11.2 Vërshimi i realizmit socialist. Letërsia shqiptare e pasluftës deri më 1961
Enver Hoxha dhe udhëheqësit e rinj partizanë që morën pushtetin në fund të vitit 1944,
i shihnin me dyshim shkrimtarët dhe intelektualët shqiptarë të çdo ngjyre politike, duke i
konsideruar shumicën e tyre si përfaqësues të ‘regjimit të vjetër’. Një numër tepër i vogël
shkrimtarësh si Vangjel Koça (1900-1943) dhe Vasil Alarupi (1908-1977) kishin qenë ithtarë
të vërtetë të fashizmit, kurse një grup tjetër intelektualësh, edhe pse nuk qenë vetë fashistë,
kishin bashkëpunuar me pushtuesit italianë e gjermanë në një mënyrë a në një tjetër. Shumica
e tyre donin thjesht të shpëtonin të paktën kokën në ato kohë trazirash.
Mjaft figura të shquara të jetës intelektuale shqiptare u arratisën nga vendi: Ernest
Koliqi (1903-1975), Mehdi bej Frashëri (1874-1963), Mid’hat bej Frashëri (1880-1949) dhe
Karl Gurakuqi (1895-1971) shkuan në Itali, Branko Merxhani (1894-1981) në Turqi, kurse
shkrimtari i majtë Tajar Zavalani (1903-1966) në Britani.
Të tjerë ushqenin shpresa se, pasi kishin dalë gjallë nga lufta, do të mund të merreshin
vesh njëfarësoj me udhëheqësit e rinj komunistë e do të punonin gjallërisht me ta për ndërtimin
e një Shqipërie të re, të një shoqërie të re socialiste. Por, pa kaluar shumë kohë, demagogjia e
Enver Hoxhës, gjyqet spektakolare staliniste nën gjeneral Mehmet Shehun (1913-1981) dhe
gjuetia e shtrigave nën Koçi Xoxen (1917-1949) e bënë të qartë se çlirimi dhe idealet e mëdha
të socializmit ishin një fasadë për të mbuluar terrorin dhe diktaturën e egër. Mjeti i parë për t’i
bindur njerëzit nuk u bë arsimi e propaganda, por frika e hapur dhe e pakursyer. Për shkrimtarët
dhe intelektualët shqiptarë64 periudha menjëherë pas luftës qe bërë një apokalips.
Në mënyrë të veçantë vuajtën shkrimtarët e shkollës katolike shkodrane. Gjeneral
Mehmet Shehu, në një fjalim publik të mbajtur në Shkodër më 28 janar 1945, e pati quajtur
fortesën katolike ‘çerdhe të reaksionit’ dhe pati paralajmëruar se udhëheqësit kishtarë do të
merrnin shpërblimin ‘e merituar’ para gjyqit të popullit. Dramaturgu Ndre Zadeja (1891-1945),
poeti Lazër Shantoja (1892-1945), poeti Bernardin Palaj (1894-1947), romancieri Anton Harapi
(1888-1946), dhe publicisti Gjon Shllaku (1907-1946) u ekzekutuan. Poeti Vinçenc Prenushi
(1885-1949) vdiq në burg pas torturash të rënda, ashtu si dhe prozatori e botuesi dom Ndoc
Nikaj (1864-1951), babai i prozës gege të shekullit të njëzetë. Ndër intelektualët e tjerë të
shquar që u ekzekutuan janë botuesi arbëresh Terenc Toçi (Terenzio Tocci, 1880-1945), botuesi
Nebil Çika (vd. 1944), shkrimtari bektashi baba Ali Tomori (Ali Tyrabiu, vd. 1947), dhe poeti
Manush Peshkëpia (1910-1951).
Ndër shumë shkrimtarë dhe intelektualë të tjerë që u arrestuan e u burgosën gjatë
gjuetisë së shtrigave pas Luftës së Dytë Botërore qenë dramaturgët e njohur Kristo Floqi (1873-
1951) dhe Etëhem Haxhiademi (1902-1965), shkrimtari dhe botuesi mysliman hafiz Ibrahim
Dalliu (1878-1952), ministri i arsimit Mirash Ivanaj (1891-1953), të cilët vdiqën në burg, dhe
poeti Dionis Gjergj Bubani (l. 1926); shkrimtari i prozës së shkurtër Mitrush Kuteli (1907-1967), romancieri Petro Marko (1913-1991), poeti Sejfulla Malëshova (1900-1971), shkrimtarja
e prozës së shkurtër Musine Kokalari (1917-1983), poeti dhe studiuesi Arshi Pipa (l. 1921),
poeti bektashian Ibrahim Hasnaj (1912-1995), poeti Nexhat Hakiu (1917-1978), poeti Andrea
Varfi (1914-1992), përkthyesit Jusuf Vrioni (l. 1916) dhe Pashko Gjeci (l. 1918), romancieri
Mustafa Greblleshi (1922-1986), publicisti Dionis Miçaço, poeti Kudret Kokoshi (1907-1991),
romancieri dhe botuesi Anton S. Frashëri (1892-1965), humoristi dhe përkthyesi i palodhur
Mid’hat Araniti (1912-1992) që ka shkruar në të folmen tiranase, gjuhëtari Selman Riza (1909-
1988), kritiku Filip Fishta (l. 1901), folkloristët atë Donat Kurti (1903-1969) dhe Stavro
Frashëri nga Kavaja, dhe shkrimtari Lazër Radi (l. 1916), i cili u lirua më 1991 pas një kohe të
pabesueshme prej dyzet e gjashtë vjetësh burgu e internimi.
Përndjekja e intelektualëve, sidomos e atyre që kishin qenë jashtë vendit para vitit 1944,
dhe shkëputja faktike nga të gjitha traditat kulturore, krijuan në Shqipëri një zbrastësi letrare e
kulturore e cila zgjati deri në vitet gjashtëdhjetë. Pasojat e saj mund të ndihen edhe sot. Nuk do
të dihet kurrë saktë sa intelektualë dhe talente të reja letrare u dërguan gjatë viteve që pasuan,
për të punuar në degë të rënda të industrisë, ose u syrgjynosën përgjithmonë në provincë, ose u
internuan në ndonjë fshat të thellë malor pa shpresë për t’u kthyer më në vendbanimet e tyre.
Martesa me përdhunë e letërsisë shqiptare me marksizëm-leninizmin u prangua fort që
në fillim me themelimin në tetor 1945 të Lidhjes së Shkrimtarëve. Fillimisht politika kulturore
në Shqipërinë e pasluftës iu ngarkua poetit Sejfulla Malëshova (1900-1971). Me prejardhje nga
krahina e Përmetit, Malëshova kaloi një pjesë të mirë të jetës jashtë vendit. Studioi për mjekësi
në Itali, kurse më 1924, në moshën njëzet e tre vjeç, u bë sekretari personal i Fan Nolit në
qeverinë e tij demokratike. Me rrëzimin e Nolit, Malëshova iku në Paris, dhe së andejmi, i
frymëzuar nga Revolucioni i Tetorit, vazhdoi në Moskë ku studioi dhe më vonë dha mësim
marksizmin. Në Bashkimin Sovjetik hyri në Partinë Komuniste (1930-1932), por më pas u
përjashtua si buharinist. Rreth vitit 1938 Malëshova emigroi në Evropën Perëndimore dhe jetoi
në Paris deri në pushtimin gjerman, më tej në Grenoblë. Në verë të vitit 1943 u kthye në
Shqipëri, përsëri anëtar partie dhe ende plot ideale. Këtu u bë anëtar i Komitetit Qendror të
Partisë Komuniste të sapoformuar të Shqipërisë. Si ministër i kulturës në qeverinë e
përkohëshme të sunduar nga komunistët, Malëshova organizoi kongresin e parë të shkrimtarëve
shqiptarë më 7 tetor 1945. Në këtë kongres u bë edhe themelimi i Lidhjes së Shkrimtarëve të
Shqipërisë me shtatëdhjetë e katër anëtarë, komunistë e jokomunistë.
Malëshova ndoqi një kurs relativisht liberal e pajtues për kohën, me qëllim që të
inkurajonte riintegrimin e forcave jokomuniste në strukturat e reja të pushtetit. Ai nuk qe nga
ata që dënonin të gjithë shkrimtarët e paraluftës si reaksionarë, si Gjergj Fishtën, as nuk qe për
shkëputje të plotë nga Perëndimi. Nuk do të kalonte shumë dhe Malëshova do të bëhej zëdhënës
i njërit nga dy fraksionet që rivalizonin për pushtet brenda në parti. Por me përkrahjen e
komunistëve jugosllavë, fraksioni i kundërshtarit të tij Koçi Xoxe fitoi në fillim të vitit 1946
dhe Malëshova ra. Në një mbledhje të Komitetit Qendror më 21 shkurt 1946, Malëshovën e
akuzuan për oportunizëm dhe devijim të djathtë dhe e përjashtuan nga Byroja Politike e nga
Komiteti Qendror. Për çudi, Malëshova shpëtoi gjallë. Ky idealist i majtë, që dikur pati qenë
anëtar i Kominternit, u internua për dy a tre vjet në Ballsh, kurse gjithë jetën pastaj e kaloi në
internim të brendshëm si magazinier në Fier, ku, për vite me radhë, asnjë banor i qytetit nuk
guxonte t’i fliste. Për të i vetmi shoqërim me të tjerët ishte të luante futboll me fëmijët. Sa herë
që dikush i afrohej, vinte dy gishtat në buzë për t’i thënë se ishte betuar të mos hapte gojë, gjë
që i siguroi mbijetesën. Malëshova vdiq më 11 qershor 1971 nga apendiciti në një vetmi të
papërfytyrueshme. Edhe pse në qytet të gjithë ia dinin përmendsh vjershat, askush nuk guxoi të
marrë pjesë në funeral. U varros në prani të së motrës, varrmihësit dhe dy agjentëve të
Sigurimit.
Pjesa më e madhe e poezisë së këtij poeti të vetëquajtur rebel është shkruar në mërgim me pseudonimin Lame Kodra dhe është botuar në vëllimin Vjersha, Tiranë 1945. Tipike për
frymën e kësaj përmbledhjeje me 21 vjersha është Poeti rebel, e botuar për herë të parë më
1941:

“Pa dëgjoni, gra e burra
Anembanë,
Dolli urdhëri për mua
Në Tiranë,
Nëpër male, nëpër fusha
Në luadhe
Po më ndjekin këmba-këmbës
Me koshalle.
Po s’kam frikë nga zagari
Me dyfek;
Kudo shkoj e hidhem unë
Shtek më shtek
Kudo vete e futem unë
Prak më prak
Shqipërinë anembanë
Kam jatak.
Jam rebel e jam hajdut
Edhe mburrem;
Kundër beut edhe fronit
Un turrem.
I kam dalë për zot unë
Vegjëlisë,
Edhe luftë i kam shpallur
Skllavërisë.”

Ndër vjershat e tjera të kësaj përmbledhjeje janë Si e dua Shqipërinë, Klithma e
Dragobisë, Internacionala, përkthimi shqip i himnit komunist, dhe Lasgush Poradecit, një
vjershë satirike, ku poeti komunist akuzon Poradecin se ia ka shitur shpirtin kapitalit të huaj:
“Të blenë me para, o zok liqeri.” Malëshova gjithashtu përktheu shqip veprat e Marksit,
Engelsit dhe Leninit si dhe hartoi një fjalor rusisht-shqip që më pas u botua me emrin e
tjetërkujt.
Gjuetia e shtrigave që pasoi spastrimin e Malëshovës i mpiu krejt shkrimet dhe
mendimin krijues në Shqipëri. Mjaft intelektualë, që deri tani i kishin shpëtuar ekzekutimit,
gjendeshin në burg ose qenë detyruar të mbyllnin gojën mirë. Në tetor 1949, pesë muaj pas
eliminimit të Koçi Xoxes, u mblodh Konferenca e tretë e Lidhjës së Shkrimtarëve. Kjo
konferencë përcaktoi drejtimin e letërsisë shqiptare, atë të realizmit socialist, drejtim që do të
mbetej i pandryshuar për gjithë periudhën e viteve pesëdhjetë. Liria intelektuale, që për ironi
kishte ekzistuar nën diktaturën zogiste të paraluftës dhe gjatë pushtimit italian, tani kishte marrë
fund plotësisht. Partia nuk kërkonte gjë tjetër përveç bindjes absolute, dhe të gjithë shkrimtarët
iu nënshtruan vëzhgimit dhe udhëzimeve kritike. Gjatë viteve të para të aleancës sovjetoshqiptare,
politika kulturore në Shqipëri u ndikua mjaft nga zhdanovizmi, doktrinë letrare e
formuluar nga Andrej Aleksandroviç Zhdanov (1896-1948), që bëri kërdinë në letërsinë dhe
kulturën sovjetike. Shkrimtarët shqiptarë u nxitën të përqëndronin gjithë energjitë krijuese në
trajtimin e disa temave të veçanta, si lufta partizane e ashtuquajtur ‘luftë nacional-çlirimtare’ dhe
ndërtimi i socializmit, si dhe t’u shmangeshin ndikimeve kozmopolite të Perëndimit. Ideja
politike ishte elementi kryesor për ata që donin të shpëtonin. Subjekte që ishin pa ndonjë vlerë edukative në kuptimin marksist quheshin të huaja e tabu. Letërsia shqiptare, e cila pati evoluar
aq vrullshëm në mesin e viteve tridhjetë, tani në të vërtetë u zhduk. Vendi ishte kthyer në një
djerrinë letrare.
Bashkë me integrimin e Shqipërisë në bllokun sovjetik, hynë edhe modelet letrare
sovjetike, të cilat u imituan me servilizëm dhe në mënyrë që të hidheshin themelet e një letërsie
të re. Me kohë, një brez i ri shkrimtarësh proletarë dolën në skenë, shumica e të cilëve pa
shkollimin e duhur të rregullt. Të frymëzuar nga një përzierje surrealiste frike e patosi
revolucionar, ata e treguan veten të gatshëm për të marrë pjesë në shndërrimet rrënjësore
politike e shoqërore, procese në të cilat po kalonte ky vend i vogël ballkanik.
Poezia, tregimet dhe romanet e krijuara nga ky brez i ri i shkrimtarëve shqiptarë, veprat
e të cilëve, të ribotuara më vonë në përmbledhje veprash të plota a të zgjedhura, u ngritën lart
e u lëvduan si vepra klasike bashkëkohore të realizmit socialist, shumica nuk qenë aspak vepra
letrare. Ato ishin trakte me synime politike, edukative për nga natyra, shpesh tepër didaktike.
Rëndësi më të madhe se niveli artistik kishin patriotizmi dhe bindjet ‘e drejta’ politike të
autorëve.
Ishte Dhimitër Shuteriqi (l. 1915) nga Elbasani, më pas historian letërsie me rëndësi,
ai që do t’i jepte disi ngadalë tonin prozës me tregimet e tij si dhe me romanin e tij, të parin
roman shqiptar të pasluftës. Kjo vepër në dy vëllime, Çlirimtarët, Tiranë 1952, 1955, jepte një
tablo jo vetëm të vuajtjeve dhe të mjerimit të fshatarësisë para çlirimit, por edhe të lindjes së
ndërgjegjes klasore në gjirin e saj. Dobësia kryesore e romanit, dobësi që do të mbizotëronte në
shumicën e romaneve shqiptarë nga vitet pesëdhjetë e këndej, qëndron në pasqyrimin pa dallim
bardhë e zi të personazheve, domethënë pozitivët kundër negativëve. Shuteriqi, i cili qe kryetar
i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve nga 1946 deri më 1973 dhe ka shkruar edhe poezi,
shquhet tani më shumë për studime në fushat e letërsisë, historisë dhe folklorit, sidomos për
historitë dhe antologjitë standarde të letërsisë shqiptare.
Një shkrimtar tjetër kryesor i kësaj periudhe ishte Shevqet Musaraj (1914-1986) nga
fshati Matogjin afër Vlorës. Para agimit, Tiranë 1965-1966, është një kronikë e viteve të fundit
të diktaturës së Zogut dhe e rritjes së lëvizjes së rezistencës gjatë luftës, ashtu siç e jeton
veçanërisht personazhi Emira Velo. Me pushtimin italian në Pashkët 1939, Emira hyn në
lëvizjen e rezistencës, por paragjykimet ndaj njerëzve të thjeshtë të klasës punëtore e largojnë
më pas nga lëvizja për çlirim kombëtar. Po në të njëjtën kohë shtjellohet edhe subjekti i një
romani tjetër të tij më pas – Belxhiku që këndon vënçe, Tiranë 1979. Ndonëse veprat e Musarajt
u përhapën e u lexuan gjerësisht, asnjëra prej tyre nuk mund t’i qëndrojë provës së kohës.
Sterjo Spasse65 (1912-1989) qe nga të paktët shkrimtarë shqiptarë që shpëtuan nga
tranzicioni i pushtetit. Në romanet e pasluftës si Ata nuk ishin vetëm, Tiranë 1952, i cili është
përkthyer në frëngjisht (Tiranë 1958) dhe gjermanisht (Tiranë 1960), dhe Afërdita përsëri në
fshat, Tiranë 1955, ai zbatoi mësimet e realizmit socialist dhe ndikoi direkt në zhvillimin e
etapave të para të tij në Shqipëri. Ndër romanet e tjera të mëvonshme qenë Buzë liqenit, Tiranë
1961, dhe Zjarret, Tiranë 1972, që trajtonin konflikte psikologjike dhe probleme ideologjike të
kolektivizimit, si dhe Zgjimi, Tiranë 1974, subjekti i të cilit shtjellohet në një qytet shqiptar në
ditët e fundit të sundimit osman. Në pikëpamje të origjinalitetit e të nivelit artistik asnjëri nga
këto krijime nuk mund të krahasohet me krijimtarinë para çlirimit. Frymëzimi rinor i Spasses
kishte marrë fund, kurse letargjia kulturore e kohës nuk lejonte aspak zhvillimin e
individualitetit. Ai vdiq në Tiranë më 12 shtator 1989.
Fatmir Gjata (1922-1989) nga Korça trajtoi temën e luftës nacionalçlirimtare në
Përmbysja, Tiranë 1954, që kishte në qendër rritjen e vetëdijes politike të një djali fshatar.
Romani më i njohur i Gjatës është Këneta, Tiranë 1959, i frymëzuar nga letërsia ruse, përshkrim
i tharjes së kënetës së Maliqit në fushën e Korçës dhe i komploteve të ulëta të armiqve të
jashtëm e të brendshëm për të sabotuar punën. Në Këneta, sekretari i partisë Stavri Lara, i
plagosur gjatë luftës, ngarkohet me detyrën e drejtimit të punimeve për tharjen e kënetës. Ish e
dashura e tij Rina, të cilën ai ende e dashuron, është martuar për fat të keq me dikë tjetër.
Këneta është një vepër propagande të cekët pa ndonjë nivel artistik për të qenë.
Jakov Xoxa66 (1922-1979) nga Fieri në fushën dikur me këneta e mushkonja të
Myzeqesë, dënoi shfrytëzimin e fshatarësisë së varfër nga bejlerët mizorë në veprën Lumi i
vdekur, Tiranë 1965. Ky roman është një nga veprat e rralla të kohës me meritë artistike. Është
përkthyer italisht (Tiranë, rreth v. 1972). Romani i tij i dytë Juga e bardhë, Tiranë 1971, që ka
për model Podnjataja celina, Moskë 1932 (Tokat e çara), të shkrimtarit Mihail Aleksandroviç
Shollohov (1905-1984), merret me kolektivizimin e bujqësisë në fushën e Myzeqesë pas luftës.
Ndeshemi në këtë roman me Kiu Koroziun, kryetarin prepotent të një kooperative bujqësore, i
cili pa të drejtë kundërshton shkrirjen e kooperativës ‘së tij’ me të tjerat për të formuar një njësi
më të madhe. Kemi edhe një përkthim frëngjisht të këtij romani (Tiranë 1974).
Prozatori Ali Abdihoxha (l. 1923) nga Elbasani mban në krijimet e tij vulën e përvojës
vetjake në lëvizjen e rezistencës. Romani i tij Një vjeshtë me stuhi, Tiranë 1959, imitim në të
gjitha aspektet i Malladaja gvardija, Moskë 1946 (Garda e re), të Aleksandër Aleksandroviç
Fadejevit (1901-1956), tregon për një grup të rinjsh që ngarkohen me detyrën e ngritjes së një
shtypshkronje ilegale në Shqipërinë e pushtuar. Tri ngjyra të kohës, Tiranë 1965-1972, është një
roman katërvëllimësh disi i lodhshëm, përsëri për lindjen e zhvillimin e vetëdijes klasore të
fshatarësisë gjatë luftës për çlirim kombëtar.
Pas gati pesë shekujsh ekzistence, poezia shqiptare tani kishte rënë në një hon
artificialiteti. Nga poetët e rëndomtë në këtë periudhë mund të përmendim shkarazi Aleks
Çaçin (1916-1989), Mark Gurakuqin (1922-1970), Luan Qafëzezin (1922-1995) dhe Llazar
Siliqin (l. 1924), të cilët sollën në poezinë lirike tema politike e didaktike. Asnjëri prej këtyre
poetëve nuk dëshmoi ndonjë talent të veçantë, ose se ky u mungonte, ose nga ‘kritika
konstruktive’ e vazhdueshme e dogmatikëve partiakë. Çaçi, i lindur në Palasë të bregdetit të
Himarës, përmendet kryesisht për poemën Ashtu Myzeqe, Tiranë 1947, për shndërrimet në
krahinën e prapambetur të Myzeqesë, një temë që do ta ritrajtonte më pas në Ti je, Myzeqe?.
Llazar Siliqi, i lindur në Shkodër, bir i shkrimtarit Risto Siliqi (1882-1936), i dha tonin poezisë
revolucionare deri diku si miniaturë e Vladimir Majakovskit (1893-1930) në Rusinë pas
Revolucionit, por në një mënyrë shumë më artificiale. Mjaft nga poezia e tij ka pasur për model
atë të poetit sovjetik Nikollaj Asejev (1889-1963). Poema e zjarrtë Prishtina, Tiranë 1949,
risjell në vargje kalvarin e tij e të të tjerëve në kampin e përqendrimit të Prishtinës më 1944.
Vëllime të mëvonëshme si Mësuesi, Tiranë 1955, dhe Ringjallje, Tiranë 1960, dëshmuan
patosin revolucionar të vazhdueshëm të tij. Shevqet Musaraj, të cilin e përmendëm më parë, që
herët iu kushtua poezisë satirike në poemën Epopeja e Ballit Kombëtar, Tiranë 1944, e cila u
ngrit lart zyrtarisht për vetë idenë e qartë politike. Me humorin e temperamentin e Labërisë, kjo
vepër me 200 strofa katërvargshe vë në lojë lëvizjen konservatore të rezistencës, që rivalizoi me
komunistët gjatë kohës së luftës.
Pjesa më e madhe e shkrimeve të nxjerra me shumicë në vitet pesëdhjetë e në fillim të
viteve gjashtëdhjetë dëshmuan shterpësi dhe mjaft konformizëm në çdo kuptim. Tematika e
krijimeve të kësaj periudhe përsëritej rreth një qarku të caktuar, kurse lexuesi ushqehej
vazhdimisht me tekste të thjeshtëzuara e pa ndonjë kujdes të veçantë për elementet themelore
të stilit. Nuk është për t’u habitur që shumë vepra ‘letrare’ mbetën nëpër raftet e librarive duke
zënë shtresa pluhuri. Edukimi politik i masave dhe ushqimi i tyre me ndjenjën kombëtare
quheshin më të rëndësishme se vlerat estetike. Madje edhe kritere të kritikës për formën, si larmia e pasuria e leksikut dhe e strukturës tekstuale u nënvleftësuan për t’i dhënë përparësi
patriotizmit dhe idesë politike. Ky qëndrim synonte të thellonte frymën revolucionare e të
forconte bindjet socialiste të ‘njeriut të ri’. Por zor se ky objektiv u arrit në ndonjë farë mase. I
rëndësishëm është fakti që edhe ky qëndrim nuk mjaftoi për të inkurajuar talentet e për të
siguruar një nivel të lartë artistik, e kështu, në analizë të fundit, për të kënaqur nevojat estetike
të lexuesit shqiptar.
Ishte brezi i dytë i shkrimtarëve të Shqipërisë së pasluftës ai që erdhi përherë e më tepër
duke kuptuar se bindjet politike, edhe pse të rëndësishme në kontekstin e shoqërisë shqiptare të
periudhës, nuk mjaftonin për të qenë kriter i meritave artistike, dhe se letërsia shqiptare kishte
nevojë për përtëritje. Rruga drejt përtëritjes u lehtësua deri diku nga qëndrueshmëria politike e
vendit dhe nga siguria brenda Partisë së Punës së Shqipërisë me gjithë keqësimin e
marrëdhënieve midis Enver Hoxhës dhe udhëheqësit sovjetik Nikita Hrushçov (1894-1971).
Edhe pse iu desh të zhvillohej në kushte jashtëzakonisht të pafavorshme, nga mesi i
viteve gjashtëdhjetë letërsia shqiptare ia doli ta marrë veten disi dhe, ndonëse vazhdoi të bëjë
përpara me hapa mjaft të ngadaltë, nuk kishte më rrezik të zhdukej siç pati ndodhur, për
shembull, me letërsinë e shkollës katolike shkodrane para Luftës së Dytë Botërore. Si një
organizëm i gjallë, ajo tani ishte aq e fuqishme sa t’u bënte ballë trazirave politike nëpër të cilat
do të kalonte vendi.
Kthesa e parë në rrugën e zhvillimit të prozës dhe poezisë shqiptare, pas një çerek
shekulli ngecje në vend, erdhi në vitin e stuhishëm 1961 i cili, nga njëra anë, shënoi shkëputjen
politike përfundimtare me Bashkimin Sovjetik, pra edhe me modelet letrare sovjetike dhe, nga
ana tjetër, dëshmoi botimin e një numri vëllimesh që krijuan rrymë, sidomos në poezi: Shekulli
im nga Ismail Kadare, Hapat e mija në asfalt nga Dritëro Agolli, dhe në vitin tjetër Shtigje
poetike nga Fatos Arapi. U vu re se, si për ironi, ndërsa Shqipëria ishte shkëputur nga Bashkimi
Sovjetik duke thënë se donte të mbronte socializmin, shkrimtarët kryesorë shqiptarë, të
shkolluar në vendet e bllokut lindor, përfituan nga prishja e marrëdhënieve jo vetëm për t’u
ndarë nga modelet sovjetike, por edhe nga vetë realizmi socialist. Orvatjet për të zgjeruar
gamën e letërsisë ‘në kërkim të së resë’ shpunë vetvetiu në një polemikë letrare e natyrisht
politike deri në mbledhjen e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë më 11 korrik
1961. Debati, ku morën pjesë jo vetëm shkrimtarë, por edhe personalitete udhëheqës partiakë e
shtetërorë u botua në gazetën letrare Drita dhe u prit me interes nga publiku i gjerë pas
Kongresit të Katërt të Partisë atë vit. Ai vuri përballë njëri-tjetrit shkrimtarë të brezit të vjetër
si Andrea Varfi (1914-1992), Luan Qafëzezi (1922-1995) dhe Mark Gurakuqi (1922-1970), që
u shprehën në mbështetje të standardeve poetike të palëvizshme e të traditave të rrënjosura në
letërsinë shqiptare e që dolën kundër elementeve të reja poetike duke thënë, për shembull, se
vargu i lirë nuk ishte shqiptar, dhe një brez të ri të kryesuar nga Ismail Kadare (l. 1936), Dritëro
Agolli (l. 1931) dhe Fatos Arapi (l. 1930), të cilët ishin për një përtëritje të letërsisë e për
zgjerimin e gamës tematike e stilistike. Kësaj rruge përtëritjeje iu hap drita e gjelbër nga vetë
Enver Hoxha, i cili e kuptoi se gjendja e deriatëhershme nuk mund të vazhdonte më dhe
deklaroi se shkrimtarët e rinj, që kërkonin novatorizëm, kishin argumente më të forta.
Edhe pse nuk qe ndryshim rrënjësor i kursit, nuk qe liberalizim apo ‘shkrirje’ politike ‘e
akujve’ në kuptimin sovjetik, viti 1961 krijoi mundësinë për një periudhë qetësie dhe, po të
shohim më larg në kohë, edhe për një çerek shekulli endjesh e provash letrare, që sollën më në
fund një nivel më të lartë artistik në letërsinë shqiptare. Pati më tepër larmi temash e stilesh dhe
iu kushtua një vëmendje disi më e madhe kriterit letrar të formës dhe çështjes së individualitetit
artistik. Edhe pse kjo periudhë e letërsisë shqiptare natyrisht nuk mund të cilësohet si një
periudhë ku gëlojnë jokonformistët e ekscentrikët, ajo u zhvillua deri aty sa që, brenda kuadrit
të realizmit socialist, krijoi hapësirën e nevojshme për origjinalitet e individualitet krijues.
Por arritjet në fushën e letërsisë në fillim të viteve gjashtëdhjetë do të viheshin në rrezik nga turbullira politike e krijuar prej aleancës së Shqipërisë me Kinën maoiste. Në Kongresin e
Pestë të Partisë në nëntor 1966, u bë e qartë se Shqipëria jo vetëm qe lidhur në mënyrë të
pakthyeshme me Kinën e kuqe, por edhe ekonomikisht varej prej saj, dhe se ishte izoluar
plotësisht nga pjesa tjetër e Evropës. Revolucioni Kulturor kinez kishte nisur në nëntor 1965 si
reagim ndaj ‘revizionizmit sovjetik’ dhe kishte sjellë një shkatërrim të paparë në fushën e
kulturës. Revolucionarizimi në Shqipëri, po të përjashtojmë fushatën për heqjen e fesë më 1967,
qe shumë më pak i skajshëm. Nuk pati gardistë të kuq, nuk pati kult individi të fryrë si ai në
Kinë dhe as ndërhyrje nga ushtria. Në janar 1966 nëntëdhjetë e një shkrimtarë dhe intelektualë
shqiptarë u zotuan të shkojnë në fshat për të jetuar atje, për të njohur drejtpërdrejt jetën e
fshatarëve e për t’u frymëzuar prej tyre. Disa nga këta shkrimtarë kaluan dy a tre vjet duke
jetuar në kooperativa bujqësore e pastaj u kthyen në Tiranë. Në Kongresin e Pestë të Partisë në
vjeshtë 1966, Enver Hoxha lëshoi thirrjen që letërsia dhe artet të bëhen “armë e fuqishme në
duart e partisë për edukimin e punonjësve me frymën e socializmit dhe komunizmit” dhe të
udhëhiqen nga “kërkesat ideologjike e politike të partisë”. Fushata për ‘revolucionarizimin’ e
letërsisë dhe kulturës shqiptare përfundoi në prill 1969 afërsisht në të njëjtën kohë me rënien e
valës së Revolucionit Kulturor në Kinë. Me synimin që t’i vinte intelektualët nën kontroll, kjo
fushatë ‘e revolucionarizoi’ letërsinë në këtë periudhë, por nuk mundi të pengojë sadopak
zhvillimin e saj afatgjatë. Megjithatë, ajo e zgjeroi më tej izolimin e Shqipërisë nga të
ashtuquajturat ‘ndikime të huaja’. Shkëmbimet kulturore me vende të tjera dhe botimi i letërsisë
së huaj u pakësuan e ranë në nivelin më të ulët.
Tre dhjetëvjeçarët e diktaturës staliniste, që do të vinin pas prishjes së marrëdhënieve
me Bashkimin Sovjetik më 1961, përcaktuan një rrugë të qartë për zhvillimin e letrave
bashkëkohëse shqiptare. Por sundimi stalinist bëri edhe diçka tjetër – pengoi shkrimet shqipe të
zhvilloheshin në një letërsi të krahasueshme me atë të vendeve më të përparuara të Evropës. Për
shkak të trysnisë së skajshme të ushtruar mbi shkrimtarët dhe intelektualët nën regjimin e Enver
Hoxhës vazhdoi të ekzistojë një shkallë e lartë konformizmi. Shkrimtarët më të mbarë mësuan
si të maskojnë synimet e tyre duke e mbështjellë atë që donin të shprehnin me një rrobë të
trashë politike, në mënyrë që vetëm syri i stërvitur dhe lexuesi me përvojë mund ta kuptonte
analogjinë. Kësisoj, letërsia shqiptare mbeti politike, por në një kuptim krejt të ndryshëm nga
ai që synonin dogmatikët partiakë. Në momente të rralla, kur presioni i partisë dobësohej pak,
atëherë krijohej dhe botohej ndonjë vepër interesante. Prandaj, për shkak të rrethanave politike
të veçanta në vend, e kemi të pamundur të flasim për shkrimtarë të mirë në letërsinë
bashkëkohore shqiptare, por mund të flasim vetëm për vepra të mira, që ia dolën t’u rrëshqasin
censorëve në momentin e përshtatshëm. Me fjalë të tjera, niveli artistik i një romani apo një
vëllimi poetik varej po aq nga viti i botimit sa edhe nga talenti i autorit.

______
64 Për ndjekjen e shkrimtarëve shqiptarë pas Luftës së Dytë Botërore, kr. Pipa 1959a dhe Plasari 1991b.
65 kr. I. Spasse 1995.
66 kr. R. Ismaili 1991.

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]