LIBRA TË SHENJTË NË DORËSHKRIME NË MEMBRANË
ANTIMUS ALEXOUDES
KAPITULLI IX
A
Një ungjill që ndodhet në kishën e shenjtë të ungjillëzimit të Hyjlindëses (domethënë të Shën
Mërisë) në lagjen e kalasë së Beratit besohet se ka një histori të hershme të trashëguar, dhe
për këtë nderohet nga të gjithë banorët e krishterë. Kjo gojëdhënë thotë se ungjilli është
shkruar me dorën e vetë atit tonë shenjtor ndër shenjtorët, Gjon Gojarti (Joan Chrysostomos),
kryepeshkop i Konstandinopojës. Në kujtim të këtij shenjti, çdo vit, më 27 janar, bëhet meshë
e shenjtë kryepriftërore dhe panair 2. Me këtë rast nxirret edhe ky ungjill, për nderim, në
kishën e shenjtë. Të gjithë të krishterët e mbledhur nga çdo anë vijnë duke e puthur me
shumë shprestari, nder dhe respekt. Elemente të fjalëve të këtij ungjilli të shenjtë janë të arta. Po kështu edhe shkronjat e para, të cilat janë të gjitha të mëdha. Gjithashtu, të katër ungjijtë që përfshihen në të 3, zbukurohen duke pasur në fillim shembëllimin e portretit të secilit ungjillor, të pikturuar me ar.
B
Një tjetër dorëshkrim shumë i hershëm, që përmban tekstin e dy ungjillorëve, të Mateut dhe
Markut, gjendet në Kishën e Shën Gjergjit të po kësaj lagjeje 4. Fjalët e tekstit janë të shkruara
me argjend mbi membranë (nënkupto: pergamenë) me ngjyrë vishnje të errët 5, ndërsa
shkronjat e para janë të gdhendura në ar dhe argjend, të harkuara 6.
C
Ekziston dhe një dorëshkrim tjetër, i ngjashëm me këtë ungjill, në membranë, i madh dhe me
shumë fletë. Dy kapakët i ka të veshur me argjend dhe të larë në ar. Ka dy shënime lart, ku
thuhet se është pronë e kishës katedrale të Mitropolisë sonë të Beratit (gr. “Velegradon”). Në
të njëjtën kishë gjendet edhe një ungjill tjetër, i shkruar mbi pergamenë, me format të vogël.
D
Ka edhe dy ungjij të tjerë të shkruar me dorë mbi pergamenë të bardhë, që ruhen në kishën
e lagjes së Mangalemit.
Shënime të redaksisë: 1. Marrë nga libri i Anthim Aleksudhit “Përshkrim i shkurtër historik i mitropolisë
së Beratit dhe i vendeve që janë nën vartësinë e saj shpirtërore”, botuar në Korfuz, në shtypshkronjën
Ionia të vëllezërve Kaonë, 1868. Autori ka qenë mitropolit i Beratit. Në tekstin origjinal përdoret rregullisht
termi “membranë” për “pergamenë”. Të gjitha shënimet në korsiv dhe ato të brendashkruara në tekst
janë të redaksisë.
2. Këtu fjala “panair” ka kuptimin e grumbullimit masiv të besimtarëve.
3. Nga këto të dhëna nuk mund të besohet se autori e ka fjalën për “Liturgjinë e Shën Gjon Gojartit”,
dorëshkrim, një prej kodikëve që e përshkroi edhe Batiffol-i, por më pas u zhduk pa gjurmë.
4. Sipas përshkrimit të Aleksudhit, është fjala për “Kodikun e Purput të Beratit”, dyungjillësh, pagëzuar
me këtë emër disa vite më vonë nga P. Batiffol.
5. Ngjyra “vishnje e errët” terminologjikisht i përgjigjet së purpurtës perandorake (“purple imperiale”), e
cila, prej shekullit të 4-t e në vijim, për disa shekuj me radhë, u përdor përjashtimisht në shkrimet e
shenjta.
6. Shënim i vetë autorit: “Mbi njërin prej dy kapakëve (në tekst, shprehimisht: “pllakave”) gjendet një shënim, i shkruar me gërma të epokës së lashtë (nënkupto: “antike”), ku thuhet: “Shikojini gërmat e
Shën Gjon Gojartit, që gjenden në këtë ungjill, (të shkruar) me vetë dorën e tij, kur ai ishte në Antioki, në
atdheun e vet, shërbëtor i Krishtit. Deri në epokën kur ai jetoi, nga shumë vetë shkruhej me germa të
thjeshta. Por theksimi i fuqisë së shkronjave nëpërmjet “shenjave të arta”, domethënë nëpërmjet “oksias”,
“varias”, “perispomenit”, “dhasisë” dhe “psilisë” (janë thekse dhe tone gjuhësorë në greqishten antike),
nuk mjaftonte. Megjithëse këto tekste kanë pasur të katër ungjijtë, ky që ka mbetur ka vetëm Ungjillin
sipas Mateut dhe atë sipas Markut. Ndërsa ungjijtë sipas Lukës dhe Gjonit humbën. Ndërtuesi i manastirit
të Teologut (Gjon Teologu) e mori dorëshkrimin në manastir, nga kujdesi dhe admirimi, në shenjë nderimi
ndaj Shën Gjon Gojartit dhe si dëshmi e devocionit që kishte për Krishtin. Ndërsa humbja e ungjijve që
mungojnë ndodhi kur librat e Teologut u grabitën nga frankët, të quajtur kampanezë (nënkupto: “frankët
e Shampanjës”: fr. “Champagne”). Shikoni sa i veçantë është ngjyrimi i shkronjave, por edhe sa e bukur
është forma e tyre! Ungjilli i Teologut, i shkruar në Patmo, është i varfër me këto shkronja, siç pashë me
vetë sytë e mi në Efes”.

* Kodikët e Shqipërisë

 

[cite]