12. LETËRSIA SHQIPTARE NË KOSOVË
12.1 Vendi i shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi
Gjuha shqipe flitet nga dy deri tre milionë banorë në ish-Jugosllavi (krahasuar me tre
milionë e gjysmë në vetë Shqipërinë). Qendër e popullsisë shqiptare është ish Krahina
Autonome e Kosovës me kryeqytet Prishtinën, tani e vetëshpallur Republikë e Kosovës, që
është ende nën sundimin serb. Në Kosovë, shqiptarët me ritmin jashtëzakonisht të lartë të
lindjeve përbëjnë tani rreth 90% të popullsisë; pjesa tjetër prej 10% është kryesisht
serbishtfolëse. Deri para pushtimit ushtarak serb në verë 1990, të dyja gjuhët ishin zyrtarisht të
njohura dhe në përdorim të plotë në të gjitha fushat e jetës në krahinë.
Edhe republika jugore e Maqedonisë ka një popullsi të madhe shqipfolëse në pjesën
perëndimore të saj. Shqiptarët e Maqedonisë gëzojnë një farë statusi juridik, por u mungojnë të
gjitha të drejtat gjuhësore që kishin bashkëkombësit e tyre në Kosovë (p.sh. shkollimin dhe
institucionet e plota kulturore në gjuhën shqipe) dhe, me gjithë numrin e tyre, ende trajtohen si
‘pakicë kombëtare’ e jo si qytetarë të barabartë. Bashkësi të tjera të mëdha shqipfolësish gjenden
në Mal të Zi dhe në mbarë Jugosllavinë jugore në përgjithësi. Shkupi, kryeqytet i Maqedonisë
dhe i përmendur me humor si qyteti më i madh shqiptar mbi tokë, shërben si qendër e dytë për
botimet dhe kulturën shqiptare, ndonëse është shumë më pak i rëndësishëm se Prishtina, e cila,
deri para pushtimit serb, arrinte të konkurronte Tiranën në çdo aspekt si kryeqendër e
veprimtarisë botuese e letrare shqiptare e si qendër botimi për letërsinë në gjuhën shqipe.
Serbët dhe shqiptarët kanë jetuar së bashku në ‘Fushën e Mëllenjave’ me shekuj dhe
historia fatkeqësisht i ka bërë armiq, ashtu sikundër ka ndodhur me hebrenjtë dhe arabët në
Izrael e me protestantët e katolikët në Irlandën e Veriut. Pas shëmbjes përfundimtare të
Perandorisë Osmane në Luftës e Parë Botërore, Kosova iu dha Serbisë, e cila e kish lakmuar në
shekuj si djep të qytetërimit serb. Përfshirja e kësaj krahine në Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve
dhe Sllovenëve e la thuajse gjysmën e popullsisë shqiptare në Ballkan jashtë atdheut të vet.
Shqiptarët e Kosovës nuk kaluan më mirë nën sundimin serb se ç’kishin qenë nën
sundimin e sulltanëve. Me të drejtat gjuhësore, kulturore e arsimore të mohuara, vendi i tyre
ishte vetëm ai i fshatarëve bujq në një shtet që tani u përkiste vetëm sllavëve. Shkollat në
gjuhën shqipe mbetën po aq të paligjshme nën serbët sa ç’kishin qenë nën turqit, madje edhe
librat shqip ishin rrezik në Kosovë për ata pak vetë që mund të lexonin. Në vitet njëzet dhe
tridhjetë e madje deri më 1960 qindra mijëra shqiptarë etnikë u dëbuan me dhunë për në Turqi
me sebepin e pakuptimtë se ishin turq, kurse në tokat e tyre erdhën me shumë dëshirë e u ngulën
kolonë serbë. Tipik për qëndrimin e autoriteteve serbe para Luftës së Dytë Botërore ishte një
Memorandum paraqitur qeverisë së Beogradit më 7 mars 1937 nga historiani i njohur serb Vaso
Çubrilloviq (1897-1990) mbi ‘Dëbimin e shqiptarëve’. Ky program, i cili të lë mbresën e një
varianti të zbutur të procesverbaleve të Konferencës naziste të Vanze-it (Wannsee) më 1942,
parashikonte një fushatë energjike për ‘të shpopulluar’ Kosovën nga banorët shqiptarë e për t’i
zëvendësuar me kolonë serbë. Kësisoj, besnikëria e shqiptarëve ndaj shtetit mbretëror jugosllav
u prish kur fuqitë e Boshtit pushtuan Kosovën më 1941 dhe e ribashkuan krahinën me
Shqipërinë, duke u dhënë për herë të parë shqiptarëve të Kosovës shkolla e institucione
kulturore në gjuhën e tyre.
Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore dëshmoi një masakër masive mbi shqiptarët e
Kosovës. Kosova zyrtarisht iu kthye Jugosllavisë në fillim të vitit 1945. Titoja i bindi
udhëheqësit komunistë në Shqipëri që të hiqnin dorë nga parimi i vetëvendosjes, një zgjidhje ‘marksiste’ kjo, për krahinën, duke e ditur mirë se kurrë nuk do të siguronte mbështetjen serbe
për një referendum. Me ripërfshirjen në Jugosllavinë e Titos, Kosova megjithatë u njoh si
Krahinë Autonome brenda Republikës së Serbisë, e jo si tokë serbe.
Dallimet e skajshme politike midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë, që patën shpërthyer më
1948, ua bënë të qartë që në fillim shqiptarëve të Kosovës se nga Tirana nuk mund të prisnin
gjë tjetër veç mbështetjes morale në fushën e arsimit e të kulturës. Gjuha shqipe më në fund
ishte shpallur ‘një nga gjuhët zyrtare në Kosovë’, por të drejtat arsimore e gjuhësore të
vendosura teorikisht për popullsinë shqiptare të Kosovës mbetën për një kohë të gjatë më shumë
abstrakte se konkrete. Ai që mendohej si pasardhës i Titos, zëvendëspresidenti Aleksandër
Rankoviq (1909-1983), e shfrytëzoi mjaft policinë sekrete për të shtypur dhe terrorizuar
popullsinë shqiptare, të cilën e shpërfillte në të mirë të ‘Serbisë së Madhe’, derisa ra nga fuqia
në Plenumin e Brioneve në korrik 1966.
Përmirësimi i marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare pas pushtimit sovjetik të
Çekosllovakisë më 1968 dhe vendosja e lidhjeve të plota diplomatike midis dy vendeve në
shkurt 1971 solli një shkrirje akujsh në politikën ndaj shqiptarëve të Kosovës. Më 1968 ata
fituan të drejtën të mbajnë flamurin kombëtar, kurse në nëntor 1969 u hap Universiteti i
Prishtinës, institucioni i parë i arsimit të lartë në gjuhën shqipe. Autonomia e plotë kulturore u
arrit për herë të parë e me shumë vonesë me kushtetutën jugosllave të vitit 1974, ndonëse vetëm
për Kosovën, e jo për bashkësinë e madhe shqiptare në Maqedoni.
Duke pasur mundësi për arsim në gjuhën shqipe e për institucione kulturore, letërsia dhe
kultura shqiptare në Kosovë lulëzuan si kurrë ndonjëherë. Por ishte vetëm një pranverë e
shkurtër, gjatë së cilës u bë një përparim i jashtëzakonshëm brenda pak kohe, në arsim, në
kulturë, në letërsi. Ajo liri dhe autonomi në dukje që shqiptarët gëzuan gjatë gjithë viteve
shtatëdhjetë mori fund menjëherë më 1981, kur kërkesa popullore për statusin e republikës e për
barazi me popujt e tjerë të Federatës Jugosllave, kërkesë e përkrahur nga mbi nëntëdhjetë për
qind e popullsisë në Kosovë, u ndesh me tanket dhe automatikët e Beogradit.
Kryengritja e mars-prillit 1981 dha shenjën e mbarimit të bashkekzistencës paqësore në
Kosovë dhe, njëherazi, të fillimit të shembjes së Jugosllavisë. Gjatë viteve tetëdhjetë gjendja
politike dhe ekonomike e krahinës u keqësua dhe, si rrjedhim, marrëdhëniet midis shqiptarëve
dhe serbëve morën një kthesë drastike për keq, paralajmërim i asaj që do të ndodhte me të gjithë
Jugosllavinë në fillim të viteve nëntëdhjetë. Pushtimi ushtarak serb i Kosovës në verë 1990 e
shpuri krahinën në prag të luftës civile. Parlamenti i zgjedhur dhe qeveria e Kosovës u rrëzuan,
e vetmja gazetë e përditshme në gjuhën shqipe Rilindja u ndalua, kurse gjithë transmetimet
radio-televizive në gjuhën shqipe u mbyllën. Që atëherë, ligji i gjendjes së jashtëzakonshme ka
lehtësuar pushtimin e drejtpërdrejtë të gjithë industrisë së Kosovës dhe dëbimin jo vetëm të
drejtuesve shqiptarë, por edhe të të gjithë punonjësve me ‘racë inferiore’. Në vjeshtë 1991 u
pezulluan mësimet në Universitetin e Prishtinës, me përjashtim të kurseve për pakicën serbe,
kurse të gjithë profesorët shqiptarë u përjashtuan. U mbyllën edhe shumë shkolla fillore e të
mesme në gjuhën shqipe. Që nga rënia e Nikolae Çausheskut në Rumani, të drejtat e njeriut në
Evropë nuk janë shkelur në mënyrë aq flagrante e sistematike sa në Kosovë.
Gjendja ka qenë e tmerrshme sidomos për shkrimtarët dhe intelektualët shqiptarë të
Kosovës. Ata përbëjnë kërcënimin më serioz për hegjemoninë serbe në rajon sipas udhëheqësit
populist Sllobodan Millosheviq i cili, sikundër Rankoviqi para tij, nuk ka dëshmuar tjetër veçse
mospërfillje ndaj kërkesave për barazi dhe të drejta njerëzore të popullatës shqiptare. Pa punë,
pa burim të ardhurash, pa të drejtë për shkollim dhe pa shpresë për ndryshim tani për tani,
gjendja e sotme duket tepër e zymtë në Fushën e Mëllenjave.
Edhe pse pa tradita të pasura letrare si gjuha sllovene, kroate e serbe, letërsia shqiptare
në zhvillim të vrullshëm në Kosovë tani mund të ecë pa vështirësi krah për krah letërsive të
tjera ish-jugosllave. Letërsia e sotme e Kosovës është po aq dinamike sa edhe ajo e Shqipërisë, kurse për sa i përket larmisë dhe forcës shprehëse të poezisë së saj, shpesh ia kalon edhe tokës
amë. Duke mos i pasur ato kufizime ideologjike që iu imponuan letërsisë dhe kulturës në Tiranë
për një gjysmë shekulli, letërsia e Kosovës ka qenë në gjendje të lulëzojë krahasimisht e lirë nga
dogmat. Prandaj edhe ka karakter më eksperimentues dhe i ofron lexuesit një gamë më të gjerë
temash dhe idesh. Edhe pse niveli i përgatitjes së prozatorëve në Kosovë ende nuk ka arritur atë
të Tiranës, fakti se praktikisht të gjithë intelektualët e Kosovës e zotërojnë fare mirë
serbokroatishten u ka dhënë mundësi jo vetëm të njohin letërsi të ndryshme artistike të popujve
të tjerë të ish-Jugosllavisë, por edhe më shumë vepra të letërsisë botërore që nuk gjenden të
përkthyera ende shqip.
Me dëshirën për të kapërcyer izolimin nga i cili vuan dhe ku është shtrënguar në mënyrë
dramatike që nga pushtimi ushtarak i vitit 1989/1990, brezi i tanishëm i shkrimtarëve të rinj
kosovarë është i etur të marrë nga ndikimet dhe rrymat e huaja të mendimit evropian
bashkëkohor që qenë hedhur poshtë në Tiranë. Në të njëjtën kohë, kjo letërsi më shumë
eklektike, për habi, nuk ka humbur fare nga aroma tradicionale shqiptare. Fuqia dhe dinamizmi
i saj janë rezultat i drejtpërdrejtë i nevojës që shqiptarët e Kosovës ndiejnë për të mbrojtur
vlerat e tyre kulturore në një rajon të prekur nga konflikte etnike, trazira politike dhe katastrofa
ekonomike.
Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia