12.2 Lindja e prozës shqiptare në Kosovë
Themelimi më 1949 i revistës letrare Jeta e re i dha mundësi brezit të ri të shkrimtarëve
shqiptarë në Jugosllavi për t’u shprehur dhe shërbeu si tribunë e parë për botime letrare. Në vitet
pesëdhjetë qenë botuar disa libra, por vetëm në mesin e viteve gjashtëdhjetë letërsia shqiptare
dhe ajo shqiptare e Kosovës nisi të botohej në shkallë të gjerë në Jugosllavi.
Ndër prozatorët klasikë të viteve të para të letërsisë së Kosovës kanë qenë Zekeria
Rexha (1910-1972) nga Gjakova, aktiv në fushën e arsimit si në Kosovë edhe në Shqipëri,
humoristi Sitki Imami (1912-1984) nga Gjakova, autor i Drejt ditëve të reja, Prishtinë 1953, e
para përmbledhje tregimesh shqip e botuar në Kosovë, dhe Hivzi Sulejmani (1910-1975), i
lindur në Mitrovicë, i cili dha ndihmesë për ta nxjerrë letërsinë e Kosovës jashtë krahinës dhe
provincializmit. Përmbledhja e tij e pritur mirë me tregime Era dhe kolona, Prishtinë 1959, u
pasua nga Njerëzit, Prishtinë 1966, roman i gjerë e në thelb autobiografik me ngjarje të viteve
të paraluftës, dhe Fëmijët e lumit tim, Prishtinë 1969, roman me subjekt që shtjellohet në vitet
e para pas Luftës së Dytë Botërore. Për shkak të censurës shtetërore, veprat e Sulejmanit u
botuan shumë vjet pasi ishin shkruar. Ai gjithashtu është autor krijimesh në dramë e në poezi.
Fillimet e prozës serioze në Kosovë mund të datohen në periudhën 1956-1960. Një brez
autorësh shqiptarë të rinj nisën të botojnë këtu në një kohë kur në vetë Shqipërinë krijimtaria me
cilësi ishte shuar nën dorën e rëndë të stalinizmit. Ndër prozatorët kryesorë të këtij brezi të parë
ishin Kapllan Resuli (l. 1935), i njohur edhe si Kapllan Kallushi, Adem Demaçi (l. 1936),
Anton Pashku (1937-1995), Azem Shkreli (1938-1997) dhe Ramadan Rexhepi (l. 1940). Por për
këtë grup intelektualësh shqiptarë kushtet nuk qenë më të mira se ç’ishin në Shqipëri.
Autoritetet serbe kundërshtonin me tërbim çdo përparim në arsim e kulturë për shqiptarët, kurse
intelektualët, ashtu si në Shqipëri, përbënin rrezikun kryesor për pushtetarët.
Ishte një fat tragjik ky që brezi i parë i shkrimtarëve, që mund të kishin hedhur themelet
e prozës së Kosovës, u asgjësuan politikisht para se të sillnin në dritë një kulturë të re të
shkruar. Nga ata të gjashtë shkrimtarë që përmendëm, vetëm dy, Anton Pashkun dhe Azem
Shkrelin nuk i gjeti gjë. Adem Demaçi u burgos nga autoritetet serbe më 1958, Ramadan Rexhepi u arratis në Suedi, kurse Kapllan Resuli bëri gabimin e hidhur që vajti në Shqipëri, ku
ky i dyti pas ca kohe do ta shihte veten në burg. Nga kjo shprishje e qëllimshme e një brezi të
tërë shkrimtarësh, për shumë vite më pas proza kosovare nuk do të arrinte ndonjë nivel të
kënaqshëm. Kjo humbje për letërsinë shqiptare ndihet edhe sot.
Shkrimtari dhe disidenti Adem Demaçi1 (l. 1936) ka lindur në Prishtinë. Tregimet e
para të Demaçit, mjaft prej tyre me ngjyrim kritik social, u botuan në Jeta e re në vitet
pesëdhjetë. Por si shkrimtar ai u afirmua me romanin Gjarpijt e gjakut, Prishtinë 1958, që
ngjalli mjaft diskutime. Ky roman, me interes më fort etnografik se letrar, sillet rreth
institucionit të dhimbshëm të gjakmarrjes, fatkeqësi për Shqipërinë veriore dhe Kosovën deri
tani së voni. Titulli i veprës vjen nga një alegori për tre gjarpërinj gjigantë ngjyrash të ndryshme
që u sulen tre burrave – një turku, shërbëtorit të tij raja dhe një shqiptari – të cilët, në udhë e
sipër për të kërkuar fatin, hyjnë në një shpellë të madhe ku banon një plak dhe gjejnë strehë për
të kaluar natën. Në errësirë, gjarpëri i verdhë i përdridhet turkut rreth qafës dhe e pickon në
ballë. Gjarpëri i dytë i përdridhet rajasë rreth këmbës dhe e pickon në themër. Gjarpëri i kuq si
gjaku, nga dhe merr titullin vepra, i përdridhet shqiptarit rreth dorës së djathtë dhe e pickon në
gisht. Të nesërmen në mëngjes, banori i shpellës ua rrëfen fatin:
Turkut i ki pa thanë: “Ty t’ka thimthue gjarpni i sefás! Ti kie me bâ sefa sa t’jenë jeta. Ty
ta ka çkrue Perenija veç me nejtë kamkryq e me sunue!” Rajës i ki pa thanë: “Ty t’ka
thimthue gjarpni i vimit. Ti kie me punue e me vye sa t’jenë jeta! Ty ta ka çkrue Perenija
me u çue me knojsit e parë e me ra mâ i mrami i t’tanve!” Shyptarit i ki pa thanë: “Ty
t’ka thimthue gjarpni i gjakut. Ti kie me e vra vllaun tan e vllau yt ka me t’vra ty e s’kanë
me t’u dá gjaqet sa t’jenë jeta! Ty ta ka çkrue Perenija gjak me pi e gjak me vjellë!”…
Ky është një rrëfim për konfliktin midis dy brezave, që Demaçi i kupton e i sheh me
dashamirësi. Kryetari patriarkal i një familjeje konservatore kosovare nuk sheh rrugë tjetër
veçse të ndjekë gjakmarrjen si të vetmin mjet për të mbrojtur nderin e burrit, kurse i biri i
kupton pasojat shkatërruese të saj dhe lufton më kot, që t’i japë fund gjakmarrjes, e cila ka fshirë
nga faqja e dheut sa e sa fise të malësisë në Shqipërinë e veriut në fillim të shekullit. Në fund i
biri u kërkon fëmijëve të vet t’ia shtypin kokën gjarprit.
Pas më se njëzet e tetë vjet burg, Adem Demaçi, i cilësuar shpesh si Nelson Mandela i
Evropës, u lirua papritur më 28 prill 1990. Ky veprim i vullnetit të mirë nga ana e qeverisë
serbe duhej të ishte bërë prej kohësh e jo kaq vonë. Ai kishte qenë arrestuar më 1958 për
kritikat ndaj dëbimit të qindra mijë shqiptarëve etnikë në Turqi. Më 1964 u dënua edhe me
pesëmbëdhjetë vjet të tjera për gjoja organizim të një lëvizjeje nacionalçlirimtare në Kosovë e
për shpërndarje broshurash studentore me kritika ndaj sistemit politik. Më 1976 iu dha një
dënim tjetër me një gjyq qesharak, pesëmbëdhjetë vjet të tjera burg, ku qëndroi deri më 1990 si
një nga disidentët politikë më të shquar të Jugosllavisë.
Dikur bir i angazhuar në luftën për një botë më të mirë, Demaçi tani është kthyer në një
baba shpirtëror për tre milionë shqiptarë të ish-Jugosllavisë. Që me lirimin, ai ka nënvizuar
nevojën e një zgjidhjeje paqësore të krizës së sotme politike, kryesisht të qëndresës pasive, dhe
ka përsëritur përkushtimin e shkruar në veprën që botoi në Prishtinë më 1958: “Jo atyre që janë
trima të ngrehin gishtin e krimit, por atyre që janë burra të shtrijnë dorën e pajtimit.” Adem
Demaçit iu dha Çmimi Saharov për vitin 1991 në Strasburg.
Anton Pashku (1937-1995) është shkrimtar që nuk synon masat e gjera të publikut, por
atë lexues të shkolluar që pëlqen vrojtimet hermetike dhe imtësitë e analizës së karakterit në
romanet psikologjike. Shtypja e egër politike mbi brezin e parë të prozatorëve në fund të viteve pesëdhjetë e bëri të tërhiqet nga shtrati kryesor i krijimtarisë letrare e të krijojë një botë
hermetike të vetën. Pashku ka lindur në Grazhdanik afër Prizrenit në një familje fshatare nga
malësia e Hasit. Për disa kohë punoi gazetar në Prishtinë dhe pastaj redaktor i prozës dhe
dramës në shtëpinë botuese Rilindja. Tregimet, romanet dhe pjesët teatrore eksperimentale, që
dëshmojnë afri me veprat e Xhorxh Oruellit (George Orwell, 1903-1950), Franc Kafkës (Franz
Kafka, 1883-1924) dhe Robert Musilit (1880-1942) janë në vetvete studime të holla e
mjeshtërore të njeriut, ndonëse kërkojnë durim nga lexuesi i thjeshtë. Ndër botimet e tij
përmenden: përmbledhjet me tregime Tregime, Prishtinë 1961; Kjasina, Prishtinë 1973; Lutjet
e mbrëmjes, Prishtinë 1978; romani befasues Oh, Prishtinë 1971, i cili është një ushtrim dore
për stilin dhe krijimin e groteskut, si dhe diçka e pashoqe në letërsinë shqiptare; dramat
Sinkopa, Prishtinë 1969; dhe Gof, Prishtinë 1976. Anton Pashku renditet ndër stilistët më të
mirë në letërsinë shqiptare.
Ramadan Rexhepi (l. 1940), i njohur edhe me emrin Ramadan Rexhepi-Osmani, ka
dhënë ndihmesë që herët për prozën shqiptare në Kosovë me përmbledhjen me tregime
Kumbonaret, Prishtinë 1963. Më vonë arriti të arratiset nga Jugosllavia kur ndjekja dhe shtypja
u bë e padurueshme, dhe kërkoi strehim në Suedi. Bashkë me poetin mërgimtar Kosovë Rexha-
Bala (l.1929), sot është botues i revistës kulturore Qëndresa, organ i shoqatës së shqiptarëve të
Suedisë në Malmö.
Një prozator që ka debutuar në vitet pesëdhjetë e që nuk ka humbur aspak nga talenti i
tij është Ramiz Kelmendi (l. 1930) nga Peja. Tregimet dhe romanet e tij janë pritur mirë nga
publiku. Heshtja e armëve, Prishtinë 1971, është roman për emancipimin e gruas që rrëfen
historinë tragjike të dashurisë së një vajze e cila, në pajtim me zakonet shqiptare, ka qenë e
destinuar që në lindje të martohet me një të panjohur. Në roman ajo i kundërvihet kësaj tradite
duke mos pranuar të respektojë këtë zakon të lashtë malësor. Për këtë e kërcënojnë me
gjakmarrje nga fisi tjetër. Ahmet Koshutani, Prishtinë 1973, është një përmbledhje me gjashtë
tregime për fatin e intelektualit shqiptar të Kosovës në vitet pesëdhjetë nën sundimin e
Rankoviqit. Në romanin satirik me shtatë kapituj Shtatë persona ndjekin autorin, Prishtinë
1975, Kelmendi pasqyron jetën dhe mendësinë e njerëzve në vitet shtatëdhjetë.
Rexhep Qosja (l. 1936) është një nga kritikët letrarë më të shquar e më prodhimtarë të
Ballkanit, akademik, ish-drejtor i Institutit Albanologjik në Prishtinë dhe autor antologjish dhe
librash të shumtë me studime, ndër to edhe i historisë së letërsisë shqiptare të periudhës së
romantizmit në tri vëllime. Ai është autor i njërit prej romaneve më shumë të pëlqyer Vdekja më
vjen prej syve të tillë, Prishtinë 1974. Ky roman, i përkthyer serbisht (Beograd 1976),
sllovenisht (Lubjanë 1979), bullgarisht (Sofje 1982), frëngjisht (Paris 1994) dhe gjermanisht
(Insbruk 1995), është një vepër me kompozicion e teknika narrative origjinale, ‘trembëdhjetë
tregime që mund të bënin një roman’. Protagonisti i romanit, Xhezairi i Gjikës, është shkrimtar
profesionist i zënë në një rrjetë intrigash politike e policore të fshehta, hetimesh e torturash, një
botë kjo plot me aludime mjaft të përcaktuara ndaj gjendjes së vështirë me të cilën ballafaqohen
intelektualët e sotëm shqiptarë në Kosovë.
Nazmi Rrahmani (l. 1941) është një romancier popullor e prodhimtar që shkruan për
jetën në fshatin kosovar. Ka lindur në Ballovc afër Podujevës, mjedis tradicional fshatar nga
edhe është frymëzuar mjaft. Në moshë të re Rrahmani hyri befas në skenën letrare të Kosovës
me disa romane me frymë më tradicionale e që patën shumë sukses. Vepra e tij e parë,
Malsorja, Prishtinë 1965, është një kronikë për zakonet fshatare në Kosovë dhe është vlerësuar
me çmim. Gjatë jetës së saj të shkurtër, protagonistja e romanit, Hajrija, martohet me dy burra
të moshuar që nuk i ka zgjedhur vetë, e prapseprapë, me gjithë trillet e fatit që ia përcaktojnë
rrjedhën e jetës, arrin të pajtohet me atë fat e të gjejë një farë kënaqësie. Romanet e
mëvonshëm, kanë pak a shumë po atë ndërtim strukturor: Tymi i votrës së fikun, Prishtinë 1969,
ai me dy vëllime Toka e përgjakur, Prishtinë 1973, dhe Mbas vdekjes, Prishtinë 1975. Rruga e shtëpisë sime, Prishtinë 1978, është një roman mjaft i lexuar, në të cilin del në pah shqetësimi
i Rrahmanit për vdekjen, si i vetmi element i përjetshëm në ekzistencën tonë të shkurtër. Në fakt
kjo është historia e dëbimit me dhunë të shqiptarëve për në Turqi.
Romancieri Teki Dërvishi (l. 1943) nga Gjakova në romanet dhe tregimet e tij ka
depërtuar në psikikën e njeriut bashkëkohor. Shkollën e mesme e kreu në Pejë, studimet
universitare në Universitetin e Prishtinës, kurse më pas punoi në Shkup si gazetar për gazetën
në gjuhën shqipe Flaka e vëllazërimit. Romani i parë i Dërvishit, Pirgu i lartë, Prishtinë 1972,
është një vepër meditative në një stil të ndërmjetëm midis poezisë dhe prozës. Padrona, Shkup
1973, u pasua nga Skedarët, Prishtinë 1974, një roman humoristik me ironi therëse për
burokracinë dhe mediokritetin në marrëdhëniet shoqërore. Herezia e Dervish Mallutës,
Prishtinë 1981, është një hetim alegorik për monasticizmin dhe herezinë. Dervish Malluta,
djalosh intelektual, është në kërkim të identitetit të vet dhe hyn në një teqe, ku edhe zbulon
misticizmin dhe vetëmohimin, por edhe paradokse, vetmi, hipokrizi, keqdashje e urrejtje. Është
roman kompleks, me inkonsekuenca në stil e me disa inkoherenca aty-këtu në tekst, por që jep
një tablo kureshtare të një bote ekzotike. Dërvishi është edhe autor tregimesh, pjesësh teatrale
dhe tre vëllimesh me vjersha: Nimfa, Prishtinë 1970, Shtëpia e sëmurë, Shkup 1978, dhe
Thashë, Shkup 1981.
Romancier premtues, që tashmë ka dëshmuar talent e mjeshtëri, është Jusuf Buxhovi
(l. 1946) nga Peja. Shkollën e bëri në Gjakovë, kurse studimet e larta i kreu në Universitetin e
Prishtinës më 1968. Romani i Buxhovit Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit, Prishtinë 1982,
evokon figurën e dijetarit gjakovar të shekullit të tetëmbëdhjetë që zbuloi të vetmen kopje të
mbetur gjallë të librit të parë shqip (1555), mesharit të Gjon Buzukut. Motivi kryesor i veprës
nuk është jeta e Kazazit, por përhapja dramatike e murtajës në Gjakovën e shekullit të
tetëmbëdhjetë, një tablo e ngjashme me La Peste, Paris 1947 (Murtaja) të Kamysë. Në Galeria
e të vdekurve, Prishtinë 1987, dhe në më të fundit Libri i të mallkuarve, Prishtinë 1989, Buxhovi
u kthehet temave historike, të cilat i dokumenton me mjeshtëri, saktësi dhe forcë imagjinate.
Fjalëpaku Zejnullah Rrahmani (l. 1952) nga Ballovci afër Podujevës është romancier
me një stil të vetin. Letërsia e Zejnullah Rrahmanit është një shkrirje prustiane e prozës me
poezinë, disa pjesë të së cilës janë art i lartë. Tema themelore e Rrahmanit është qëndresa
shqiptare, jo vetëm ndaj sundimit serb, por, në një kuptim më të përgjithshëm, vullneti i
shqiptarëve si popull për të mbijetuar e për ta mbartur etosin e tyre në një të ardhme më të
sigurt. Tipik për trajtimin poetik që i bën identitetit shqiptar është romani i parë Zanoret e
humbura, Prishtinë 1974. Pas Udhëtimi i një pikë-uji, Prishtinë 1976, rikrijim i një përralle, dhe
E bukura e dheut, Prishtinë 1977, frymëzuar nga përralla me të njëjtin emër, ai botoi romanin
510-faqesh Sheshi i Unazës, Prishtinë 1978, që merret me ankthin kosovar për lirinë dhe me
vdekjen e ringjalljen e një qyteti-shtet. Romani i tij Udhëtimi arbdhetar, Prishtinë 1992, është
përsëri një hetim metaforik në thelbin e qenies shqiptare. Profesor Rrahmani jep teori letërsie
dhe aktualisht është dekan i Universitetit të Prishtinës. Së bashku me Anton Pashkun, ai
konsiderohet një nga stilistët më të mëdhenj të letrave të sotme shqiptare në Kosovë.
Mehmet Kraja (l. 1952) ka lindur në fshatin Kështenjë të Krajës në Mal të Zi dhe
shkollën e mesme e ndoqi në Ulqin, ku dhe zbuloi magjinë tërheqëse të detit dhe të ëndrrave.
Duke e ndërruar detin me brendësinë më të ashpër të vendit, ai vajti dhe kreu studimet në
Universitetin e Prishtinës dhe deri vonë punonte si gazetar në të përditshmen Rilindja në
Kosovë. Kraja është autor tregimesh të shkurtra, kritike letrare si dhe i pesë romaneve të
njohura. Këto të fundit janë vepra narrative kryesisht me temë historike, por kjo vetëm në
kuptimin e vizionit poetik mbi historinë. Duke përdorur gjerësisht monologë, simbole e
metafora poetike, Kraja përpiqet t’i përcjellë lexuesit drejtpërdrejt mendimet dhe ndjenjat e tij
për identitetin shqiptar. Dy romanet e parë, Gjurmë në trotuar, Prishtinë 1977, dhe Portali i
perëndive të fyera, Prishtinë 1980, u pasuan nga Moti i madh, Prishtinë 1981, ku evokon figurën historike të Zef Serembes (1843-1901), figurë kombëtare dhe poet romantik arbëresh. Me
bredhjet e pashpresa të Serembes nëpër detrat e mërgimit, Kraja krijon një alegori për vuajtjet
kolektive të popullit shqiptar. Në Udhëzime për kapërcimin e detit, Prishtinë 1984, ai përsëri
shtie në punë detin, i cili shfaqet shpesh në veprat e tij si simbol vuajtjesh. Këtu na shfaqet një
figurë tjetër e historisë së letërsisë shqiptare, murgu frëng Brokard (i njohur edhe si frati
Brochard apo Brochardus monacus), i cili ka qenë autori i Directorium ad passagium faciendum
(1332), nga i cili e merr titullin Kraja. Ky tekst nga Mesjeta e vonë, nganjëherë i veshur
Gullielmus Adam-it ose Adae, kryepeshkopi i Tivarit, ishte shkruar për t’i provuar mbretit frëng
Filip VI Valua (sundoi 1328-1350) mënyrat e lehta për organizimin e kryqëzatave. Në të,
Brokard/Adam-i përmend gjuhën shqipe, një nga përmendjet më të hershme për këtë çështje.
Mehmet Kraja vetë nënvizon rëndësinë e gjuhës si thelb i qenies kombëtare. Romani i tij
Sëmundja e ëndrrave, Prishtinë 1986, është një triptik kushtuar vendlindjes. Romani me
649 faqe Net bizantine, Prishtinë 1990, përbën ndoshta veprën më të mirë të Krajës deri tani, ku
autori arrin pjekurinë e plotë si prozator. Netët e zymta bizantine janë natyrisht metaforë për
shkëlqimin e Serbisë së Madhe.
Të tjerë prozatorë të shquar bashkëkohës janë Tajar Hatipi (1918-1977), i lindur në
Elbasan e i njohur për tregime satirike; romancieri, tregimtari dhe poeti Murat Isaku (l. 1928)
nga Tetova në Maqedoninë perëndimore; Rexhai Surroi (1929-1988), autor dhe figurë politike
i lindur në Prizren; Nebil Duraku (1934-1989); tregimtari Daut Demaku (l. 1944) nga krahina
e Drenicës; prozatori dhe poeti Musa Ramadani (l. 1944) nga Gjilani, autor i Zezona, Prishtinë
1978, dhe Ligatina, Prishtinë 1983; Resul Shabani (l. 1944) nga Struga; shpesh i mjegullti
Lutfi Lepaja (l. 1945) nga Podujeva; Ymer Shkreli (l. 1945), autor proze e drame; prozatori
dhe poeti Hasan Hasani (l. 1947) nga Jabllanica afër Gjakovës; tregimtari dhe poeti Eqrem
Basha (l. 1948); humoristi Arif Demolli (l. 1949); dhe studiuesi Sabri Hamiti (l. 1950).

_______________
1 kr. Radoncic 1990.

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]