7.2 Letërsia arbëreshe në shekullin e tetëmbëdhjetë
Vepra e parë e letërsisë arbëreshe, E mbsuame e krështerë (Doktrina Kristiane) nga
kryeprifti sicilian Lekë Matrënga (1567-1619), daton aty nga fundi i shekullit të bërë kristianizmin më të kuptueshëm njerëzve në Italinë e jugut duke përdorur gjuhën e tyre, qe
parathënë të mbetej një rast i veçuar i krijimtarisë në gjuhën e vet përderisa, me sa dimë, nuk
pati fuqi të nxiste të tjerë intelektualë e krerë fetarë arbëreshë të kohës për ta shkruar gjuhën
amtare.
Shekulli i shtatëmbëdhjetë, që u dëshmua jashtëzakonisht i frytshëm për zhvillimin e
shkrimit dhe të letërsisë brenda Shqipërisë, nuk pa kurrfarë shenjash veprimtarie letrare ndër
arbëreshët, madje duhet të presim plot një shekull e gjysmë nën qiellin e kthjellët italian dhe në
truallin pjellor të qytetërimit italian.
Fillimit të ri në shekullin e tetëmbëdhjetë vrulli i erdhi përsëri nga Sicilia, pa dyshim për
shkak se shumë ngulime arbëreshe atje, sidomos Hora e Arbëreshëvet (ital. Piana degli
Albanesi), ishin gjeografikisht më afër një qendre të kulturës qytetëse, d.m.th. kryeqendrës së
Sicilisë Palermo me traditat e saj të pasura e të hershme kulturore.
Ndër poetët e parë arbëreshë të shekullit të tetëmbëdhjetë ka qenë Nikollë Brankati
(ital. Nicolò Brancato, 1675-1741) nga Hora e Arbëreshëvet, doktor në filozofi dhe ‘protopapas’
i fshatit të lindjes. Më 1717 Brankati u emërua kryeprift në kishën arbëreshe të Palermos, detyrë
që e mbajti derisa vdiq. Mbeti në histori për përkthimin dhe përshtatjen e shumë këngëve fetare
nga italishtja e latinishtja si dhe për disa origjinale të tijat në shqipe. Poezia e tij me metrikë të
pasur e të përpunuar, shpesh e një karakteri meditues të ngjashëm me atë të këngëve fetare
italiane të periudhës baroke, u botua për herë të parë e shumë kohë më vonë nga Dhimitër
Kamarda (Demetrio Camarda), Xhuzepe Skiroi plaku (Giuseppe Schirò) dhe Mikel Markianoi
(Michele Marchianò)30 ndërkohë që një prej pjesëve të saj kishte qenë ruajtur në Kodikun e
Qeutit (1737), një përmbledhje këngësh popullore dhe vjershash arbëreshe nga Sicilia e zbuluar
më 1901 nga Mikel Markianoi. Megjithatë, nuk jemi krejtësisht të sigurtë se cila nga vjershat në
këtë dorëshkrim e në të tjerët është shkruar vërtet nga Brankati.
Kodiku i Qeutit (ital. Chieuti), një bashkësi shqiptare në veri të Foxhas në Pulje,
përmban edhe poezi shqip nga Nikollë Filja31 (ital. Nicolò Figlia, 1682?-1769), për të cilin
thuhet se e ka pasur këtë kodik të tijin që nga viti 1736 deri më 1746. Filja ka qenë kryeprift në
fshatin e tij Munxifsi (ital. Mezzoiuso) në Sicili pasi kishte shërbyer për shumë kohë si kryeprift
në Qeuti. Është autor vjershash fetare pa ndonjë meritë artistike të veçantë, pjesa më e mirë e të
cilave është e përshtatur nga poezia italiane e siciliane. Ka përkthyer, gjithashtu, një katekizëm
të titulluar I Cristèu i Arbrésc mbesùare ne mistìriet klìscese scèite (I krishteri arbëresh i mësuar
me të fshehtat e kishës së shenjtë) në dialektin sot të zhdukur të Munxifsit32. Përveç kësaj,
mendohet se Filja ka përmbledhur të tetëmbëdhjetë këngët popullore arbëreshe të përfshira në
këtë kodik, Këngëzë të pleqrijsë, që, me sa duket, përbën përmbledhjen më të hershme
ekzistuese të këngëve popullore arbëreshe33.
Shtytje vendimtare i dha përparimit intelektual e kulturor të arbëreshëve të Sicilisë
ngritja e një kolegji apo seminari grek34 në Palermo35 në vitin 1730. Themeluesi i saj, Gjergj Guxeta36 (ital. Giorgio Guzzetta, 1682-1756) nga Hora e Arbëreshëvet, ka qenë autor prozash
e poezish në italishte, autor i një studimi etimologjik për gjuhën shqipe e i një vepre historike
të titulluar Cronica della Macedonia fino ai tempi di Scanderbeg (Kronikë e Maqedonisë37 deri
në periudhën e Skënderbeut). Pak kohë pas themelimit, ky seminar u bë qendra intelektuale e
bashkësisë shqiptare në ishull, nga ku do të dilnin shumë shkrimtarë e dijetarë me emër.
Një ndër studentët e parë e, njëkohësisht, më të shquar të seminarit grek në Palermo ka
qenë Nikollë Keta38 (Nicola Chetta, 1740?-1803). Keta ka lindur39 në Kundisa (ital. Contessa
Entellina), ngulimi më i vjetër shqiptar në Sicili, i themeluar midis viteve 1450 dhe 1467. Në
seminar pati mësues Gjergj Guxetën dhe dijetarin Paolo Maria Parrino40 (1710-1765). Më 1777
Keta u bë vetë rektor i atij seminari. Si poet ka shkruar vargje fetare dhe laike në gjuhën shqipe
dhe në greqishte. Ai ka meritën të jetë autori i tingëllimës së parë shqiptare (1777):
“Farie së ndeerme në Kuntisë u bii
Kolë Ketta, vllastar i t’arbrit dhee,
Shkoi në Palermë praa tek e Arbrit shpii,
Ç’e reshti, si zogu rep në folee.
E veshi e e ngjeshi me zakon, me urtësii,
Për në vapët e përtriijti ndënë hjee,
Si të veshkurin rremp stolis një dhrii,
E nani prift klisha kurorë e vee.
Si zok i sbjerrë praa t’di krahët çoi
Në Palermë e n’Kuntisë, po ktei e atei
Ndeern’e Arbreshet të gjithë gramët kërkoi.
Si krymp mundafshi gjith e svis vetëhei
E ktë vistaar tuar, kjëndisi e shkroi,
Se të kjosëj gjithë Arbrin ndjeer përtei.”
(Nga fis i ndershëm lindi në Kundesa
Kolë Keta, pinjoll i dheut të Arbërisë
Shkoi në Palermo pra te shtëpia e Arbrit
Që e priti si zog të njomë në fole.
E veshi e e ngjeshi me zakon, me urtësi,
Dhe në vapë e përtëriti nën hije,
Ashtu si rrembin e vyshkur stolis një dhri,
Dhe tani është prift, në kishë vë kurora.
Si zog i zbjerrë të dy krahët i çoi,
Në Palermo e në Kundisa, këndej e andej,
Në shkrimet e tij nderin e arbëreshëve kërkoi.
Si krimb mëndafshi u shua prej vetiu,
Dhe këtë visar tori, qëndisi e shkroi
Që të qoste gjithë Arbërinë gjer përtej.)
Më 1763 Keta hartoi një fjalor italisht-shqip prej 240 faqesh, i cili më 1779 u zgjerua
mjaft deri në 640 faqe me rreth 10.000 fjalë. Një kopje e këtij Vocabulario italiano-albanese
ende e pabotuar ruhet në Koleksionin Shqiptar në Bibliotekën Mbretërore në Kopenhagë41.
Libri i tij Tesoro di notizie su de’ Macedoni, 1777 (Thesar njoftimesh mbi maqedonët), në
kapakun e brendshëm të të cilit u zbulua tingëllima e mësipërme, është një trajtesë historike
etnografike në italishte, deri diku jo pa atë shkallë fantazie tipike për kohën, për prejardhjen dhe
historinë e shqiptarëve e të emigrimit të tyre në Itali. Ajo u botua pjesërisht në revistën La
Sicilia në Palermo më 186742. Vëllimi i parë trajton etnogjenezën e shqiptarëve deri në periudhëm romake dhe përhapjen e krishterimit; vëllimi i dytë trajton historinë e shqiptarëve
nga periudha romake e deri në ditët tona, kurse vëllimi i tretë – emigrimin nga Shqipëria dhe
Greqia në Italinë e jugut si dhe themelimin e seminarit grek në Palermo.
Keta ishte poet me imagjinatë krijuese, ndonëse vargu i tij, me sa mund të gjykojmë sot
për sot, nuk shquhet për ndonjë frymëzim të thellë, për metrikë të përpunuar apo për mjeshtëri
gjuhësore. Rëndësia e tij, përgjithësisht, qendron më fort në larminë dhe shumanshmërinë e
interesave dhe përpjekjeve si leksikograf e gjuhëtar, si një historian romantik i ndikuar mjaft
nga Parrino dhe Guxeta, si teolog me prirje neoplatonike, dhe si figurë publike e fetare në
detyrën e rektorit të seminarit grek. Por vlerësimi përfundimtar për Nikollë Ketën dhe veprën e
tij mund të bëhet vetëm pasi dorëshkrimet të jenë botuar e studiuar si duhet.
Ndër poetë të tjerë shqiptarë nga Sicilia në shekullin e tetëmbëdhjetë mund të
përmenden Jovan-Krisostomo Guxeta43 (ital. Giovanni-Chrisostomo Guzzetta, 1700-1770),
prift arbëresh nga Hora e Arbëreshëvet, nip i Gjergj Guxetës dhe autor vjershash fetare; Nikollë
Suli (ital. Nicolò Suli, vd. 1785), prift nga Pallaci (ital. Palazzo Adriano) dhe zëvendësrektor i
seminarit grek në Palermo, që ka qenë autor i një vjershe shqip të datuar 1757; Xhuzepe
Barça44 (ital. Giuseppe Barcia) nga Pallaci, autor i një vjershe didaktike të shkruar më 1753 me
titullin Njeriu i harroshëm; Andrea Filja (ital. Andrea Figlia), prift dhe kapelan i Regjimentit
Maqedon Perandorak të krijuar nga mbreti i Dy Sicilive, autor i një vjershe në Kodikun e
Qeutit45, që mban datën 1770; dhe Jovan Thoma Barbaçi (ital. Giovanni Tommaso Barbaci,
1742-1791) nga Munxifsi, famullitar i kishës ortodokse në Napoli dhe, ashtu si Andrea Filja,
kapelan i Regjimentit Maqedon Perandorak, për të cilin thuhet se ka qenë mësues i greqishtes
në Trapani. Barbaçi përmendet për një vjershë fetare me titullin O ti çë helme shkove, kushtuar
Shën Mërisë46.
Edhe pse arbëreshët e Sicilisë, padyshim për shkak të stimulit kulturor të seminarit grek
të Palermos, mund të kishin hedhur më herët themelet e një letërsie arbëreshe, na duhet të
kthehemi te malet e Kalabrisë për të gjetur poetin e parë arbëresh vërtet të talentuar, Jul
Varibobën47 (ital. Giulio Varibobba, 1724-1788), i vështruar nga shumë të tjerë si poeti i parë
i vërtetë në mbarë letërsinë shqiptare.
Variboba lindi në fshatin Mbuzat (ital. San Giorgio Albanese) në krahinën e Kozencës,
në një familje me prejardhje, thuhet, nga Mallakastra në Shqipërinë jugore. Ndoqi studimet në
seminarin Korsini (Corsini) në Shën Benedhiti (ital. San Benedetto Ullano), qendër e dijes dhe
e shkollimit për klerin bizantin grek. Ky seminar48, i themeluar më 1732 nga Papa Klementi XII, pati ndikim në zhvillimin kulturor të arbëreshëve të Kalabrisë në shekullin e tetëmbëdhjetë,
të ngjashëm me atë të seminarit grek në Palermo për arbëreshët e Sicilisë. Variboba, një nga
studentët e parë të seminarit, u shugurua prift më 1749 dhe u kthye në Mbuzatin e tij për të
ndihmuar të atin e moshuar Xhovani, kryeprift i famullisë. Qysh gjatë studimeve në seminarin
Korsini, Variboba kishte pasur një parapëlqim të theksuar për ritet latine (katolike) përkundër
ritit tradicional grek bizantin në kishën arbëreshe49. Me kalimin e kohës përkrahja e tij për
kalimin në ritin katolik ngjalli mjaft kundërshtime dhe i dha emër jo të mirë si në famullinë e tij
ashtu edhe në hierarkinë kishtare vendore në Rossano, sidomos pas thirrjes së drejtpërdrejtë që
i bëri Papës. Me sa duket u detyrua të emigrojë, në fillim në Kampanjë e pastaj në Napoli, e më
1761 u vendos në Romë, ku edhe kaloi pjesën tjetër të jetës. Variboba vdiq ditën e fundit të vitit
1788.
Me gjithë trazirat e këtyre viteve, Variboba duhet të ketë kaluar edhe periudha të qeta,
sepse menjëherë pas ardhjes në Romë u botua Ghiella e Shën Mëriis Virghiër, Romë 1762 (Jeta
e Shën Mërisë së Virgjër), i vetmi libër arbëresh i shtypur në shekullin e tetëmbëdhjetë. Kjo
poemë prej 4717 vargjesh, me një strukturë pjesësh jo fort të lidhura, e shkruar tërësisht në
dialektin e Mbuzatit dhe e ngarkuar me mjaft fjalor të italishtes së Kalabrisë, i kushtohet jetës
së Shën Mërisë nga lindja deri në Ngjitjen në qiell. Duke u nisur nga jeta e poetit dhe nga
qëndrimi i tij i patundur polemik ndaj riteve të kishës, mund të mendohej se kjo do të ishte
poezi e meditimit të thellë shpirtëror, Ndërkaq, Ghiella dëshmon më shumë për një tonalitet
lirizmi e balade popullore, duke përdorur Kalabrinë e Varibobës si sfond të lindjes dhe duke i
shndërruar personazhet besimtarë të Dhjatës së Re në fshatarë truplidhur kalabrezë të shekullit
të tetëmbëdhjetë. Variboba nuk e ka shoqin në letërsinë e vjetër shqiptare si për ndjeshmërinë
e kthjellët e të thjeshtë poetike ashtu edhe për larminë e shprehjes ritmike, ndonëse cilësia
artistike e tij ka dallime të mëdha nga një varg te tjetri. Forca e ‘Jetës së Shën Mërisë së Virgjër’,
e ndërthurur siç është me këngë popullore, qëndron madje në stilin realist e konkret, shpesh të
përshkuar nga humori e naiviteti, si dhe në ngjyrimin e freskët lokal të figuracionit që i jep
autori. Një nga pjesët më karakteristike, e përmendur shpesh është Kënka e të zgjuarit, në të
cilën Shën Mëria e zgjon me kujdes të voglin e saj për të marrë adhurimin e barinjve të thjeshtë,
Nikollës, Frangut, Xhuditës, Elizabetës, etj., të gjithë me dhurata nga fshati.
“Zgjou, bîr, jo më gjum’,
Zgjou, se më fjëjte shum’,
Jeta ime, via, m’u zgjo,
Zgjou se bëre nino.
Vjen një lleg pekurâr
Pruçësjon’ të vizitâr
Gjeq si lozën, si këndonjën,
Dhên e dêtin çëmonjën.
Karramunxa e fishkarol,
Surdullina e rrusinjol
Mîr bukur u nguallâr,
O çë vjersh të rrikrjâr!…”50
(Zgjohu bir, jo më në gjumë,
Zgjohu se më fjete shumë,
Zgjohu shpirti im, m’u zgjo
Zgjohu se bëre nino.
Të kanë ardhur barinjtë
Një pas një për të të parë
Shih si lozin, si këndojnë
Tokë e det po ushtojnë
Gajde e fyej
Me kallama e pipa
Mirë e bukur tingëllojnë
Për ty këngë që të gëzojnë!…)
Para jetës së Shën Mërisë janë vënë dy hyrje të shkëlqyera në prozë: Oi e ndeermia
Regin (O e nderuara Mbretëreshë) dhe Oi ti cië diavasën (O ti që më lexon), të cilat përcjellin
mjaft nga stili i poetit dhe ku ai shpjegon synimet e tij. Proza e parë nis kështu:
“Të vjen somenat mbë tries një pem’ e rê, çë nëng’ e kê pravuar maj, çë kûr jê ndër qiell.
Ësht një cik skallangure, dimërore e e egër, vërtet: fare duket e bukur, si ato të tjerat çë
ngâ dit të sjellën rrigâll vasalt’ e tû. Ma mos e rrëze, oj Zonja e Sh. Mërî. Pravê edhe
këtë, ashtu të ruat Krishti. U dî se një hêr një rregj dheu hëngër dica gorrica e tha:
“Thom të vërtetën, s’kam ngrën’ maj pem’ kaq t’ëmbëla si këto.” I tha rregji ahiera kto
fjal’ jo se veramende gorricat jan’ t’ëmbëla, ma se ai kûr i hëngër kish’ û, e andajna i
dukëshin cukar. Ora fjasëm pâ llatine na të di, Zonja e Sh. Mërî. E kê pritur maj, të kâ
qën’ rrigallârtur një rrim’ e arbëresh mbë ktë manêr e kaq e gjat si ë kjo çë somenat ta
vë ndër duar? U e dî se ndër gjith gjuhët të tjera kê pasur aq rrima të gjata, të ëmbëla
e të bukura sa së kanë kund e nëmër, ma ndë gjuhët tën’ arbërisht mund thom se kjo ësht
e para çë të vjen nani. Kjo çë të rrëfien gjith gjellën tënde, gjith harêt edhe dhulluret e
gozhdët çë të shpuan zëmërën kûr ishe ndë ktë jet’. Nj’ atër kënk si kjo çertu se ne e kê
pasur maj, ne mëngë t’Arbëresht e kanë pandehjur. Ësht gjuha arbërisht aq
frushkullorea, aq çota, aq e përbëtalëmea, sâ me të duket se jo jatër fjalë mund thuhen,
mose mallkime, nëm’, të shara, o veramende për turp. Ma për racjona, për predhika, për
shërbise spirituâll e për urtërî ndë do të beç të qeshënjën sa ze fîll e fol arbërisht.”
Poeti i fundit kalabrez i shekullit të tetëmbëdhjetë, nga i cili kemi deri në ditët tona një
vepër në gjuhën shqipe është Stefan Bafa (ital. Stefano Baffa, vd. 1808) nga Shën Sofia (ital.
Santa Sofia d’Epiro). Prej tij ka mbetur një poemë 320 vargjesh në gjuhën shqipe mbi
shkatërrimin e kolegjit të Shën Adrianit në Shën Mitër më 1799, ngjarje që e pa me sytë e vet
gjatë kohës së turbullt të Napoleonit. Ferdinandi IV i Napolit kishte dekretuar mbylljen e
seminarit Korsini në Shën Benedhit më 1794 dhe transferimin e tij në manastirin e Shën
Adrianit51 në Shën Mitër në anën tjetër të luginës së Kratit. Kjo poemë me tetëdhjetë strofa
katërshe me rimë AABB, që mendohej se kishte humbur prej kohësh, u botua në Grottaferrata
më 1971.
Nga seminari Korsini, si para dhe pas transferimit në Shën Mitër, kanë dalë një numër dijetarësh dhe shkrimtarësh arbëreshë me rëndësi të drejtpërdrejtë për përparimin e kulturës
arbëreshe në Kalabrinë e shekullit të tetëmbëdhjetë. Françesk Avati52 (ital. Francesco Avato,
1717-1800), lindur në Maq (ital. Macchia Albanese), ka qenë njëri nga studentët e parë të
kolegjit në Shën Benedhit, rektor i të cilit u bë më pas. Më vonë u emërua profesor i greqishtes
në Universitetin e Urbinos, ku edhe vdiq. Avati përmendet si një nga mbledhësit sistematikë më
të parë të këngëve popullore shqiptare në Kalabri. Një student tjetër i këtij seminari ishte Mikel
Belushi (ital. Michele Bellusci, 1754-1806) nga Frasnita (ital. Frascineto), i cili i këndon
lavdisë së popullit të vet shqiptar në një vepër të shkruar italisht me titull Risposta di Filalete a
Monsignor Cardamone, Napoli 1796 (Përgjigja e Filaletës për Imzot Kardamonen). Ai është
edhe autori i një përmbledhjeje me dyzet e dy rapsodi të shkruara shqip53. Paskuale Bafa54 (ital.
Pasquale Baffa, 1749-1799) nga Shën Sofia, ishte një filolog i shquar klasik i kohës. Ai mbajti
katedrën e latinishtjes e greqishtjes në Salerno më 1769 si dhe katedrën e studimeve klasike në
Napoli më 1773. Pas restaurimit të Burbonëve u dënua me vdekje më 11 nëntor 1799 për shkak
të veprimtarisë së tij politike. Me seminarin Korsini është i lidhur edhe Feliçe Samuele Rodota
(ital. Felice Samuele Rodotà, 1691-1738) nga Shën Benedhiti, drejtori i parë i tij dhe i pari
peshkop greko-shqiptar, i emëruar më 1733. I vëllai më i vogël Pietro Pompilio Rodotà55
(l. 1707) u shkollua në kolegjin grek në Romë dhe më pas u emërua përkthyes i greqishtes në
Bibliotekën e Vatikanit. Ai është autori i një vepre të rëndësishme për historinë e kishës në Itali
e në Shqipëri të titulluar Dell’origine, progresso e stato presente del rito greco in Italia, Romë
1758, 1760 dhe 1763 (Mbi prejardhjen, ecurinë dhe gjendjen e sotme të ritit grek në Itali).
Shekulli i tetëmbëdhjetë dëshmoi një lulëzim të plotë të veprimtarive kulturore ndër
arbëreshët, përfshirë edhe fillimet e një letërsie arbëreshe në Sicili e në Kalabri. Kjo letërsi u
zhvillua krejt e pavarur nga prodhimi letrar kristian i shekullit të gjashtëmbëdhjetë e të
shtatëmbëdhjetë në Shqipëri, i cili u ndërpre e u shua me pushtimin turk të vendit.
____________
30 kr. Camarda 1866, Schirò senior 1907 dhe 1923, dhe Marchianò 1908b.
31 kr. Figlia 1995.
32 kr. Marchianò 1911.
33 kr. Marchianò 1908a.
34 Në Italinë e jugut termi ‘grek’ përdorej shpesh për të shënuar arbëreshët, meqë shumë prej tyre ishin emigruar në Itali duke ardhur nga Morea (Peloponez) dhe sidomos meqë në pjesën më të adhe ishin me prejardhje ortodokse. Edhe sot, ndonëse i thonë vetes katolikë, arbëreshët i ruajnë ritet e tyre të kishës greke bizantine. Prandaj edhe emri i parë i fshatit arbëresh Piana degli Albanesi (Hora e arbëreshëvet) afër Palermos, i themeluar më 1488, në fillim ka qenë Piana dei Greci.
35 Kolegji grek i Palermos (më pas i njohur me emrin seminari greko-shqiptar, e më pas akoma me emrin seminari italo-shqiptar) nuk është më, ndonëse ndërtesa në ‘Via del Seminario Italo-Albanese’ në qendër të Palermos është ende pronë e kishës arbëreshe të Horës së Arbëreshëvet. Sot ajo godinë i është lëshuar me qira qeverisë për shkollë publike.
36 kr. D’Angelo 1798 dhe R. Petrotta 1956.
37 Termi ‘Maqedoni’ këtu dhe në veprat e tjera bashkëkohëse të arbëreshëve shënon Shqipërinë qendrore e jo atë Maqedoni që njohim sot.
38 kr. Schirò junior 1969, Shuteriqi 1976, f. 120, 130-132, 153-155, dhe 1977, f. 179-204, Sedaj 1990, Mandalà 1992, dhe Chetta 1992, 1993.
39 Gangale 1973, f. 57, thotë se në dorëshkrime ka gjetur të dhëna që të bëjnë të mendosh se Keta ka lindur më 1723, dhe ngul këmbë se viti 1740, që mbahet përgjithësisht si vit i lindjes, është gabim i Petrottës.
40 kr. Sciambra 1967.
41 kr. Gangale 1973 dhe 1977 për këtë e për dorëshkrime të tjera të Ketës dhe për veprat e shkrimtarëve të tjerë të vjetër arbëreshë në Koleksionin Shqiptar (Albansk Samling) në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagës. Pjesën më të rëndësishme të këtij koleksioni e përbëjnë librat dhe dorëshkrimet e lëna nga dijetari i madh indo-evropianist dhe albanologu Holger Pedersen (1867-1953) mbas vdekjes. Louis Hjelmslev (1899-1965), vetë gjuhëtar i shquar dhe drejtor i Institutit të Gjuhësisë në Kopenhagë, kishte planifikuar të ngrinte një qendër studimesh
shqiptare në kryeqytetin danez dhe dërgoi në Itali lektorin e tij të shqipes Xhuzepe Gangale (Giuseppe Gangale, 1898-1978) për të kërkuar dorëshkrime të tjera. Gangale i lindur vetë në
Kalabri, gjeti, siguroi dhe bleu shumë dorëshkrime të vlefshme dhe botime të vjetra të letërsisë
shqiptare për të cilat, me sa duket, askush nuk interesohej e nuk kujdesej asokohe. Arka plot me
këto thesare morën rrugën për në Kopenhagë dhe, pasi u la projekti për një qendër studimesh
shqiptare, u depozituan në sektorin e dorëshkrimeve të Bibliotekës Mbretërore. Për Xhuzepe
Gangalen, emri i të cilit ka mbetur jo vetëm për këto zbulime, por edhe për veprimtaritë në
mbështetje të kulturës Reto-Romane të Zvicrës, kr. biografinë e shkruar nga e veja e tij
Margarita Uffer 1986. Kr. edhe Dhrimo & Lafe 1974, 1975.
42 kr. Spata 1870. Fragmente që trajtojnë seminarin grek janë botuar në Chetta 1985. Një kopje e dorëshkrimit origjinal të Thesarit është zbuluar kohët e fundit në ‘Biblioteca Centrale della Regione Siciliana’ në Palermo nga Eleuterio Massi. kr. Sedaj 1990.
43 kr. Schirò senior 1923.
44 kr. Schirò senior 1923, f. 78-80.
45 kr. Marchianò 1908a, f. 86-89.
46 Një variant i kësaj vjershe në dorëshkrim ruhet në Koleksionin Shqiptar në Kopenhagë me Nr. II 6. kr. Gangale 1973.
47 kr. Librandi 1897, 1928, Schirò junior 1944, Demiraj 1953, 1956, 1958, Lambertz 1956, Minisci 1959, Ferrari 1963, Cucci 1968, 1969, Gradilone 1974, f. 273-281, Laudone 1981, dhe Fortino 1984 dhe 1986.
48 kr. Zavarroni 1750, dhe Rodotà 1763.
49 Për këtë konflikt brendapërbrenda kishës arbëreshe, kr. Bartl 1969.
50 Transkriptimi i tekstit shqip është nga Fortino 1984.
51 Kolegji arbëresh në manastirin Bazilian të Shën Adrianit, i themeluar më 955 të erës sonë nga Shën Nili i Rossanos (910-1004), vazhdoi të veprojë për shumë vjet si qendër e dijes për popullatën arbëreshe të Kalabrisë. Godina, e cila gjendet në një breg jashtë Shën Mitrit, u braktis më 1970 dhe sot është gërmadhë. Në një godinë ngjitur është një shkollë e mesme publike ku mësimi jepet vetëm italisht. kr. Argondizza 1884, Mazziotti 1908/1994, Cucci 1977, Cassiano 1981, dhe Cava 1984.
52 kr. Shuteriqi 1975 dhe 1977, f. 160-178.
53 kr. Ferrari rreth 1965.
54 kr. Cava 1971; Tomori i vogël, Tiranë, 1942, nr. 8, f. 1-2..
55 kr. Scaglione 1921, f. 17; Leka, Shkodër, 1938, f. 350-351; Karalevskij 1950.
Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia