10.8 Zhvillimi i dramaturgjisë shqiptare deri më 1944
Teatri profesionist është prerogativë e një shoqërie qytetare. Në Shqipëri, e cila
gjithmonë ka patur një popullsi shumicën fshatare, pa qendra të mëdha qytetesh deri vonë,
dramaturgjia nuk u zhvillua kurrë deri aty ku u zhvilluan poezia dhe proza, dhe as pati ndonjë
forcë të madhe tërheqëse për publikun shqiptar. Prandaj, lidhur me dramaturgjinë shqiptare pak
gjë mbetet për të thënë për periudhën para gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe,
në të vërtetë, po ashtu pak për teatër profesionist para gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë.
Megjithatë, me fillimin e shekullit të njëzetë, në Shqipëri drama lindi të paktën si gjini letrare
e pavarur.
Pjesët e para teatrale shqiptare u shkruan në gjysmën e dytë të shekullit të
nëntëmbëdhjetë e madje disa prej tyre u vunë në skenë nga grupe amatore.
Në moshë të re Jeronim De Rada (1814-1903), figura kryesore e letërsisë arbëreshe e
shekullit të nëntëmbëdhjetë, shkroi një pjesë teatrale shqip, të cilën për arsye botimi e përktheu
italisht. Kjo ishte tragjedia 75-faqëshe I Numidi, Napoli 1846 (Numidët). Këtë vepër, me ngjarje
që zhvillohen në Kartagjenën e lashtë në kohën e Hanibalit, e kishte shkruar më 1841, por nuk
ia pëlqyen as miqt e as adhuruesit e tij të shumtë. Një gjysmë shekulli më pas, në moshë të
thyer, autori iu kthye dhe e ripunoi, përsëri në përkthimin italisht, duke e kthyer në pjesën me
pesë akte Sofonisba, dramma storico, Napoli 1892 (Sofonisba, dramë historike).
Drama origjinale shqiptare më e hershme e ruajtur deri më sot është një vepër
melodramatike, Emira e shkrimtarit arbëresh Françesk Anton Santori (1819-1894) nga fshati
Picilia (ital. Santa Caterina Albanese) në krahinën e Kozencës. Emira u botua me mjaft gabime,
pjesërisht në revistën e përmuajshme arbëreshe Fiàmuri Arbërit në nëntor 1887 dhe më tej në
antologjinë shqipe të Jeronim De Radës më 1896. Një botim bashkëkohor është bërë më 1984
nga Françesko Solano (l. 1914). Veprimi ndodh në Kalabrinë e autorit në kohë revoltash sociale
të shkaktuara nga fushata e vitit 1861 kundër cubave. Personazhet kryesore në këtë dramë të
parë në gjuhën në shqip, dorëshkrimin e së cilës e kemi, janë Emira dhe Kalina, dy vajza
fshatare që dashurojnë të dyja Mirjanin, birin e një bujku të pasur. Mirjani, i plagosur në
përpjekje me cubat, burgoset pa të drejtë nga kolonel Fumeli. Lirimi i tij më pas dhe martesa e
Emirës me Mirjanin e sjellin dramën drejt një fundi të lumtur në mos të sipërfaqshëm. Santori
ka shkruar edhe një numër pjesësh të tjera melodramatike, komedi e tragjedi, por jo të gjitha të
përfunduara. Këto mbetën vetëm në dorëshkrim. Ndër to janë tragjedia Jeroboam dhe
melodrama skënderbejane Alessio Dukagino, kjo e dyta e shkruar midis viteve 1855 e 1860, që
u botuan më 1983 nga Françesko Solano.
Ideologu dhe dijetari i Rilindjes Sami Frashëri (1850-1904) është autori i një pjese me
180 faqe në turqishte me titull Besa yahud ahde vefa (Besa ose mbajtja e fjalës). U shfaq për
herë të parë më 6 prill 1874 në skenën e ‘Osmanli Tiyatrosu’ (Teatri Osman) në Konstantinopojë
dhe u botua atje një vit më vonë. Besa u përkthye shqip nga Abdyl Ypi Kolonja më 1901, kurse
anglisht nga Nelo Drizari (1902-1978) me titullin Pledge of honour, an Albanian tragedy, Nju
Jork 1945 (Besa, një tragjedi shqiptare). Në këtë vepër me temë shqiptare, disi melodramatike
për shijet e sotme, shkrimtari përdëllehet për dilemën tragjike të një babai shqiptar, i cili më
mirë mund të vrasë të birin sesa të shkelë besën, fjalën e dhënë.
Drama e parë në gjuhën shqipe e shkruar brenda në Shqipëri është një pjesë e shkurtër
fetare me titullin Nata Këshnellavet, Shkodër 1880, nga prifti dhe poeti françeskan Leonardo
De Martino (1830-1923) me prejardhje nga fshati arbëresh Greçi në krahinën e Avelinos. Një
tjetër autor katolik shkodran, Pashko Babi (1843-1905), ka shkruar nga të parat pjesë teatrale
shqiptare I biri i çifutit, që dihet se është shfaqur më Kolegjin Saverian të Shkodrës në shkurt
1882.
Një yll i ndritur, në qiellin e zbehtë të teatrit shqiptar, në agim të shekullit të njëzetë ka
qenë aktori Aleksandër Moisiu54 (1879-1935). Moisiu ka lindur në Trieste, asokohe pjesë e
Austro-Hungarisë, me baba shqiptar nga Kavaja e me nënë arbëreshe. Pas fëmijërisë në Trieste,
Durrës dhe Grac, Aleksandri njëzetvjeçar u vendos me të ëmën dhe dy motrat në Vjenë. Aty në
Vjenë, me nxitjen dhe përkrahjen e aktorit austriak Jozef Kainz (1858-1910), nisi karriera e
njërit prej aktorëve më të mëdhej të skenës në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të njëzetë. Vitet
e tjera e çuan në Pragë e pastaj në Berlin, ku gëzoi ndihmën dhe përkrahjen e Maks Rajnhardit
(Max Reinhardt, 1873-1943). Moisiu e shoqëroi Ansamblin e Rajnhartit në Rusi më 1911 dhe
u ngrit lart në Sankt Petërburg nga kritiku dhe dramaturgu Anatoli Lunaçarski (1875-1933) për
interpretimin e rolit te Edipit. Ndër rolet e tjera për të cilët Aleksandër Moisiu përmendet më
shumë janë Hamleti, Fausti, Fedja në pjesën Kufoma e gjallë të Lev Tolstoit, dhe Dubedati në
Dilema e doktorit të Xhorxh Bernard Shout. Edhe pse në radhë të parë aktor i skenës, Moisiu
luajti edhe në dhjetë filma nga viti 1910 deri më 1935, nga të cilët shtatë qenë pa zë dhe tre me
zë. Pjesa e shkruar prej tij ‘I burgosuri’, për vitet e fundit të Napoleonit në ishullin e Shën
Helenës, nuk pati sukses. Aleksandër Moisiu vdiq më 22 mars 1935 dhe prehet në varrezat
Morkote (Morcote) mbi liqenin e Luganos në Zvicër.
Brenda në Shqipëri, në fillim të shekullit të njëzetë u vu re një rritje e madhe e numrit të
pjesëve të shkruara, por pak u vunë në skenë. Një numër trupash amatore ishin krijuar në të dy
qendrat kryesore kulturore të Shqipërisë, Shkodra dhe Korça, ndër to edhe shoqëria dramatike
‘Vaso Pasha’ e ngritur në Shkodër më 1913. Kjo bërthamë e parë e teatrit shqiptar u krijua me
nismën e shkrimtarit dhe personalitetit politik Hilë Mosi (1885-1933), i cili ishte jo vetëm
themeluesi, por edhe sekretar i saj. Për më tepër ai interpretoi vetë në shfaqjet e para. Trupa të
tjera amatore lindën edhe nëpër qendra më të vogla: Durrës, Vlorë, Pogradec, Elbasan, Berat,
Gjirokastër dhe Boboshticë, por shfaqjet qenë të rralla dhe pa ndonjë mjeshtëri artistike. Një
pjesë e mirë e këtij kapitulli të teatrit shqiptar është ende e padokumentuar. Kurse teatri
profesionist mbeti një institucion i huaj për këtë periudhë në Shqipëri.
Shumica e autorëve të periudhës së vonë të Rilindjes u përqëndruan në poezi e në fushën
e botimeve, por qenë edhe disa që u morën diçka edhe me dramaturgjinë. Shkrimtari dhe komiti
Mihal Grameno (1871-1931) nga Korça është autori i komedisë me tri akte në vargje Mallkimi
i gjuhës shqipe, Bukuresht 1905, me ngjarjet që shtjellohen në Korçë më 1886, e që satirizon
orvatjet greke ‘për të qytetëruar’ shqiptarët; si dhe tragjedia me temë historike në katër akte
Vdekja e Piros, Sofje 1906, për mbretin e Epirit (319-273 para erës sonë). Kjo pjesë kushtuar ‘të
pavdekurit vjershëtor edhe të madhit mëmëdhetar: Naim Be Frashërit’, u vu në skenë në Uster (Worcester) të Masaçusetsit në SHBA në janar 1914 dhe vazhdoi të ishte një nga pjesët
shqiptare më popullore deri në vitet 1940.
Një tjetër dramaturg tipik rilindës ishte gazetari dhe poeti Namik Selim Delvina (1875-
1933), autor i dramës në tetë akte Dashurija e mëmëdheut, Selanik 1909, e ngjeshur me ndjenja
të larta e plot sentimentalizëm, që pëlqeheshin nga lexuesit e kohës.
Poeti i Rilindjes së vonë Andon Zako Çajupi (1866-1930), i cili pjesën më të madhe të
jetës e kaloi në Egjipt, mori emër si dramaturg pas vdekjes me Burr’ i dheut, Kajro 1937,
tragjedi në vargje e shkruar më 1907. Kjo dramë mjaft e dobët me temën fort të rrahur të
Skënderbeut u botua më 1937 pas vdekjes së poetit. Çajupi ka shkruar edhe një komedi
origjinale me një akt, Pas vdekjes, 1910, edhe kjo e botuar së pari në Kajro më 1937 nga Sofokli
Çapi. Komedia në katër akte në vargje Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër mbeti e pabotuar sa qe
gjallë, kurse një pjesë tjetër në vargje, me titull Detyra, ka humbur.
