10.7 Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli dhe proza e periudhës së pavarësisë
Poezia ka zënë kurdoherë kryet e vendit në letërsinë shqiptare. Një nga mospërputhjet
më të dukshme në zhvillimin historik të shkrimit shqip ka qenë ajo midis zhvillimit të vrullshëm
të poezisë dhe ecjes jashtëzakonisht të ngadalshme të prozës. Këtë dukuri e vemë re që nga
letërsia e vjetër e shekujve të gjashtëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë deri në gjysmën e dytë të
shekullit të njëzetë. Edhe pse autorët klasikë të shekullit të shtatëmbëdhjetë, në veçanti Pjetër
Budi (1566-1622) dhe Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689) hodhën vërtet themelet e prozës
shqiptare me përkthime fetare e me proza origjinale me nivel artistik, proza letrare origjinale
deri në fillim të shekullit të njëzetë mbeti një dukuri anësore. Romanet e para shqiptare, krijime
të gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, ose qenë shkruar në gjuhë të huaja si ai i Sami
Frashërit në turqishte Taassuk-u Tal’at ve Fitnat (Dashuria e Talatit me Fitneten) i botuar më
1872, dhe si ai i Pashko Vasës në frëngjishte Bardha de Témal, scènes de la vie albanaise, Paris
1890 (Bardha e Temalit, skena nga jeta shqiptare), ose mbetën të pabotuara, si ai i Françesk
Antonio Santorit Sofia Kominiate, me 282 faqe dhe i papërfunduar. Gazetaria e fundit të
shekullit të nëntëmbëdhjetë dha mundësi për të hedhur themele të forta për prozën moderne,
ndonëse grupi i parë i prozës së vërtetë letrare doli vetëm në fillim të shekullit të njëzetë me
veprat e dom Ndoc Nikajt (1864-1951) nga Shkodra. Mjaft nga autorët e Rilindjes, si Mihal
Grameno (1871-1931) dhe Mid’hat Frashëri (1880-1949) ishin marrë diçka me prozë, por niveli
i kënaqshëm artistik në të vërtetë u arrit vetëm pas shpalljes së pavarësisë, me sprovat e Faik bej
Konicës (1875-1942) dhe veprat e Fan Nolit (1882-1965). Për fat të keq, edhe pse Konica dhe
Noli ishin shkrimtarë me talent të madh e të fuqishëm, asnjëri prej tyre nuk i kushtoi shumë
mund krijimtarisë letrare në prozë.
Në periudhën e pavarësisë u pa një rritje e menjëhershme në vëllimin e në gamën e
prozës së shkruar e të botuar në Shqipëri, në të dy dialektet – të gegërishtes e të toskërishtes.
Kulmi i kësaj periudhe të letërsisë shqiptare ishte në vitet tridhjetë e në fillim të viteve dyzet,
kur intelektualë në Shkodër, Tiranë e gjetkë, pasi ishin njohur me shumë ide e modele të botës
së jashtme, nisën të krijojnë në prozë, dramë e natyrisht në poezi, vepra me vlera më të mëdha
për Shqipërinë si një vend evropian në zhvillim.
Nga të gjithë prozatorët e periudhës, askush nuk qe më i madh e më i fuqishëm se Ernest Koliqi37 (1903-1975). Koliqi lindi në Shkodër më 20 maj 1903, kurse shkollën e kreu në
kolegjin jezuit Ariçe të qytetit Breshia në Lombardi, ku u njoh me kulturën dhe letërsinë italiane
e ku nisi të shkruajë së pari poezi, tregime të shkurtra dhe komedi italisht. Në Bergamo ai me
disa bashkënxënës themeluan një gazetë studentore, të përjavshme me emrin Noi, giovanni (Ne,
të rinjtë), ku dhe dolën vjershat e tij të para.
Me formimin e qeverisë së re regjente të Shqipërisë të kryesuar nga Sulejman pashë
Delvina (1884-1932) dhe me kthimin në dukje të stabilitetit në vend me Kongresin e Lushnjës
(28-31 janar 1920), Ernesti i ri u kthye në Shkodër për të rizbuluar, madje për të rimësuar,
gjuhën amtare dhe kulturën e kohës së fëminisë në një vend sërish të pavarur. Mësuesi i tij,
imzot Luigj Bumçi (1872-1945), i cili kishte qenë kryetar i delegacionit shqiptar në
Konferencën e Paqes në Paris më 1919, e njohu Ernestin me disa nga përkrahësit kryesorë të një
brezi të ri në kulturën shkodrane: Kolë Thaçi (1886-1941), Kolë Kamsi (1886-1960), Lazër
Shantoja (1892-1945) dhe Karl Gurakuqi (1895-1971).
Pas shkretimeve të Luftës së Parë Botërore Shqipëria kishte nevojë më shumë për dije,
dhe për këtë qëllim Koliqi vendosi të hapë një gazetë. Kështu, së bashku me Anton Harapin
(1888-1946) dhe Nush Topallin, ai themeloi të përjavshmen opozitare Ora e maleve, numri i
parë i së cilës doli në Shkodër më 15 prill 1923. Ora e maleve ishte organ i Partisë Demokratike
Katolike, që me mbështetjen e klerit katolik kishte fituar zgjedhjet në Shkodër. Ky periodik,
ndonëse jetëshkurtër, u përhap gjerësisht në Shkodër e më tej. Vitin tjetër, pasi kishte fituar një
farë përvoje dhe si një poet i ri midis figurave më të njohura politike e letrare të kohës si Gjergj
Fishta (1871-1940), Luigj Gurakuqi (1879-1925), Mid’hat Frashëri (1880-1949) dhe Fan Noli
(1882-1965), Ernest Koliqi botoi një të quajtur poem dramatik me titull Kushtrimi i
Skanderbeut, Tiranë 1924. Ajo përmban një radhë odesh për heroin kombëtar të Shqipërisë e
për figura të tjera të mëdha të së kaluarës, të krijuara sipas traditës së letërsisë së Rilindjes.
Jeta politike dhe ekonomike e Shqipërisë vazhdoi të ishte rrëmujë në fillim të viteve
njëzet. Në dhjetor 1924 çifligari konservator Ahmet Zogu (1895-1961) mori fuqinë me një
grusht shteti, duke shtrënguar Koliqin dhe shumë intelektualë të tjerë të shquar të emigronin.
Koliqi iku në Jugosllavi, ku e internuan në Tuzla, në Bosnjën verilindore. Jetoi gjithsej pesë vjet
në mërgim në Jugosllavi, prej tyre tre vjet në Tuzla, ku pjesën më të madhe të kohës e kaloi me
krerë të fiseve të malësisë shqiptare të veriut, që edhe ata ishin në mërgim. Prej tyre mësoi mjaft
për zakonet e lashta, letërsinë gojore dhe tiparet heroike të mënyrës së tyre të jetesës. Këto vite
do të kishin ndikim të thellë në karrierën e mëvonëshme akademike e letrare të tij. Nga viti
1930 deri më 1933 ishte mësues në një shkollë tregtare në Vlorë dhe në gjimnazin e shtetit në
Shkodër, derisa u shtrëngua, përsëri për rrethana politike, të largohet në Itali.
Formimi i qëndrueshëm jezuit i dha mundësi që në fillim Ernest Koliqit të shërbejë si
ndërmjetës kulturor midis Italisë dhe Shqipërisë. Më pas ai do të luante një rol kyç në paraqitjen
e kulturës shqiptare publikut italian duke botuar, përveç shumë e shumë artikujsh studimorë për
çështje të historisë e të letërsisë, edhe monografitë: Poesia popolare albanese, Firence 1957
(Poezia popullore shqiptare), Antologia della lirica albanese, Milano 1963 (Antologji e lirikës
shqiptare), dhe Saggi di letteratura albanese, Firence 1972 (Sprova për letërsinë shqiptare). Në
mesin e viteve tridhjetë ai ishte marrë me transmetimin e kulturës në drejtimin e kundërt. Kishte
botuar një antologji mjaft të pasur, në dy vëllime, të poezisë italiane, me titullin Poetët e mëdhej
t’Italis, Tiranë 1932, 1936, për ta njohur brezin e ri të intelektualëve shqiptarë, të etur për të
zbuluar botën, me letërsinë italiane. Vëllimi i parë përmbante përkthimet e bukura nga Koliqi
të klasikëve: Dante Aligieri (1265-1321), Françesko Petrarka (1304-1374), Ludoviko Ariosto (1474-1533), dhe Torkuato Taso (1544-1595), kurse vëllimi i dytë, me një nivel po aq të
qëlluar, përmbante përkthime poetësh të shekujve të shtatëmbëdhjetë e tetëmbëdhjetë: Xhuzepe
Parini (1729-1799), Vinçenco Monti (1754-1828), Ugo Foskolo (1778-1827) dhe Alesandro
Manzoni (1785-1873).
Në moshën tridhjetë vjeç Koliqi u regjistrua në Universitetin e Padovës më 1933. Pas
pesë vjet studimesh pranë gjuhëtarit Karlo Taliavini (Carlo Tagliavini, 1903-1983) dhe punës
si pedagog i gjuhës shqipe në atë universitet, ai mbrojti më 1937 tezën Epica popolare albanese
(Epika popullore shqiptare). Edhe pse me punë në Padovë, ai nuk i shkëputi lidhjet me
Shqipërinë dhe bashkëpunoi me redaksinë e së përjavshmes së shquar kulturore Illyria, e cila
nisi të dalë në Tiranë më 4 mars 1934. Tanimë Koliqi qe një albanolog i njohur, ndoshta
specialisti kryesor i studimeve shqiptare në Itali. Më 1939, ndërsa mbi Evropë po mblidheshin
retë e luftës, ai u emërua në katedrën e gjuhës e të letërsisë shqipe të Universitetit të Romës, që
ishte në zemër të perandorisë së re mesdhetare të Musolinit.
Ndjenjat e forta të afrisë së Koliqit për Italinë dhe kulturën italiane, sidomos për poetë
të tillë si Xhozue Karduçi (1835-1907), Xhovani Paskoli (1855-1912) dhe Gabriele d’Anuncio
(1863-1938) mund ta kenë shtyrë të pranonte synimet ekspansioniste të Italisë fashiste. Ndonëse
të paktë qenë shkrimtarët shqiptarë, si Vangjel Koça (1900-1943) dhe Vasil Alarupi (1908-
1977), që u bënë përkrahës të vërtetë të fashizmit, disa të tjerë, megjithëse në përgjithësi kundër
ndërhyrjes së huaj në çështjet shqiptare, tek tutela e Italisë shihnin një farë avantazhi. Sidoqoftë,
Ernest Koliqi dhe intelektualë të tjerë të kohës qenë të shtrënguar të pajtoheshin në këtë apo atë
mënyrë me dilemën politike e kulturore të rritjes së ndikimit të Italisë në Shqipëri, e cila
përfundoi të premten e Pashkëve më 1939 me pushtimin dhe aneksimin ushtarak të këtij vendi
të vogël të Ballkanit. Po aq nacionalist sa çdo nacionalist tjetër shqiptar, Koliqi, tani éminence
grise e vendit, vendosi të shfrytëzojë realitetin me të cilin po përballej e të bëjë ç’është e
mundur për të zhvilluar më tej kulturën shqiptare nën sundimin italian. Duke pranuar funksionin
e ministrit të arsimit nga viti 1939 deri më 1941, për habinë e shtresave të gjera të popullsisë, ai
ndihmoi për shembull për botimin historik të një antologjie të rëndësishme të letërsisë shqiptare
në dy vëllime, Shkrimtarët shqiptarë, Tiranë 1941, redaktuar nga Namik Ressuli (1908-1985)
dhe Karl Gurakuqi, një botim për të cilin punuan studiuesit më të mirë të kohës, dhe që nuk
është kapërcyer edhe sot e kësaj dite. Në korrik 1940 themeloi dhe drejtoi të përmuajshmen
letrare e artistike Shkëndija në Tiranë. Nën drejtimin e Koliqit si ministër, shkollat në gjuhën
shqipe, që nën sundimin serb kishin qenë nxjerrë jashtë ligjit, u hapën për herë të parë në
Kosovë, e cila u ribashkua me Shqipërinë gjatë viteve të Luftës. Koliqi gjithashtu ndihmoi për
hapjen e një shkolle të mesme në Prishtinë dhe për dërgimin e studentëve nga Kosova me bursë
në Itali e Austri. Po ashtu, Koliqi u përpoq të shpëtojë nga duart e nazistëve Norbert Joklin
(1877-1942), albanologun e shquar austriak me prejardhje çifute, duke i ofruar punë si mësues
në Shqipëri38. Nga 1942 deri më 1943 Koliqi ishte kryetar i Istitutit të Studimevet Shqiptare të
sapoformuar në Tiranë, pararendës i Akademisë së Shkencave. Më 1943, në prag të fundit të
perandorisë musoliniane, ai pasoi Terenc Toçin39 (1880-1945) si kryetar i Këshillit të Lartë
Fashist në Tiranë, funksion që natyrisht nuk u pa me sy të mirë nga forcat fitimtare komuniste
që ‘e çliruan’ Tiranën në nëntor 1944. Pas disfatës së fashizmit, Koliqi ia doli të arratiset përsëri
në Itali, ku jetoi derisa vdiq më 15 janar 1975. Edhe në këto vite të fundit të jetës së tij, ai ishte
mjaft aktiv në fushën e letërsisë dhe të kulturës.
Në Romë Ernest Koliqi botoi periodikun e njohur letrar Shêjzat / Le Plèiadi nga 1957
deri më 1973. Shêjzat ishte në atë kohë revista kryesore letrare në gjuhën shqipe. Kjo revistë jo vetëm që ndiqte zhvillimet letrare bashkëkohëse në botën shqipfolëse, por edhe u bë tribunë e
letërsisë arbëreshe dhe vazhdoi të mbrojë trashëgiminë letrare të autorëve të paraluftës, mjaft
prej tyre vdekur, e të tjerë në mërgim, të cilët qenë marrë keq nëpër këmbë nga kritikët
komunistë në Tiranë. Ernest Koliqi shërbeu si një zë i largët opozitar ndaj shkatërrimit kulturor
të Shqipërisë nën sundimin enverist. Për shkak të veprimtarisë së tij dhe të mbështetjes të
paktën pasive për sundimin fashist dhe pushtimin italian, Koliqi u godit rëndë nga autoritetet
shqiptare të pasluftës, madje edhe më fort se Gjergj Fishta, i cili për fatin e tij të mirë kishte
vdekur. Koliqi konsiderohej si ithtari kryesor i letërsisë borgjeze, reaksionare dhe fashiste.
Historia e letërsisë shqiptare me frymë partiake e vitit 1983 e zë në gojë vetëm shkarazi si
“tradhtarin Koliqi”40, kurse jo më herët se viti 1990, Ismail Kadare shkroi për të pakëz më
ndryshe: “Ndër shkrimtarët reaksionarë veriorë, Ernest Koliqi i drejtimit proevropian (d.m.th.
proitalian), ishte shembull tipik se si një talent mund të vritej nga përqafimi i ideve fashiste.
Zgjedhja e gabuar e kampit politik, që e çoi dalëngadalë nga simpatia e parë për fashizmin në
postin e ministrit të qeverisë kolaboracioniste, ishte fatale për të.”41
Për herë të parë Ernest Koliqi bëri emër si prozator me përmbledhjen Hija e maleve,
Zadar 1929, me dymbëdhjetë tregime për jetën e kohës në Shkodër e në malësinë e Shqipërisë
së veriut. Trajtimi pak a shumë realist dhe analiza psikologjike e karaktereve njerëzore nuk u
prit edhe aq mirë nga shkrimtarët e njohur të kohës, një pjesë e mirë e të cilëve ende lëngonin
nga sentimentalizmi i romantikës kombëtare. Megjithatë, libri u shit dhe u vlerësua mjaft nga
masa e lexuesve. Hija e maleve përmban tregime të shkurtra që sillen rreth temës qendrore
‘Lindja ndeshet me Perëndimin’, ndeshja e zakoneve tradicionale të malësisë si martesat me
shkuesi dhe gjakmarrja fisnore me idetë dhe vlerat bashkëkohëse Perëndimore. Ndonëse më pak
autobiografike se tregimi i Migjenit Studenti në shtëpi, këto rrëfenja janë pasqyrim i
drejtpërdrejtë i mëdyshjes ku ra Koliqi, ashtu si shumica e intelektualëve shkodranë që kishin
studiuar jashtë në vitet njëzet e tridhjetë dhe më pas u kthyen në trevën e ashpër të Shqipërisë
veriore. Në fillim të tregimit tragjik Gjaku, djaloshi e mësuesi idealist Doda bën pyetjen: “A ka
send mâ të mrekullueshëm në kët botë se me i sjellë qytetnimin nji kombi zhytë n’errsin e
padijes?”, por ai vetë është i shtrënguar nga përkushtimi ndaj familjes të vërë në vend nderin e
të hakmerret për vrasjen e të vëllait. Rrëfenja të tjera flasin, për shembull, për një muzikant
popullor që shfrytëzon talentin për të bërë për vete një vajzë Shkodre; për një vrasje e
gjakmarrje ndër fiset malësore; për kërcimtaren e Dukagjinit të shndërruar nga shpirtrat e malit
në një vashë të bukur e nga e cila më pas zhgënjehet i dashuri i saj; për një ndjekje xhandarësh,
e ngatërruar me detyrime e fjalë bese sipas kanunit; për magji të mbinatyrshmes mbi një komit;
si dhe për Skënderbeun. Shpirtrat e maleve janë gjithmonë në mendjet e fiseve të veriut dhe u
japin mjaft tregimeve një frymë të së mbinatyrshmes.
Tregtar flamujsh, Tiranë 1935, përmbledhja e dytë e Koliqit me rrëfenja, paraqet tema
të ngjashme me ato të përmbledhjes së parë. Rrëfimi në këtë vëllim me gjashtëmbëdhjetë
tregime është më i fuqishëm, kurse depërtimi në psikologjinë e personazheve të kujton
nganjëherë autorin sicilian Luixhi Pirandelo (Luigi Pirandello, 1876-1936) me veprën e të cilit
Koliqi pa dyshim ka qenë njohur. Tregimet e vëllimit Tregtar flamujsh vlerësohen
përgjithësisht si më të mirat e prozës shqiptare në periudhën e paraluftës. Një çerek shekulli më
pas Koliqi botoi edhe një roman të shkurtër, Shija e bukës së mbrûme, Romë 1960. Kjo vepër
173 faqesh ringjall temën e mallit për atdheun të mërgimtarëve shqiptarë në Shtetet e
Bashkuara. Ky roman, me thekse të dukshme politike, ishte për një kohë të gjatë i panjohur në
Shqipëri.
Krijimtaria letrare e Koliqit nuk është mjaftuar kurrsesi me prozën. Të rrallë janë
shkrimtarët shqiptarë që nuk i ka ngacmuar muza poetike. Gjurmat e stinve, Tiranë 1933, është
një përmbledhje me vjersha të shkruara nga Koliqi gjatë viteve të mërgimit në Jugosllavi. Me
to poeti i kthehet në mënyrë filozofike vendlindjes së vet, Shkodrës, me emocionet e stinëve të
ndryshme të natyrës, duke gërshetuar formën e poezisë popullore shqiptare me simbolizmin
evropianoperëndimor. Symfonija e shqipevet, Tiranë 1941, është poezi në prozë mbi tema
historike e kombëtare, që të kujton veprën e tij të mëparëshme Kushtrimi i Skanderbeut. Për
këtë vepër kemi dhe një përkthim në anglisht: Symphony of eagles, Romë 1972. Vëllimi i fundit
poetik i Koliqit me titull Kangjelet e Rilindjes, Romë 1959, është shkruar përsëri në dialektin e
tij, në gegërishte e përpunuar, dhe është botuar me një përkthim italisht.
Që nga Lufta e Dytë Botërore Ernest Koliqi është gjykuar më fort për veprimtarinë e tij
politike sesa për arritjet letrare e kulturore. Ai është një nga shkrimtarët e shumtë të periudhës
që duhet rivlerësuar. Kritikët bashkëkohës në Shqipëri, pasi kanë kaluar vetë një gjysme
shekulli enverizëm, duhet t’i shohin me shumë ndjeshmëri e mirëkuptim kompromiset që
shkrimtarët dhe intelektualët kanë qenë shpesh të detyruar të bëjnë nën regjimet ekstremiste. Si
personalitet i letërsisë e i kulturës, Ernest Koliqi ishte dhe mbetet gjigant, sidomos për rolin e
tij në zhvillimin e prozës së Shqipërisë së veriut. Krijimtaria letrare në gegërishte arriti një kulm
në fillim të viteve dyzetë në çdo pikëpamje, si në stilin e përdorur, në gamën tematike, në
përmbajtje, dhe në vëllim. Në këtë aspekt një meritë të madhe ka botuesi, prozatori dhe
studiuesi Ernest Koliqi. Dialekti i shqipes së veriut si një mjet letrar i përpunuar e sidomos
kultura shkodrane në përgjithësi kishin arritur një epokë të artë modeste, por që do të merrte
menjëherë fund me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore.
Emri që të vjen menjëherë ndërmend, kur kërkon një ekuivalent toskë të Ernest Koliqit
në prozën e fundit të viteve tridhjetë dhe fillimin e viteve dyzet, është ai i Mitrush Kutelit42
(1907-1967), pseudonim i Dhimitër Paskos, i njohur në rumanishte si Dimitrie Pascu. Sikundër
Lasgush Poradeci, Kuteli ka lindur në Pogradec, në brigjet e liqenit të Ohrit, më 13 shtator 1907
dhe, po si Lasgushi, ndoqi një shkollë në gjuhë të huaj në Greqi (një kolegj tregtar rumun në
Selanik), kurse më pas u shpërngul në Bukuresht, ku studioi ekonomi dhe u diplomua më 1934
me një disertacion për sistemet bankare në Ballkan. Bashkëpunoi për njëfarë kohe si gazetar me
gazetën e përjavshme shqiptare Shqipëri’ e re, që doli në Konstancë nga 1919 deri më 1936. Në
publicistikën e tij, ai përdorte pseudonimin Janus, perëndia dyfytyrëshe romake, që ishte në
gjendje të shihte në të njëjtën kohë të kaluarën dhe të ardhmen. Po në Bukuresht Kuteli nisi të
botojë përmbledhjet me tregime, për të cilat është i mirënjohur. Libri i tij i parë, Netë
shqipëtare, Bukuresht 1938, ishte një bashkim tetë rrëfimesh për jetën fshatare në Pogradec dhe
në fshatrat rreth tij. Nga të 1200 kopjet e botimit të parë, rreth 1000 u zhdukën në një zjarr në
Konstancë para se të shiteshin, dhe libri u bë gjerësisht i njohur pas botimit të dytë më 1944. Po
në Bukuresht Kuteli rregulloi botimin e përmbledhjes poetike befasuese të Lasgush Poradecit
Ylli i zemrës më 1937. Kultura rumune, ende nën magjinë e poetit kombëtar Mihai Eminesku
(1850-1889), kishte ushtruar ndikimin e vet mbi Mitrush Kutelin, ashtu siç kishte bërë me
Asdrenin, Lasgush Poradecin dhe shumë shkrimtarë e intelektualë të tjerë shqiptarë që jetuan
atje në dekadat e para të shekullit të njëzetë.43
Në vjeshtën e vitit 1942, ndërsa tmerri dhe shkatërrimi i Luftës së Dytë Botërore dita
ditës po i afrohej kulmit në Bashkimin Sovjetik e në Ballkan, Kuteli u kthye në Shqipëri, e cila
ishte vetë në pragun e shpërbërjes në luftë civile të hapur. Në këto vite të luftës Kuteli do të botonte me shpenzimet e veta shumicën e veprave madhore të tij: Ago Jakupi e të tjera rrëfime,
Tiranë 1943, një përmbledhje me shtatë rrëfime për jetën fshatare; Kapllan Aga i Shaban
Shpatës. Rrëfime-Rrëfenja, Tiranë 1944, pesë tregime të shkruar midis viteve 1938 e 1944;
Këngë e brithma nga qyteti i djegur, Tiranë 1944, përmbledhje me këngë popullore; Shënime
letrare, Tiranë 1944; dhe Sulm e lotë, Tiranë 1944, përmbledhje modeste vargjesh atdhetare të
shkruara nga Kuteli me një shok të trilluar me emrin Izedin Jashar Kutrulija, që Kuteli gjoja e
kishte njohur në Prizren në maj 1943. Po në këtë kohë, ai përgatiti për botim një përmbledhje
me vjersha të Fan Nolit (1882-1965) me titullin Mall e brengë, Tiranë 1943, si dhe botoi një
numër shkrimesh për sistemin financiar e monetar.
Mitrush Kuteli i dha tonin zhvillimit të tregimit të shkurtër në Shqipërinë e jugut dhe
arriti një nivel më të lartë mjeshtërie letrare se shumica e prozatorëve të tjerë sentimentalë të
kohës si Milto Sotir Gurra (1884-1972), Foqion Postoli (1889-1927), Haki Stërmilli (1895-
1953) apo Kolë Mirdita (1900-1936). Mjaft elemente të rrëfimeve të tij i mori nga folklori
toskë, siç i kishte dëgjuar në fëmini dhe i shfrytëzoi për të rikrijuar motive të kthjellëta të jetës
së fshatit me një stil narrativ të gjallë. Leksiku dhe sintaksa e Kutelit janë të përpunuara, kurse
diksioni është i fuqishëm. Temat e fshatit dhe gërshetimi i humorit fshatarak me ngjarjet
tradicionale i bënë rrëfimet e tij të pëlqyeshme nga shtresa të gjera lexuesish gjatë luftës e më
pas. Në disa nga tregimet e tij ndjehet atmosfera e prozës ruse të shekullit të nëntëmbëdhjetë, e
Nikollaj Gogolit (1809-1852) dhe Ivan Turgenievit (1818-1883), të cilët i kishte lexuar dhe
pëlqyer në vitet e rinisë, si dhe e prozatorit rumun Mihai Sadoveanu (1880-1961).
Në fund të Luftës së Dytë Botërore Mitrush Kuteli, tani funksionar në Bankën e Shtetit
Shqiptar, ishte figurë kryesore në letrat shqiptare. Më 15 shkurt 1944, së bashku me Vedat
Kokonën (l. 1913), Nexhat Hakiun (1917-1978) dhe Sterjo Spassen (1918-1989), themeloi
organin e përmuajshëm Revista letrare, e cila pati ndikim me peshë në kulturën shqiptare gjatë
jetës së saj të shkurtër. Ai qe gjithashtu anëtar themelues i Lidhjes së Shkrimtarëve të
Shqipërisë, e ngritur nën drejtimin e Sejfulla Malëshovës (1901-1971) më 7 tetor 1945, dhe
anëtar i redaksisë së organit të parë letrar të pasluftës Bota e re.
Kuteli ia doli të mbesë gjallë gjatë kalimit të pushtetit politik në Shqipëri derisa filloi
terrori i vërtetë më 1947. Në këto vite Partia Komuniste Shqiptare ra nën dominimin jugosllav
dhe Kuteli nuk miratoi bashkimin monetar e doganor të propozuar për t’u bërë midis Shqipërisë
dhe Jugosllavisë. Si anëtar i një delegacioni zyrtar në Jugosllavi, i pritur ndër të tjerë edhe nga
shkrimtari Ivo Andriq (1892-1975), thuhet edhe se ka shprehur qëndrim kritik ndaj ripushtimit
serb të Kosovës, qëndrim që ishte pasqyruar edhe më parë në veprën e tij Poem kosovar, të
botuar më 1944. Me t’u kthyer në Shqipëri, u arrestua e u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg.
Për Kutelin, ashtu si për pjesën më të madhe të shkrimtarëve të fundit të viteve dyzet, jeta ishte
kthyer në makth. Dy vitet e para të burgut (prill 1947 – prill 1949) i kaloi në një kamp pune afër
Korçës, ku të burgosurit bënin punë të detyruar për të tharë kënetën famëkeqe plot mushkonja
të Maliqit. Kushtet e jetës e të punës për të burgosurit qenë të papërfytyrueshme, dhe mes këtij
tmerri Kuteli u orvat të vriste veten. Por me heqjen e ndikimit jugosllav në politikën partiake
shqiptare, përndjekja e hapët ndaj Kutelit ra dhe ai u lirua. U kthye në Tiranë dhe u lejua të
punonte sikundër Lasgush Poradeci dhe një numër intelektualësh të tjerë të dyshimtë, si
përkthyes letrar në shtëpinë botuese shtetërore Naim Frashëri.
Zhdanovizmi, i cili pati depërtuar dhe zotëronte atë pjesë të mbetur të letërsisë shqiptare
në vitet pesëdhjetë, e bëri të përshtatshëm në atë kohë përkthimin e letërsisë ruse, në mënyrë që
të shërbente si model për futjen e realizmit socialist në Shqipëri. Kuteli pranoi në heshtje dhe
bëri disa përkthime të shquara autorësh sovjetikë të njohur si Maksim Gorki (1868-1936),
Aleksej Tolstoi (1882-1945), Konstantin Paustovski (1892-1968), Aleksandër Aleksandroviç
Fadjejevi (1901-1956) dhe Nikollaj Ostrovski (1904-1936). Përveç këtyre shkrimtarëve të
rekomanduar nga këshilltarët kulturorë e politikë sovjetikë, Kuteli arriti të botojë edhe disa përkthime autorësh rusë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, të parapëlqyer prej tij: Nikollaj Gogol,
Ivan Turgeniev, Ivan Krillov (1769-1844) dhe Mihail Salltikov-Shçedrin (1826-1889).
Përveç këtyre përkthimeve të shumta nga rusishtja dhe të tjerave nga rumanishtja (Mihai
Eminesku, Mihai Sadoveanu), nga spanjishtja (Pablo Neruda), dhe nga frëngjishtja (Andre
Morua, Pol Elyar), etj. Kuteli përmendet në veçanti për përshtatjen në prozë të një
përmbledhjeje me poezi popullore shqiptare, ndër to edhe cikli heroik i Mujit dhe Halilit, në
librin Tregime të moçme shqiptare, Tiranë 1965. Gjithashtu arriti të botojë edhe poezi e tregime
për fëmijë, fusha më e parrezikshme për shkrimtarët evropianolindorë në periudhën staliniste.
Një roman me temën e Ilirisë mbeti i papërfunduar. Mitrush Kuteli vdiq nga një krizë zemre në
Tiranë më 4 maj 1967, pa pasur respektin dhe nderin që i takonin njeriut që e kishte bërë
tregimin e shkurtër zhanër popullor në Shqipëri dhe që përndryshe, po të mos e kishte penguar
politika, mund të ishte bërë prozatori kryesor i viteve pesëdhjetë.
Nga prozatorët dytësorë të periudhës së pavarësisë, mund të përmenden sidomos Milto
Sotir Gurra (1884-1972), Foqion Postoli (1889-1927) dhe Haki Stërmilli (1895-1953).
Gazetari dhe tregimtari Milto Sotir Gurra (1884-1972) ka qenë me prejardhje nga
fshati Marjan afër Oparit në krahinën e Korçës. Vitet më krijuese të jetës i kaloi jashtë vendit:
në fillim në Odesë buzë Detit të Zi, kurse më pas në Amerikë, Stamboll, Sofje dhe Konstancë.
Ai bashkëpunoi aktivisht me shumë organe shtypi kombëtare e letrare në mërgim shpesh me
pseudonimet Nomadhi, Gjon Zeza dhe D. Toçkas44. Ndërkaq vetë qe botues apo bashkëbotues
i një numri revistash të tilla si i organit politik e letrar Atdheu të Konstancës më 1912 dhe të
Durrësit më 1914, i së përmuajshmes Shkëndia të Korçës më 1921, i organit satiro-humoristik
Zegthi të Korçës më 1922, dhe i së përdyjavshmes Zëri i popullit të Korçës më 1922. Në këto
organe Gurra botoi tregimet e para, më të mirat e të cilave qenë shkruar gjatë viteve që jetoi në
Rusi. Pjesën më të madhe të jetës Gurra e kaloi në mërgim, dhe kështu e kuptonte fare mirë
vetminë e mërgimtarëve. Prandaj dhe mjaft nga tregimet e tij, të shkruara me një stil narrativ pa
pretendime, pasqyrojnë mallin dhe hidhërimin e shqiptarëve të jugut, të shtrënguar për të lënë
atdheun e për të vajtur në mërgim për punë e jetë më të mirë. Një përmbledhje me njëzet e dy
nga këto tregime u botua me titullin Plagët e kurbetit, Tiranë 1938. Milto Sotir Gurra, sikundër
Mitrush Kuteli më pas, përktheu letërsi ruse, ndër të tjera vepra në prozë të Ivan Turgenievit
(1818-1883), Leon Tolstoit (1828-1910), Anton Çehovit (1860-1904) dhe Maksim Gorkit
(1868-1936).
Romancieri dhe dramaturgu sentimental Foqion Postoli (1889-1927) lindi në Korçë në
një familje tregtare. Studioi dy vjet për tregti në Stamboll ku kishte të afërm, kurse më pas, si
shumë korçarë të kësaj periudhe, emigroi me familjen në Shtetet e Bashkuara, duke u vendosur
në Masaçusets. Atje punoi si sekretar për degën e Federatës ‘Vatra’ në Brokton (Brockton) dhe
bashkëpunoi me organin kryesor të saj, gazetën Dielli të Bostonit, ku u botuan mjaft nga
shkrimet e tij të para. Më 1921, pas një mungese katërmbëdhjetëvjeçare, u kthye në Shqipëri për
të ndihmuar në themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Dy romane dhe një pjesë
teatrale, për të cilat përmendet, u shkruan në Amerikë në vitet 1910-1919 dhe u botuan së pari
në faqet e Diellit.
Romani i parë i Postolit Për mprojtjen e atdheut, 1921, është një krijim tipik në frymën
e romantizmit kombëtar të viteve të fundit të Rilindjes dhe nuk është nga ato që lexohen me
kënaqësi sot. Në këtë histori dashurie sentimentale plot me ideale e virtyte patriotike, fisnikun
mysliman Estref, bir i Rakip bej Frashërit, e shpëton, pasi e godet kali, vasha e krishterë Nica,
me të cilën ai martohet me gjithë kundërshtimet e prindërve të tij myslimanë. Luftërat
ballkanike e detyrojnë Estrefin të largohet për të luftuar kundër grekëve ‘për mprojtjen e
atdheut’, kurse Nica, e mashtruar nga i vjehrri, që i thotë se edhe i shoqi, edhe vajza e sapolindur kanë vdekur, endet si e meruar nëpër male, derisa e mban një bari. Pas sa e sa
aventurash të dy ribashkohen në Shqipërinë e lirë. Tema e birit të beut, që martohet me vajzë
fshatare me gjithë dallimin në fe, kishte qenë trajtuar edhe nga Mihal Gramenoja në tregimin
Oxaku, të botuar më 1909. Në të dyja veprat ideja është e qartë: dallimet klasore e fetare duhen
kapërcyer për të shpëtuar kombin shqiptar, i cili po luftonte kundër turqve dhe grekëve për
pavarësi e bashkim, e për të mbajtur gjallë kulturën e vet.
Romani i dytë i Postolit, Lulja e kujtimit, Korçë 1924, ndonëse vuan nga po ai
artificialitet e cektësi e subjektit, nga pikëpamja artistike është njëfarë hapi përpara për ata që
mund të tresin një sentimentalizëm të tillë. Sidoqoftë, ky rrëfim në dy pjesë i një historie
dashurie e atdhetarie, u bë më popullor dhe është ribotuar disa herë. Në të vërtetë, ishte një nga
romanet shqiptare më të mira të viteve njëzet e tridhjetë. Në romanin Lulja e kujtimit ngjarjet
zhvillohen në Korçë në fillim të shekullit të njëzetë. Është historia romantike e dashurisë së
djaloshit Dhimitër me Olimbinë, të bijën e filogrekut Kristo. Dhimitri është atdhetar i zjarrtë, që
e don gjuhën amtare, lexon libra shqip të ndaluar dhe e shpall hapur identitetin e tij kombëtar.
Olimbisë i flet me entusiazëm: “Po jam i sigurtë se do të vinjë dita, kur Shqipëria të çlirohet nga
thonjt e Turqisë e të Patrikanës. Ajo ditë do të jetë përlindja e kombit shqiptar dhe e gjuhës
sonë.” Tregtari Kristo, pronari i Dhimitrit të varfër, merr në punë si sekretar të vet një grek
tinëzar me emrin Niko. I kënaqur me punën e Nikos, Kristoja i ofron atij dorën e së bijës. Por
Olimbia dashuron vetëm Dhimitrin dhe nuk pranon të martohet me Nikon, çka bën që ky dhe i
ati të kurdisin një rreng për ta hequr qafe djaloshin Dhimitër. Hapin fjalë nëpër Korçë se
Dhimitri është në të vërtetë udhëheqës komit i lidhur me nacionalistët shqiptarë jashtë. I
lajmëruar nga Olimbia për rrezikun e arrestimit nga trupat turke, Dhimitri arratiset nga qyteti
dhe merr rrugën në mes të atij dimri të ashpër për në Manastir. Duke çarë natën nëpër dëborë e
suferinë, heroin tonë e sulmon një lukuni ujqish, që ia hanë kalin. Edhe pse atë vetë e shpëtojnë
komitët shqiptarë të asaj krahine, në Korçë hapet fjalë se Dhimitri është vrarë. Olimbia e
pangushëllueshme humbet kujtesën për gjashtëmbëdhjetë muaj, derisa një ditë sheh një lule,
‘lulen e kujtimit’, që Dhimitri e kishte mbjellë dikur në shenjë të dashurisë së tyre, e cila e
ringjall e i risjell kujtesën. Më pas Dhimitri hyn në Korçë në krye të kryengritësve që luftonin
për çlirimin e Shqipërisë dhe shpëton Olimbinë me të atin nga mashtruesi Niko. Romani
mbyllet me shpalljen e kushtetutës nga xhonturqit, çka i jep mundësi Dhimitrit të kthehet
përfundimisht në shtëpi e të martohet me Olimbinë e dashur.
Flaka e atdhedashurisë që përshkon romanet e Postolit pasqyrohet edhe në pjesët e tij
teatrore e sentimentale: drama e rëndomtë atdhetare Detyra e mëmës, e botuar në Boston më
1925, dhe pjesa me një akt Martesa e një avokati, shkruar më 1927 pak përpara vdekjes, komedi
e pabotuar për mërgimtarët shqiptarë në Nju Inglënd (New England). Edhe veprën Lulja e
kujtimit Postoli e kishte botuar si dramë në vitin 1921. Të gjitha veprat e Foqion Postolit janë po
aq të cekëta e pa peshë, e mund të lexohen vetëm për hir të kohës kur zhvillohen ngjarjet, si
pasqyrim i vonuar i romantikës nacionaliste të kulturës së periudhës së fundit të Rilindjes.
Haki Stërmilli45 (1895-1953) ka qenë një tjetër prozator e dramaturg mjaft sentimental.
Lindi më 7 maj 1895 më Dibër. Shkollën e kreu në Selanik. Ndoqi edhe një shkollë të mesme
në gjuhën turke në Manastir, drejtor i së cilës qe atdhetari shqiptar Bajo Topulli (1868-1930).
Gjatë Luftës Ballkanike të vitit 1913 Stërmilli me gjithë familje u shtrënguan të arratisen nga
Dibra, e pushtuar prej ushtrisë serbe, dhe të gjejnë strehë në Shqipëri. Në fillim u ngulën në
Elbasan e më pas në Durrës. Stërmilli dëshironte të studionte në Evropën Perëndimore, por nuk
mundi, sepse familja e detyroi të martohet me të venë e të vëllait më të madh, të vrarë më 1912.
Në krahinën e Matit gjeti punë si sekretar nënprefekture, kurse më 1918 u bë vetë zëvendës
nënprefekt. Mati ishte vendlindja e çifligarit feudal Ahmet Zogu (1895-1961), që më pas do të bëhej Mbret i Shqiptarvet. Në fillim Stërmilli shkonte mirë me Zogun, meqenëse ishte mësues
i motrave të shumta të tij, princeshave të ardhshme. Më 1920 u emërua sekretar i Ministrisë së
Brendshme në Tiranë, por shumë shpejt u bë armik i betuar i Zogut të etshëm për pushtet. Së
bashku me Avni Rustemin (1895-1924), të adhuruar nga rinia e Shqipërisë për vrasjen e
çifligarit Esad Pashë Toptani (1863-1920) në Paris më 13 qershor 1920, Stërmilli themeloi më
1922 shoqërinë demokratike ‘Bashkimi’, e cila pati përkrahje të gjerë në atë kohë, kur
mbizotëronin trazira politike. Zogu organizoi vrasjen e Avni Rustemit dhe më në fund mori
fuqinë pas rënies së qeverisë së Fan Nolit më 1924. Stërmilli u shtrëngua kështu të largohet nga
vendi, sikundër edhe shumë intelektualë dhe demokratë të tjerë. Pas një viti në Itali e në Francë,
vajti në Bashkimin Sovjetik, ku, gjatë katërmbëdhjetë muajve të qëndrimit atje, u takua me Ali
Kelmendin (1900-1939) e me brezin e parë të revolucionarëve komunistë shqiptarë, që
studionin atje. Nga Bashkimi Sovjetik vajti në Austri dhe bashkëpunoi në Vjenë si gazetar dhe
veprimtar politik kundër regjimit zogist në Shqipëri. Më 19 mars 1929, Stërmilli u kap nga
policia jugosllave dhe iu dorëzua autoriteteve shqiptare, një akt ky që shkaktoi protesta
energjike në qarqet e majta në Evropë. Kongresi i Dytë i Lidhjes Antiimperialiste, i mbledhur
në Frankfurt në pranverë 1929, dërgoi letra e telegrame proteste në Jugosllavi e Shqipëri, të
nënshkruara ndër të tjerë nga shkrimtari francez Anri Barbys (Henri Barbusse, 1873-1935),
fizikani Albert Ajnshtajn (Albert Einstein, 1879-1955), udhëheqësi komunist bullgar Georgi
Dimitrov (1882-1949), social-demokrati japonez Tecu Katajama (1887-1945), filozofi gjerman
Teodor Lesing (Theodor Lessing, 1872-1933), e në veçanti nga Fan Noli (1882-1965). Me
gjithë këto protesta, Stërmilli u dënua në fillim me pesë vjet burg, kurse në gusht 1935 me një
afat të dytë burgimi. Gjatë Luftës II Botërore, mori pjesë në lëvizjen nacional-çlirimtare dhe
kryesoi komitetin ekzekutiv të Këshillit Nacionalçlirimtar në krahinën e vendlindjes Dibër. Pas
marrjes së pushtetit nga komunistët, Stërmilli u zgjodh anëtar i Kuvendit Popullor. Në tetor
1946 u emërua gjithashtu drejtor i Bibliotekës Kombëtare, kurse në tetor 1949 drejtor i Muzeut
të Luftës Nacional Çlirimtare. Haki Stërmilli vdiq më 17 janar 1953 pas një sëmundjeje të gjatë,
duke mbetur autor i tre romaneve, mbi tridhjetë tregimeve, pesë pjesëve teatrale, dy ditareve
dhe dhjetëra artikujve nëpër gazeta.
Më e shquara ndër veprat e Stërmillit është romani Sikur t’isha djalë, Tiranë 1936, i cili
rrëfen në formë ditari përpjekjet e një vajze të re, me emrin Dije Kërthiza, për t’u çliruar nga
prangat e shoqërisë. Dijen nuk e ka lejuar i ati patriarkal, Sula, të vejë në shkollë dhe e ka
mbyllur brenda mureve të shtëpisë gati që në fëmini. Ajo do që të martohet me atë që dashuron,
Shpend Rrëfenë, por dëshira nuk i plotësohet, sepse e martojnë me forcë siç kërkonte i ati, me
një tregtar të pasur e të moshuar, të cilin ajo nuk e do. Ankthi e vuajtjet shpirtërore, bashkë me
sëmundjen që e ka zënë (tuberkulozin), e bëjnë Dijen të hedhë në ditar përsiatjet e saj për
domosdoshmërinë e ndryshimeve sociale në jetën e gruas shqiptare përgjithësisht. Shpresat i ka
mbështetur vetëm tek ardhja një ditë e një udhëheqësi, mbinjeriu migjenian, për t’i çliruar gratë
nga fati i tyre i vajtueshëm.
Si një nga romanet më popullore shqiptare të viteve tridhjetë, Sikur t’isha djalë ishte e
para vepër e rëndësishme në letërsinë shqiptare me temën e emancipimit të gruas. Shumë vajza
shqiptare të kohës u ulën e mësuan shkrim e këndim, siç thuhet, vetëm e vetëm që të mund të
lexonin këtë libër. Ai ishte ndër romanet e para shqiptare në formë ditari, çka i jepte dorë të
shtjellonte karakteret e protagonistëve me një monolog dramatik të fuqishëm. Ndonëse në
përgjithësi bindës në ide dhe i pasur në elemente leksikorë të dialektit të gegërishtes së mesme
të autorit, romani prapëseprapë nuk ka shpëtuar nga shumë dobësi stilistikore, të cilat bëjnë të
mos ngrihet deri në shkallën e një letërsie të madhe. Ai është shkruar me një stil narrativ shumë
realist plot me psherëtima romantike, pasthirrma e mallkime. Me gjithë qëllimin e mirë për ta
nxitur lexuesin që të ndalej e të mendonte për një problem social të rëndësishëm, Stërmilli nuk
ishte në gjendje të kapërcente sentimentalizmin lotndjellës të kohës, të cilin ai e ndihmoi të rrënjosej në letrat shqiptare. Për këtë arsye, Sikur t’isha djalë, revolucion modest për mesin e
viteve tridhjetë, do të vjetërohej shpejt si vepër letrare. Megjithatë, romani u prit me shumë
interes në Kosovën e pasluftës, ku pozita e gruas në shoqëri nga shumë aspekte ngjante me
pozitën e gruas në shoqërinë e Shqipërisë së kohës kur u shkrua romani.
Romani i dytë i Stërmillit, pa ndonjë përmbajtje sociale, ishte po aq sentimental, sa i
pari. Kalorësi i Skënderbeut, Tiranë 1967, i nisur më 1938 dhe i përfunduar më 1950, e që u
botua pas vdekjes sipas një dorëshkrimi me titull Dy zemra, dy shemra, ka kapur temën mjaft të
rrahur të qëndresës shqiptare nën udhëheqjen e Skënderbeut (1405-1468), në veçanti jetën e
heroit dhe luftërat gjatë viteve 1451-1456. Ajo është një legjendë romantike e shndërruar jo pa
vështirësi, në një roman historik, e përsëri plot me sentimentalizëm të papërmbajtur.
Haki Stërmilli gjithashtu botoi sa qe gjallë tri pjesë modeste: pjesën me katër akte
Dibranja e mjerueme, Tiranë 1923, atë me gjashtë akte Dashuni e besnikeri, Tiranë 1923, dhe
atë me pesë akte Agimi i lumnuëshëm, Tiranë 1924, të cilat formojnë një trilogji për historinë e
krahinës së Dibrës gjatë Luftërave Ballkanike të viteve 1912 e 1913. Dy ditaret, ai me 328 faqe
Burgu, Tiranë 1935, për vitet e burgimit në Tiranë nga 1929 deri më 1934, dhe ai i botuar pas
vdekjes Shtigjet e lirisë, Tiranë 1967, për veprimtarinë e tij partizane gjatë Luftës së Dytë
Botërore, janë me interes letrar të kufizuar.
Një shkrimtar tjetër, që i shpëtoi kalimit të përgjakshëm të pushtetit më 1944-1945
pakashumë i padëmtuar e që ia doli të ndjekë karrierën e shkrimeve gjatë periudhës enveriste,
qe Sterjo Spasse46 (1912-1989). Romancier dhe tregimtar, Sterjo Spasse qe me prejardhje
maqedonase; ai lindi më 16 shtator 1914 në Gollomboç, një nga fshatrat maqedonishtfolëse në
brigjet e liqenit të Prespës. Ndoqi shkollën fillore në Korçë dhe të mesmen në Shkollën Normale
të Elbasanit, një nga më të mirat në vend, ku pati për mësues shkrimtarin rilindës Simon
Shutëriqi (1883-1951) dhe gjuhëtarin Aleksandër Xhuvani (1880-1961). Aty në Elbasan filloi
të mësojë gjuhë të huaja dhe të lexojë çdo libër letrar apo filozofik të huaj, që mund t’i binte në
dorë: Fridrih Niçe (Friedrich Nietzsche, 1844-1900), Artur Shopenhauer (Arthur Schopenhauer,
1788-1860), Fjodor Dostojevski (1821-1881), Leon Tolstoi (1828-1910), Gi dë Mopasan (Guy
de Maupassant, 1850-1893), dhe Knut Hamsun (1859-1952) etj. Më 1932 hyri në punë si
mësues, në fillim në fshatin Derviçan në jug të Gjirokastrës. Më pas kreu një kurs kualifikimi
me korrespondencë për mësues në Firence, por nuk arriti të marrë provimin e fundit.
Aty në fshatin e vogël të Derviçanit tetëmbëdhjetëvjeçari Spasse nisi të shkruajë
romanin e parë, dhe kryeveprën e tij, Nga jeta në jetë – Pse!?, Korçë 1935, që përmendet shkurt
vetëm me titullin Pse!?. Kapitujt e parë të kësaj vepre u botuan më 1934 në të përjavshmen
Demokratia të Gjirokastrës, kurse nga 9 gushti 1935 në disa numra të Gazeta e Korçës. Ky
roman doli edhe si libër më vete në fund të vitit 1935 me një parathënie nga Vangjo Nirvana,
pseudonim i Vangjel Koçës (1900-1943). Pse!?, sikundër dhe Sikur t’isha djalë i Haki
Stërmillit, botuar një vit më vonë, është shkruar në formë ditari dhe ka në qendër dilemën
tragjike të një intelektuali të ri në një shoqëri fshatare të prapambetur. Gjon Zaveri është një i
ri inteligjent, që pas studimeve kthehet në fshatin e lindjes. Prindët, duke iu përmbajtur
zakoneve dhe traditave, ngulin këmbë që të martohet me vajzën e zgjedhur prej tyre, fshataren
Afërdita. Gjoni e ndien fare mirë se një martesë e tillë do të ishte një gabim fatal, por pas shumë
mëdyshjesh, ankthesh e lufte shpirtërore, ai pranon pa dëshirë, duke bërë kështu një lëshim e
duke iu nënshtruar pushtetit të traditës e të shoqërisë patriarkale, e njëherazi duke marrë dhe
tatëpjetën e vet.
Pse!? është një vepër nihiliste, ‘roman i mohimit’. Heroi pesimist i tij Gjon Zaveri vuan
gjithë Weltschmerz-in e Verterit të ri të Gëtes, heroi me të cilin ndien afri të madhe shpirtërore.
Në fund, i nënshtruar fatit, Gjon Zaveri mbytet vetë në liqen. Dy javë më pas, në një vëllim të Faustit të Gëtes, gjejnë një letër lamtumire, me të cilën mbyllet romani:
“Më mirë të sundohesh prej sendi të pashpirt, por të dukëshëm, se nga filosofia, që është
një gjë e padukëshme! Më mirë të jesh vrasës me pushkë, se sa vrasës me mëndje. Me
pushkë vret disa njerës, por me mëndje vret nji turmë njerëzish! E dij se librat më
larguan nga jeta edhe filosofia ma humbi ndjenjën si njeri. Për mua dashuri nuk paska
lindur, për mua njëmëndsì nuk qënka krijuar! Kam lindur i tepërtë në këtë Botë, jam
unjur gabimisht në këtë sofrë. Për mua – që kam dashur aqë fort për t’i ndrequr disi të
metat e njeriut, s’ka t’afërmë në këtë Botë, por as që jam vetë i afërmë i vehtes s’ime. Po
tundem si kallam në mes t’Oqeanit dhe shpejt e shpejt dua të zhytem në detin e pafund.
Dhe kam për t’u zhytur, mbassi si i gjallë qënkam, si i vdekur qënkam, për mua është
një!… Asnjeri nuk dua të m’i fali që i quan Bota mëkata, mbassi edhe unë nuk po fal
njeri, sidomos filosofët. Për mbas vdekjes për trupi t’em jam një Dhiogjen. Le të kalbet
atje ku do të përplaset herën e parë, le të shqyhet prej atyre kafshëve, që do ta gjejnë të
parët. Por, në qoftë se njerëzia nuk duron një gjë të tillë e do të dojë për të më kallur në
dhé, atëherë po çfaq një dëshirë: të më varrosin në vetmì, i rrethuar me driza e me
ferra, pa derdhur as lote e as vaje, pa ndarë gjë për shpirt dhe pa mbajtur as zi, sepse
për mua:
‘Bota e Hiçit, prej Hiçit, për Hiçin,
Rrotullohet rreth qëllimit të Hiçit!’
Fshatarët e varrosnë me nderime të mëdha intelektualin e tyre të vetëm, por në vetmì
për mbi një kodër, që sundon fshatin dhe ku fryn era e paqme nga të katër anët, dhe
nënë hijen e njëj trëndafili t’egër është vendosur varri i thjeshtë i të riut. Sipër nuk ka as
emër, as datë e as shenjë, vetëm janë shkruar fjalët e tij të fundit:
‘Bota e Hiçit, prej Hiçit, për Hiçin,
Rrotullohet rreth qëllimit të Hiçit!’
Një i ri që ndoqi gjurmën e filosofëvet”
Me romanin Pse!? dhe me dy përmbledhje tregimesh, shumica sentimentale, Kurorë
rinije, Korçë 1934, dhe Në krahët e një femre, 1934, Sterjo Spassja nisi një roman të dytë, më
ambicioz, në periudhën 1936-1938. Afërdita, Tiranë 1944, është historia e një mësueseje fshati,
Afërdita Skënderaj, e cila lë qytetin e lindjes për t’u sjellë arsim dhe kulturë fshatarëve. Me
gjithë konfliktin e pashmangshëm me pleqtë e fshatit e me autoritetet, e me gjithë peshën e
paragjykimeve, padijes dhe zakoneve të trashëguara, ajo kurrë nuk e humbet besimin në
misionin që kryen. Tema qendrore e Afërditës didaktike nuk ndryshon nga ajo e romanit të parë
të Spasses: intelektuali i vetmuar, që lufton kundër padijes dhe pushtetit të traditës në fshat. Por
Afërdita Skënderaj është heroinë pozitive, që i zgjidh problemet e veta e nuk mbytet në to në atë
mënyrën e përulur e pesimiste të Gjon Zaverit. Ndërkohë që romani Afërdita i ofronte lexuesit
shqiptar një model pozitiv, ai kurrsesi nuk zgjonte aq mendime sa Pse!?, dhe nuk dha ndonjë
ndihmesë të ndjeshme për zhvillimin e romanit shqiptar. Stili narrativ i Spasses, si në këta dy
romane edhe në veprat e mëvonëshme, është elementar dhe pa ndonjë përpunim gjuhësor të
veçantë. Kryesore mbetet ideja.
Kritikët marksistë të pasluftës nuk qenë në gjendje të merreshin me romanin Pse!?, edhe
pse ai mund të quhet si një nga romanet më të mëdha shqiptare të shekullit të njëzetë.
Pesimizmi shopenhauerian dhe Weltschmerz-i binin ndesh me heroin pozitiv që kërkonte
realizmi socialist, prandaj ata e hodhën poshtë veprën thjesht si produkt të shtypjes dhe
vuajtjeve të masave punonjëse në shoqërinë feudo-borgjeze të paraçlirimit. Ai përmendej në publik vetëm për të dëshmuar se ç’përparim kishte bërë Spassja me romanet e mëvonshëm të
realizmit socialist. Nga një pikëpamje thjesht letrare e vërtetë është pikërisht e kundërta. Edhe
pse romani Pse!? është vepër me frymë rinore e një shkrimtari ende të pastërvitur mirë me
mjeshtëri, ky roman i parë bën një kontrast në të mirë të tij me të gjitha veprat klasike të
realizmit socialist që ai krijoi më pas, si: Ata nuk ishin vetëm, Tiranë 1952, Buzë liqenit, Tiranë
1961, dhe Zgjimi, Tiranë 1974 (përkth. angl. The awakening, Tiranë 1980).
Kur kujtojmë masën e tejskajshme të përndjekjeve të gjithë shkrimtarëve dhe
intelektualëve shqiptarë gjatë marrjes së pushtetit nga komunistët dhe gjatë viteve më pas,
bëhemi mjaft kureshtarë për të kuptuar se me çfarë lehtësie Spassja kaloi nga shkrimtar i
paraluftës me frymë niçeane në ithtar i letërsisë socialiste. Më 15 shkurt 1944, nën pushtimin
gjerman, Spassja kishte bashkëthemeluar periodikun Revista letrare, e cila më pas do të
demaskohej si fashiste, e ku deri më 15 gusht të atij viti kishte botuar jo më pak se
pesëmbëdhjetë tregime e fragmente prozash të tjera. Në fundin e vitit 1944, pak pas fitores
komuniste, ai e kishte botuar veprën e tij të parë të realizmit socialist në organin partiak,
gazetën Përpara të Korçës: Si e pashë Tiranën e porsaçliruar47. Mjaft shkrimtarë të tjerë
përparimtarë të së majtës, fjala vjen Petro Marko (1913-1991), pas lufte ose heshtën ose e panë
veten në burg.
Në vitet e para të pavarësisë së Shqipërisë pati një numër të mirë figurash të reja letrare,
që dhanë ndihmesë të shquar, ndonëse jo të vazhdueshme, për zhvillimin e prozës në vitet
njëzetë e tridhjetë.
Politikani Mehdi bej Frashëri48 (1874-1963), kushëri i publicistit dhe politikanit
Mid’hat bej Frashëri (1880-1949), është autori i romanit me frymë romantike, me 144 faqe,
Nevruzi, Tiranë 1923. Lindur në fshatin e famshëm të Shqipërisë së jugut Frashër, më 28 shkurt
1874, Mehdi beu u bë funksionar i lartë në administratën osmane para Luftës së Parë Botërore,
bej në Jerusalem dhe guvernator i përgjithshëm në Palestinë (1911), si dhe zëvendëskomisioner
i lartë në Egjipt (1912). Pas pavarësisë së Shqipërisë, u bë prefekt i qarkut të Beratit, kurse në
gusht 1913 u emërua anëtar i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Pas largimit nga
Shqipëria të princit gjerman Vilhelm Vid (1876-1945), qëndrimi gjashtëmujor i palavdishëm i
të cilit në këtë principatë të rrëmujëshme ballkanase kishte përfunduar më 3 shtator 1914,
Frashëri shkoi në mërgim, te kushëriri Mid’hat beu në Lozanë dhe, pas një orvatjeje jo të mbarë
për t’u kthyer në Shqipëri në mars 1915, vitet e luftës i kaloi në Shën Mitër (ital. San Demetrio
Korone), një ngulim arbëresh në Italinë e jugut. Pas Luftës së Parë Botërore ai u kthye në
Shqipëri si figurë publike, që mbështeste politikën e lidhjeve të ngushta me Italinë. Mbajti poste
politike të ndryshme, ndër ta ministër i brendshëm (1918-1920), anëtar i delegacionit shqiptar
në Konferencën e Paqes në Paris (qershor 1919), ministër i jashtëm (1919), përfaqësues në
Lidhjen e Kombeve në Gjenevë (1923), ministër i ekonomisë (1930-1931), dhe kryeministër
(21 tetor 1935 deri më 7 nëntor 1936). Me gjithë prirjet italofile, Mehdi beu u shpreh kundër
pushtimit të Shqipërisë nga Musolini më 1939 dhe u internua për njëfarë kohe në Romë. Më 22
tetor 1943 u zgjodh në postin e palakmueshëm të kryetarit të të ashtuquajturit këshill i regjencës
nën pushtimin gjerman, post që e pranoi edhe pse simpatizonte më shumë Aleatët sesa Boshtin.
Me fitoren e komunistëve më 1944, Mehdi beu iku në Itali dhe vdiq në Romë më 25 maj 1963.
Romani me 144 faqe Nevruzi, ngjarjet e të cilit zhvillohen në periudhën 1866-1878,
është një vepër me shumë veprim, e shkruar me një stil rrëfimtar të thjeshtë që, megjithë
peripecitë, përmban pak emocion të vërtetë. Studiuesi britanik Stuart Man (Stuart Mann, 1905-
1986), e përshkruan kështu subjektin:
“Nevruzin, një djalosh aristokrat i varfëruar, e ftojnë në dasmën e një fisniku fqinjë, por
nuk ka para për shpenzimet e peshqeshit që i duhet dhënë sipas zakonit. Kur kthehet nga
dasma, i del njëri përpara për gjakmarrje, por ky mposhtet dhe vritet. Miqtë e viktimës
e informojnë Pashanë e tmerrshëm të qarkut për aktin e Nevruzit, dhe ky i fundit
shtrëngohet t’i kalojë ditët në arrati. Pas shumë peripecish mbërrin në Selanik, ku
ndërron emër dhe fshihet. Por meqë kujton se ngjarja është harruar, hyn në punë te një
be i vendit me detyrë për të kapur një hajdut. Më pas i bën bisht një thirrjeje
këmbëngulëse për t’u kthyer në Shqipëri e për të shtypur diku një kryengritje. Duke
pasur ende frikë nga përndjekjet dhe burgu, mbetet në mërgim, dhe ikën në Stamboll.
Por këtu e pikasin, e kapin dhe e burgosin. Me ndihmën e një prifti, të cilin dikur e
kishte shpëtuar nga burgu, ai arratiset, ndërron emrin përsëri dhe bëhet kapiten policie.
Duke qenë i tillë arrin të shpëtojë një vajzë kaukaziane nga haremi i Sulltanit, por e
pikasin përsëri dhe e syrgjynosin në ishullin Rodos për tërë jetën. Vdekja e Sulltanit e
bën Nevruzin të fitojë lirinë, të kthehet në Shqipëri e të martohet. Është koha e
Kongresit të Berlinit më 1878, kur fati i Shqipërisë vihet në fije të perit. Në Shqipëri
kanë filluar të zbarkojnë irredentistë nga Korfuzi, dhe në një përleshje me ta Nevruzi
vritet.”49
Mehdi bej Frashëri gjithashtu botoi një dramë historike në pesë akte me titullin
Tradhëtia, Tiranë 1926, me subjekt nga koha e Skënderbeut, si dhe shkrime mbi ekonominë,
filozofinë, historinë dhe politikën, ndër to edhe një traktat 380 faqesh turqisht për sovranitetin
ligjor të Perandorisë Osmane: Imtiyazat-i ecnebiyenin Tatbikat-i haziresi, Samsun 1907 [A. H.
1325] (Mbi zbatimin e privilegjeve dhe tatimeve të huaja).
Filip Papajani (1878-1945) nga Elbasani, me pseudonimin Lipi, studioi mjekësi në
Rumani, ku, sikundër shumë intelektualë të tjerë shqiptarë, u njoh së pari me lëvizjen
kombëtare. Me t’u kthyer në Shqipëri, shërbeu si mjek, por iu përkushtua mjaft edhe letërsisë.
Papajani qe prozator dhe poet, dramaturg dhe botues, veprat e të cilit pasqyrojnë më shumë
problemet e periudhës së vonë të Rilindjes se ato të viteve njëzet, kur ishte në kulm të energjive
të veta. Botoi gazetën e përjavshme politike e letrare që nuk zgjati shumë, Shkumini, në qytetin
e lindjes Elbasan nga prilli 1921 deri në janar 1922. Kjo gazetë kishte edhe një shtojcë letrare
të quajtur Shkumini letrar, ku patën mundësi të botonin talente të reja të Shqipërisë së mesme.
Papajani përmendet për një numër prozash të gjata, disa prej tyre me temë historike. Ndër to
janë: Pelazgë, qytetnim, vllazni!, 1923; Bardhushi, letra atdhetare, Tiranë 1930; dhe Fatbardhi,
1934. Veç tyre, ai shkroi një pjesë teatrale me titullin Moisi Golemi, 1928, dhe botoi disa
vëllime me vjersha: Osman-Marija, Bukuresht 1913, Vjersha, Korçë 1922, dhe Ndreka, 1925.
Asnjë prej këtyre krijimeve, të botuara kryesisht në revista të viteve njëzet, nuk dëshmon për
ndonjë talent apo mjeshtëri letrare të veçantë. Papajani vdiq në Tiranë më 25 mars 1945.
Prifti jezuit Zef M. Harapi50 (1891-1946) nga Shkodra botoi në fillim romanin
sentimental Pushka e trathtarit, Shkodër 1914, gjatë Luftës së Parë Botërore, në të
përmuajshmen jezuite Përparimi. Pushka e trathtarit është një orvatje e hershme për të shkruar
një roman me frymë romantike. I shkruar me një stil të gjallë por të ngatërruar, ai vë në qendër
hakmarrjen dhe drejtësinë sipas kanunit në malësinë e Shqipërisë së veriut në fillim të shekullit
të nëntëmbëdhjetë. Sikundër mjaft vepra të kësaj kohe në prozë, ky roman 200 faqesh është aq
shumë i ngjeshur me veprim, me imtësi të tepërta e digresione, sa që lexuesi e ka të vështirë të
ndjekë fillin e ngjarjeve. Një roman i dytë i këtij autori, Peng a rob?, u botua numër pas numri në të përmuajshmen jezuite Leka të Shkodrës nga 1930 deri më 1933, dhe nuk përbën ndonjë
hap përpara në krahasim me të parin. Zef M. Harapi, që nuk do ngatërruar me Anton ose Ndue
Harapin (1888-1945), ka qenë edhe autor i dy pjesëve historike: Oso Kuka, 1921, dhe i pjesës
me pesë akte Mustafë Pasha i Shkodrës, Shkodër 1923, që u luajt për herë të parë nga ansambli
Bogdani më 28 nëntor 1923. Zef Harapi kishte studiuar në Kolegjin Saverian në Shkodër, të
themeluar nga jezuitët më 1877, dhe kishte qenë mësues në Pejë, Durrës e më pas në qytetin e
lindjes Shkodër. Përmendet si një bashkëpunëtor i rregullt i revistave periodike shkodrane si
Hylli i Dritës, 1913-1944, Përparimi, 1914-1916, Lajmtari i Zemers t’Jezu Krishtit, 1914-1944,
Leka, 1929-1944 dhe i almanakëve Vepra pijore.
Tregimtari Kolë Mirdita (1900-1936), që përdorte edhe pseudonimin Helenau
(akronimi i emrave Heine dhe Lenau), lindi në Shkodër më 24 janar 1900 dhe studioi në
Fakultetin Juridik të Universitetit të Gracit në Austri. Në vitet njëzet ky universitet kishte
pranuar një numër të mirë studentësh shqiptarë. Sikundër Migjeni dhe Gaspër Pali, Mirdita vdiq
në moshë të re nga tuberkulozi (3 tetor 1936) pa e zhvilluar talentin deri në fund. Helenau
përmendet për tregimet e shkurtra, ndonëse shkroi edhe poezi dhe dy pjesë, ndër to edhe një
tragjedi për vdekjen e Skënderbeut. Poezia dhe nëntë tregimet e shkurtra iu përmblodhën pas
vdekjes në vëllimin modest Trandafila që s’çelin për ne, Tiranë 1959.
Një prozator i së majtës që, ashtu si Sterjo Spasse, nisi të shkruajë e të botojë në vitet
tridhjetë e që vazhdoi karrierën letrare, me bekimin e autoriteteve komuniste, në dekadat e para
të periudhës enveriste ishte Nonda Bulka51 (1906-1972). Lindur në fshatin Leusë të Përmetit,
Bulka studioi në liceun francez të Korçës, ku ka studiuar edhe Enver Hoxha (1908-1985). E
përfundoi atë më 1929 dhe vazhdoi studimet, ashtu si Hoxha, për pak kohë në Francë. U kthye
në Shqipëri në fillim të viteve tridhjetë për të punuar si mësues dhe shumë shpejt do të shfaqte
prirje për letërsi e gazetari.
Bulka bëri emër si publicist e satirik duke trajtuat tema të ndryshme shoqërore, kurse më
pas si tregimtar e poet. Sprovat plot humor e herë-herë me ironi të mprehtë si dhe skicat në
prozë, të botuara me pseudonimin Chri-Chri, u bënë të njohura për kritikën therëse ndaj
kushteve politike e shoqërore nën regjimin e Zogut. Në artikullin e shkurtër Horizonte të reja
për letërsinë kombëtare, të botuar më 1932 në të përmuajshmen e Tiranës Minerva, ai
mundohej të bindë lexuesin se, ndonëse letërsia klasike kishte vendin e vet të paprekshëm në
kulturë, në letërsinë e shekullit të njëzetë ndihej nevoja për diçka të re, që do të pasqyronte
njeriun bashkëkohës dhe aspiratat e tij.
“Në botën e qytetëruar filloi qysh prej kohe revolucioni letrar: një Rolan në Francë, një
Ada Negri në Itali, Mani në Gjermani, Shou dhe Uellsi në Angli, Gorki në Rusi,
Drajzeri dhe Sinkleri në Amerikë, Unamunoja në Spanjë, Tagora në Lindje, janë
flamurtarë të një bote të re, nga e cila duhet zhdukur hipokrizia dhe interesi. Përkthimet
e Dantes dhe të Petrarkës janë xhevahirë të çmuar në letërsinë kombëtare, por atdheu
ynë do të kishte nevojë për vepra më të gjalla, më moderne, më të përshtatshme, se
njerëzit paralelisht me artin, duhet të stërvitin edhe logjikën.”
Kjo pikëpamje për letërsinë ishte krejtësisht e kundërt me atë të shkrimtarit më
tradicional Gjergj Fishta (1871-1940) dhe të shkollës katolike shkodrane, si dhe të mjaft
prozatorëve sentimentalë të romantizmit kombëtar më të vonshëm. Bulka, së bashku me
Migjenin (1911-1938) dhe me veteranin e luftës civile të Spanjës Petro Marko (1913-1991), i
dha kështu tonin letërsisë përparimtare e të angazhuar në Shqipëri në vitet tridhjetë. Skicat e tij të shkurtëra u botuan fillimisht në vëllimin Kur qan e qesh bilbili, Korçë 1934, dhe pas lufte
Bulka u ngrit lart nga kritikët marksistë. Ndonëse ishte një zë kritik i kohës dhe i kulturës që i
përkiste, Nonda Bulka nuk na u prezantua si publicist i madh, ndërsa si talent letrar nuk mund
të lëvdohet. Ndër botimet e tij pas lufte, nga viti 1950 e derisa vdiq, kemi tregime të shkurtra
deri në njëzet faqe dhe poezi, që për nga niveli artistik shkojnë nga niveli mediokër deri tek ai
tmerrësisht i dobët. Ajo zemërata e zjarrtë e Chri-Chrisë që pati në moshën e rinisë shkoi e vate.
Janë tregime artificiale e jobindëse, jo vetëm për mungesë talenti, por sidomos sepse hipokrizia
politike e periudhës enveriste nuk lejonte më kritikë sociale të vërtetë. Një përmbledhje me
krijime të tij është botuar gjithashtu anglisht me titullin Sketches and short stories, Tiranë 1984.
Vedat Kokona (l. 1913), prozator, poet, kritik dhe përkthyes, ka lindur më 7 gusht 1913
në Izmir, Turqi, në një familje të nderuar të shtresës së mesme nga Gjirokastra. I ati Elmaz
Kokona kishte punuar në shërbimin civil osman si avokat. Pak kohë pas shpalljes së pavarësisë
së Shqipërisë, familja Kokona u vendos në Tiranë, ku Vedati ndoqi shkollën fillore. Më pas,
pati fatin e mirë të pranohej në liceun francez në Korçë, një nga shkollat e mesme më të mira
asokohe në Shqipëri. Viteve të kësaj shkolle u përkasin dhe vjershat e tregimet e para të tij. Kur
po kryente këtë shkollë më 1935, Kokona fitoi çmim në një konkurs letrar, çka i dha mundësinë
financiare për të udhëtuar jashtë. Si fryt i udhëtimit atë vit në Itali, Gjermani, Suedi dhe
Danimarkë ishte botimi i ditarit me shënime udhëtimi Nga Tirana në Stokholm, Tiranë 1935,
një nga librat e parë të këtij lloji të botuar në gjuhën shqipe. Po më 1935 Kokona nisi të studiojë
për drejtësi në Paris, ku ndenji deri në fillim të vitit 1939, vite që do të ushtronin një ndikim të
thellë mbi pikëpamjet dhe stilin e prozës së tij. Me t’u kthyer në Shqipëri, punoi si mësues i
gjuhës frënge në po atë shkollë të mesme të Korçës, ku kishte qenë nxënës, dhe botoi një numër
vjershash dhe prozash origjinale në revistën e përmuajshme të Ernest Koliqit Shkëndija. Më
1941 u transferua në gjimnazin e shtetit në Tiranë, ku dha mësim për një vit. Për shkak të
trysnisë politike dha dorëheqjen më 1942 dhe i hyri profesionit të tij të fillimit, avokatisë. Në
shkurt 1944, së bashku me Mitrush Kutelin, Nexhat Hakiun dhe Sterjo Spassen, ai themeloi dhe
kryesoi redaksinë e së përdyjavshmes Revista letrare, jetëshkurtër, por me ndikim në jetën
kulturore, e cila më pas do të damkosej si fashiste. Prejardhja e tij gjirokastrite dhe studimet në
liceun e Korçës, të cilin e kishte kryer në tetor 1930 edhe Enver Hoxha (1908-1985), kanë qenë
ndoshta ato që e shpëtuan nga përndjekjet e drejtpërdrejta gjatë spastrimeve të intelektualëve
pas luftës. Në vitet e para të pasluftës, i padëshirueshëm si avokat, ai iu kthye punës si mësues
i frëngjishtes në një shkollë të mesme në Tiranë, kurse nga 1949 deri më 1965 si përkthyes në
shtëpinë botuese shtetërore Naim Frashëri. Nga 1965 e derisa doli në pension dha frëngjishten
në Universitetin e Tiranës.
Pjesa më e madhe e veprave me interes letrar të Kokonës u botuan gjatë Luftës së Dytë
Botërore. Ndër to janë dy vëllime me poezi: Dritë dhe hije, Tiranë 1939, përmbledhje me
nëntëmbëdhjetë vjersha introspektive dashurie, dhe ai me satira Shtatë prilli, Mussoliniada,
Tiranë 1943. Si prozator, Kokona përmendet kryesisht për vëllimin Yje të këputur, Tiranë 1940,
përmbledhje e shtatë tregimeve me frymë moderniste, që e paraqitnin si një ndër prozatorët më
të talentuar e më origjinalë të viteve të luftës. Në këto rrëfime e në dhjetë tregime të tjera të
botuara veç e veç në revista të kohës, lexuesi ndien lidhjet e autorit me rrymat e prozës franceze
që nga Gystav Floberi (Gustave Flaubert, 1821-1880) e deri te letërsia intelektuale e viteve
tridhjetë. Ndër veprat e mëvonëshme të Kokonës janë romani me dy pjesë Me valët e jetës,
Tiranë 1961, 1965, dhe drama Hijet e natës, Tiranë 1966. Vedat Kokona gjithashtu përktheu
shumë klasikë të letërsisë së përbotshme, si Pier Kornej (Pierre Corneille, 1606-1684), Zhan
Rasin (Jean Racine, 1639-1699), Uilliam Shekspir (William Shakespeare, 1564-1616), dhe
Leon Tolstoi (1828-1910), Maksim Gorki (1868-1936) dhe Xhon Gollsuorthi (John
Galsworthy, 1867-1933), si dhe hartoi fjalorët mjaft të kërkuar frëngjisht-shqip (1966) dhe
shqip-frëngjisht (1977).
Figura ndoshta më interesante ndër prozatorët minorë të periudhës parakomuniste, qoftë
si njeri e qoftë si autor, është Musine Kokalari52 (1917-1983) nga Gjirokastra. Kokalari ka
qenë e para shkrimtare femër në Shqipëri, dhe e vetmja deri në vitet 1960. Lindur më 10 shkurt
1917 në Adana, në Turqinë jugore, në një familje atdhetare dhe politikisht aktive me prejardhje
nga Gjirokastra, Kokalari u kthye në Shqipëri me familjen më 1920. Që në moshë të njomë do
të hidhej pas librave dhe dijes, duke përfituar edhe ngaqë i vëllai Vejsim mbante një librari në
Tiranë në mesin e viteve tridhjetë. Në janar 1938 vajti në Romë për të studiuar letërsi në
universitet dhe e përfundoi atë më 1941 me një studim për Naim Frashërin. Qëndrimi në qytetin
e përjetshëm i çeli një dritare për të parë për pak kohë një botë magjepsëse krijimtarie
intelektuale, dhe synimi i saj i vetëm me t’u kthyer në Shqipëri ishte që të bëhej shkrimtare. Më
1943 i tha një shoqeje: “Dua të shkruaj, të shkruaj, e vetëm të shkruaj letërsi artistike dhe të mos
kem të bëj fare me politikë.” Dhe vërtet, në moshën njëzet e katër vjeç, kishte botuar tashmë një
përmbledhje të parë 80 faqesh me dhjetë rrëfime rinore në prozë, të shkruara në dialektin e
vendlindjes Gjirokastër: Siç më thotë nënua plakë, Tiranë 1941. Kjo përmbledhje historike, e
frymëzuar fuqishëm nga folklori toskë dhe nga mundimet e përditshme të grave në Gjirokastër,
mendohet se është e para vepër letrare e shkruar dhe e botuar nga një grua në Shqipëri. Kokalari
e quajti këtë libër “pasqyrë e një bote të perënduar, shtegu i kapërcimit nga vajzëria në mes të
këngëve, një nusëri për ta hedhur gruan prapë në vargonjtë e rëndë të robërisë së fanatizmit.”
Tre vjet më pas, me gjithë peripecitë e luftës civile, Kokalari, tani njëzet e shtatë vjeç, mundi të
botojë një përmbledhje të vëllimshme me tregime e skica me titull … sa u-tunt jeta, Tiranë
1944, gjithsej 348 faqe. Kjo vepër e afirmoi si shkrimtare me brumë, ndonëse për një kohë të
shkurtër. Një vëllim i tretë me rrëfime me frymë popullore qe Rreth vatrës, Tiranë 1944.
Ndërsa Luftës së Dytë Botërore po i vinte fundi, Kokalari vetë hapi një librari dhe u ftua
të bëhej anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve, të themeluar më 7 tetor 1945 nën kryesinë e Sejfulla
Malëshovës (1901-1971). Gjithë kohën asaj i fanitej ekzekutimi pa gjyq i dy vëllezërve të saj,
Mumtaz dhe Vejsim, më 12 nëntor 1944 nga komunistët dhe haptazi kërkonte drejtësi e
shpagim. Duke pasë qenë e lidhur ngushtë më 1944 me Partinë Socialdemokrate Shqiptare të
sapolindur dhe me organin e saj Zëri i lirisë, ajo u arrestua më 17 janar 1946 në atmosferën e
terrorit, që shoqëroi rënien e Malëshovës, kurse më 2 korrik 1946 u dënua me njëzet vjet
burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si ‘sabotatore dhe armike e popullit’. Tetëmbëdhjetë
vitet e tjera të jetës i kaloi në burgun famëkeq të Burrelit, e veçuar dhe në vëzhgim të
vazhdueshëm, e përndjekur dhe e ngacmuar nga zyrtarët harbutë e të pashkollë të burgut. Grua
e vrarë shpirtërisht, u lirua rreth vitit 1964 dhe e caktuan të punojë fshesare në qytetin e
Rrëshenit. Musine Kokalari, dikur rrëfimtare e talentuar, u përndoq deri në ditët e fundit të
jetës. Ajo vdiq më 14 gusht 1983.
Krijime të tjera modeste në prozë në periudhën e pavarësisë dhanë Lazër Lumezi
(1870-1941) nga Prizreni, autor tregimesh, dramash dhe tekstesh shkollore; ati françeskan
Anton (Ndue) Harapi53 (1888-1946) nga Shkodra, i ekzekutuar në Tiranë më 19 shkurt 1946,
i cili përmendet për romanin e shkurtër Valë mbi valë të botuar në disa numra në revistën Hylli
i Dritës nga 1939 deri më 1942, dhe për veprën në prozë, me 222 faqe e njëzet e dy kapituj
Andrra e Prêtashit, Romë 1959, botuar pas vdekjes; Ismet Toto (1908-1937), botues dhe
prozator nga Progonati i Labërisë; Aliko Vançi, autor i dy romaneve të shkurtra dhe i një
përmbledhjeje me tregime; Andon S. Frashëri (1892-1965), botues i Diellit të Bostonit dhe
autor i romaneve të shkurtër: Patrioti, Korçë 1933, dhe I funtmi i Kastriotëvet, Tiranë 1944;
Llambi Dardha, autor i dy romaneve me temë kombëtare: Kthimi i Skënderbeut në Krujë, Korçë 1929, dhe Dëshmorët e lirisë, Korçë 1933; Dionis Miçaço, publicist dhe gjykatës i
mbajtur në burg nga 1947 deri më 1957; si dhe Mustafa Greblleshi (1922-1986), autor i
romanit sentimental Gremina e dashunis, Tiranë 1944, i cili u burgos për dy vjet më 1947.
Pas shpalljes së pavarësisë në nëntor 1912 proza u zhvillua e u kthye në një gjini që
mund ta quajmë me peshë në letërsinë shqiptare. Megjithatë, krahasuar me letërsinë
Perëndimore, niveli letrar i përgjithshëm në vitet njëzet e në fillim të viteve tridhjetë të kujton
në rastin më të mirë romanin sentimental evropian të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe mjaft nga
letërsia moralizuese e mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, për shembull atë të fillimeve të
Anglisë Viktoriane. Fryma e romantizmit kombëtar të Rilindjes vazhdoi të jehojë në shpirtin e
shumë shkrimtarëve pa mjeshtëri teknike e pa aftësi për të krijuar vepra me nivel të mirëfilltë
artistik.
_____________
37 kr. Guzzetta 1968, Bartl 1973, Gradilone 1969, 1974, f. 230-272, Shêjzat numër përkujtimor 1976, Plasari 1991c, 1996b, S. Schwartz 1992, S. Çapaliku (red.) 1995, dhe A. Berisha 1995.
38 kr. Stadtmüller 1971, f. 55.
39 kr. R. Tocci 1977, 1996.
40 kr. Shuteriqi (red.) 1983, f. 460.
41 kr. Kadare, Ardhja e Migjenit… 1991, f. 39.
42 kr. Jasiqi 1968, Vinca 1974, 1977, f. 7-104, Jorgaqi 1987, f. 89-112, Bashota 1988 dhe Plasari 1995.
43 Mbi lidhjet letrare shqiptaro-rumune, kr. V. Bala 1965.
44 Njihen 22 pseudonime të përdorura prej Milto Sotir Gurrës.
45 kr. Jorgaqi 1960, dhe Rrecaj 1983, 1985, 1987, 1988a, 1988b.
46 kr. B. Krasniqi 1991, dhe I. Spasse 1995.
47 kr. Tönnes 1980, f. 105-109.
48 kr. Koliqi 1973a.
49 kr. Mann 1955, f. 95-96.
50 kr. Koliqi 1973b, dhe Kongoli 1983.
51 kr. M. Gurakuqi 1961, Xhaxhiu 1979, Qosja 1988, f. 252-273, dhe S. Gashi 1995.
52 kr. Mandia 1995.
53 kr. Plasari 1994a.
Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia