AKILI DHE PRIAMI
Me trupin e Hektorit të lidhur pas karros, Akili u kthye, ngadhnjimtar tek anijet. Po kur u gjend pranë tyre dhe pa sërish shokun e tij të vrarë, iu zgjua në zemër hidhërimi i tmerrshëm. Qau, ulëriu, vajtoi dhe më në fund dha urdhër të shtronin një gosti për nder të Patroklit. Therën shumë qe e desh, dhi e derra dhe zbrazën shumë verë; pastaj, kur mbaroi gostia, luftëtarët shkuan të çlodheshin në shatorret e tyre.
Po Akili nuk mundi as të hante, as të pinte, as të çlodhej, por shkoi me vrap buzë detit dhe u mblodh kruspull mbi rërë e zuri të qante. Aty ku po qante, e zuri më në fund gjumi dhe pa në ëndërr Patroklin.
Patrokli, që ishte i veshur si princ dhe dukej i gjallë, i tha Akilit: — Si është e mundur, shok i dashur, të mos e kesh djegur ende trupin tim? Digje shpejt, pastaj mblidhi eshtrat dhe futi në këtë urnë prej ari, të madhe e të bukur, që ta dhuroi nëna jote, Teti, para se të niseshim për luftë. Dua të të them dhe diçka tjetër. Pas disa ditësh do të vritesh dhe ti, e ashtu siç kemi qenë të pandarë në të gjallë, dua të jemi bashkë edhe të vdekur, dhe eshtrat e tua të futen në po atë urnë që mban të miat.
Akili ia dha fjalën në ëndërr se do t’ia plotësonte dëshirën. Pastaj deshi ta përqafonte shokun, po nuk mundi: Patrokli ishte shndërruar në një tym të lehtë, që davaritej pak nga pak në ajër. Atëherë Akili u zgjua, zgjoi edhe shokët dhe i dërgoi në pyjet të çanin dru, sepse do të digjte trupin e Patroklit.
Shokët shkuan nëpër pyjet me karro e mushka dhe me sëpata që të çanin dru; drutë që çanë i shpunë në vendin që kishte caktuar Akili. Zgjodhën degët më të bukura dhe mbuluan me to një hapësirë të madhe, ku mund të digjeshin jo një, po njëzet a tridhjetë trupa. Pastaj çdo luftëtar preu një tufë flokësh dhe e lëshoi mbi trupin e Patroklit, në shenjë përshëndetjeje. Ndërsa Akili i preu krejt flokët e tij të bukur e të gjatë dhe i vuri mbi duart e shokut.
Gjithë ushtria po rrinte rrotull stivës së madhe të druve duke vështruar në heshtje. Akili e vuri trupin e Patroklit mbi degët e drejta dhe të lëmuara, që formonin një si lloj shtrati.
Mbi trupin e Patroklit derdhën pastaj vaj dhe mjaltë, yndyrë dhe melhem që të digjej më mirë. Pastai ndezën zjarrin që kërciti, lëshoi xixa e u ngjit përpjetë, në fillim me flakë të vogla ngjyrëvjollcë, pastaj të kuqe e të mëdha. U dogj tërë natën e natës dhe u shua ndaj të gdhirë. Kur agoi dita, Akili mblodhi hirin e Patroklit e mbylli në urnën e artë që ia kishte dhuruar nëna e tij, Teti, para se të nisej, dhe tha:
— Pas pak do të vdes dhe unë. Atëherë do ta digjni edhe trupin tim, do të mblidhni hirin e do ta futni në këtë urnë së bashku me të Patroklit Po tani e mbuloni urnën me dhe, dhe ngrini një pirg të madh e të lartë mbi të. Luftëtarët iu bindën; si mbaroi varrimi, filluan lojërat, ato lojëra me të cilat kishin zakon të merreshin njerëzit e lashtë për të nderuar ndonjë hero të vrarë. U bënë gara vrapimi dhe mundjeje, disku dhe harku.
Gjithë ditën vazhduan lojërat dhe më të mirët e akejve u kthyen me çmime në shatorret e tyre. Akili mbeti vetëm një copë herë të madhe, pastaj u kthye në shatorren e tij.
Tek po rrinte fill vetëm, larg shokëve, në shatorre hyri një plak: ishte Priami, mbreti plak i Trojës. Fytyrën e kishte të zbehtë, ngaqë kishte qarë një kohë të gjatë, dhe sytë i dukeshin si dy burime që kanë derdhur dhe vazhdojnë të derdhin ujë.
Mbreti plak iu afrua heroit të ri u përkul përpara tij dhe i puthi duart, u ul përdhe dhe i kapi gjunjët.
— Akil hyjnor, vështromë! Pa shikomë si jam, plak dhe i shkretë. Kisha pesëdhjetë fëmijë, por pothuajse të gjithë kanë vdekur! Hektori, më i forti i tyre, u vra në luftim me ty, duke mbrojtur atdheun! Lum yt atë që e ka ende gjallë të birin! Mjerë unë që kam vuajtur si asnjeri tjetër në botë dhe duhet të zgjat dorën e t’i lutem atij që më ka vrarë tim bir! Të lutem, kthema trupin e tim biri! Mendo tët atë dhe ki mëshirë për mua!
— Thuaj se ia ktheu, — tha Lia.
Akili e vështroi një copë herë të madhe plakun që kishte rënë në gjunjë dhe po qante. Pastaj tha:
— Ti i ngjan tim eti dhe më vjen keq për ty, prandaj do të ta kthej trupin e Hektorit. Rri këtu në shatorren time që të marrësh veten, ha dhe pi; do të jap urdhër që trupin e tët biri ta vënë mbi një karro, që të mund ta shpiesh në Trojë.
Akili doli nga shatorrja dhe u tha shokëve ta vinin mbi një karro trupin e Hektorit. Pastaj u kthye dhe i foli Priamit:
— Më thuaj, o mbret, a do që t’ju lëmë të qetë gjersa të varroset Hektori? Po deshe, do t’ju jap urdhër akejve të mos luftojnë, veç më thuaj sa ditë do.
— Nëntë ditë dua të qaj tim bir, ditën e dhjetë do ta djeg dhe të njëmbëdhjetën do ta varros, pastaj ditën e dymbëdhjetë le të vazhdojë lufta.
Akili i dha fjalën se do të bëhej një pushim prej njëmbëdhjetë ditësh.
Njëmbëdhjetë ditë me radhë ishte qetësi, ditën e dymbëdhjetë filloi prapë lufta. Tërë luftëtarët u armatosën dhe Akili vrau më të fortët, sepse asnjeri nuk i bënte dot ballë.
Por po afrohej dita gjëmëmadhe, dita kur Peleu plak, mirmidonët dhe mbarë akejtë do të qanin. Po afrohej dita e tmerrshme kur do të vritej Akili. As parzmorja e mrekullueshme, as forca e pamposhtur nuk do ta shpëtonin dot heroin. Ai do të vdiste. S’do ta shpëtonte dot as lëkura e regjur e trupit të tij, që Teti ia kishte bërë më të fortë se hekurin, sepse e kishte zhytur të birin, kur kishte qenë foshnjë,’ në ujërat e lumit magjik Stiks. Teti nuk kishte zhytur në ujin e lumit vetëm thembrën e këmbës së majtë të Akilit dhe Paridi, që e dinte, mori nishan në këtë pikë, lëshoi nga harku një shigjetë dhe e goditi mu në thembër. Heroi ra përdhe i plagosur për vdekje.
Vdiq Akili, heroi më i fortë e më i pashëm dhe Teti qau në shpellën e saj prej margaritarësh dhe diamantesh, motrat e saj qanë në fund të detit, luftëtarët dhe prijësit qanë mbi tokë, kurse poetët i thurën këngë.
Vetëm trojanët nuk qanë. Mendonin se Akili, armiku më i fortë, kishte vdekur dhe ndoshta Troja tani do të kishte shpresë të fitonte.
[cite]