ARTERIET

Që gjaku të kryejë funksionet e tij të rëndësishme, që rrjedha e tij në trupin e njeriut të mos jetë e çrregullt, por përkundrazi të jetë e organizuar dhe e drejtuar më së miri, në trupin tonë ka një qendër të shpërndarjes së gjakut, që është zemra, dhe një mori gypash, që janë arteriet.

Arteriet janë «rrugët» nëpër të cilat lëviz gjaku në trupin tonë. Ato janë gypa me përmasa të ndryshme që, duke u degëzuar, shpërndahen në të gjithë organizmin edhe në skajet më të largëta të tij.

Ana e brendshme e arterieve është e ndërtuar nga një ind elastik; sipër këtij indi janë vendosur indet muskulore. Detyra e indeve muskulore është që ta shtyjnë gjakun vetëm në një kah, nga zemra drejt periferisë së organizmit. Nga zemra, nga barkushja e majtë e saj, del vetëm një arterie që quhet aortë. Aorta është arteria më e gjerë e trupit tonë, Ajo, sapo del nga zemra, fillon e degëzohet në arterie të tjera që shpërndajnë gjakun në zonat kryesore të trupit, si p.sh. në kokë, në qafë, në kraharor e në shpatullat, në gjymtyrët e sipërme e në ato të poshtme, në organet e brendshme të barkut etj. Këto arterie degëzohen përsëri e përsëri derisa përfundojnë në disa gypëza shumë të hollë, mikroskopikë, që quhen kapilarë.

Trupi — Ynë

[cite]