10.3 Faik bej Konica, Fan Noli dhe të tjerë me banim në Amerikë
Në vitet e para të shekullit të njëzetë emigrimi në shkallë të gjerë i shqiptarëve kishte
zbuluar një destinacion tjetër përveç Egjiptit dhe Rumanisë: Amerikën e Veriut. Është e vështirë
të datohet se kur zbritën shqiptarët e parë në Amerikë, përderisa kombësia e tyre atëherë nuk
njihej. Kur mbërrinin atje, ata regjistroheshin si qytetarë të Perandorisë Osmane, d.m.th. turq,
ose shqiptarët ortodoksë të jugut si grekë. Në fakt, shumica e mërgimtarëve shqiptarë vërtet
ishin të krishterë ortodoksë nga jugu, sidomos nga krahina e Korçës, të cilët merrnin rrugën e
mundimshme në fillim me tokë drejt Selanikut, Pireut apo Stambollit e pastaj me anije për në
Nju Jork dhe Boston. Ndryshe nga grupet e tjera etnike, vala e parë e mërgimtarëve shqiptarë
nuk kishin ndër mend aspak të qëndronin në Amerikë. Me gratë dhe fëmijët në vendlindje, ata
shpresonin thjesht të gjenin punë për njëfarë kohe sa për të ushqyer e mbajtur familjet në shtëpi
e pastaj të ktheheshin një ditë në Shqipërinë e lirë.
Mërgimtarët më të parë shqiptarë, shumica e të cilëve kishin zbritur në Nju Jork, i
tërhoqi rajoni Nju England (New England). Përveç zonës së Bostonit, ngulime shqiptare për t’u
përmendur në këtë periudhë ishin ato në Uuster (Worcester), Natik (Natick) dhe Sauthbrixh
(Southbridge) në Masaçusets; Brixhport (Bridgeport), Uoterberi (Waterbury) dhe Hartford
(Hartford) në Konetikët; Poutakit (Pawtucket) në Roud Ajlend; Mançester (Manchester) dhe
Konkord (Concord) në Nju Hemshër, dhe Bideford-Sako (Biddeford-Saco) në Mein.
Mërgimtarë të tjerë u ngulën natyrisht në Nju Jork (sidomos në Bronks), Xhejmstaun
(Jamestown) dhe Roçester (Rochester) të shtetit Nju Jork, në Filadelfi (Philadelphia) dhe
Pitsburg (Pittsburgh) të Pensilvanisë, si dhe deri në Detroit, Çikago dhe Sejnt Luis (Saint
Louis). Sa kohë që nuk e quanin veten banorë të përhershëm, shqiptarët nuk kishin ndonjë arsye
të veçantë për të shkuar nga perëndimi, e si rezultat harta e ngulimeve të tyre në Shtetet e
Bashkuara sot është në thelb po ajo që ishte në fillim të shekullit93.
Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në nëntor 1912 e sidomos pas vitit 1920,
mendohet se rreth 10000 shqiptaro-amerikanë u kthyen në atdhe për të ndihmuar në ndërtimin
e një vendi të ri. Me ndihmën amerikane u ngrit administrata shtetërore dhe u hapën shkolla, si
Shkolla Teknike Amerikane në Tiranë, Shkolla shqiptaro-amerikane bujqësore dhe ekonomike
në Kavajë si dhe Instituti Kyrias ose Qiriazi për vajza në Tiranë. Por, për fshatarin e zakonshëm
shqiptar, pavarësia nuk solli ndonjë përmirësim të madh as në nivelin e jetesës e as në liritë
politike, e si pasojë mërgimi vazhdoi pa ndërprerje deri në Luftën e Dytë Botërore. Mërgimtarët
e kësaj vale të dytë, përsëri shumica nga jugu, veçse tani më shumë myslimanë, morën familjet
me vete kësaj radhe me synimin për t’u ngulur atje njëherë e përgjithmonë. Sot numri i
shqiptaro-amerikanëve vlerësohet nga 70000 deri në 220000.
Shoqëritë dhe institucionet e para kulturore të bashkësisë shqiptaro-amerikane lindën në
fillim të shekullit të njëzetë. Ndër to qenë shoqata Malli i mëmëdheut në Buffalo, Nju Jork,
(1906) e themeluar nga Petro Nini Luarasi (1865-1911), Koha e lirisë në Nju Jork (1906), Besa-
Besën në Boston (1907), Lidhja në Sent Luis (1907), dhe shoqatat Katundi (1908) e Panariti në
Boston, këto dy të fundit me emrat e fshatrave nga vinin anëtarët. Më 28 prill 1912, pas disa
muaj bisedimesh, këto shoqata u bashkuan për të formuar Federatën Panshqiptare të Amerikës
Vatra, me seli në Boston. Me degët e veta në të gjithë vendin federata Vatra shpejt erdhi e u vu,
si grup politik lobist, në shërbim të pavarësisë së Shqipërisë e më pas si zë i interesave të
Shqipërisë jashtë saj. Ajo ushtroi mjaft ndikim edhe brenda vetë Shqipërisë. Gazeta e parë në
gjuhën shqipe Kombi ishte themeluar në Boston më 15 qershor 1906. Kjo e përjavshme, e
drejtuar nga Sotir Peci (1873-1932), jetoi tre vjet dhe u zëvendësua më 1909 nga Dielli i
Bostonit, i themeluar nga shoqëria Besa-Besën, një organ që nga 2 mai 1912 erdhi “nën
kontrollin moral të Federatës së Shqiptarëve të Amerikës Vatra”. Ndër figurat kryesore që
dhanë ndihmesë për të forcuar bashkësinë e shqiptarëve në Amerikën e Veriut në ato vite të
para ishin Faik bej Konica (1875-1942), Fan Noli (1882-1965), Sotir Peci (1873-1932), Kristo
A. Dako (1878-1941) dhe Kostantin A. Çekrezi (1892-1959).
Nga të gjithë shkrimtarët dhe publicistët shqiptarë në zgrip të shekullit më i shquar ka
qenë sigurisht Faik bej Konica94 (1875-1942). Ai lindi në prill 1875 në qytetin e vogël Konica
në malet e Pindit, jo larg nga kufiri shqiptar i tanishëm. Pasi kreu shkollën fillore turqishte në
vendlindje, ai studioi në Kolegjin Jezuit Saverian të Shkodrës, edhe pse vinte nga nga familje
myslimane. Atje mori jo vetëm shkollim në gjuhën shqipe, por edhe kontaktin e parë me
kulturën e Evropës qendrore e me idetë Perëndimore. Prej andej vajti dhe ndoqi shkollën e
mesme perandorake të Gallatës në gjuhën frënge, në Stamboll. Më 1890, pesëmbëdhjetë vjeç,
u dërgua për studime në Francë ku bëri shtatë vjet. Pasi ndoqi në fillim shkollat e mesme në
Lisjë (Lisieux, 1890) dhe Karkason (Carcassonne, 1892), u regjistrua në Universitetin e
Dizhonit, të cilin e kreu më 1895 për filologji romane. Pastaj vajti në Paris, ku për dy vjet
studioi frëngjishten mesjetare, latinishten dhe greqishten në Collège de France. Studimet i
përfundoi në Universitetin e Harvardit në Shtetet e Bashkuara, ndonëse pak gjëra dihen për këtë
periudhë të jetës së tij. Nga shkollimi jashtëzakonisht i larmishëm që mori, ai qe në gjendje të
fliste e të shkruante rrjedhshëm shqipen, italishten, frëngjishten, gjermanishten, anglishten dhe
turqishten. Qëndrimi në Francë, vend me tradita liberale demokratike të hershme, do të kishte
një ndikim të thellë mbi Konicën, i cili arriti të përvetësojë e t’i bëjë të vetat modelet e mendimit
Perëndimor si asnjë intelektual shqiptar para tij. Djaloshit Konica i la mbresa të thella sidomos
liria e pakufizuar e shtypit frëng në vitet e debatit të hapur e të ashpër për çështjen Drefys
(Alfred Dreyfus, 1859-1935). Pikërisht në këto vite atij iu ngjall interesi për gjuhën amtare e për
historinë e letërsinë e vendit të vet dhe nisi të shkruajë artikuj për Shqipërinë në një gazetë
franceze. Më 1897 u shpërngul në Bruksel, ku në moshën njëzetedyvjeçare më 25 mars 1897
botoi numrin e parë të organit Albania, i cili pas pak do të bëhej organi më i rëndësishëm i
shtypit shqiptar në zgrip të shekullit. Më 1902 u shpërngul në Londër dhe vazhdoi ta botojë atje
revistën deri më 1909. Në Londër u miqësua me poetin dhe kritikun francez Gijom Apoliner
(Guillaume Apollinaire, 1880-1918). Në vjeshtë të vitit 1909 Faik Konica mërgoi në Shtetet e
Bashkuara. Ndalesa e parë qe Bostoni, ku së bashku me Fan Nolin, më 1909 themeloi gazetën
Dielli, dhe më tej u bë botuesi i saj. Dielli qe organ i Federatës së rëndësishme panshqiptare
Vatra të Bostonit, sekretar i përgjithshëm i së cilës Konica u bë më 1912. Ai nxori gjithashtu
një organ tjetër jetëshkurtër, të përdyjavshmen Trumbeta e Krujës në Sent Luis, Misuri, që doli
vetëm në tre numra më 1911. Më 1912 vajti në Londër në emër të federatës Vatra për të mbrojtur interesat e Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve. Kjo konferencë e mbajtur në
vjeshtë të atij viti, do të merrte në shqyrtim çështjen e njohjes së shtetit të sapolindur shqiptar,
i cili kishte shpallur pavarësinë nga Perandoria Osmane më 28 nëntor 1912. Më 17 dhjetor 1912
ambasadorët pranuan të njohin autonominë e Shqipërisë, ndonëse fillimisht ajo të vazhdonte
nën suzerenitetin e Sulltanit. Në ditët e para të marsit 1913, Konica pasi ishte grindur me Ismail
Qemal bej Vlorën dhe pasi në fillim kishte përkrahur qeverinë e Esad pashë Toptanit (1863-
1920), foli para treqind delegatëve në Kongresin Shqiptar të Triestes, të mbledhur për të
diskutuar për fatin e vendit gjatë anarkisë politike të shpejtuar nga Luftëra Ballkanike. Ai u
zhgënjye nga politika e Austro-Hungarisë, të cilën më parë e kishte mbështetur, kur u bë e qartë
se Vjena qe e interesuar vetëm për përcaktimin e kufirit verior të Shqipërisë dhe kur qyteti i tij
i lindjes Konica iu dha Greqisë. Në prill 1914 Faik Konica u dërgua nga qeveria e dobët e Esad
pashë Toptanit për të përfaqësuar Shqipërinë si konsull i përgjithshëm në Uashington. Por pas
pak kohe do të kthehej në Evropë dhe me fillimin e Luftës së Parë Botërore do të vendosej në
Austri (Vjenë, Feldkirh dhe Baden). Këtu, në atë atmosferë të nderë politike të krijuar nga lufta,
u përhapën fjalë se spiunonte për Italinë dhe, kështu, u detyrua të lërë perandorinë austrohungareze
në coptim e sipër e të shkonte në Zvicrën asnjanëse. Në Lozanë u takua me Mid’hat
e Mehdi Frashërin, kurse më 2 nëntor 1915 botoi atje një traktat me titullin L’Allemagne et
l’Albanie (Gjermania dhe Shqipëria), në të cilin i kundërvihej mbështetjes që Gjermania i kishte
dhënë një propozimi për ndarjen e Shqipërisë midis grekëve dhe sllavëve. Në mars 1916 e
shohim në Sofje me Dervish Himën, kurse në korrik të atij viti përsëri në Baden të Austrisë. Më
pas u shtrëngua të ikë nga Austria përsëri, kësaj radhe në Itali për shkak të kritikave të tij
kundër politikës së Austrisë dhe Gjermanisë ndaj Shqipërisë e për shkak se për këtë, autoritetet
austriake e trajtonin si të dyshimtë. Më 1921, përsëri në Shtetet e Bashkuara, ai u zgjodh kryetar
i federatës Vatra të Bostonit dhe rimori drejtimin e gazetës Dielli, ku tani ai mbante rubrikën e
tij Shtylla e Konitzës. Në verën e viti 1926, Faik Konica u emërua ambasador i Shqipërisë në
Shtetet e Bashkuara nga diktatori Ahmet Zogu (1895-1961), detyrë që e mbajti deri në
pushtimin e vendit nga Italia në pashkët e vitit 1939. Vdiq në Uashington më 15 dhjetor 1942
dhe u varros në varrezat Forest Hills në Boston95.
Faik Konica për fat të keq shkroi pak letërsi të mirëfilltë, por si stilist, kritik, publicist
dhe figurë politike, pati një ndikim të fuqishëm në shkrimet dhe kulturën shqiptare të atyre
viteve. Me shkrimet e shumta të Albania, e botuar frëngjisht dhe shqip nën pseudonimin Thrank
Spirobeg, jo vetëm bëri që kultura dhe çështja shqiptare të njihen në Evropë, por edhe hapi
rrugën për zhvillimin e mëtejshëm të prozës letrare në dialektin toskë. Nga një pjesë e mirë e
opinionit ajo trajtohet si periodiku më i rëndësishëm shqiptar para Luftës së Dytë Botërore. Nga
faqet e këtij organi, botimit të të cilit Faik Konica nuk iu nda për dymbëdhjetë vjet, u bënë të
njohur për herë të parë për publikun e gjerë shkrimtarë si Thimi Mitko (1820-1890), Kostandin
Kristoforidhi (1830-1895), Andon Zako Çajupi (1866-1930) dhe Gjergj Fishta (1871-1940).
Albania96, e financuar deri diku nga autoritetet austro-hungareze nën kujdesin e
Kultusprotektorat-it dhe duke marrë shpeshherë anën austriake, përmbante artikuj dhe
informacione për një gamë të gjerë fushash: histori, gjuhë, letërsi, folklor, arkeologji, politikë,
ekonomi, fe dhe art, dhe si e tillë ajo përbën një enciklopedi të vogël të kulturës shqiptare të
kohës. Konica e çmonte këmbimin e lirë të ideve dhe shtyllat e Albania-s i vuri edhe në
dispozicion të rivalëve të vet, të cilëve u kundërvihej duke i thumbuar me zgjuarsi. Në fushën
e letërsisë ai kritikonte shpërthimet nacionaliste shpesh vulgare për virtytet e larta të shqiptarëve dhe bënte thirrje për një qëndrim më realist e më kritik ndaj vendit të vet me të gjitha të metat
e tij. I mbrujtur me kulturë perëndimore, ai e ndiente të vështirë të çmonte poetët e hershëm
romantikë kombëtarë si Naim Frashëri, idealet dhe shijet e të cilëve kishin mbetur prapa nga
koha, dhe për më tepër poezia e tyre, sipas mendimit të tij, ishte e papërpunuar. Me shprehjen
e zjarrit patriotik, si mund të krahasoheshin ata me nivelin e lartë letrar e artistik që kishte
ndeshur në Francë, me shkrimtarë si Verleni, Bodleri dhe Apolineri? Sarkazma therëse me të
cilën ai shprehte intransigjencën e vet kundrejt naivitetit të bashkatdhetarëve e kundrejt shumë
tabuve të kulturës dhe historisë shqiptare lëshoi një fllad të freskët në kopshtin e letrave
shqiptare. Konica u përpoq për një kulturë më të përpunuar perëndimore në Shqipëri, por ai
vlerësonte edhe traditat e vendit. Ai, për shembull, ishte një nga të parët që propagandoi idenë
e botimit të teksteve të letërsisë së vjetër shqipe. Në një artikull me titullin Për themelimin e një
gjuhës letrarishte shqip, të botuar në numrin e parë të Albania-s, Konica gjithashtu theksonte
nevojën e krijimit të një gjuhe letrare të njësuar. Ai sugjeronte zgjidhjen më të kuptueshme, që
të dy dialektet kryesore, toskë e gegë, të të shkriheshin e të njësoheshin shkallë-shkallë. Stili i
tij i rrjedhshëm, bashkë me atë të Fan Nolit, ndikoi mjaft në përsosjen e prozës në toskërishte,
e cila dekada më vonë do të përbënte bazën e gjuhës së sotme letrare. Lidhjet e Konicës me
regjimin e Zogut në vitet e mëvonëshme do të sillnin një farë ftohjeje e largimi ndër shumë
intelektualë shqiptarë, dhe qe pikërisht kjo rrethanë më fort se gjithçka tjetër që e bëri ndikimin
e tij mbi letërsinë dhe kulturën shqiptare të nënçmohet e të mos përfillet nga kritikët e pasluftës
në Tiranë. Komentet dhe polemikat e tij sarkastike në Albania e gjetiu, dhe karakteri zemërak
e arrogant i tij shpesh e penguan të bëhej i dashur për këdo97, por spontaneiteti dhe përsosmëria
e prozës së tij pranohen e adhurohen nga të gjithë.
Megjithatë, duhet thënë se krijimtaria letrare e paktë dhe karakteri i saj fragmentar ishin
ato që i bënë shumë bashkatdhetarë të qaheshin e të ankoheshin për të sa ishte gjallë. Përveç një
numri të madh artikujsh e të tjerë për çështje të politikës, gjuhës, letërsisë dhe historisë,
shumica e të cilëve dolën në Albania e vogël, shtojcë e përdyjavshme e Albania-s, që u botua
me radhë në dialektet toskërisht e gegërisht nga 1899 deri më 1903, Konica ka shkruar edhe një
vepër tjetër, që mund të quhet roman, ndonëse nuk arriti ta përfundojë. Është vepra satirike Dr.
Gjëlpëra zbulon rënjët e dramës së Mamurrasit, ku ai bën disa vrojtime të këndshme therëse
për prapambetjen dhe nivelin e ulët të higjienës së bashkatdhetarëve të tij. Prejardhjen Dr.
Gjilpëra e ka nga një ngjarje historike. Më 1924 dy turistë amerikanë u vranë pranë fshatit
Mamurras, thuhet se nga njerëz të Ahmet Zogut. Përballë një proteste të qeverisë amerikane,
qeveria shqiptare, tani nën kryesinë e Fan Nolit, i nxori të pandehurit në gjyq dhe i dënoi me
vdekje më 18 dhjetor 1924. Për qeverinë e Nolit, ndërkaq, Konica kishte mendimin se ishte
treguar tepër e butë me vetë Zogun. Ai nisi të botojë Dr. Gjëlpëra në disa numra njëri pas tjetrit
në gazetën Dielli të Bostonit më 1924. Kur vitin tjetër Konica u pajtua me përfaqësuesit e
Zogut, botimi u ndërpre. I vetmi libër i Konicës i botuar në gjuhën shqipe është një përkthim
përrallash arabe nga ‘Një mijë e një netët’, me titullin Nën hien e hurmave, Boston 1924. Në
Dielli nga viti 1929 e këndej botoi edhe përshkrimet e tij të udhëtimit nëpër Shqipëri, një seri
shkrimesh nën titullin Shqipëria si m’u-duk, në të cilat ai nuk druhet e nuk kursehet të
fshikullojë lloj-lloj tipash e karakteresh që kishte ndeshur atje: burokratë, karrieristë, aristokratë
të rënë nga vakti etj. Pjesë të zgjedhura nga vepra e tij iu botuan pas vdekjes në anglishte nga
Qerim M. Panariti në vëllimin 175-faqesh Albania, the rock garden of south-eastern Europe
and other essays, Boston 1957 (Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës juglindore dhe shkrime
të tjera).
Fan Noli98 (1882-1965), ose Theofan Stilian Noli, nuk ishte vetëm udhëheqës i spikatur
i bashkësisë shqiptaro-amerikane, por edhe figurë e shquar dhe e shumanshme e letërsisë,
kulturës, jetës fetare dhe politikës shqiptare. Noli ka lindur në fshatin Qytezë (turq. Ibrik Tepe),
në jug të Edrenesë, në Turqinë Evropiane, më 6 janar 1882. I ati, Stilian Noli, një fetar i shquar
dhe psalt në korin e kishës e kish ushqyer të birin me dashuri për muzikën dhe traditën bizantine
të kësaj kishe. Fan Noli ndoqi shkollën e mesme greke në Edrene, dhe më 1900, pas një
qëndrimi të shkurtër në Stamboll, u vendos në Athinë, ku mundi të gjejë punë të rastit e me
pagë të ulët si kopist, sufler apo aktor. Me njërën nga shoqëritë teatrore shetitëse që shkonte
nëpër ngulimet greqishtfolëse në Mesdheun lindor Noli mbërriti për herë të parë në Egjipt.
Duke e lënë shoqërinë teatrore në Aleksandri, gjeti punë nga marsi 1903 deri në mars 1905 si
mësues i greqishtes dhe psalt i korit kishtar në Shibin el Khom, kurse nga marsi 1905 deri në
prill 1906 në El Faiyum, ku ishte ngulur një koloni e vogël shqiptare. Këtu ai shkroi një numër
artikujsh greqisht dhe përktheu greqisht veprën e Sami Frashërit Shqipëria – Ç’ka qënë, ç’është
e ç’do të bëhetë?, të cilat u botuan në shtypshkronjën shqipe në Sofje. Në Egjipt Noli u njoh më
tej me traditat e muzikës bizantine me ndihmën e murgut Nilos, dhe aq shumë e tërhoqi ajo,
saqë vendosi të bëhej edhe vetë prift ortodoks. Ai gjithashtu erdhi e u lidh me udhëheqës të tillë
të bashkësisë shqiptare si Spiro Dine (1846?-1922), Jani Vruho (1863-1931) dhe Athanas
Tashko (1863-1915), të cilët e nxitën të emigronte në Amerikë, ku mund të zhvillonte më mirë
talentin. Djaloshi Noli pranoi.
Në prill 1906, me një biletë avulloreje të klasit të dytë, të paguar nga Spiro Dinia, Fan
Noli u nis për në Botën e Re duke kaluar nga Napoli dhe mbërriti në Nju Jork më 10 maj. Pas
tre muajsh në Buffalo, ku punoi në një sharrë, Noli vajti në Boston. Atje botuesi Sotir Peci
(1873-1932) i dha një punë me pagë minimale si zëvendësredaktor i gazetës së Bostonit Kombi,
ku punoi deri në maj 1907 e ku botoi artikuj me pseudonimin Ali Baba Qyteza. Gjatë këtyre
muajve të vështirë nga ana financiare, Noli nuk po mësohej dot me Amerikën dhe po mendonte
seriozisht të emigronte në Bukuresht. Por pak e nga pak u lidh ngushtë me bashkësinë shqiptare
dhe më 6 janar 1907 bashkëthemeloi shoqërinë Besa-Besën në Boston.
Në këtë kohë, shqiptarëve ortodoksë të Amerikës po u humbte durimi nga kontrolli grek
mbi kishën. Gjendja u bë e nderë dhe arriti kulmin më 1907, kur një prift ortodoks grek nuk
pranoi të bëjë meshën në një ceremoni varrimi të një shqiptari në Hudson, Masaçusets, për
arsye se i ndjeri, si nacionalist, kishte qenë vetvetiu i shkishëruar. Noli e ndjeu detyrën dhe
thirri një mbledhje të shqiptarëve ortodoksë nga mbarë Nju Englandi, ku delegatët morën
vendim të themelonin një Kishë Ortodokse Shqiptare Autoqefale, pra autonome, me Nolin si të
parë. Më 9 shkurt 1908, në moshën njëzetegjashtë vjeç, Fan Noli u bë dhjak në Bruklin, kurse
më 8 mars 1908 Platoni, kryepeshkopi ortodoks rus i Nju Jorkut, e shuguroi prift ortodoks.
Vetëm dy javë më pas, më 22 mars 1908, djaloshi Noli mbajti kryelartë liturgji në gjuhën
shqipe për herë të parë, në Sallën ‘Knights of Honor’ në Boston. Ky akt përbënte hapin e parë
drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale.
Nga shkurti 1909 deri në korrik 1911 Noli botoi gazetën Dielli, tribunë e bashkësisë
shqiptare të Bostonit. Më 10 gusht 1911 u nis për në Evropë ku, për katër muaj kreu shërbesa
kishtare në gjuhën shqipe për kolonitë në Kishinjev, Odesë, Bukuresht dhe Sofje. Bashkë me
Faik bej Konicën, i cili erdhi në Shtetet e Bashkuara më 1909, ai themeloi më 28 prill 1912
Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës, e cila shumë shpejt do të bëhej organizata më e
fuqishme dhe më e rëndësishme e shqiptarëve në Amerikë. Tani, Fan Noli ishte bërë i njohur si
udhëheqës i bashkësisë ortodokse shqiptare dhe si shkrimtar e gazetar i afirmuar i lëvizjes
kombëtare. Në nëntor 1912 Shqipëria u shpall e pavarur, kurse Noli tridhjetëvjeçar, pasi kishte mbaruar Universitetin e Harvardit, u kthye me ngut në Evropë. Në mars 1913, ndër veprimtari
të tjera, ai ndoqi Kongresin Shqiptar të Triestes, i organizuar nga shoku dhe rivali i tij Faik
Konica.
Në korrik 1913 Fan Noli vizitoi Shqipërinë për herë të parë, dhe këtu më 10 mars 1914,
kreu të parën shërbesë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në këtë vend, në prani të princit
Vilhelm Vid, i cili kishte zbritur në Durrës vetëm tri ditë më parë me një anije austrohungareze.
Në gusht 1914 Noli vajti për herë të parë në Vjenë, por meqë retë e zeza të luftës po
bëheshin më të dendura, u kthye në maj 1915 në Shtetet e Bashkuara. Nga 21 dhjetori 1915 e
deri më 6 korrik 1916 ai qe përsëri kryeredaktor i Diellit të Bostonit, tani gazetë e përditshme.
Në korrik 1917 ai u bë përsëri president i Federatës Vatra e cila, përballë gjendjes së
rrëmujëshme dhe zbraztësisë politike në Shqipëri, zuri ta shohë veten si njëfarë qeverie
shqiptare në mërgim. Në shtator 1918 Noli themeloi të përmuajshmen në gjuhën angleze The
Adriatic Review, e cila u financua nga Federata për të përhapur informacion për Shqipërinë e
për të propaganduar çështjen e saj. Këtë organ, për gjashtë muajt e parë e redaktoi Noli dhe më
pas, më 1919, Kostandin Çekrezi (1892-1959). Me fondet e Vatrës të mbledhura nën drejtimin
e Nolit, delegatët shqiptaro-amerikanë u dërguan në Paris, Londër dhe Uashington për të
propaganduar për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Shqipërisë. Më 24 mars 1918, Noli u
emërua administrator i Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara, kurse në fillim të
korrikut të atij viti ndoqi një konferencë të popujve të shtypur në Mount Vernon, Virxhinia, ku
u takua me presidentin Vudro Uillson (Woodrow Wilson, 1856-1924), mbrojtës i të drejtave të
pakicave në Evropë. Më 27 korrik 1919 Noli u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare
në Amerikë, në këtë kohë përfundimisht një dioqezë e pavarur. Vitin tjetër, me qenë se figura
e tij si udhëheqës politik e fetar i bashkësisë shqiptare, dhe talenti i tij si shkrimtar, orator dhe
komentator politik ishte rritur mjaft, ishte shumë në vend që ai të zgjidhej kryetar i delegacionit
shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Në këtë aktivitet Noli doli fitimtar me pranimin e
Shqipërisë më 17 dhjetor 1920. Me të drejtë Noli e shihte pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e
Kombeve si arritjen më të madhe politike të tij. Antarësia në këtë organizatë i dha Shqipërisë
për herë të parë njohje ndërkombëtare dhe, po të kthejmë sytë prapa, ishte pa dyshim më e
rëndësishme se shpallja e pavarësisë më 1912 nga Ismail Qemal bej Vlora. Në një koment më
23 korrik 1924, gazeta The Manchester Guardian e cilësonte Nolin si “një burrë që në çdo vend
do të ishte i shquar. Diplomat i përkryer, specialist për politikën ndërkombëtare, polemist i zoti,
që në fillim ai la mbresa të thella në Gjenevë. Ai i rrëzoi të gjithë kundërshtarët e tij ballkanas
me një mënyrë mjeshtërore, por gjithmonë me buzë në gaz. Njeri me kulturë të gjerë, që ka
lexuar çdo gjë që ia vlen të lexohet në anglishte dhe frëngjishte”. Suksesi i Nolit në Lidhjen e
Kombeve e përcaktoi atë një herë e mirë si figurë udhëheqëse në jetën politike shqiptare. Nga
Gjeneva u kthye në Shqipëri, dhe nga 1921 deri më 1922 përfaqësoi Federatën Vatra në
parlamentin shqiptar. Më 1922 u emërua ministër i jashtëm në qeverinë e Xhafer bej Ypit
(1880-1940), por dha dorëheqjen disa muaj më pas. Më 21 nëntor 1923, Noli u shugurua
peshkop i Korçës dhe mitropolit i Durrësit. Tani ai qe edhe kreu i Kishës Ortodokse në
Shqipëri, edhe udhëheqës i një partie politike liberale, opozita kryesore kundër forcave
konservatore të Ahmet Zogut (1895-1961), të cilat mbështeteshin kryesisht nga çifligarët
feudalë dhe klasa e mesme. Më 23 shkurt 1924 Zogut iu bë një atentat në parlament, kurse pas
dy muajsh, më 22 prill 1924, deputeti dhe personaliteti kombëtar Avni Rustemi (1895-1924) u
vra, thuhet se nga forcat zogiste. Në varrimin e Rustemit, Fan Noli mbajti një ligjëratë të zjarrtë
që e ndezi aq fort opozitën liberale, saqë Zogu u shtrëngua të arratiset në Jugosllavi në kohën e
asaj periudhe që quhet Revolucioni i Qershorit.
Më 17 qershor 1924 Fan Noli u shpall zyrtarisht kryeministër dhe pas pak kohe regjent
i Shqipërisë. Gjatë gjashtë muajve, ai drejtoi një qeveri demokratike, e cila u mundua me mish
e me shpirt të përballonte problemet politike dhe ato ekonomike të shtetit të ri shqiptar që ishin tej mase të rënduara. Por programi i tij njëzetpikash për modernizimin dhe demokratizimin e
Shqipërisë, përfshirë reformën agrare, doli se qe tepër i nxituar e tepër idealist për një vend të
prapambetur e pa tradita parlamentare. Në një letër dërguar një miku anglez, ai do të shënonte
më vonë arsyet e dështimit të tij: “Duke ngulur këmbë për reformat agrare, unë ndeza
zemërimin e aristokracisë çifligare. Duke mos i kryer ato, humba mbështetjen e masave
fshatare”. Me rrëzimin e qeverisë së tij nga forcat zogiste në prag të Krishtlindjeve 1924, Noli
u largua përgjithmonë nga Shqipëria dhe kaloi disa muaj në Itali me ftesë të Benito Musolinit
(1883-1945). Kur Duçja në fund arriti marrëveshje me Zogun për koncesionet e naftës në
Shqipëri, Noli dhe ndjekësit e tij e kuptuan se prania e tyre në Itali nuk qe më e dëshirueshme.
Më pas Noli kaloi disa vjet në Evropën qendrore, kryesisht në Gjermani dhe Austri. Në nëntor
1927 vizitoi Rusinë si delegat ballkanas në Kongresin e ‘Miqve të Bashkimit Sovjetik’ në
kremtim të dhjetëvjetorit të Revolucionit të Tetorit, kurse më 1930, pasi mori një vizë
gjashtëmujore, u kthye në Shtetet e Bashkuara. Përsëri në Boston, Noli themeloi të përjavshmen
Republika, që vetë me emrin e saj i bënte një kundërshtim të hapur Ahmet Zogut, i cili më 1
shtator 1928 e kishte shpallur veten Zog I, Mbret i Shqiptarvet. Republika u botua edhe si
opozitë ndaj Diellit, që tani e kishte në dorë Faik Konica, i cili ishte pajtuar me mbretin Zog dhe
ishte bërë ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Uashington. Pas gjashtë muajsh Noli u shtrëngua
të kthehej në Evropë me përfundimin e afatit të vizës, kurse Republikën e tij e mori në dorë
Anastas Tashko, deri sa u mbyll më 1932. Me ndihmën e disa ndjekësve të tij ai ia doli të
kthehej nga Gjermania në Shtetet e Bashkuara më 1932, kur iu dha edhe lejeqëndrim i
përhershëm. U tërhoq nga jeta politike dhe rifilloi detyrën në krye të Kishës Ortodokse
Shqiptare Autoqefale. Në dhjetor 1933, Noli u sëmur rëndë dhe nuk qe në gjendje të përballonte
shpenzimet e shërimit, prandaj qe i detyruar të pranonte si dhuratë 3,000 franga ari nga
Shqipëria, për ironi pikërisht nga armiku i tij i betuar Ahmet Zogu. Ky gjest, siç edhe e kishte
pasur qëllimin, solli njëfarë pajtimi midis Nolit dhe Zogut, dhe i zbuti marrëdhëniet shpesh të
ndera me Faik Konicën. Më 1935 iu kthye njërit prej pasioneve të tij më të mëdha, muzikës, dhe
në moshën pesëdhjetë e tre vjeç u regjistrua në Konservatorin e Muzikës të Bostonit, ku u
diplomua më 1938. Më 12 prill 1937, ëndrra e madhe e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare
u përmbush kur Patrikana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale.
I pakënaqur vetëm me detyrat ekleziastike Noli iu kthye studimeve pasuniversitare në
Universitetin e Bostonit, ku mori doktoratën më 1945 me një disertacion për Gjergj Kastriotin –
Skënderbeun. Në vitet e para pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore Noli mbajti
marrëdhënie deri diku të mira me regjimin e ri komunist në Tiranë dhe ushtroi ndikimin e vet
në mënyrë që qeveria amerikane ta njihte. Nami si ‘peshkop i kuq’ i bëri mjaft armiq ndër qarqet
e mërgimtarëve në Amerikë si dhe shkaktoi polarizime mes tyre. Më 1953, në moshën
shtatëdhjetë e një vjeç, Fan Nolit iu dhurua një shumë prej 20,000 dollarësh nga Federata Vatra,
me të cilën bleu një shtëpi në Fort Llodërdejll (Fort Lauderdale), Florida, ku edhe vdiq më
13 mars 1965 në moshën tetëdhjetë e tre vjeç.
Politika dhe feja nuk qenë të vetmet fusha ku Fan Noli bëri emër. Ai qe edhe dramaturg,
poet, historian, muzikolog dhe sidomos përkthyes i shkëlqyer me një ndihmesë të
konsiderueshme në zhvillimin e gjuhës letrare shqipe.
Vepra e parë letrare e Nolit është drama në tre akte Israilitë dhe Filistinë, Boston 1907.
Kjo tragjedi dyzet e tetë faqesh e shkruar më 1902 mbështetet në Librin e Gjyqtarëve 13-16 të
Dhiatës së Vjetër, historia e njohur e Samsonit dhe Dalilës. E botuar në një kohë kur
dramaturgjia shqiptare ishte në foshnjëri, ajo është një nga të rrallat pjesë teatrore shqiptare të
kohës, që nuk vlon nga sentimentalizmi para se të arrijë fundin melodramatik të sipërfaqshëm.
Të tilla ishin shijet e kohës, prandaj dhe pjesa e Nolit pak u pëlqye nga lexuesit. Jo vetëm
subjekti ishte tepër i largët e filozofik, por edhe gjuha tepër arkaike e dialektore për t’u shijuar
nga lexuesi dhe publiku.
Kur u shugurua prift ortodoks dhe mbajti të parën liturgji ortodokse në gjuhën shqipe më
1908, Noli e ndjeu nevojën e teksteve liturgjike shqip dhe prandaj i hyri përkthimit të liturgjive
dhe ritualeve ortodokse, të cilat u botuan në dy vëllime: Librë e shërbesave të shënta të kishës
orthodoxe, Boston 1909, dhe Libre é te krémtevé të medha te kishes orthodoxe, Boston 1911,
me 315 faqe. Pasuan përkthime të tjera fetare, me një gjuhë elegante e solemne që u shkonte për
shtat traditave të çmuara bizantine. Këto përkthime ishin arritjet që i sollën Nolit më shumë
kënaqësi në jetë.
Vepra më popullore e Fan Nolit sot është një studim historik për jetën dhe epokën e
heroit kombëtar shqiptar Skënderbeut. Një variant shqip 285 faqesh u botua nën titullin Historia
e Skënderbeut (Gjerq Kastriotit), mbretit të Shqipërisë 1412-1468, Boston 1921, kurse një
variant anglisht, fryt i disertacionit të doktoratës në Universitetin e Bostonit më 1945 mbante
titullin George Castrioti Scanderbeg (1405-1468), Nju Jork 1947. Një studim tjetër shkencor,
që pasqyron sa fort e tërhiqnin figurat e mëdha të së kaluarës (Jezui, Jul Cesari, Skënderbeu dhe
Napoleoni) si dhe sa fort e donte muzikën, është ai me 117 faqe Beethoven and the French
revolution, Nju Jork 1947 (Bethoveni dhe Revolucioni Frëng).
Noli ka mbetur edhe si poet, ndonëse poezia e tij e fuqishme deklamative është e paktë.
Poezia e tij është përmbledhur në një vëllim me titullin e thjeshtë Albumi, Boston 1948, të cilin
e botoi me rastin e dyzetvjetorit të qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara. Albumi përmban
kryesisht poezi politike, që pasqyrojnë aspirata e frymë kombëtare si dhe ndjenja të zjarrta
sociale e politike të viteve njëzet e tridhjetë. Tipike për këtë gjini është vjersha Syrgjyn-Vdekur,
elegjia prekëse që e shkroi në Berlin kur vdiq shkrimtari dhe personaliteti politik Luigj
Gurakuqi (1879-1925), i vrarë në Bari më 2 mars 1925 nga një agjent i Ahmet Zogut.
“Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran’ e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.
Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.
Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot ta përmbysnë djalin,
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.
Nëno moj, ma qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë,
Ti s’i dhe as varr për hor.
Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojëmjalt’ e zemërhekur,
Syrgjyngjall’ e syrgjynvdekur,
Ky Vigan Liberator.”
Po aq e fuqishme është vjersha Anës lumenjve, e cila përbën ndoshta poezinë më bindëse
të shkruar ndonjëherë me temën e mërgimit në gjuhën shqipe dhe më tej. Gjatë qëndrimit në Gjermani Noli u shqetësua thellë në shpirt për fatin e atdheut, të cilin ai e shumë bashkëkohës
të tij e krahasonin me një vashë të braktisur e të poshtëruar, sikundër kishte bërë Pashko Vasa
një gjysëm shekulli më parë në poezinë e tij O moj Shqypni. Vjersha e Nolit e trajton kështu
këtë temë:
“Arratisur, syrgjinosur,
Rraskapitur dhe katosur,
Po vajtonj pa funt pa shpresë,
Anës Elbës, anës Spre-së.
Ku e lam’ e ku na mbeti
Vaj vatani e mjer mileti,
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur!…”
Në këtë vëllim janë përfshirë edhe vjershat prekëse me frymëzim biblik, si Moisiu në
mal dhe Marshi i Krishtit.
Megjithatë, ndihmesa kryesore e Fan Nolit për letërsinë shqipe ishte si stilist, çka vihet
re sidomos në përkthimet. Ai mund të konsiderohet si njëri nga stilistët më të mëdhenj në
dialektin toskë, duke rreshtur përkrah tij edhe Faik bej Konicën. Përvoja e tij si aktor dhe orator,
njohja me gjuhët e tjera të mëdha të kulturës botërore, sidomos me greqishten, anglishten dhe
frëngjishten, i dhanë mundësi ta zhvillojë shqipen e ta ngrejë në shkallën e një gjuhe të
përpunuar, të rrjedhshme e plot elegancë.
Me vlera të mëdha janë sidomos përkthimet që Noli i ka bërë Shekspirit. Otello e
përkthyer prej tij u botua më 1916, kurse përkthimet po aq shprehëse të Makbethit, Hamletit,
dhe Jul Qesarit u botuan të gjitha në Bruksel më 1926. Po në këtë kohë ai përktheu, nga
anglishtja, dy pjesë të dramaturgut norvegjez Henrik Ibsen (1828-1906), një autor tjetër ky ndaj
të cilit Noli qe shumë i dhënë: Armiku i popullit, Bruksel 1926 (En Folkefiende 1882), dhe
Zonja Ingra e Ostrotit, Bruksel 1926 (Fru Inger til Østeraad 1857). Gjashtë vjet më pas doli
përkthimi i fuqishëm shqip i pjesës së parë të Don Quixote të Miguel De Servantesit (1547-
1616) nën titullin Sojliu mendjemprehtë don Kishoti i Mançës, Boston 1932/1933. Pjesa e dytë
e Don Kishotit u përkthye më vonë nga Petro Zheji (l. 1929) dhe u botua bashkë me përkthimin
e Nolit në Tiranë më 1977. Përkthime të tjera të Nolit janë: Kasollja 1921 (La barraca 1898) e
romancierit spanjoll Visente Blasko Ibanjez (Vicente Blasco Ibañez, 1867-1928), e sidomos
Rubairat, Bruksel 1924 (The Rubáiyát of Omar Khayyám) nga poeti anglez Eduard Ficxherëlld
(Edward Fitzgerald, 1809-1883). Përkthimi i Rubairave të poetit të madh dhe matematikanit
persian Omar Khajam (vd. 1122), që i botoi me pseudonimin Rushit Bilbil Gramshi e që ua
kushtoi poetëve persianë Nizami (1140-1209) dhe Hafiz (1326-1390), është ndër veprat më të
përkryera të Nolit. Ajo është një kryevepër krijuese po aq e lartë sa dhe përkthimi në anglisht i
Eduard Ficxherëlldit. Për më tepër, ky është i vetmi përkthim letrar i Nolit që nuk është yshtur
nga synime didaktike. Nëse krahasojmë përkthimin shqip të Nolit me atë anglisht të
Ficxherëlldit, do të vëmë re se teksti në shqip është në shumë anë po aq i madhërishëm sa dhe
origjinali (anglisht). Ja tri strofat e para:
“Natën kur flinja, më tha shpirti: ‘Pi!
Në gjumë dhe në Varr s’ka lumëri;
Ngrehu! Sa rron, zbras Kupa dhe puth Çupa;
Ke shekuj që të flesh në qetësi.’
Në ëndërr, kur agimi zbardhëllonte,
Një zë që nga Taverna po gjëmonte:
Çohuni, djem, e Verë sillnani,
Se Fati na e thau lëngun sonte.
Dhe posa në Tavernë këndoi gjeli,
Besnikët jashtë thirrë: ‘Portat çeli!’
E shkurtër është Jeta, ja, u mplakmë
Dhe mbetmë si kofini pas të vjeli.”
Awake! for Morning in the Bowl of Night
Has flung the Stone that puts the Stars to Flight:
And Lo! the Hunter of the East has caught
The Sultan’s Turret in a Noose of Light.
Dreaming when Dawn’s Left Hand was in the Sky
I heard a Voice within the Tavern cry,
“Awake, my little ones, and fill the Cup
Before Life’s Liquor in its Cup be dry.”
And, as the Cock crew, those who stood before
The Tavern shouted – “Open then the Door!
You know how little while we have to stay,
And once departed, may return no more.”
Noli gjithashtu përktheu poezi të autorëve të ndryshëm evropianë e amerikanë të
shekullit të nëntëmbëdhjetë, ndër ta Johan Volfgang fon Gëte (Johann Wolfgang von Goethe,
1749-1832), Sër Uollter Skot (Sir Walter Scott, 1771-1832), Hajnrih Hajne (Heinrich Heine,
1797-1856), Viktor Hygo (Victor Hugo 1802-1885), Fjodor Tjutçev (1803-1873), Aleksis-
Feliks Arver (Alexis-Félix Arvers, 1806-1850), Henri Uodsuorth Longfellou (Henry
Wadsworth Longfellow, 1807-1882), Edgar Allen Po (Edgar Allen Poe, 1809-1849), Herman
Melvil (Herman Melville, 1819-1891), Sharl Bodler (Charles Baudelaire, 1821-1867), Arman
Syli Prydom (Armand Sully-Prudhomme, 1839-1907) dhe Pol Verlen (Paul Verlaine, 1844-
1896). Në pjesën dërrmuese të tyre, në sajë ndoshta edhe të veshit të tij prej muzikanti, ia ka
dalë mbanë të pasqyrojë stilin, shijet dhe ngjyrimet ritmike të origjinaleve.
Është për të ardhur keq që Fan Noli dhe Faik Konica, këta dy stilistë më të mëdhenj të
gjuhës moderne shqipe, të dy banues jo në Shqipëri por në Shtetet e Bashkuara, t’i kenë
kushtuar kaq pak energji krijimtarisë letrare. Por e tillë qe koha. Për arsye historike e politike,
kulti i frymës kombëtare ka pasur përherë përparësi ndër shqiptarët ndaj kultit të së
madhërishmes estetike. Ndonëse shkroi relativisht pak letërsi të mirëfilltë, Noli prapëseprapë
mbetet gjigand i letërsisë. Ai dha ndihmesë të madhe që gjuha shqipe të arrinte potencialin e vet
të plotë letrar e krijues. Kështu, ishte krijuar një gjuhë letrare moderne, një gjuhë që ende priste
dhe kërkonte letërsinë e vet.