Sikundër mund të pritet, shkrimtarët e shkollës katolike shkodrane, përveç temave
kombëtare, trajtuan edhe ato fetare. Shtjefën Gjeçovi (1873-1929), prift françeskan dhe
folklorist nga fshati i Janjevës në jug të Prishtinës, ka qenë autori i një numri veprash letrare e
shkencore të shkruara në disa famulli fshati në malësinë e Shqipërisë së veriut, ku dhe shërbeu.
Gjeçovi gjithashtu ka lënë gjithsej tridhjetë e tetë vepra origjinale të pabotuara. Ndër to janë
shtatë pjesë me tema kombëtare, që trajtojnë kryesisht epokën historike të Skënderbeut. Nga
këto pjesë mund të përmenden Dashtnia e atdheut, 1901, Prijës i dy Dibrave, 1902, Mojsi
Golemi dhe tragjikomedia Mark Kuli Kryenqitës, të cilat edhe pse aspak të përpunuara, kanë
vendin e tyre në historinë e hershme të dramaturgjisë shqiptare. Gjeçovi gjithashtu ka përkthyer
dhe botuar Atil Reguli, Shkodër 1912, përkthim i tij në shqip i pjesës me tri akte ‘Atilio Regolo’
nga poeti dhe melodramaturgu italian Pietro Metastazio (1698-1782).
Një prift tjetër françeskan, Gjergj Fishta (1871-1940), personaliteti letrar kryesor e më
i fuqishëm në Shqipërinë e paraluftës, ka qenë autor jo vetëm i poezive të shquara epike e lirike,
por edhe i disa pjesëve teatore që kanë ndihmuar për zhvillimin e dramaturgjisë shqiptare.
Vepra e parë dramatike e tij, një pjesë satirike, Shqyptari i gjytetnuem 1911, edhe pse herë-herë
jo e zhdërvjellët, paraqitet si një vepër me mjeshtëri të jashtëzakonshme gjuhësore. Më vonë, ai
shkroi pjesën tjetër me titull Shqyptarja e gjytetnueme.
Fishta shpesh ishte ankuar për mungesën e dramaturgjisë shqiptare dhe, duke u
përpjekur për ta mënjanuar këtë mungesë, përshtati një numër klasikësh të huaj për lexuesin
shqiptar, ndër ta I ligu per mend, Shkodër 1931, të Molierit dhe Ifigenija n’Aullí, Shkodër 1931,
të Euripidit. Kjo e fundit bën aludime për klimën politike të kohës. Ndër veprat e tjera
dramatike që shkroi ose përshtati, janë pjesë teatrore të shkurtra me frymë fetare, si pjesa me tri
akte për Krishtlindjet Barìt e Betlêmit; pjesa me 99 faqe Sh’ Françesku i Asisit, Shkodër 1912;
tragjedia Juda Makabé55, Shkodër 1923; pjesa 76 faqesh Sh. Luigji Gonzaga, Shkodër 1927;
Hajrija, një tragjedi kombëtare në kohën e vezirëve; dhe Jerina, ase mbretnesha e luleve,
Shkodër 1941, që është dhe vepra e fundit e botuar prej tij sa ishte gjallë. Me kriteret e sotme,
asnjëra nga këto drama nuk mund të quhet e arritur, ndonëse aty-këtu gjuha e disave prej tyre
është e përpunuar. Por po të krahasohen me vepra të natyrës sentimentale e të romantizmit
kombëtar të autorëve të tjerë, atëhere subjekti i këtye dramave është njëfarë lehtësimi.
Prifti jezuit Anton Xanoni (1862-1915), i shkolluar në kolegje katolike të Spanjës,
Kroacisë, Italisë dhe Polonisë, përmendet jo vetëm për poezinë, legjendat, përkthimet, një
gramatikë, tekste shkollore dhe një roman, por edhe për një pjesë me temë historike me titullin
Skënderbegu ose t’liruemit prej zgjedhës së turkut, Shkodër 1917, një nga dramat e shumta
shqiptare të kohës me temën e Skënderbeut (1405-1468), heroi kombëtar i Shqipërisë. Kjo pjesë
me pesë akte, e shkruar më 1914 dhe e botuar tre vjet më pas, nuk pati ndonjë nivel të lartë për teatrin. Por u ka mbetur besnike fakteve të historisë siç interpretoheshin në atë kohë, duke u
dalluar nga veprat e tjera letrare me këtë temë.
Nga të gjitha trupat teatrore të ngritura në Shqipëri midis dy luftërave, ato që ecën më
mirë, qenë të Shkodrës, ndër to shoqëria Vllaznia, e cila jetoi nga 1919 deri më 1922, shoqëria
Rozafat, dhe shoqëria Bogdani, e cila qe formuar më 1919 dhe vazhdoi deri më 1939. Drejtues
i kësaj të fundit nga 1922 deri më 1928 ka qenë prifti jezuit dhe shkrimtari nga Shkodra Zef M.
Harapi (1891-1946). Në fillim të viteve njëzet shoqëria Bogdani vuri në skenë një numër
dramash historike të tij, si Oso Kuka, 1921, Flamuri i Shqipërisë do të mbretnojë, 1922, dhe
Mustafë Pasha i Shkodrës, kjo e fundit e dhënë për herë të parë në Shkodër më 28 nëntor 1923.
Nga autorët e tjerë katolikë shkodranë, që provuan të shkruajnë drama në këtë periudhë,
duhet përmendur prifti jezuit dom Ndoc Nikaj, (1864-1951), shpesh i cilësuar si babai i prozës
shqiptare të shekullit të njëzetë. Përveç shumë vëllimesh në prozë, studimesh dhe veprimtarish
botuese, Nikaj ka shkruar edhe një dramë modeste për vajza me titullin Motra për vllàn, 1921,
me interes të paktë letrar.
Më tepër sukses si dramaturg ka pasur prifti katolik Ndre Zadeja (1891-1945) nga
Shkodra. Lindur më 3 nëntor 1891, Ndre Zadeja ndoqi kolegjin jezuit në Shkodër para se të
dërgohej në Insbruk për kualifikim fetar. Me t’u kthyer në Shqipëri, u emërua sekretar i
kryepeshkopit të Shkodrës Jak Serreqi, kurse më pas qe famullitar në një numër fshatrash të
Shqipërisë së veriut, si në Dush, Bogë, Shkrel dhe Sheldi, ku pjesën më të madhe të kohës së
lirë e kalonte duke shkruar. Krijimtaria e tij përfshin poezi, një pjesë e së cilës është botuar,
ndër to edhe një vjershë 291 vargjesh56 drejtuar bashkëkohësit të vet, studiuesit të shquar jezuit
Fulvio Kordinjano (Fulvio Cordignano, 1887-1952). Por Zadeja përmendet më shumë si autor
i një numri pjesësh teatrale me frymë kombëtare me tema nga historia e nga legjendat, të cilat
u vunë në skenë në Shkodër në vitet njëzet e tridhjetë. Ndër to janë melodrama Ora e Shqipnis,
1919; Hijet e zeza, 1921, legjendë, që u shfaq për herë të parë nga shoqëria Bogdani më 8 maj
1921; Ruba e kuqe, pjesë me tri akte e shfaqur për herë të parë nga Schola Cantorum e
Katedrales së Shkodrës më 19 dhjetor 1937; melodrama me tri akte Rozafa, Shkodër 1941,
legjendë e rëndë për ndërtimin e kështjellës së Shkodrës, shfaqja e parë e së cilës u dha më 26
prill 1936 nga Schola Cantorum për nder të imzot Gasper Thaçit e imzot Vinçenc Prennushit;
pjesa me temë patriotike Rreth flamurit; Shpella e Bogdanit, 1937, pjesë që ka humbur, si dhe
Rrethimi i Shkodrës 1477-1478. Kjo e fundit e ka marrë frymëzimin nga vepra De obsidione
Scodrensi, Venedik 1504 (Rrethimi i Shkodrës), e historianit Marin Barleti (rreth 1450-1512),
dhe u dha për herë të parë më 25 prill 1937 në Kolegjin Saverian. Mjaft nga krijimtaria e Ndre
Zadejës mbeti e pabotuar dhe pas Luftës së Dytë Botërore ai pak u njoh si shkrimtar. Zadeja u
arrestua më 4 shkurt 1945 dhe pas një gjyqi të rremë u ekzekutua më 25 mars të atij viti. Thuhet
se para se të vihej në rresht për muri te oborri i kishës për t’u pushkatuar, priftin dramaturg së
bashku me nëntë të tjerë i torturuan e i detyruan të hapin varrin me duart e tyre.
Fan Noli (1882-1965), shtetar, udhëheqës fetar ortodoks, shkrimtar e përkthyes,
shkrimet e të cilit, së bashku me ato të Gjergj Fishtës, përfaqësonin një hap cilësor përpara në
letërsinë shqiptare të fillimit të shekullit të njëzet, karrierën letrare e nisi me një dramë me tri
akte me titull Israilitë dhe Filistinë, Boston 1907. Kjo tragjedi me dyzet e tetë faqe u shkrua në
Athinë, kur Noli po mundohej të nxirrte jetesën si aktor i ri. Duke u nisur nga gjuha dhe nga
karriera teatrore e Nolit në Greqi në atë kohë, ka të ngjarë që autori njëzetvjeçar ta ketë shkruar
në fillim në greqishten popullore dhe pastaj ta ketë hedhur në shqipe, ose tek e fundit t’i ketë
shkruar të dyja paralelisht. Kjo pjesë, e mbështetur në Librin e Gjyqtarëve 13-16 të Dhiatës së
Vjetër, ka në qendër betejën e Samsonit kundër Filistinëve dhe tradhtinë që i bëri Dalila. Është
nga të rrallat pjesë shqiptare të kohës që nuk e mbyt sentimentalizmi para se të mbyllet në mënyrë të cekët melodramatike. Por për shkak të arsyetimeve të zgjatura filozofike dhe të
gjuhës arkaike ajo nuk pati jehonë në publikun e gjerë shqiptar. Noli vetë e shihte si ‘sqelet
drame’ dhe si ‘foshnjë-dramë pa shpërginj fare’, kurse më pas u pendua edhe që e kishte botuar.
Për autorin mund të ketë qenë thjesht punë rinore, por ajo mbetet në nivelin e dramave të tjera
shqiptare të kohës.
Me sa duket Noli ka shkruar edhe pjesë të tjera greqisht atëherë, por asnjëra nuk ka
mbetur. Çka gjenden sot, janë përkthimet e shkëlqyera prej tij të pjesëve të Uilliam Shekspirit
(1564-1616) e të dramaturgut norvegjez Henrik Ibsen (1828-1906), krijime që e njohën për herë
të parë publikun shqiptar me disa nga klasikët e dramaturgjisë botërore. Me Shekspirin ai ishte
njohur për herë të parë që në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare si nxënës shkolle në Edrené. Një
trupë teatri greke kishte ardhur një ditë në qytet për të vënë në skenë Hamletin dhe, meqë dy
nga aktorët qenë analfabetë, Noli i ri hyri në punë si sufler, duke mësuar kësisoj tekstin e
Hamletit dhe të Otellos më mirë se aktorët vetë. Një nga punët e para të Nolit me të mbërritur
në Shtetet e Bashkuara më 1906, na e thotë vetë ai, ishte vajtja në Teatrin Kesll Skuer (Castle
Square) në Boston për të parë në origjinal pjesët e Shekspirit. Më pas Faik Konica i propozoi t’i
ndanin bashkë të gjitha pjesët e Shekspirit për t’i përkthyer shqip. Noli, nga ana e tij, filloi nga
kjo punë. Përkthimi i Otellos u shtyp më 1916, kurse përkthimet po aq shprehëse të Makbethit,
Hamletit dhe Jul Qesarit u botuan të gjitha në Bruksel më 1926. Po në atë kohë ai përktheu, pa
dyshim nga anglishtja, dy pjesë të Ibsenit, një tjetër autor ky i dashur fort prej tij: En
Folkefiende, 1882 (Armiku i popullit, Bruksel 1926), dhe Fru Inger til Østeraad, 1857 (Zonja
Ingra e Ostrotit, Bruksel 1926).
Kristo Floqi (1873-1951) nga Korça ishte ndoshta dramaturgu më popullor shqiptar në
gjysmën e parë të shekullit të njëzetë. Lindur më 1873 (disa burime japin vitin 1876), Floqi
studioi për drejtësi në Athinë, ku dhe e ushtroi këtë profesion me mbarimin e studimeve e deri
më 1899. U kthye më pas në vendlindje, Korçë, qyteti më i pasur i Shqipërisë asokohe, dhe
vazhdoi të ushtrojë profesionin për gjashtë vjet. Kaloi një kohë në Stamboll, me sa duket për të
mësuar turqishten, por pjesëmarrja aktive në lëvizjen kombëtare e detyroi të mos rrinte në një
vend, por të shkonte sa në Korçë, në Greqi ku i ati punonte tregtar, në Vlorë e deri në Shtetet e
Bashkuara. Në Boston, Floqi u bë botues i së përjavshmes në gjuhën shqipe Dielli në shtator
1911, si dhe ishte bashkëthemelues me Fan Nolin dhe Faik Konicën i shoqërisë Vatra. Në Nju
Jork, botoi të përjavshmen jetëshkurtër Zër’ i popullit në dimrin 1912-1913.
Me shpalljen e pavarësisë Floqi u kthye në Shqipëri te Ismail Qemal bej Vlora (1844-
1919) në Vlorë dhe punoi për të ngritur një sistem të ri gjyqësor për këtë shtet të vogël sovran.
Thuhet se ka qenë i pari që ka shkruar procedurë gjyqësore në gjuhën shqipe. Kur Vlora u
pushtua, Floqi u shpërngul në Shkodër ku ngriti një zyrë juridike që ushtroi veprimtari gjatë
Luftës së Parë Botërore. Në maj 1919 nisi botimin e së përmuajshmes Agimi, organ i shoqërisë
Vllazenija. Më 1920 u bë kryetar i gjykatës së apelit në Shkodër. Në dhjetor të atij viti u caktua
ministër i arsimit e më pas këshilltar shteti. Atij i takojnë edhe disa nga tekstet e para juridike
të shkruara shqip. Pas Luftës së Dytë Botërore Floqi u arrestua nga komunistët, sikundër dhe
mjaft intelektualë të paraluftës që nuk kishin ikur nga vendi, dhe vdiq aty nga viti 1951 pas
shtatë vjetësh burgimi. Kristo Floqi qe shkrimtar prodhimtar. Popullaritetin ia solli jo aq niveli
letrar i veprave të tij sesa kënaqësia e thellë që pjesët e tij u jepnin shikuesve dhe lexuesve.
Është autor i katër tragjedive me tema historike kombëtare, shtatëmbëdhjetë komedive dhe
skeçeve, i disa vëllimeve poetike, teksteve juridike, politike e pedagogjike si edhe i disa
përkthimeve nga Sofokliu, Euripidi e Molieri. Drama e tij me katër akte në vargje Fe e kombsi,
1909, me ngjarje që shtjellohen në fshatin shqiptar më 1831, tregon për një bej të ri mysliman,
me emrin Gani, që bie në dashuri me vajzën e krishterë Maro, shërbëtore në sarajet e të atit.
Drama të tjera historike janë Karllo Topija, 1916, me pesë akte; tragjedia po në pesë akte Pirro
Neoptolemi, 1923, e frymëzuar nga Andromache e Rasinit; dhe pjesa me katër akte Triumfi i lirisë, Korçë 1938. Ndër shtatëmbëdhjetë komeditë me humor, më të njohurat përmenden: farsa
me katër akte Qerthulli politik, Tiranë 1922; skeçet me një akt Dhëndërr me përdhuni, botuar
në Diellin e Bostonit më 1912; Vllazní e interesë; si dhe E bija e bankjerit.
Një autor tjetër i kësaj periudhe, veprat dramatike të të cilit nuk janë harruar krejtësisht
është Milo Duçi (1870-1933), jo vetëm figurë kombëtare e botues, por edhe poet e dramaturg,
sidomos në vitet e fundit të jetës në Egjipt. Duçi është autori i të paktën gjashtë pjesëve,
ndonëse asnjëra me nivel. Pjesa e tij me tri akte Nderi, Konstancë 1921, kushtuar dramaturgut
Viktor Eftimiu (1889-1972), është një rrëfim melodramatik i një tragjedie familjare, që i ndodh
djaloshit Mitë kur e detyrojnë të martohet me Vesën, në mënyrë që prindët të shtien në dorë
prikën e saj. Pjesa me dy akte I bir’ i begut, Kajro 1921, mendohet se është përshtatje nga një
origjinal francez. E thëna, Kajro 1922, me tri akte, është pjesërisht autobiografike, por, ashtu si
të tjerat, pa ndonjë emocion të vërtetë. Gruaja e parë e la Duçin me të dy djemtë dhe u martua
me një tjetër. Edhe Duçi u martua prapë dhe pati fëmijë të tjerë me gruan e dytë. Marrëdhëniet
e ndërlikuara të këtyre fëmijëve nga martesa të ndryshme përbëjnë subjektin e kësaj drame
skematike. Pjesët e tjera të Duçit, si ajo me katër akte Nora, drama në vargje Gjaku, e vënë në
skenë në Vlorë më 1920, dhe tragjikomedia me një akt Të vdekurit e të gjallët janë më pak të
njohura.
Foqion Postoli (1889-1927) nga Korça ka qenë autor i një proze dhe dramaturgjie tepër
sentimentale edhe po të gjykohet me kriteret e kohës së vet. Ndër veprat e tij përmenden: pjesa
melodramatike me katër akte Detyra e mëmës, Boston 1925, e vënë në skenë në Korçë në maj
1927 nga autori e nga piktori Vangjush Mio (1891-1957) dhe në Durrës më 1936 nga Sokrat
Mio (l. 1902); pjesa me gjashtë akte Lulja e kujtimit, Korçë 1921, e botuar më vonë edhe si
roman po aq sentimental; Për mprojtjen e atdheut, e vënë në skenë më 1936, po nga Sokrat
Mio; dhe pjesa me një akt Martesa e një avokati, e shkruar më 1927 pak para vdekjes. Kjo e
fundit është një komedi e pabotuar për jetën e mërgimtarëve shqiptarë në Nju Inglënd (New
England).
Si rival i tij në aspektin sentimental e melodramatik ka qenë Haki Stërmilli (1895-
1953) nga Dibra. Trilogjia e Stërmillit me temë kombëtare, e përbërë prej pjesës me katër akte
Dibranja e mjerueme, Tiranë 1923, prej asaj me gjashtë akte Dashuni e besnikeri, Tiranë 1923,
dhe prej pjesës me pesë akte Agimi i lumnuëshëm, Tiranë 1924, mbështetet në ngjarje historike
të Dibrës e të viseve pranë saj, krahinave të Manastirit e të Matit gjatë Luftërave Ballkanike më
1912 e 1913. Dy personazhet kryesorë në pjesën e parë, Ali Vorfi dhe Zejnel Drini, janë dy
studentë në Akademinë ushtarake turke në Manastir, që përpiqen për të afirmuar qenien e tyre
kombëtare në një kohë konfliktesh e rrëmuje. Ngjarjet në pjesën Dashuni e besnikeri, e cila u
botua pak muaj më vonë dhe ka kryesisht po ata personazhe, shtjellohen në Dibër më 1913 dhe
në Tiranë më 1920. Pjesa e tretë dhe e fundit, Agimi i lumnuëshëm, fillon me vitin 1921 dhe
mbulon në retrospektivë ngjarjet nga 1913 deri në 1921. Kjo trilogji, ndonëse një nga krijimet
kryesore të dramaturgjisë shqiptare në vitet njëzet, mund të vlerësohet vetëm në lidhje me
kohën kur u shkrua. Artistikisht është e dobët në kompozicion, subjekti është artificial dhe i
paorganizuar mirë, personazhet nuk janë jetësorë e të besueshëm. Drama shqiptare ishte në
shpërgënj në atë kohë, dhe Stërmilli i ndjente fare mirë dobësitë e veta. Në parathënien për
pjesën Dibranja e mjerueme, ai shprehej se e kishte shkruar për t’i shërbyer letërsisë dhe
historisë së Shqipërisë, duke shtuar: “Besoj se të tjerët ma të zotët e pendës se unë, do të
përpiqen me qitë në dritë të këtilla vepra më të çmueshme e kështu kanë me e pasunue
bibliotekën e dramave shqiptare.”
Mehdi bej Frashëri (1874-1963) ishte një tjetër prozator e figurë politike e shquar në
gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, veprat e të cilit janë shpërfillur mjaft për arsye politike.
Pjesa me temë historike në pesë akte e Mehdi Frashërit Trathëtia, Tiranë 1926, është një krijim
tipik i dramaturgjisë shqiptare në mesin e viteve njëzet. Me ngjarjet shtjelluar në shekullin e pesëmbëdhjetë, epoka e qëndresës së Skënderbeut kundër turqve, Trathëtia vuan nga po ato
dobësi të shumë pjesëve të tjera të periudhës. Veprimi është aq i bollshëm dhe detajet janë aq
të shumta, saqë lexuesi shpesh hutohet e nuk di nga t’ia mbajë për të ndjekur fillin e subjektit.
Kurona i moshuar, sundimtar i Beratit, i çon fjalë Skënderbeut në Krujë për t’i thënë se turqit
kanë mbledhur forca afër Përmetit dhe kanë ndër mend të marrin Beratin sapo të vdesë Kurona.
Kjo do të ishte humbje strategjike për princin shqiptar dhe braktisje e mbesës së bukur të
Kuronës, Maries, në duart e armikut. Maneshi, mëkëmbës i Skënderbeut, nxiton për në Berat
me trupa shqiptare dhe merr në dorë kështjellën, për çka dëshpërohet shumë rivali i tij Araniti.
Me vdekjen e Kuronës, Araniti kryen një akt tradhtie duke marrë anën e turqve dhe me ndihmën
e tyre e shpall veten sundimtar të Beratit. Marien, e cila ka rënë në dashuri me përkthyesin e
Maneshit, Gjeloshin, e marrin dhe e shpien në harem në Stamboll. Gjeloshi në fund e gjen
Marien, kur dëgjon dhe njeh këngën e saj të vajit brenda mureve të haremit, e shpëton dhe e
shpie, të veshur si djalë, në një anije venedikase, që e pret në breg. Të dy të rinjtë e dashuruar
venë në Shqipëri për të takuar në kështjellën e Krujës Skënderbeun, i cili pastaj çliron Beratin
dhe kap rob Aranitin, duke marrë hak kështu për aktin e ulët të tradhtisë.
Dramaturgu dhe poeti Etëhem Haxhiademi57 (1902-1965), lindur më 8 mars 1902 në
Elbasan, ka qenë ndoshta dramaturgu më i mirë i periudhës së pavarësisë. Shkollën e mesme e
ndoqi në Leçe (Itali) rreth vitit 1918 e në Insbruk (Austri) më 1919-1923, dhe studioi për
shkenca politike në Berlin (1923) dhe Vjenë. Në këto vite ai bashkëpunoi me revistat letrare
Kopështi letrar të Elbasanit dhe Djalëria, organ i shoqatës së studentëve shqiptarë në Vjenë. Në
vjeshtën e vitit 1928 Haxhiademi u kthye në Shqipëri për të punuar në detyra qeveritare. Ishte
prefekt i Lushnjës etj., si dhe drejtor drejtorie në Ministrinë e Brendshme në Tiranë. Gjatë
Luftës së Dytë Botërore ishte drejtor i administratës bashkiake në Shqipëri dhe anëtar i Institutit
të ri të Studimeve Shqiptare në Tiranë. Më 1945, menjëherë pas luftës, u bë anëtar i Lidhjes së
sapoformuar të Shkrimtarëve dhe kryetar i degës së saj për Elbasanin. Më 1946 qe edhe mësues
i gjuhës shqipe në Shkollën Normale të Elbasanit. Në kohën e gjuetisë së shtrigave më 1946-
1947, Haxhiademi u arrestua e u dënua me vdekje. Bibliotekën dhe dorëshkrimet ia konfiskuan.
Me ndërhyrjen e njerëzve me influencë Aleksandër Xhuvani (1880-1961) dhe Omer Nishani
(1887-1954) dënimi me vdekje iu kthye me burgim të përjetshëm. Vdiq më 17 mars 1965, pasi
kishte punuar për shumë vjet si përkthyes në burgun e Burrelit.
Haxhiademi ishte autor i një përkthimi të shquar në hekzametër të Bukolikeve të
Virgjilit (1932) dhe të një vëllimi 73 faqesh me poezi të trishtuar Lyra, Tiranë 1939. Megjithatë,
formimi i thellë evropian perëndimor i tij gjeti shprehje më të plotë në tragjeditë klasike sipas
modeleve greke e latine. Tri tragjeditë e para në pesë akte të Haxhiademit u botuan si trilogji:
Ulisi, Tiranë 1931, shkruar në Berlin më 1924; Akili, Tiranë 1931, shkruar në Vjenë më 1926;
dhe Aleksandri, Tiranë 1931, shkruar në Lushnjë më 1928. Pastaj vjen Pirrua, shkruar në
Gjirokastër më 1934, tragjedi kjo mbi një temë tashmë të trajtuar nga Mihal Gramenoja më
1906 dhe Kristo Floqi më 1923. Pjesa me pesë akte Skënderbeu, Tiranë 1935, e përfunduar në
Gjirokastër më 1 maj 1935, u pasua nga dy kryevepra të mrekullueshme: Diomedi, Tiranë 1936,
dhe Abeli, 1939 në varg njëmbëdhjetërrokësh. Edhe pse trajtonte figura të mitologjisë dhe
historisë së lashtë, Haxhiademi ato i shihte sikur të ishin pjesë e trashëgimit të vetë Shqipërisë.
Në mesin e viteve tridhjetë ai shkruante:
“Në tragedit e mija të maparëshme mâ tepër më ka tërhekun landa në vetëvehte se sá
themat kombëtare. Me ‘Ulisin’ e ‘Akilin’ kam dashun të thur dy tragedi me dy kryetrimat
e epopevet homerike Odyssen e Iliada. Me ‘Aleksandrin’ e ‘Pirron’ dy tragedi qi të kenë
për protagonista dy kreshnikë të historis s’onë përpara Krishtit, ndonse për ta dyshohet vërtetësija Shqiptare. Këtë herë, tyke e ditun se popullit t’onë i pëlqejnë themat
kombëtare, paraqis tragedin ‘Skënderbeu’ me protagonist heron t’onë kombëtar.”
Dy pjesët e fundit të Haxhiademit iu kushtuan temës së vëllavrasjes. Në Diomedi, mbreti
Daun i Ilirisë ikën në Itali ku formon një mbretëri në Pulje. Në luftën me fqinjët e tij mesapë,
Daunin e shpëton Diomedi, i cili ka ardhur aty nga Troja. Si shpërblim Dauni i ofron Diomedit
dorën e së bijës Euipe, por ajo dashuron fshehurazi vëllanë e Diomedit, Alanin. Dy të
dashuruarit e mashtrojnë mbretin duke i mbushur mendjen se Diomedi po komploton për t’i
marrë fronin, gjë që e bën Daunin të njoftojë se të bijën do t’ia japë për grua atij që vret rivalin.
Alani, i errur sysh nga ambicja dhe i çmendur pas Euipes, e vret të vëllanë në gjumë dhe mëton
të marrë Euipen për grua. Por mbreti Daun është tepër i tronditur nga vëllavrasja e ulët dhe e
dëbon Alanin nga mbretëria. Abeli më 1939, një tjetër histori vëllavrasjeje, merr temën e
mirënjohur nga Dhiata e Vjetër, temën e Kainit dhe Abelit. Kur perdja bie në atë skenë
dëshpërimi, dëgjojmë zërin e Adamit që mallkon birin e vetëm të mbetur gjallë:
“Qofsh i mallkuë, i poshtun, ti për jetë;
Prej nesh edhe prej Zotit të vërtetë.
Zemra e jote kurr mos paft gëzime;
N’mjerimin tand na gjetshim ngushullime.
Ti qi na dhe për pleqëni kët’ tmerr,
Të bift n’vend t’grunit n’arën tande ferr’.
Jo vetëm ti por edhé fëmijt t’uëj,
Mënin e madhe paçin të gjithkuëj.
Paçin bashk’ me urrenjtjen e njerzis,
Mallkimet e Krijuësit të gjithsìs.”
Me tragjeditë e Haxhiademit aktorët shqiptarë për herë të parë patën në dorë një material
që i kapërcente dramat me tema kombëtare, ndonëse me nivel të ulët, ku nuk mungojnë shfrimet
sentimentale të periudhës së vonë të Rilindjes. Publiku i gjerë mund të ketë pëlqyer më shumë
farsat humoristike të shtresave të mesme të Kristo Floqit, nacionalizmin pa peshë të Mihal
Gramenos dhe sentimentalizmin patetik të Foqion Postolit, ndërkaq edhe tragjeditë e Etëhem
Haxhiademit nuk kaluan pa u vlerësuar. Ato u luajtën mjaft në vitet tridhjetë e në fillim të
viteve dyzet, në fillim nga trupa amatore të dala nga Shkolla Normale e Elbasanit e më pas edhe
në Tiranë e gjetkë. Hapi cilësor i letërsisë shqiptare në mesin e viteve tridhjetë mund të mos
ketë qenë aq i madh në dramaturgji sa ç’kishte qenë në poezi e në prozë, por e rëndësishme
është se ky hap është bërë edhe në dramaturgji, dhe prandaj, për të parë krijimtarinë më të mirë
në këtë fushë, duhet t’u kthehemi dramave klasike të Etëhem Haxhiademit tani për tani të
harruara.
Nga dramaturgët minorë të dekadave para Luftës së Dytë Botërore mund të përmenden
edhe: Lazër Lumezi (1870-1941) nga Prizreni, autori i komedisë me një akt Makaronat e
shejtanit, 1935; Filip Papajani (1878-1945) nga Elbasani, i njohur me pseudonimin Lipi, autor
i dramës Moisi Golemi, 1928; Vinçenc Prennushi (1885-1949), autor, përveç poezive, edhe i
pjesës me pesë akte Prej robnije në liri, Shkodër 1931, me subjekt nga vitet e para të
Krishterimit; studiuesi, botuesi dhe poeti Ilo Mitkë Qafëzezi (1889-1964) nga Korça, autor i
një komedie didaktike me titull Dhaskal Gjoka, apo shkolla korçare e qëmoçme, Korçë 1936,
si dhe një përkthim i Salome, Korçë 1926, të Oskar Uajlldit (1854-1900); Kostandin Kotte
(vd. ca. 1974 në burgun e Burrelit?) që përmendet për pjesën me tri akte Shperblimi i gjaksís,
Zadar 1929, me subjekt nga koha e ashpër e Ali pashë Tepelenës (1740-1822); Petro Harizi, botues gazete dhe autor i krijimit modest Triumphi i legalitetit, Korçë 1933; si dhe studiuesi
klasik Henrik Lacaj (1910-1991) nga Shkodra, që përmendet për përkthimet e veprave të
Plautit.
_________
54 kr. Kosova 1971, V. Moisiu 1979, 1980, dhe Foniqi 1994.
56 kr. Zadeja 1942.
57 kr. Matraxhiu 1991b.
Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia