Në vende të ndryshme të Tokës, në një çast të dhënë nuk është e njëjta orë. Meqenëse dita ka 24 orë, sipërfaqja e rruzullit ndahet në 24 breza orarë, të tillë që secili ka një ndryshim prej një ore nga brezi fqinj. Brezat orarë përcaktohen nga 24 meridianë, që janë 15 gradë gjatësie larg njëri-tjetrit. Në çdo vend të një brezi është e njëjta orë. Kur një shtet përfshihet i gjithi brenda një brezi, ose del pak jashtë kufijve të brezit, i gjithë ai vend mban orën e kryeqytetit. Në disa vende të mëdha, që shtrihen në shumë breza, krahinat e ndryshme kanë orë të ndryshme, sipas brezit ku ndodhen. Shqipëria bën pjesë në një brez me disa shtete evropiane si Jugosllavia, Hungaria, Italia, Austria, Gjermania, Suedia etj., pra ka të njëjtën orë me to. Meridiani 180° quhet vija e ndryshimit të datës, sepse një anije që e kalon këtë meridian duhet të ndryshojë menjëherë datën.
[cite]