HELENA DHE MENELAU
Me kujtimin e dashur të Helenës, Menelau kishte shkuar të luftonte dhe pastaj ishte kthyer sërish në Spartë. Qëkurse e kishte parë në gjunjë përpara Tindarit duke iu lutur për të, ajo nuk i qe hequr nga mendja. Në qoftë se Helena dëshironte ndonjë lule të rrallë, Menelau vraponte nëpër luadhe e nëpër pyje që ta gjente; pastaj ia shpinte vajzës dhe ndihej i lumtur kur ajo i thoshte «faleminderit» me zërin e saj të ëmbël si tingulli i një flauti. Në qoftë se ajo shihte në pyll ndonjë kec a ndonjë dre të vogël dhe thoshte: — Sa i bukur qenka! Sa ma ka ënda ta kem pranë! — Menelau e ndiqte aty për aty kecin a drerin e vogël dhe ia shpinte tërë gaz.
Por Menelau nuk i fliste gati fare princeshës dhe nuk i thoshte se e donte. E dinte se tërë të rinjtë e Heladës donin të martoheshin me princeshën e bukur, se kreshnikët më të fortë, mbretërit më të pasur, princat më të bukur do të ishin të lumtur ta kishin për grua. Menelau nuk thoshte asgjë, por përpiqej të ishte gjithnjë më i mirë e më i fortë që të ishte i denjë për të.
— Ç’do të thotë i denjë? — pyeti Lia.
— Ç’do të thotë i denjë? — përsëriti nëna.
E kuptoj se ç’është, po nuk e shpjegoj dot, — u përgjigj Leoja.
— Kush ta ka shpjeguar? — pyeti Lia.
— Asnjeri. E kam kuptuar vetë dalëngadalë. Është një gjë që nuk shpjegohet dot.
Nëna dhe Leoja s’po dinin ç’të thoshin, po më në fund nëna e gjeti shpjegimin.
— Ja ç’do të thotë… të jesh i denjë për një gjë, do të thotë ta meritosh, apo jo, Leo?
— Po, po, kështu është. Menelau përpiqej ta meritonte Helenën. Por a u martua me të?
— Do ta shohim. S’ishte aq e lehtë të martoheshe me Helenën! Nga tërë anët e Heladës — atëherë Greqia quhej Heladë — vinin mbretër, princa dhe kreshnikë që të shihnin princeshën e bukur: me ta parë, e kërkonin për grua tek i ati, mbreti Tindar.
Tindari ishte në hall të madh. Cilin të zgjidhte për dhëndër midis të rinjve të shumtë? Midis tyre ishte Akili, i biri i Tetit dhe i Peleut, djali më i fortë i Heladës. Mirëpo Akili do të vdiste shpejt dhe këtë të gjithë e dinin. Zotat e kishin lënë të zgjidhte o një jetë të shkurtër, por të lavdishme, o një jetë të gjatë pa lavdi. Akili kishte zgjedhur jetën e shkurtër e të lavdishme dhe, po të martohej me Helenën, kjo do të mbetej shpejt vejushë. Kishte ardhur dhe Ajaksi, i biri i Telamonit, mbretit të Salaminës; edhe ky ishte një hero që komandonte shumë luftëtarë! Diomedi, biri i Tideut, ishte edhe ai i fortë dhe, për më tepër, ishte nën mbrojtjen e Paladë Atenës, perëndeshës së luftës e të dijes, që ia kishte bërë gjuhën shpatë dhe i kishte dhënë zotësi të luftonte më mirë se të tjerët. Po Filokteti, luftëtari me emër, të cilin s’e mundte dot asnjeri, kur kishte në dorë harkun dhe shigjetat që ia kishte dhuruar Herakli para se të vdiste?
— Mos ishin vallë shigjeta me helm? — pyeti Leoja.
— Posi. Midis të rinjve që ia kishin vënë synë Helenës ishte dhe Patrokli, miku më i ngushtë i Akilit, edhe Menelau, vëllai i Agamemnonit, edhe Odiseu, mbreti i Itakës, i fortë dhe i mençur, i urtë dhe i zoti i gojës.
Kur i shihte të gjithë këta, Tindari nuk ishte i qetë dhe vriste mendjen. Kur të vinte dita që të zgjidhte më në fund një burrë për Helenën, gjithë të tjerëve do t’u hipnin xhindët e ku dihej ç’mund të ndodhte! Ai i mendonte të gjitha këto dhe nuk merrte një vendim, po çdo ditë u lutej princave të kishin durim, të pritnin dhe pakëz, të rrinin të qetë dhe ndërkaq i thoshte vetes:
«Ah, sikur të gjeja ndonjë dhëndër që të më ndihmonte të shpëtoja nga ky hall! Shiko ç’telashe më nxori kjo Helena me atë bukurinë e saj! Do të më marrë lumi!»
Tindari po e zvarriste këtë punë dhe princat bënin potere sa vinte më shumë. Mirëpo Odiseut, të birit të Laertit, që ishte më i maturi dhe më i urti ndër të gjithë, i erdhi keq për Tindarin, e hoqi mënjanë e i tha:
— O mbret i Spartës, duhet të marrësh një vendim, se për ndryshe në pallatin tënd do të ndodhë ndonjë e keqe e madhe. Nuk e sheh? Gjithë adhuruesit e Helenës po e humbasin durimin dita-ditës dhe kjo gjendje nuk mund të vazhdojë më.
— Mirë thua, o i urti Odise. Po si të bëj? Eh, sikur të ishin të gjithë me një barrë mend si ti! Por e kanë mendjen fyçkë dhe kam shumë frikë mos më urrejnë, kur të zgjedh për dhëndër njërin prej jush, mos më vërsulen të gjithë si një trup i vetëm, mos bashkohen midis tyre që të më shkatërrojnë bashkë me Helenën dhe burrin e saj! A s’mund të më japësh një këshillë? A nuk gjen ndonjë mjet?
— Për këtë kam dashur të të flas, 0 Tindar. Dua të të jap një këshillë. E kam gjetur mjetin, dhe është shumë i thjeshtë.
— I thjeshtë? Vërtet? Ma thuaj, o i urti Odise. Do të ta di për nder gjithë jetën dhe kështu do ta shpëtosh vendin nga shumë luftëra!
— Tindar, ja cila është këshilla ime. Duhet të na mbledhësh të gjithëve në sallën më të madhe të pallatit dhe të na vësh të bëjmë një betim.
— Çfarë betimi? — pyeti Tindari.
— Duhet të na vësh të betohemi se do të mbetemi miq me njëri-tjetrin, me ty, me Helenën dhe me burrin e saj. Kësodore do të shpëtosh nga çdo luftë dhe çdo gjë do të shkojë mbarë.
Tindari fluturoi nga gëzimi.
— E shoh se s’të paskan lëvduar kot që kanë thënë se s’ka si ti për këshilla të urta! Do ta ndjek patjetër këshillën tënde. Faleminderit, faleminderit shumë!
Tindari thirri një tellall e i tha:
— Mblidhi tërë princat, o tellall, thuaju se e kam marrë më në fund vendimin dhe le të vijnë të më dëgjojnë.
Tellalli vrapoi nëpër pallat dhe doli nëpër rrugët e në sheshet që të gjente princat, mbretërit dhe kreshnikët.
Dhe të gjithë erdhën me vrap dhe u mblodhën në sallën e madhe. S’u durohej dhe pyetnin njëri-tjetrin: «E di ti ç’vendim ka marrë Tindari? A e di ti?» Odiseu rrinte i heshtur midis të tjerëve dhe priste; ndërkaq në sallë hyri mbreti i Spartës dhe e bija.
— O princa dhe kreshnikë, miq të dashur, — tha Tindari. Pranë tij rrinte Helena e bukur dhe e mrekullueshme, që ishte veshur kokë e këmbë në të bardha e që dukej si një degë e lulëzuar në pranverë. — O princa dhe kreshnikë, sot do të zgjedh një burrë për Helenën, po më parë duhet të bëni një betim këtu, përpara meje, dhe para Helenës.
— Çfarë betimi?
— Çfarë?
— Fol!
— Fol! Thuaje!
— Do të betohemi për çfarë të duash!
— Do të betohemi, por fol de, mos na lër të presim më!
— Do të betohemi të gjithë,
— Fol.
Kështu folën princat e mbledhur në sallën e fronit e që mezi pritnin të merrnin vesh se për çfarë duhej të betoheshin. Atëherë Tindari e mori fjalën sërish.
— O kreshnikë dhe princa, betohuni se do të mbeteni miq midis jush. Betohuni të gjithë se, cilido që të jete burri i Helenës, ju do ta doni dhe nuk do t’i bëni luftë; përkundrazi, në qoftë se ndonjëri ia rrëmben të shoqit Helenën, duhet të bashkoheni për ta ndëshkuar fajtorin. Betohuni?
— Betohemi! — thirrën njëzëri burrat dhe salla kumboi nga ky betim.
Atëherë Tindari kërkoi të sillnin disa qengja dhe keca e u dha kupa me verë të rinjve, që të betoheshin duke pirë.
O Zeus, atë dhe mbret i zotave, o Zeus i madh e i lavdishëm, edhe ti, o Diell, edhe ti, moj Hënë, si dhe ju të gjithë që ndëshkoni atë që i shkel betimet, a dëgjoni? Betohemi se do të mbetemi miq midis nesh, me mbretin e Spartës dhe me bashkëshortin e Helenës; betohemi se do të bashkohemi të gjithë për të luftuar kundër kujtdo që do t’ia rrëmbejë të shoqit Helenën, se do t’i bëjmë luftë dhe do t’ia shkatërrojmë qytetin.
Kështu u betuan princat. Të rinjtë i mbushën gotat me verë, hodhën nga një gllënjkë dhe kusurin e verës e derdhën mbi dysheme. Pastaj thanë:
— O Zeus, atë i zotave, Zeus i madh e i lavdishëm, ai që do ta shkelë betimin, le të ndëshkohet prej teje!
Kështu folën princat, pastaj heshtën, sepse betimi kishte marrë fund. Rrinin të heshtur e duke pritur rrotull mbretit të Spartës. Dhe Tindari tha:
— O princa dhe kreshnikë, ju të gjithë jeni aq trima dhe fisnikë, sa e kam të vështirë të zgjedh midis jush një që të më pëlqejë më shumë se të tjerët. Po unë ta lë ty, moj Helenë, të zgjedhësh midis këtyre të rinjve të pashëm. të fortë e trima atë që të pëlqen më shumë.
Kështu foli Tindari dhe Helena ngriti sytë të vështronte gjithë ata të rinj të pashëm e guximtarë, që mezi po pritnin fjalën e saj. Pa Patroklin me flokë të verdhë e të dredhur, veshur me rroba të bardha të qëndisura me argjend, që i rrinte pranë Akilit, kreshnikut me grushte të fuqishme e me këmbë të shpejta; pa Ajaksin veshur me një mantel të kuq, të stolisur me ar, dhe Odiseun me flokë të zinj e të ndritshëm, që i derdheshin mbi supe. Filoktetin me hark dhe shigjeta, si dhe shumë e shumë të tjerë. Në fund të sallës, në një qosh, rrinte Menelau, më i trishtuar nga të gjithë, sepse nuk ishte mbret dhe peshonte më pak se të tjerët.
Helena i vështroi si e hutuar këta princa që e kërkonin për grua; i vështroi të gjithë, njërin pas tjetrit, dhe më në fund ia hodhi Menelaut sytë e saj të mrekullueshëm ngjyrë deti.
— Baba, unë zgjedh princin Menela.
Kaq tha Helena dhe të gjithë e vështruan me habi Menelaun, që rrinte i heshtur dhe si i ngrirë në qoshen e tij, që i shkreptinin sytë dhe i dukej ëndërr gjithë kjo lumturi. Ai nuk ishte më i pasuri, as më i pashmi, as më i forti, por ishte përpjekur të tregohej i denjë për Helenën, prandaj edhe Helena zgjodhi atë.
Princat varën hundët, po s’mund ta shkelnin betimin. Të gjithë, duke pirë verë, u betuan sërish se do të ishin miq me Menelaun dhe do t’i bënin luftë kujtdo që do t’ia rrëmbente Helenën.
Menelau u martua me princeshën që e donte aq fort, dhe u bë dasmë e madhe: mes valleve, këngëve dhe luleve u martua i biri i Atreut me Helenën, princeshën e mrekullueshme, që i kishte flokët të verdhë si dielli dhe sytë të kaltër si deti.

[cite]