Një tjetër shqiptar i shquar me banim në Shtetet e Bashkuara ishte publicisti dhe
personaliteti politik Sotir Peci (1873-1932), që e hasim edhe të shkruar Sotir Pettsy, nga fshati
Dardhë i Korçës. Para se të mërgonte në Amerikë më 1906 Peci kishte studiuar për fizikë dhe
matematikë në Universitetin e Athinës. Me të mbërritur në Botën e Re, themeloi në Boston gazetën e përjavshme shqip Kombi, e cila u shpall si e para dhe e vetmja gazetë shqiptare në
Amerikë dhe organ i interesave shqiptarë. Numri i parë i kësaj së përjavshmeje politike,
kulturore e letrare të botuar shqip, herë pas here me artikuj anglisht, frëngjisht dhe italisht, doli
më 15 qershor 1906. Ndër bashkëpunëtorët e afërt të Pecit në redaksinë e gazetës ishte Fan
Noli, i cili kishte ardhur në Nju Jork më 10 maj 1906. Pas pak kohe Peci e la Nolin të merrej me
gazetën, e cila vazhdoi të dalë deri më 1909, kurse vetë u kthye në Shqipëri, ku mendoi se mund
të ndihmonte më shumë për çështjen kombëtare. Ai përfaqësoi bashkësinë shqiptaro-amerikane
në Kongresin e Manastirit më 1908 dhe, pas pavarësisë, punoi si mësues në Elbasan e në Korçë.
Në Kongresin e Lushnjës më 1920, i cili hodhi themelet e një pavarësie të vërtetë të Shqipërisë,
Peci u emërua ministër i arsimit, kurse pas një viti u zgjodh deputet i Korçës në parlament. Nga
24 dhjetor 1921 deri 31 janar 1925 ishte edhe anëtar i Këshillit të Lartë. Përveç veprimtarisë
botuese, Peci është autor i një gramatike të shqipes (1912) dhe i disa teksteve shkollore. Vdiq
më 8 prill 1932.
Nga anëtarët e tjerë të shquar të bashkësisë shqiptaro-amerikane në zgrip të shekullit,
mund të përmendim gazetarin dhe veprimtarin Kristo Anastas Dako (angl. Christo Anastas
Dako, 1878-1941). Për herë të parë në lëvizjen kombëtare Kristo Dakoja mori pjesë si student
në Bukuresht, ku për veprimtarinë e kryer atje u burgos për një farë kohe. U martua me Sevasti
Qiriazin (1871-1949), një figurë e shquar e arsimit për vajza, dhe mërgoi në Shtetet e Bashkuara
më 1907. Atje rivalizoi me Nolin për drejtimin e bashkësisë shqiptare në Masaçusets, kurse më
1913 u bë president i Federatës Vatra dhe redaktor i organit kryesor të saj, së përjavshmes
Dielli në Boston. Ai ishte gjithashtu redaktor i periodikut jetëshkurtër Biblioteka zëri i
Shqipërisë i botuar më 1915 në Sofje dhe më 1916 në Sauthbrixh (Southbridge), Masaçusets.
Veç këtyre, Dakoja ishte edhe autor tekstesh shkollore dhe veprash historike-politike si studimi
Cilët janë Shqipëtarët, Manastir 1911; Albania, the master key to the Near East, Boston 1919
(Shqipëria, çelësi kryesor për Lindjen e Afërt); studimi i shkurtër historik Liga e Prizrenit,
Bukuresht 1922; e më pas Shënime historike nga jeta dhe veprat e Nalt Madhërisë së tij Zogu
i parë Mbreti i Shqiptarvet, Tiranë 1937, përkthyer anglisht nga vetë autori nën titullin Zogu,
the first king of the Albanians. A sketch of his life and times, Tiranë 1937. Është e tepërt të
themi se kjo e fundit bëri që të mos e kujtonin fort me dëshirë në Shqipërinë komuniste të
pasluftës.
Aktiv në Shtetet e Bashkuara ka qenë edhe publicisti dhe shkrimtari i shquar Kostandin
Anastas Çekrezi99 (angl. Constantine Anastasi Chekrezi, 1892-1959). Ka lindur në fshatin
Ziçisht të Korçës dhe, pasi humbi vendin e punës si përkthyes i Komisionit Ndërkombëtar të
Kontrollit nga shpërthimi i Luftës së Parë Botërore, mërgoi në Shtetet e Bashkuara duke kaluar
nga Italia. Në Boston u ngarkua për një farë kohe me gazetën Dielli derisa e mori Fan Noli.
Sikundër Konica, Çekrezi studioi dhe u diplomua në Universitetin e Harvardit. Po në Boston ai
botoi periodikun Illyria, që zgjati vetëm gjashtë muaj, nga marsi në nëntor 1916, kurse në fillim
të vitit 1919 u bë redaktor i së përmuajshmes së Nolit The Adriatic review. Çekrezi punoi si
komisioner i lartë i Shqipërisë në Uashington dhe ishte autor i një numri librash shqip dhe
anglisht, sidomos i disa veprave të vëllimshme për historinë e Shqipërisë, të cilat, për horizontin
që hapnin, ishin mjaft të spikatura për kohën. Ndër këta libra janë: Albania past and present,
Nju Jork 1919 (Shqipëria në të kaluarën e në të tashmen); Kendime për rjeshten e funtme te
shkollave filltare, Boston 1921; Histori e Shqipërisë, Boston 1921; Histori e vjetër që në
kohërat e Pellazgëve gjer në rrënien e Perandorisë romane, Boston 1921; Histori e re e
Evropës, Boston 1921; Historia mesjetare e Evropës që në rënien e Romës gjer në rënien e
Kostantinopojës (478-1453), Boston 1921; dhe i pari fjalor anglisht-shqip, Chekrezi’s English-
Albanian dictionary, Fjalor inglisht-shqip i Çekrezit, Boston 1923.
________
93Për historinë e bashkësisë shqiptare në Amerikë, kr. The Albanian Struggle… 1939, Demo 1960, Noli 1960, Pipa & Prifti 1980 dhe Nagi 1989.
94kr. Petrotta 1932, f. 302-309, Koliqi 1967, Ressuli 1987, f. 65-81, Hamiti 1991, Karjagdiu 1993, Kastrati 1995, Pirraku 1995, dhe Z. Rrahmani 1996.
95 Konica i la amanet Fan Nolit dhe Sejfulla Malëshovës që trupin e tij ta çonin të prehej në Shqipëri. Kjo dëshirë u përmbush vetëm pas shndërrimeve demokratike në Shqipëri.
96 kr. Schmidt-Neke 1980.
97 Publicisti aristokrat Eqrem bej Vlora (1885-1964) vërente për shembull, “Faik Konica si person nuk durohej dot: zemërak, arrogant, fodull, sarkastik e, për fat të keq, dembel”. kr. Vlora 1968, f. 51.
98 kr. Kuteli 1945, Noli 1960, Bala 1972, Raifi 1975, 1995, Tako 1975, Arapi 1980, Liço 1982, Pipa 1984, Kodra 1989, Puto 1990 dhe Dodona 1996.
99 kr. Koliqi 1959b.
Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia