10.9 Zeniti kulturor i mesit të viteve tridhjetë
Për gati një çerek shekulli pas shpalljes së pavarësisë (28 nëntor 1912), shkrimtarët dhe
intelektualët shqiptarë vazhduan të frymëzohen nga idetë dhe idealet e lëvizjes së Rilindjes të
shekullit të nëntëmbëdhjetë. Por me vitet tridhjetë kultura shqiptare pati hyrë në një etapë të re.
Vërshimi i ideve të reja nga jashtë dhe shkalla më e lartë e arsimimit të rregullt dhe formimit të
intelektualëve i hapi portat drejt përparimit kulturor. Gjatë një dhjetëvjeçari letërsia dhe kultura
shqiptare lulëzuan si kurrë më parë, në fillim në Shkodër e më pas në Tiranë e në mbarë vendin.
Në mesin e viteve ’30, brenda pesë vjetësh ishte hedhur një hap cilësor përpara në
letërsinë shqiptare. Në poezi Lasgush Poradeci botoi përmbledhjet me lirika mahnitëse Vallja
e yjeve, Konstancë 1933, dhe Ylli i zemrës, Bukuresht 1937; Migjeni i sëmurë nga tuberkulozi
ia kishte dalë mbanë ta çonte në shtyp përmbledhjen e tij Vargjet e lira, Tiranë 1936, para se ta
ndalonin për të qarkulluar e para se vdekja ta ndërpriste karrierën e tij të shkurtër letrare; kurse
Gjergj Fishta doli me variantin përfundimtar të poemës së tij të pashoqe Lahuta e malcís,
Shkodër 1937, me tridhjetë këngë. Proza shqiptare përjetoi botimin e romanit nihilist Nga jeta
në jetë – Pse!?, Korçë 1935, të Sterjo Spasses; e përmbledhjes së dytë me tregime të Ernest
Koliqit, Tregtar flamujsh, Tiranë 1935; e romanit shumë të lexuar e me kritikë sociale Sikur
t’isha djalë, Tiranë 1936, të Haki Stërmillit; e vëllimit të parë me rrëfenja Netë shqipëtare,
Bukuresht 1938, të Mitrush Kutelit. Migjeni, gjithashtu, brenda pesë vjetësh nga 1933 deri
1938, botoi njëzet e katër nga skicat e tij të fuqishme në prozë në organe shtypi dhe përfundoi
dorëshkrimin e Novelat e qytetit të veriut, 1936. Në dramaturgji, Etëhem Haxhiademi bëri për
vete publikun intelektual me tragjeditë e tij klasike që, edhe pse jonovatore në konceptim e në
brendi, dëshmuan një përpunim gjuhësor të paparë në skenën shqiptare.
Gazetaria e publicistika, që kishin vazhduar të luanin rolin kryesor në afirmimin e
kulturës kombëtare në Shqipëri që nga epoka e Rilindjes, përparuan me ritëm aq të vrullshëm
sa edhe vetë letërsia. Nga një numër i madh të përjavshmesh me frymë kombëtare e me jetë të
shkurtër dhe revistash mujore të dorës së dytë që dolën në qytete të ndryshme të Ballkanit, lindi
një industri gazetarie e botuese me nivel të mirë në shërbim të përhapjes së informacionit, qoftë
ky politik, kulturor apo letrar. Me gjithë strukturat politike primitive që mbizotëronin në
Shqipëri nën regjimin despotik të Ahmet Zogut (1895-1961), tani Zogu I, Mbret i Shqiptarvet,
shtypi pati për çudi një zhvillim liberal. Sa kohë që botuesit nuk e sulmonin familjen mbretërore
dhe politikën e jashtme të monarkisë, ata mund të shtypnin pak a shumë çdo gjë që dëshironin.
Censurë kishte, si në çdo diktaturë, dhe disa organe shtypi edhe u mbyllën, por ajo nuk arriti
kurrë ato përmasa të tmerrshme kontrolli si në periudhën pas ‘çlirimit’.
Krahasuar me vende të tjera në vitet tridhjetë e dyzet, në Shqipëri u botuan më pak libra.
Në radhë të parë për shkak se mungonte një zhvillim ekonomik i përgjithshëm, sepse Shqipëria
qe vendi më i varfër në Evropë dhe sepse shkalla e analfabetizmit qe akoma mjaft e lartë.
Mundësia për të lexuar ishte privilegj i një pakice të vogël, e kryesisht i meshkujve. Prandaj
rritja e menjëhershme e krijimtarisë letrare serioze, madje lulëzimi i një kulture të qëndrueshme
shqiptare të të shkruarit, qe në një masë të madhe në varësi të organeve letrare të shtypit të
kohës, të cilët jo vetëm u ofronin shumë shkrimtarëve dhe ideve tribuna për t’i shprehur, por
edhe i vinin këta shkrimtarë e këto ide në dispozicion të njerëzve anembanë vendit.
Organet e shtypit katolik të Shkodrës vazhduan të luanin një rol madhor në përhapjen e
ideve. E përmuajshmja françeskane Hylli i dritës, e themeluar dhe redaktuar nga Gjergj Fishta,
rifilloi botimin në janar 1930 dhe vazhdoi të ndikojë në jetën kulturore gjatë Luftës së Dytë
Botërore derisa u detyrua të ndërpresë botimin në korrik 1944, shumë kohë pas vdekjes së
Fishtës. Një e përmuajshme tjetër françeskane, Zâni i Shna Ndout, edhe pse me orientim më të
madh fetar, ofroi mjaft material letrar derisa u mbyll më 1944. Leka, e përmuajshme jezuite për
arsim, kulturë dhe zbavitje, gjithashtu u botua në Shkodër nga prilli 1929 deri më 1944. Për
bashkësinë myslimane, që përbënte shumicën në Shqipëri, ishte e përmuajshmja Zâni i naltë, e
botuar në Tiranë nga tetori 1923 deri më 1939, e cila i njihte dhe i informonte lexuesit me të
kaluarën dhe të tanishmen e kulturës islame në Shqipëri e në Lindjen e Mesme.
Për fuqizimin e kulturës së shkruar në Shqipëri rol thelbësor luajtën sidomos tri revista.
E përmuajshmja e ilustruar Minerva, e cila dilte si revistë e madhe letrare e jetës moderne, ishte
një organ liberal që u botua në Tiranë nga gushti 1932 deri më 1936 me një këshill botues ku
bënin pjesë Tajar Zavalani (1903-1966), skulptori Odhise Paskali (1903-1985), Nebil Çika (vd.
1944) dhe Stefan Shundi (1906 – rreth v. 1944). Mjaft nga këta gazetarë qenë aktivë edhe në
botimin nga marsi 1934 deri më 1936 në Tiranë të së përjavshmes kulturore Illyria, ku Migjeni
botoi prozat dhe poezitë e para. Edhe Përpjekja shqiptare, e botuar nga tetori 1936 deri më
1939 nga Branko Merxhani (1894-1981) dhe e administruar për një farë kohe nga Petro Marko
(1913-1991) pasqyronte një hap përpara e cilësor të letërsisë shqiptare. Jetëshkurtër, por jo pa
peshë në përhapjen e ideve të reja të majta, qenë ABC, revistë dyjavore e botuar në Tiranë nga
Petro Marko në mars 1936 dhe e mbyllur menjëherë nga autoritetet zogiste, dhe Bota e re e
Korçës, organ i përdyjavshëm i organizatës komuniste të Korçës, i botuar nga prilli 1936 deri
në shkurt 1937.
Revista më e madhe letrare e viteve të luftës ka qenë e përmuajshmja Shkëndija, korrik
1940-1943, e themeluar dhe drejtuar nga ministri i arsimit Ernest Koliqi (1903-1975). Madje
edhe më 1944, në mes të asaj rrëmuje të luftës civile, ia dolën të botohen disa revista letrare
jetëshkurtër por serioze: e përmuajshmja Fryma, e themeluar në janar 1944 nga Muzafer Pipa;
e përdyjavshmja Revista letrare, e themeluar në shkurt 1944 nga Mitrush Kuteli (1907-1967),
Vedat Kokona (l. 1913), Nexhat Hakiu (1917-1978) dhe Sterjo Spasse (1912-1989); dhe e
përmuajshmja Kritika, e botuar në mars 1944 nga Arshi Pipa (l. 1920).
Me kalimin e kohës kultura e periudhës së vonë të pavarësisë erdhi e pasqyroi
polarizimin midis Lindjes dhe Perëndimit. Shqipëria pak ishte takuar me idetë dhe idealet e
Revolucionit të Tetorit në Rusi, ndonëse një numër i vogël figurash letrare kishin qenë në
Bashkimin Sovjetik në kohën e Stalinit: Fan Noli (1882-1965), i cilësuar më pas si ‘peshkopi i
kuq’, romancieri Haki Stërmilli (1895-1953), poeti rebel Sejfulla Malëshova (1900-1971) dhe
Tajar Zavalani (1903-1966). Pabarazia tepër e dukshme në këtë vend të varfër të Ballkanit, e
acaruar edhe më shumë nga një regjim diktatorial i prapambetur e moskokëçarës, si dhe rritja e
fuqisë së Italisë fashiste, bënë që shumë intelektualë të viteve tridhjetë ta shihnin me interesim
komunizmin sovjetik, ose të paktën socializmin në një formë të tij, si rrugë të ardhshme për
kapërcimin e dallimeve klasore e për zhdukjen e shfrytëzimit të egër të shumicës së popullsisë.
Ora e shkurtër e demokracisë kushtetuese në kohën e Fan Nolit më 1924 kishte marrë fund,
kurse të gjitha orvatjet për reformë agrare, aq fort e nevojshme, ishin shtypur nga sundimtarët
çifligarët. Polarizimi në ideologji u bë më i dukshëm më 1936 me shpërthimin e Luftës Civile
në Spanjë. Poeti dhe romancieri i ri Petro Marko (1913-1991), së bashku me përkthyesin
Skënder Luarasi (1900-1982) dhe një grup prej dyzet shqiptarësh, vajtën në fushëbetejat e
Katalonjës për të marrë pjesë në Brigadat Internacionale. Marko pati rastin e mahnitshëm të
takohej atje me Ernest Heminguein (1899-1961) dhe me shkrimtarë të tjerë të angazhuar. Idetë
socialiste po fuqizoheshin në Shqipëri. Por, njëherazi, po fuqizohej edhe fashizmi.
Një nga figurat më interesante gjatë viteve tridhjetë ka qenë Branko Merxhani58 (1894-
1981), i cili pati bashkëpunuar me të përjavshmen Illyria të drejtuar nga Asim Jakova nga marsi
1934 deri më 1936 para se të botonte revistën e vet me influencë Përpjekja shqiptare në tetor
1936. Kjo e përmuajshme, që vazhdoi të botohej deri në fillim të vitit 1939, u ofroi lexuesve
shqiptarë ja vetëm pjesë nga poezia e proza bashkëkohore shqiptare dhe përkthime nga letërsia
e përbotshme, por edhe recensione librash e artikuj të hartuar mirë për filozofinë, sociologjinë,
historinë, gjuhësinë, arkeologjinë, duke e njohur publikun shqiptar me veprat e filozofit Rene
Dekart (René Descartes, 1596-1650) e të sociologëve Ogyst Komt (Auguste Comte, 1798-1857)
dhe Emil Dyrkhaim (Emile Durkheim, 1858-1917). Revista u përpoq për një kritikë letrare
serioze dhe për një ndihmesë të re intelektuale për të pasqyruar realitetin bashkëkohës.
Merxhani ishte i vetëdijshëm dhe ndiente dhimbje për prapambetjen intelektuale të
vendit prandaj bënte thirrje për një ringjallje shpirtërore, të cilën e quante Neoshqiptarizëm.
Neoshqiptarizmi qe një rrymë intelektuale filozofike që lindi në shoqërinë shqiptare aty nga viti
1928, ndonëse rrënjët, sikundër theksonin ithtarët e saj, duheshin kërkuar në lëvizjen e
Rilindjes. Nacionalistët shqiptarë të shekullit të nëntëmbëdhjetë i patën përqendruar të gjitha
energjitë e tyre për të fituar pavarësinë nga Perandoria Osmane, por pavarësia vetë qe vetëm
gjysma e punës. Ajo çfarë kërkohej tani, ishte të krijohej e të çimentohej një identitet kombëtar,
një vetëdije shqiptare për ta nxjerrë popullin nga errësira e padija, d.m.th. ishte nevoja për një
lëvizje kombëtare të dytë. Merxhani e quante Shqipërinë “një qënie e kufizuar së jashtëmi dhe
e pakufishme së brëndshmi”. Për herë të parë, së bashku me Vangjel Koçën (1900-1943), ai
kishte mbrojtur e propaganduar ideologjinë nacionaliste të Neoshqiptarizmit më 1929 në faqet
e së përjavshmes me tirazh të mirë Demokratia të Gjirokastrës dhe në revistën e përmuajshme
jetëshkurtër me titull Neo-Shqiptarizmi, që kishte nisur botimin në korrik 193059.
Neoshqiptarizmi mbështetej në ideologjinë nacionaliste. Ai luftonte për progres social si themel
të procesit intelektual, por nuk përkrahte rrugën e angazhimit të drejtpërdrejtë politik për
shndërrime sociale ose për zhdukjen e strukturave tradicionale politike e sociale. Në formën e
vet fillestare qe një lëvizje kulturore, jo politike, siç shihet edhe në parullën e Merxhanit
Politikë s’ka! Vetëm kulturë! Megjithatë, vetvetiu, Neoshqiptarizmi erdhi e u bë kundërpeshë e
ideologjive më fort politike të socializmit e të internacionalizmit të majtë. Ndonëse krijesë
shqiptare, Neoshqiptarizmi do parë brenda kontekstit të ideologjive të tjera nacionaliste60, që
lindën në mbarë Evropën në vitet njëzet e tridhjetë dhe që, me hapa të ngadaltë por të sigurtë,
u shkrinë për të formuar fashizmin evropian, i cili shumë shpejt do të degjeneronte në një
diktaturë të egër e çnjerëzore. Themeluesi tjetër i Neoshqiptarizmit, Vangjel Koça (1900-
1943), përkthyes i Epiktetit, Lukianit dhe Dekartit, dhe i njohur si gazetar me pseudonimet
gazmore orientale Vangjo Nirvana apo Vangjo Knishna, do të bëhej udhëheqës i Partisë
Fashiste pas pushtimit të Shqipërisë nga Musolini më 1939. U mbyt kur po orvatej të arratisej
për në Itali më 7 gusht 1943.
Shkrimtarët shqiptarë të viteve tridhjetë qenë të magjepsur nga Perëndimi por edhe të
shqetësuar për vendin që do të zinte Shqipëria në një Evropë që tani kishte një zhvillim të
vrullshëm. Në revistat e kohës kjo ishte tema madhore e debateve letrare. Tashmë një numër i
madh intelektualësh kishin qenë jashtë dhe kishin parë me sytë e tyre shoqërinë e industrializuar
Perëndimore. Duke ardhur nga një vend që, të citojmë thënien, “Zoti e do aq shumë, sepse pak
ka ndryshuar që nga Krijimi”, ata e ndienin forcën tërheqëse të Perëndimit, por qenë edhe të
çoroditur e të zhgënjyer nga lëngimi oriental i Shqipërisë nën një monark me të vërtetë bizantin.
Kjo joshje ndaj Perëndimit, sikundër interpretohej prej tyre, u përgjithësua më së miri nga
djaloshi Migjen në vjershën Shpirtent shtegtarë, pjesë e ciklit të shkurtër Kangët e përndimit,
e shkruar në pranverë 1934:
“Mramë një erë e ftohtë, acarr fryni nga ana e maleve
I shkundi shpirtent t’onë – e bashkë me gjethë të kësaj vjeshte
I muer andej kah dielli hijën si të përgjakët u a lëshon zallevet
– në Përndim, ku shtret e shkimet drita në pamundsinë e vet.
Enden shpirtent t’onë nepër vise të Përndimit të mrekullueshëm,
Bajnë të fala dhe me thane vendeve të shuguruem,
E të përtrimë ndër fluide të hekurit e të zjarmit – adhurueshëm
E me një credo gëzojnë qiellën me çagjë e të tymuem…
Në cilen, diku në skâj merimanga fatin trillon
Vetes dhe njerzís poshtë, që damaret e rrahin
(si të rrahunt trompete në vorresë) – ndërsá tue qa, kumbon
E thret kumbon’ e fabrikës e njëmijti fishkllim si një fsham shkynë ajrin.
Shpirtent t’onë me një dashní tragjike ato vise i duejnë,
N’etër të kulluet a bajnë flî ndjenjat e vet mâ të holla.
E në nesërmen fatale kundrojmë një horizont me njolla…
… shtegtarë të mërguem, shpirtent t’onë n’origjinë po kthejnë.”
Për këta intelektualë Perëndimi qe një nocion i papërcaktuar qartë. Për ironi, në Shqipëri
ai përfaqësohej nga Italia e Musolinit, vendi më i afërt perëndimor fqinjë, që asokohe
rivalizonte me Jugosllavinë për të shtrirë ndikimin e vet në këtë mbretëri të vogël malore. Pa
kaluar shumë kohë debati intelektual mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Perëndimin dhe rolin
e saj në të u bë i tepërt e i kotë, kur trupat italiane kaluan Adriatikun dhe zbarkuan në Durrës,
Vlorë e Shëngjin të Premten e Pashkëve, më 7 prill 1939, me synimin e patundur për të
qëndruar aty, pavarësisht nga dëshira e vendësve.
U mbetet historianëve të përcaktojnë nëse përfshirja nën ombrellën kulturore të Italisë
dhe më pas aneksimi politik i drejtpërdrejtë i Shqipërisë prej saj ka qenë, asokohe, arritje
kulturore për këtë vend të vogël ballkanik apo jo. Në këtë punë ndërhyri shpejt lufta botërore.
Polarizimi i ideve në Evropë midis Lindjes së re dhe Perëndimit të ri, midis doktrinave të
komunizmit dhe fashizmit, shpuri në një konflikt kulmor në Shqipëri dhe gjetiu, duke e lënë
vendin në mëshirën e ekstremistëve politikë e ushtarakë dhe, më në fund, duke i ulur në gjunjë
shkrimtarët e intelektualët e të gjitha ngjyrimeve politike.
Jeta intelektuale në mesin e viteve tridhjetë dhe fillimin e viteve dyzet, kishte arritur
maja të papara, një zenit në kulturën e shkruar shqiptare. Një letërsi moderne ishte krijuar në
Shqipëri dhe shteti më në fund kishte kaluar fëmininë e kishte ardhur në moshë. Qe ky një
lulëzim i shkurtër në hijen e apokalipsit që do të vinte e që do të shuante flakën e krijimtarisë së
vërtetë letrare për njëzet vjet me radhë. Gonxhja e njomë e letërsisë shqiptare do të këputej së
shpejti dhe po aq shpejt do të priteshin edhe rrënjët e lules së porsaçelur.
_______
58 kr. Merxhani 1996.
59 U botua vetëm një numër.
60 d.m.th. hellênikótêta greke, sidomos nën diktaturën e viteve 1936-1940 të gjeneralit Joannis Metaksa (1871-1941), italianitá të diktatorit italian Benito Musolini (1883-1945), dhe hispanidad të Spanjës fashiste në regjimin e gjeneralit Francisko Franko (1892-
1975).
Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia