7. SOTTO IL SERENO CIELO ITALIANO (Nën qiellin e kthjellët italian).
LETËRSIA ARBËRESHE NË SHEKUJT XVIII E XIX
7.1 Emigrimi shqiptar në Itali
Një degë e fuqishme e letërsisë shqiptare që do të zhvillohej më vete jashtë Ballkanit
ishte letërsia e italo-shqiptarëve apo arbëreshëve të Italisë jugore. Grupe të rralla shqiptarësh
kishin pasë marrë rrugën drejt Italisë qysh më 1272, 1388 dhe 1393, por vetëm në mesin e
shekullit të pesëmbëdhjetë kemi ngulime të dukshme, kur trupa shqiptare nën komandën e
Demetrius Reres u thirrën në Itali nga Alfonsi I Aragon (mbretëroi 1435-1458), mbreti i
Napolit, për të mposhtur një kryengritje në Kalabri. Për ndihmën që dha, Reresit iu ofrua tokë
në Kalabri më 1448, dhe pikërisht atje u vendosën ushtarët e tij me familjet e tyre. Thuhet se
bijtë e tij, Gjergji dhe Vasili, më vonë morën rrugën për në Sicili dhe ngritën atje kolonitë e para
shqiptare. Por ngulimet masive filluan me pushtimin e Ballkanit nga ana e Turqisë, gjë që
shpuri në një eksod të madh të shqiptarëve drejt Italisë. Ky eksod u bë edhe më i ndjeshëm pas
disfatës së qëndresës shqiptare me vdekjen e Skënderbeut më 1468, i cili kishte gjetur një
mbështetje bujare nga ana e Oborrit Aragonas. Midis viteve 1468 dhe 1478 valë refugjatësh
braktisën Shqipërinë jugore për t’u ngulur në Basilikatë, Molize, Pulje, dhe sidomos në Kalabri.
Shqiptarë të tjerë u arratisën nga Greqia më 1532-1533 pas shtrirjes së Turqisë në More dhe u
vendosën kryesisht në Sicili. Këto valë refugjatësh formuan bërthamën e kolonizimit shqiptar
në Italinë jugore, ndonëse emigrantë të tjerë pasuan në vitet e mëvonëshme28. Për shembull, një
grup nga Piqerasi i krahinës së Himarës të Shqipërisë jugore u vendosën në Badhesë (ital. Villa
Badessa) afër Peskarës më 1744-174629, kurse një grup më i fundit u vendos në Brindizi di
Montanja (ital. Brindisi di Montagna) afër Potencës më 1774.
Shqiptarët themeluan ose ripopulluan gjithsej mbi njëqind qytete e fshatra në Italinë
jugore, gjysma e të cilave e më shumë gjenden në malësinë e Kalabrisë. Sot janë rreth
pesëdhjetë qytete të shpërndarë anembanë Mezzogiorno-s, ku ende dëgjohet të flitet shqip. Këto
bashkësi, që vlerësohet se përbëjnë një popullsi shqipfolëse prej rreth 90,000 vetësh, gjenden në
shtatë krahina: Abruce, Molize, Kampania, Pulje, Bazilikata, Kalabri dhe Sicili. Ato janë:
Krahina e Peskarës (ital. Pescara / Abruzzi):
Badhesa (ital. Villa Badessa),
Krahina e Kampobasos (ital. Campobasso, Molise):
Këmarini (ital. Campomarino), Munxhifuni (ital. Montecilfone), Portkanuni (ital.
Portocannone) dhe Ruri (ital. Ururi),
Krahina e Avelinos (ital. Avellino / Campania):
Greçi (ital. Greci),
Krahina e Foxhias (ital. Foggia / Puglia):
Kazallveqi (ital. Casalvecchio di Puglia) dhe Qeuti (ital. Chieuti),
Krahina e Tarantos (ital. Taranto / Puglia):
Shën Marxani (ital. San Marzano di San Giuseppe),
Krahina e Potencës (ital. Potenza / Basilicata):
Barilli (ital. Barile), Xhinestra (ital. Ginestra), Mashqiti (ital. Maschito), Shën
Kostandini (ital. San Costantino Albanese) dhe Shën Pali (ital. San Paolo Albanese),
Krahina e Kozencës (ital. Cosenza / Calabria):
Firmoza (ital. Acquaformosa), Kastërnexhi (ital. Castroregio), Kajverici (ital.
Cavallerizzo), Qana (ital. Cerzeto), Çifti (ital. Civita), Ejanina ose Purçilli (ital. Eianina
ose Poicile), Fallkunara (ital. Falconara Albanese), Farneta (ital. Farneta), Ferma (ital.
Firmo), Frasnita (ital. Frascineto), Ungra (ital. Lungro), Maqi (ital. Macchia Albanese),
Marri (ital. Marri), Pllatani (ital. Plataci), Shën Vasili (ital. San Basile), Shën Benedhiti
(ital. San Benedetto Ullano), Strigari (ital. San Cosmo Albanese), Shën Mitri (ital. San
Demetrio Corone), Shën Japku (ital. San Giacomo di Cerzeto), Mbuzati (ital. San
Giorgio Albanese), Shën Murtiri (ital. San Martino di Finita), Picilia (ital. Santa
Caterina Albanese), Shën Sofia (ital. Santa Sofia d’Epiro), Spixana (ital. Spezzano
Albanese) dhe Vakarici (ital. Vaccarizzo Albanese),
Krahina e Katanxaros (ital. Catanzaro / Calabria):
Garafa (ital. Caraffa di Catanzaro), Karfici (ital. Carfizzi), Puhëriu (ital. Pallagorio),
Shën Kolli (ital. San Nicola dell’Alto) dhe Vina (ital. Vena di Maida),
Krahina e Palermos (ital. Palermo / Sicilia):
Kundisa (ital. Contessa Entellina), Hora e Arbëreshëvet (ital. Piana degli Albanesi) dhe
Shëndhastini (ital. Santa Cristina Gela).
Edhe pse gjuha shqipe kurrsesi nuk është zhdukur në Itali pas pesëqind vjetësh
ekzistence, italishtja po mbisundon edhe në fshatrat të veçuar malorë. Në një numër bashkësish
të sipërpërmendura, shqipja flitet ende nga të gjithë banorët, kurse në ngulime të tjera vetëm të
rriturit janë dygjuhësh, kurse fëmijët flasin vetëm italisht. Në disa bashkësi të tjera vetëm pleqtë
e kuptojnë shqipen. Kështu në komunikimin nëpër fshatra është kaluar shkallë-shkallë nga
shqipja në italishte, dhe kjo për disa arsye: përdorimi i detyrueshëm i italishtes në të gjitha
shkollat, mungesa e njohjes zyrtare dhe e mbështetjes nga qeveria italiane, mungesa e një
territori të pandarë shqipfolës, mjetet e komunikimit në gjuhën italiane, dhe sidomos emigrimi
stinor për shkak të papunësisë kronike që ekziston në Italinë e jugut. Për komunikimin me
shkrim, shqipja është përdorur vetëm nga një pakicë intelektualësh përderisa shkollimi dhe
nxitjet kulturore të jashtme kanë qenë gjithmonë në gjuhën italiane. Dallimet serioze midis
dialekteve të shqipes që fliten në Italinë e jugut dhe gjuhës letrare në Shqipëri e kanë bërë,
gjithashtu, të vështirë për arbëreshët që t’i përshtaten shqipes letrare për të komunikuar me
shkrim.
____________
28 Për kolonizimin shqiptar të Italisë jugore, kr. Morelli 1842, Dorsa 1847, Scaglione 1921, Zangari 1940, Tajani 1969, Cassiano 1977, Bartl 1981a, Rotelli 1988 dhe Dessart 1984.
29 kr. Camaj 1975.
Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia