4.1 Gjon Buzuku dhe libri i parë shqip (1555)
Vepra e njohur përgjithësisht me emrin Meshari nga Gjon Buzuku është libri i parë në
gjuhën shqipe e njëherazi një nga frytet më interesante në historinë e letërsisë shqiptare, të
paktën nga pikëpamja gjuhësore e kulturore.
Për shkak se ballina dhe gjashtëmbëdhjetë faqet e para të kopjes së vetme të njohur të
kësaj vepre historike mungojnë, për titullin origjinal dhe vendin e botimit vetëm mund të
hamendësohet. Është vërtetë një mrekulli që ky monument i madh i letrave shqiptare ka ardhur
deri në ditët tona.
Për autorin e Mesharit shqiptar dihet pak. Nga tiparet dialektore të gegërishtes
veriperëndimore të tekstit, mund të gjykohet se familja e Gjon Buzukut duhet të jetë diku nga
fshatrat e bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës, ndoshta afër Shestanit, tani në territorin e
Malit të Zi. Ato të dhëna të pakta që kemi për Buzukun, vijnë nga pasthënia e Mesharit, të cilën
Buzuku e shkroi me dorën e vet në gjuhën shqipe, pa e ditur ç’përmasa historike do të merrte
kjo punë e tij:
Është thënë në mënyrë bindëse se Buzuku nuk ka jetuar brenda Shqipërisë, por diku në
Adriatikun verior në Republikën e Shën Markut, ka të ngjarë në rajonin e Venedikut, ku familje
refugjatësh shqiptarë kishin ardhur pas pushtimit turk të Shkodrës më 14792. Në Venedik
Buzuku duhet të ketë pasur më shumë mundësi se në Shqipëri për shkollimin e nevojshëm letrar
e për specializimin si prift.
Mendimi i përgjithshëm është se Meshari i Buzukut ka qenë botuar në Venedik, ndonëse
po njëlloj mund të mendohet edhe për qendra botuese të bregdetit dalmat. Me sa duket, vepra
nuk ka pasur ndonjë përhapje të gjerë, prandaj dhe ka mbetur vetëm me një kopje të ardhur deri
në ditët tona. Rallësia e saj pa dyshim është rrjedhojë e politikës së lëkundur kishtare gjatë
Koncilit të Trentit (1545-1563) e më pas. Ka shumë të ngjarë që, në atmosferën e Reformës,
kisha të ketë dhënë në fillim autorizimin për këtë përkthim, por më vonë, në shenjë ripohimi të
doktrinës katolike tradicionale të Kundërreformës dhe në atmosferën e përgjithshme të
frikësimit që mbretëronte gjatë Inkuizicionit, të jetë orvatur të mos lejojë vepra në gjuhën
vendëse. Dihet se shumë vepra fetare e liturgjike kanë qenë ndaluar apo hequr nga qarkullimi
për një periudhë prej tridhjetë vjetësh nga 1568 deri 1598, dhe është plotësisht e mundshme që
Meshari i Buzukut të ketë qenë ndër to. Kjo do të shpjegonte si numrin e vogël të kopjeve të
veprës ashtu dhe mungesën e qarkullimit të saj.
Autorët e mëvonëshëm të letërsisë së hershme shqiptare, si Lekë Matrënga (1567-1619),
Pjetër Budi (1566-1622) dhe Frang Bardhi (1606-1643) duket se nuk e kanë njohur Mesharin,
ndonëse eruditi Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689), në një raport për Propaganda Fiden më 1665,
duke cekur çështjen e mungesës së librave në gjuhën shqipe dhe, duke renditur botimet për të
cilat kishte dëgjuar, përmend një ‘Euangelii in Albanese’ (Ungjill në shqip)3. Është krejtësisht e
mundshme që ta ketë pasur fjalën për Mesharin e Buzukut dhe se ka shënuar titullin origjinal të
veprës.
Kopja e vetme e ardhur deri në ditët tona e Mesharit të Buzukut u zbulua rastësisht më
1740 në bibliotekën e Kolegjit të Propaganda Fides prej Gjon Nikollë Kazazit (1702-1752) nga
Gjakova kur, si Argjipeshkëv i Shkupit, ishte për vizitë në Romë. Ai e cilësoi këtë zbulim si
“një meshar të lashtë shqiptar të rrëgjuar nga koha”. Kazazi bëri një kopje fragmentesh të tekstit
e ia dërgoi Gjergj Guxetës (Giorgio Guzzetta, 1682-1756), themelues i Seminarit shqiptar në
Palermo. Dihet se në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë libri ka bërë pjesë në koleksionin e pasur
të kardinalit Stefan Borxhia, që më vonë përfundoi në Bibliotekën e Vatikanit4. Pas shumë
vitesh harrimi, Meshari u nxor në dritë nga Monsinjor Pal Skiroi (Paolo Schirò, 1866-1941),
peshkop e dijetar arbëresh nga Sicilia, i cili e fotokopjoi tekstin më 1909-1910 dhe përgatiti një
transliterim e transkriptim të tij. Për fat të keq, studimi i gjerë i Skiroit për Mesharin është
botuar vetëm pjesërisht5. Më 1929 u bënë tri kopje të tjera për studiuesin françeskan Justin
Rrota (1889-1964), i cili botoi fragmente të Mesharit një vit më pas në shtypshkronjën
françeskane në Shkodër6. Për herë të parë botimi i plotë u mor përsipër më 1958 nga Namik
Ressuli (1908-1985), përfshirë një fotokopje e një transkriptim7. Dhjetë vjet më vonë, gjuhëtari
Eqrem Çabej (1908-1980) bëri botimin e tij kritik në dy vëllime në Tiranë8. Vëllimi i parë i
Mesharit të Çabejt përmban një studim hyrës me një transliterim të të gjithë tekstit; vëllimi i
dytë përmban një faksimile të origjinalit dhe një transkriptim fonetik, i cili përbën një ndihmë
të madhe për të kuptuar drejtshkrimin e Buzukut, që është shpesh me gabime.
Meshari në fillim përbëhej prej 110 fletësh ose 220 faqesh, nga të cilat kanë mbetur 94
fletë ose 188 faqe. Libri përmban jo vetëm një meshar (lutje e rite për gjithë vitin), por edhe
shumë fragmente të përkthyera nga librat e lutjeve, psallmet dhe litanitë katolike. Për këtë
arsye, pjesa më e madhe e veprës përbëhet nga përkthime prej Dhjatës së Vjetër e të Re, fakt ky
që lehtëson mjaft interpretimin e tekstit, i cili nuk u është shmangur gabimeve të shtypit apo
kapërcimeve. Të 188 faqet e tekstit përfshijnë 154,000 fjalë me një fjalor të përgjithshëm prej
rreth 1500 leksemash9.
Meshari u botua në stilin gjysëmgotik të Italisë së veriut me shkronja latine, përfshirë
edhe pesë shkronja me prejardhje cirilike për tingujt që nuk gjenden në latinishte apo italishte.
Për këtë arsye shtypshkronja e Buzukut duhet të ketë pasur kontakt me serbo-kroatishten, në
veçanti me karakteret e shkrimit bukvica të përdorur në Bosnjë. Stili i shkronjave i ngjan atij të
përdorur në Venedik më 1523 dhe 1537, ku kishin qenë botuar edhe mesharët në cirilikë për
katolikët e Bosnjës. Mario Roku (Mario Roques, 1875-1961) vëren në studimin e tij për tekstet
e lashta në gjuhën shqipe10 se Buzuku u ishte borxhli sllavëve katolikë të Bosnjës, Dalmacisë
dhe Serbisë jo vetëm për shkronjat cirilike e për tipografinë venedikase, por ndoshta edhe për
vetë idenë që t’u jepte bashkëvendësve një meshar në gjuhën e tyre. Roku, gjithashtu, bën
krahasime të përmbajtjes me një meshar boshnjak të botuar më 1512, dhe në veçanti disa
elemente françeskane që na japin çelesa të tjerë të tërthortë për të njohur autorin dhe veprën e
tij.
Gjuha e Buzukut, sikundër u tha më sipër, paraqet tipare të gegërishtes veriperëndimore
nga viset e bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës, ndonëse në të takohen edhe elemente të
dialekteve të tjera. Kjo na shpie në përfundim që Buzuku është përpjekur të përdorë një gjuhë
më gjerësisht të kuptueshme se dialekti i tij vendës ose, që mund të jetë edhe më e vërtetë, se ai
ka lindur dhe është rritur jashtë Shqipërisë. Jo vetëm që gjuhës së Buzukut i mungon krejtësisht
ai ndikim i fortë nga turqishtja i shqipes së mëvonëshme, por ajo edhe përmban shumë tipare
çuditërisht arkaike të padokumentuara ndryshe, të cilat deri tani, falë kompleksitetit të sistemit
shkrimor të përdorur prej tij, janë hetuar veçse pjesërisht. Për historianët e gjuhës Buzuku është minierë të dhënash.
Gjon Buzuku nuk ishte një krijues i mirëfilltë i letërsisë. Meshari i tij, me përjashtim të
pas-shënimit, është thjesht një konglomerat përkthimesh nga tekste fetare në gjuhën latine. Por
si autor i librit të parë në shqip, mund të thuhet se është ai që e lindi shqipen letrare. Stili i
rrjedhshëm i tij ka bërë që disa studiues të hamendësojnë për ekzistencën e njëfarë tradite
letrare në Shqipërinë veriore të asaj kohe, por deri më sot nuk është zbuluar ndonjë vepër më e
hershme.
______________
1 Transkriptim fonetik nga Ressuli 1958, f. 379.
2 kr. Zamputi 1988.
3 kr. Shuteriqi 1977, f. 58.
4 Ai tani është kataloguar nën Ed. Prop. IV. 244.
5 kr. Schirò & Petrotta 1932.
6 kr. Rrota 1930.
7 kr. Ressuli 1958.
8 kr. Çabej (red.) 1968.
9 Për leksikun e Buzukut, kr. K. Ashta, 1964-1966.
10 kr. Roques 1932b.
Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia