BËHEN TË NJOHUR 100 KODIKË TË SHQIPËRISË
KALIOPI NASKA
SHABAN SINANI
Në librin “Kodikët e Shqipërisë“, vepër shkencore e ilustruar, janë përzgjedhur e botuar
pjesa më e madhe e artikujve dhe shkrimeve me karakter studimor e njoftues për
dorëshkrimet ungjillore, që i janë paraqitur publikut për një periudhë afro 135-vjeçare, qysh se
ipeshkvi i Beratit, Anthim Aleksudhi (Anthimus Alexoudes), dijetari, “miku i artit”, siç e quanin
me mirëdashje në Kostandinopojë, përshkroi, për të parën herë, në librin e tij “Përshkrim i
shkurtër i mitropolisë së shenjtë të Beratit…” disa nga kodikët më të vjetër, që ruheshin në
kishat e manastiret e besimtarëve shqiptarë.
Në vepër janë përfshirë dhe studime të paleografëve, tekstologëve, kataloguesve dhe
bibliologëve të huaj e vendës.
Sikurse do të vihet re prej vetë lexuesit, tradita e shkrimeve kishtare në Shqipëri ka pasur më
shumë vëmendje në shkencën botërore se sa në atë antropologjike shqiptare, në atë kuptim
që shkenca amerikane njëson dijen për historinë e kulturës njerëzore. Kjo lidhet me shumë
arsye, nga të cilat njëra është ajo e pozitës ateiste të shtetit shqiptar për një periudhë relativisht
të gjatë, por kryesorja është mungesa e specialistëve me njohuri ndërdisiplinore për të gjykuar
e vlerësuar.
Studiuesit e huaj ia kanë kushtuar vëmendjen kryesore “Kodikut të Purpurt të Beratit” – Codex
Purpureus Beratinus F – i njohur gjerësisht me emrin e shkurtër “Beratinus”. Në fakt emrin e
Beratit e ka marrë si epinom edhe “Kodiku i Artë i Anthimit”, i cili mbiquhet shpesh “Beratinus-
2”. Kjo ka ndodhur jo vetëm për faktin se “Beratinus” i takonte një periudhe shumë të hershme
(i shkruar në kufijtë e fundmë të paleokrishtërimit); jo vetëm sepse për një kohë të gjatë emri
i tij është lidhur e vazhdon të lidhet me emrin e Shën Gjon Gojartit (Joan Chrysostome), një
prej protagonistëve dhe reformatorëve më të mëdhenj të historisë së krishtërimit të hershëm;
jo vetëm sepse dorëshkrime si “Beratinus” kanë mbijetuar në botë më pak se gishtat e dorës;
por, mbi të gjitha, për faktin se, siç e ka vënë re mençurisht P. Batiffol, në tekstin e këtij
dorëshkrimi ka herë pas here “shmangie leximi” (“conflate reading”), që lidhen me karakterin
jonormativ të këtyre fragmenteve kalimtare.
“Beratinus” mori rëndësi botërore si një dorëshkrim i hershëm që mund të ndihmonte për të
plotësuar historinë e zhvillimit të mendimit ungjillor, nëpërmjet studimeve të posaçme të
tekstologjisë kritike (“textual criticism”), që mund të thuhet se, në dijen shqiptare, sapo kanë
filluar. Në një vështrim më të gjerë këto studime do të evidentonin se çfarë ndodhi në procesin
e kalimit prej fjalës së shenjtë tek shkrimet e shenjta, prej predikimit ungjillor gojor tek predikimi
kanonik.
Rëndësia e “Beratinus-it” u theksua edhe më nga fakti se në tipologjinë e tekstit të tij gjenden
gjurmë të shkrimeve siriake (të Lindjes) dhe të Perëndimit njëherësh. Këtij mendimi i janë
përmbajtur shumë dijetarë, prej Batiffol-it deri tek Aleks Buda e më pas Roderic L. Mullen. Kjo
e bën atë një prej dorëshkrimeve më të rëndësishëm për të krahasuar shkollat e shkrimeve
ungjillore dhe procesin historik të kanonizimit të shkrimeve të shenjta në përgjithësi.
Për fat të keq, numri i kodikëve me njohje ndërkombëtare të ruajtur në Shqipëri, duke
përjashtuar “Kodikun e Artë të Anthimit” (një dorëshkrim i rrallë krysografik, në pergamenë të
purpurt) dhe disa të tjerë, me gjithë këtë vëmendje, që e tejkalon interesin e shkencës vendëse,
është i kufizuar. Të paktë kanë qenë ata që kanë bërë studime duke pasur njohje të
drejtpërdrejtë për kodikët. Disa të tjerë kanë shkruar duke pasur si burim jo vetë kodikët, por
studimet mbi to.
Në Shqipëri dijetari i parë që ka bërë të ditur ekzistencën e Beratinus-it dhe të disa kodikëve
të tjerë ka qenë Ilo Mitkë Qafëzezi. Ky qe më shumë i preokupuar për “Kodikun e Kostë
Beratit”, në të cilin gjendej një alfabet i panjohur i shqipes me grafema helene, por nuk harroi
të përmendte pak më gjerësisht vlerat e thesarit dorëshkrimor beratas. Me këtë rast ai krijoi
edhe neologjizmin “shkresëdore”, për “manuscript” – dorëshkrim, që nuk pati fat të mbetej në
gjuhën aktive.
Redaksia që përgatiti veprën “Kodikët e Shqipërisë” parapëlqeu në kriter përzgjedhjen e
studimeve dhe artikujve me karakter shkencor, botuar në revista akademike-universitare dhe
buletine shkencore. Një numër artikujsh të botuar herë pas here në shtyp thjesht për qëllime
njohjeje dhe vlerësimi nuk janë përfshirë. Për ndonjë prej këtyre të fundit, që ka pasqyruar
përparim të dijes e të informacionit rreth kodikëve, është bërë përjashtim.
Duke iu përmbajtur kuptimit terminologjik që i është dhënë fjalës “kodik” në arkivistikë, kanë
mbetur jashtë kësaj vepre një numër studimesh me karakter filologjik, ndër të cilët veçohen
studimet e albanologut gjerman Armin Hetzer, shkrimet e të cilit kanë pasur dhe kanë rëndësi
për të bërë të njohura vlerat gjuhësore të disa kodikëve të Shqipërisë; si dhe studimet e ak.
Alfred Uçi kushtuar veprës së Teodor Kavaliotit: logjikës, fizikës dhe metafizikës së tij, tekste
të akademisë së Voskopojës.
Me “kodikë të Shqipërisë” në këtë vepër, me ndonjë përjashtim tejet të rrallë, kuptohet vetëm
“Fondi 488” i AQSH-së, ku janë koleksionuar 100 kodikë dhe 17 fragmente. Ndoshta numri i
kodikëve që gjenden në fonde të tjerë në këtë arkiv (arkipeshkvia e Gjirokastrës / Drinopolit/,
arkipeshkvia e Shkodrës, manastiri i Shën Gjon Vladimirit dhe disa fonde të tjerë, nominale)
është i barabartë me ato të “Fondit 488”. Por këto janë ende të pakataloguar në një regest
tërësor. Ka dhe për to të dhëna të thjeshta informimi, por në fondin ku gjenden.
Disa kodikë, si “Liturgjia e Shën Gjon Gojartit“, që përshkruan Batiffol-i, pa bërë fjalë për disa
të tjerë që ky nuk arriti t’i shohë me sy, si një kodik i shekullit të parë që ruhej në Gjirokastër,
si dhe një kodik tjetër i shekullit të 4-t, ekzistenca e të cilëve pa dyshim do të ndryshonte
kalendarin e kulturave në shkallë europiane e botërore, sikurse dihet, më vonë u zhdukën pa
gjurmë. Tani ato ekzistojnë vetëm në përshkrimet e studiuesve.
Një numër i madh kodikësh gjenden në institucione të tjera: në Bibliotekën Kombëtare, në
Muzeun e Artit Mesjetar të Korçës, në bibliotekat e institucioneve të Akademisë së Shkencave,
si dhe në bibliotekat e qytetarëve. Deri në fillim të viteve 1990, nga veprimtarët e shërbimit
arkivor, janë raportuar dëshmi për ekzistencën e kodikëve të tjerë mesjetarë në familjet qytetare
shqiptare. Në këtë kuptim, mungon një regjistër kombëtar, ndërinstitucional, i të gjithë kodikëve
të Shqipërisë.
Shumica e shkrimeve që botohen në këtë vepër janë të karakterit “katalog”. Alexoudis përshkroi
6 dorëshkrime. Batiffol përshkroi e analizoi 16, megjithëse përmendi shumë më tepër: nuk
pati mundësi t’i shihte e t’i analizonte. Në formën e një katalogu paraqitet edhe studimi i
Johannes Koder-it e Erich Trapp-it: këta patën mundësi të vizitojnë arkivat e Shqipërisë dhe
të shohin koleksionin e kodikëve që ishin mbledhur deri atëherë (mesi i viteve 1960) dhe
ruheshin në AQSH. Studimet e tyre shpallën në listat ndërkombëtare ekzistencën e një numri
kodikësh të panjohur të botës shqiptare. Në atë kohë një pjesë e madhe e kodikëve gjendeshin
ende në pronësi të kishave dhe manastireve dhe Koder-Trapp nuk patën mundësi t’i katalogonin
të gjithë. Një skedë me të dhëna të plota të përditësuara u përgatit prej tyre për dy më të
rëndësishmit e kodikëve të Shqipërisë: Beratinus-1 e Beratinus-2.
Në këtë botim nuk janë përfshirë katalogët e R. Gregory-t (botuar në fillim të shekullit të 20-të)
dhe të Gregory-Aland (botuar në fund të shekullit të 20-të), sepse në to bëhet fjalë për rreth
5000 dorëshkrime me karakter kishtar dhe në to disa kodikë të Shqipërisë përmenden sipas
radhës kronologjike në listë, por jo më vete. Në këto studime, për vetë karakterin global të
tyre, për kodikët e Shqipërisë bëhet fjalë kalimthi.
Kataloguesit e huaj gjithnjë i janë përmbajtur ndarjes së dorëshkrimeve ungjillore në tre grupe:
1. Maiuscule (shkronjëmëdha); 2. Minuscule (shkronjëvogla) dhe 3. Lectionary (ligjërata
ungjillore, fragmente ungjijsh, ungjij në perikope).
Të dhënat e kataloguesve të mëdhenj të letërsisë ungjillore (Gregory-Aland), sa u takon
kodikëve të Shqipërisë, megjithatë, janë të pranishme në këtë vepër përmes evokimit të tyre
prej studiuesve të tjerë.
Në Shqipëri një katalog të kodikëve të Shqipërisë pati përgatitur Theofan Popa, i cili iu kushtua
kësaj pune në vitet e fundit të jetës së tij, në vitet 1980. Katalogu i Popës u përgatit për nevoja
shërbimi, si mjet informimi dhe kërkimi arkivor. Në këtë katalog, përgjithësisht, kodikët renditen
sipas radhës kronologjike, por jo gjithnjë respektohet kriteri kronologjik, kryesisht sepse
dorëshkrime të hershme janë zbuluar e pranuar në arkiv në një kohë kur vendin e tyre sipas
radhës kohore e kishin zënë të tjera, që ishin bërë më herët pronë e arkivave. Në përshkrimet
e Popës herë pas here, në të rrallë, përmendet edhe numri i referencës në inventarët e
Gregory-Aland, por nuk zbatohet kriteri klasifikues i tyre. Ende mungon një analogim
përfundimtar i numrave të referencës të dorëshkrimeve ungjillore të Shqipërisë në katalogun
e AQSH-së dhe në katalogun e Gregory-Aland apo të Koder-Trapp. Botimi “Kodikët e
Shqipërisë“ mundëson komunikimin e studiuesve brenda dhe jashtë vendit, duke siguruar,
pikë së pari, identifikimin e të njëjtit objekt.
Duke qenë se katalogu i Popës nuk qe përgatitur nga autori si një vepër për botim, redaksisë
i është dashur të punojë me përgjegjësi me daktiloshkrimin, për qartësimin e mendimit dhe
rrjedhshmërinë e frazës, për saktësimin dhe njehsimin e termave, si dhe për disa plotësime
të domosdoshme.
Merr rëndësi, në këtë kuadër, studimi i Dr. Roderic L. Mullen, nga universiteti i Birmingamit, i
cili përshkroi dhe krahasoi, ndonëse jo tërësisht (vetëm për dorëshkrimet me karakter ungjillor)
numrat e referencës të katalogut të Gregory-Aland me ato të katalogut të Popës, duke lehtësuar
e mundësuar shfrytëzimin e literaturës shkencore tradicionale dhe të re për kodikët.
Katalogu i Popës, së bashku me studimin hyrës, që është e para vepër me të dhëna
arkeografike dhe kulturore-historike thuajse për të 100 kodikët e “Fondit 488”, i cili gjithashtu
u krijua nën drejtimin e tij; botohet për herë të parë.
Renditja e artikujve dhe studimeve të përfshirë në këtë vepër bëhet sipas radhës së botimit.
Kjo për të respektuar autorët, përparësitë e tyre, si dhe për t’i dhënë mundësi lexuesit të
vërejë se çfarë ka sjellë të re, në kohën dhe kontekstin e vet, secili nga studiuesit që është
marrë me kodikët. Katalogu dhe studimi hyrës i Popës është vendosur në kronologji, duke
pasur si referencë datën e përfundimit dhe të dorëzimit në AQSH (mesi i viteve 1980).
Në shkrimin e emrave të njerëzve dhe të vendeve redaksia ka zbatuar parimin e drejtshkrimit
të shqipes, sipas të cilit forma më e hershme e një huazimi është normëformuese, përkundër
të tjerave, që mbeten në përdorim më të kufizuar. Shqipja është një gjuhë që e ka prekur
fjalorin biblik qysh prej kohës së krishtërimit të hershëm. Një varg emrash të përveçëm biblikë
e ungjillorë, toponime historike të kësaj hapësire, emra të përgjithshëm të terminologjisë
kishtare, kanë, për këtë shkak, formën e tyre të shqipëruar. Kështu, është shkruar „Gjon“ për
“Joan“, sepse forma “Gjon“ del si e tillë në trajtë të shkruar në faltoret e shqiptarëve qysh në
shekullin e 7-të. Megjithatë, në të shumtën e rasteve, kur emrat e përveçëm nuk kanë të
bëjnë me figura biblike, por me personazhe historikë, në kllapa është dhënë edhe forma e
huazimit të mëvonshëm të të njëjtit emër biblik, kurse në disa raste të tjera është zbatuar
parimi historik dhe është respektuar forma që ka përdorur vetë personaliteti, si: Jan Kukuzeli
i Ri, Joasafi i Beratit etj.
Pothuajse të gjithë artikujt dhe studimet e këtij botimi, duke qenë se kanë qenë shkruar dekada
e shpesh shekuj më parë, redaksia i ka pajisur me shënime shpjeguese, saktësuese ose
krahasuese, në dy forma: si shënime të brendashkruara në tekstin e autorit, duke bërë dallimin
me kllapa (katrore ose të kurbëta) dhe si shënime në formën e fusnotës. Në rast se autorët
kanë pasur vetë shënime në formë fusnote, shënimet e redaksisë janë dalluar me korsiv.
Për të lehtësuar kuptimin e kësaj lënde relativisht të panjohur në botën shqiptare të letrave
është përgatitur një fjalorth shpjegues. Theksojmë se fjalorthi u referohet kuptimeve që kanë
këto terma në studimet për kodikët. Në raste të veçanta, kur ka qenë e nevojshme të saktësohet
një kuptim prej tjetrit, është dhënë edhe përmbajtja semantike e termit në përdorimin kishtar.
Për botimin e kësaj vepre, nga redaksia, punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave
dhe bashkëpunëtorët e saj të jashtëm, është punuar afro tre vjet. Një punë e vështirë ka qenë
përzgjedhja dhe përgatitja e ilustrimeve, që janë pjesë e rëndësishme e promovimit të kësaj
pasurie të madhe.
Redaksia e ndien të nevojshme të falënderojë përzemërsisht Presidentin e Republikës, Alfred
Moisiu, i cili i ofroi kujdestarinë e vet të lartë këtij botimi dhe përgatiti me këtë rast një
përshëndetje inkurajuese për punë të mëtejshme.
„Kodikët e Shqipërisë“ botohet me mbështetjen financiare të Unesco-s. Ne falënderojmë
personalisht Dr. Koïchiro Matsuura, Drejtor i Përgjithshëm i Unesco-s, që vlerësoi rëndësinë
e këtij projekti dhe e përshëndeti atë me një fjalë hyrëse të ngrohtë dhe dashamirëse.
Një falënderim i përveçëm i përket Institutit Arkeologjik të Akademisë së Shkencave të Kinës
(Pekin), specialistë të të cilit shpëtuan nga dëmtimi i pandreqshëm dy kodikët më të vjetër
Beratinus, duke i restauruar me teknologji bashkëkohore dhe duke ua zgjatur jetën për shekujt
e ardhshëm. Për fat të keq, nuk qe e mundur që të përfshihej në këtë botim ndonjë studim i
këtyre specialistëve, megjithëse Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave shprehu interesin e vet
për këtë.
Me këtë vepër do të rezultojë e nevojshme që shkenca shqiptare të këmbëngulë për një
përmasë të re të dijes etnologjike, si dije antopologjike, siç kuptohet ky term në shkencën e
sotme euro-amerikane («cultural anthropology»). Kjo do t’i lejonte që etnologjia të bënte objekt
studimi dorëshkrime të krijuara ose të ruajtura në hapësirën shqiptare dhe nga njerëz shqiptarë,
në gjuhë dhe shkrime të kulturave perandorake (greqisht, latinisht), të lidhura me kryeqendrat
e këtyre kulturave, me rëndësi për historinë e krishtërimit të hershëm dhe të mendimit të
krishterë në tërësi, me rëndësi për ndikimin në botën shpirtërore laike të kësaj hapësire. Këto
dorëshkrime nuk janë traditë kombëtare në kuptimin e ngushtë të fjalës, por janë pjesë e
identitetit kulturor të shqiptarëve në kuptimin e gjerë të fjalës, janë pjesë e vlerave europiane
të kësaj kulture.
Hapi më i afërm i një strategjie afatgjatë, që do të lejonte integrimin në tërësi të dorëshkrimeve
kishtare të Shqipërisë në inventarët botërorë të tyre, do të ishte: – Botimi në gjuhë të huaj i
kësaj vepre që po i paraqitet lexuesit; – Përgatitja e një katalogu me të dhëna të plota për
pjesën tjetër të kodikëve të Shqipërisë, të ruajtur jashtë “Fondit 488“; – Krijimi i një inventari
kombëtar të këtyre dorëshkrimeve, pavarësisht se pranë cilit institucion ruhen (duke përfshirë
edhe ato të familjeve); – Botimi në shqip e gjuhë të huaj i një katalogu me të dhëna ezauruese
për gjithë fondin e shkrimeve të krishtera në Shqipëri.
E ndiejmë të nevojshme të theksojmë se lexuesi do të gjejë në këtë vepër një botim me
karakter laik, në të cilin historia e dorëshkrimeve biblike e ungjillore, si dhe historia e besimit,
qoftë në studimet e autorëve të huaj, ashtu dhe në ato të autorëve shqiptarë, shihen kryesisht
si histori kulture. Studimet e tekstologjisë kritike biblike janë një çështje më e thellë, që pret
këshillimin e dijetarëve të specializuar, dhe që i takon një të ardhmeje jo të largët.
Shoqata Ndërkombëtare Biblike, me qendër në Londër, që po punon për redaktimin e tekstit
të Dhjatës së Re mbi bazën e referencave të dorëshkrimeve më të vjetra, me qëllim që ky
tekst të jetë i pranueshëm për të gjitha kishat, dorëshkrimin “Beratinus“ e vlerëson si një prej
pikëmbështetjeve më të rëndësishme të nismës së saj.

* Kodikët e Shqipërisë

 

[cite]