FEKONDIMI I QELIZAVE GJINORE
Fekondimi është bashkimi i dy qelizave gjinore, i një qelize gjinore femërore dhe i një qelize gjinore mashkullore, pra një ovule dhe i një spermatozoidi. Nga bashkimi i këtyre dy qelizave formohet një qelizë e re. Nga shumimi, zhvillimi e rritja e kësaj qelize krijohet organizmi i ri.
Zigota, qeliza e re, përmban në bërthamën e saj 46 kromozome, aq sa kanë qelizat e organizmit të njeriut, sepse formohet nga bashkimi i dy qelizave gjinore qe kanë secila nga, 23 kromozome, sa gjysma e kromozomeve të qelizave të tjera të organizmit.
Kromozomet, në gjenet e tyre, kane të ngulitur kodin e trashëgimisë, pra të dhënat që përcaktojnë karakteristikat e organizmit. Zigota është e formuar nga bashkimi i kromozomeve që vijnë nga qelizat gjinorë të të dy prindërve, të nënës dhe të babës. Këtej rrjedh pse organizmi i ri që krijohet nga bashkimi i tyre, u ngjan në shumë karakteristika të dy prindërve, pse ka shumë cilësi të ngjashme me ato të tyre. Por i çfarë gjinie do të jetë organizmi i ri, do të jetë mashkull apo femër? Në bërthamën e qelizave gjinore ndodhen dy kromozome të posaçme që përcaktojnë gjininë dhe që shënohen X dhe Y. Bërthama e qelizave gjinore femërore ka një kromozom X, ndërsa bërthama e qelizave gjinore mashkullore mund të ketë një kromozom X ose një kromozom Y. Gjatë fekondimit, në se bashkohet një qelizë femërore, që ka një kromozom X, me një qelizë mashkullore që ka po kromozom X, atëherë qeliza e re do të përmbajë në bërthamë vetëm dy kromozome femërore XX; në këtë rast organizmi i ri do të jetë i gjinisë femërore. Në se, në të kundërt, qeliza femërore X do të bashkohet me një qelizë mashkullore që ka një kromozom Y, atëherë. në bërthamën e qelizës së re do të kemi dy kromozome të ndryshme: X dhe Y. Në këtë rast organizmi i ri do të jetë mashkull. Në përgjithësi, mundësia e njërit ose e tjetrit bashkim është e barabartë, prandaj edhe numri i përgjithshëm i femrave dhe i meshkujve në botë është pak a shumë i njëjtë.