtarë, që zakonisht përfshijnë terma
ushqimorë, shtëpiakë e të udhëtimit, si dhe fraza të nevojshme si: “Mirëmëngjesi”, “Sa kushton
kjo”, apo “Grua, a mund të flemë bashkë sonte?” Kjo pyetje e fundit, për një arsye apo për një
tjetër, mungon në fjalorin shqip. Me të mbërritur në Durrës, fon Harfi shkruan:
“Nga Ulqini në Durrës lundruam me një erë shumë të fortë. Ky është një qytet i madh i
rrënuar nga turqit, e që tani është nën sundimin e Venedikut. Ky qytet shtrihet në
Shqipëri, ku banorët kanë edhe gjuhën e tyre, e cila nuk mund të shkruhet mirë, meqë në
këtë vend ata nuk kanë alfabetin e vet. Kam hedhur në letër disa fjalë të kësaj gjuhe
shqipe, të cilat po i jap më poshtë me alfabetin tonë:
1. boicke bukë
2. vene verë
3. oie ujë
4. mische mish
5. jat djathë
6. foeije vezë
7. oitter uthull
8. poylle një pulë
9. pyske peshk
10. krup kripë
11. myr mirë
12. kyckge keq
13. megaruneto18 ha
14. pijneto pi
15. tauernea tavernë
16. geneyrea19 burrë
17. growaa grua
18. denarye parà
19. sto20 po
20. jae jo
21. criste zot
22. dreckthe dreq
23. kijrija qiri
24. kale një kalë
25. elbe elb
26. fijetto fle
27. mirenestrasse mirëmëngjes
28. myreprama mirëmbrëma
29. meretzewen21 mirëdita
30. ake ja kasse zet ve22 çfarë ke që më pëlqen
31. kess felgen gjo kaffs23 sa bën
32. do daple do ta ble
33. laff ne kammijss24 laj këmishën time
34. ne kaffs25 si quhet
35. nea një
36. dua dy
37. trij tre
38. quater katër
39. pessa pesë
40. jast gjashtë
41. statte shtatë
42. tette tetë
43. nante nëntë
44. dieta dhjetë
45. nijtgint njëqind
46. nemijgo njëmijë”
Fon Harfi përdori mbi shqipen drejtshkrimin e tij gjerman, i cili natyrisht nuk mund të
mbante parasysh e të respektonte fonemat e shqipes që ndryshojnë nga ato të gjermanishtes.
Megjithatë, transkriptimi i shqipes26 prej tij nuk është më i keq se ai i teksteve të tjerë të
periudhës, dhe fjalori i tij i xhepit mund të përdoret nga të huajt deri diku edhe sot.
_______
9 kr. Elsie 1986b, 1997b.
10 Dorëshkrim Ashburnham numër 1167.
11 kr. Iorga 1915, f. 194-197.
12 kr. Medius 1516.
13 kr. Braun & Camaj 1972.
14 kr. Borgia 1930.
15 Codex 133, f. 63. Martini-Bassi Catalogus Codicum Graecorum. kr. Lampros 1906.
16 kr. Elsie 1984.
17 kr. Groote 1860.
18 më saktë ‘me ngrënë’.
19 më saktë ‘një njeri’.
20 më saktë ‘ashtu’.
21 më saktë ‘mirë se vjen’.
22 më saktë ‘a ke gjëkafshë të re’.
23 më saktë ‘qysh vlen kjo kafshë’.
24 më saktë ‘laj një këmishë’.
25 ne kaffs është keqkuptuar nga fon Harfi. Fjalë për fjalë, dhe më saktë, ajo do të thotë ‘një kafshë’ ose ‘një gjë’. Për këtë le të mendojmë udhëtarin e Mesjetës që vjen në Shqipëri dhe kërkon përkthimin e pyetjes ‘si quhet?’, dhe në vend që të marrë përkthimin i jepet një përgjigje për emrin në shqip të sendit që rastësisht ai mund të ketë treguar me gisht. Kështu që fon Harfi ka identifikuar përkthimin e pyetjes që kërkonte me fjalët shqip të përgjigjes.
26 kr. Hetzer 1981c.
Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia