4.2 Lekë Matrënga dhe Doktrina e Krishterë (1592)
Lekë Matrënga (Luca Matranga, 1567-1619) ka qenë një klerik ortodoks i bashkësisë
arbëreshe të Sicilisë. Ai ka lindur ose në Horën e Arbëreshëvet (ital. Piana degli Albanesi, që
në atë kohë quhej Piana dei Greci) në jug të Palermos ose në Monreale, pinjoll i një familjeje
arbëreshe që kishte emigruar në Sicili, ndoshta nga Peloponezi, rreth viteve 1532-1533. Data e
saktë e lindjes nuk dihet11. Për pesë vjet, ka të ngjarë nga 1582 deri më 1587, ai studioi në
Kolegjin Grek të Shën Athanasit në Romë, që kishte qenë themeluar më 1577, dhe pastaj u
kthye në Sicilinë e tij të lindjes. Është përmendur në ‘Kronikën e të gjithë studentëve të Kolegjit
Grek që nga themelimi e deri më 1640’, ku shkurt thuhet: “Lekë Matrënga nga Monreale e
Sicilisë, me kombësi shqiptare, student i rëndomtë, studioi kulturën e lashtë greke e latine,
pastaj u largua për arsye sëmundjeje, pasi kishte kaluar pesë vjet në këtë kolegj”. Nga një
dëshmi pagëzimi mësojmë se Matrënga u mor me detyra pastorale midis arbëreshëve të Horës
së Arbëreshëvet në dhjetor 1601. Dëshmia thotë: “Unë, Don Lekë Matrënga, famullitar në këtë
kishë të Shën Gjergjit, pagëzova një foshnjë mashkull më tridhjetë të nëntorit të kaluar, birin e
Antoni dhe Venera Zalapit, dhe emri iu vu Andrea. Kumbar ishte Françesko i të nderuarve
Josep dhe Beatriçe Guzeta, kurse kumbare ishte Domenika, e bija e të nderuarve Josep e
Beatriçe Guzeta, e shoqja e Joan Muzakës nga kjo krahinë e Pianës12.” Për jetën e Matrëngës
nuk dihet gjë tjetër. Vdiq si kryeprift më 6 maj 1619.
Lekë Matrënga ka mbetur si autor i një vepre të titulluar E mbsuame e krështerë13, Romë
1592 (Doktrina e Krishterë), një katekizëm prej njëzetetetë faqesh i përkthyer nga një vepër
latinisht e priftit jezuit spanjoll Jakob Ledesma (1516-1575). Kopja në dorëshkrim e përkthimit,
që ka ardhur deri në ditët tona në tri variante të ndryshme14, i pari nga të cilat është me sa duket
me shkrimin e vetë Matrëngës, është kataloguar nën Codex Barberini Latini 3454 në
Bibliotekën e Vatikanit. Nga data e shënuar në variantin e parë, mësojmë se Matrënga e ka
përfunduar përkthimin e tij më 20 mars 1592 në Piana dei Greci. Varianti i botuar, nga i cili ka
shpëtuar vetëm një kopje, u shtyp në Romë nga Gulielm Façoti (Guglielmo Facciotto) ‘me lejen
e eprorëve’ dhe u zbulua nga Mario Roku (Mario Roques)15. Ai është mbështetur në njërin prej
varianteve të dorëshkrimit të redaktuar keq dhe përmban shumë gabime. Titulli i plotë i botimit
është:
Vepra e Matrëngës përmban një hyrje në italishte, një vjershë me tetë vargje që përbën
llojin e parë të vargut të shkruar në shqip, si dhe vetë katekizmën, e cila është një udhëzim fetar
për doktrinat kishtare në formën e pyetje-përgjigjeve. Në hyrje, duke ia kushtuar veprën
kardinalit Ludovico II de Torres, argjipeshkëv i Monreales, Matrënga shpjegon se përkthimi
ishte bërë për t’u përdorur nga arbëreshët që nuk e kuptonin variantin italisht të katekizmës në
qarkullim, duke theksuar se ai do t’u vlente “qindra familjeve në Kalabri e në Pulje” me
prejardhje shqiptare.
Ndonëse e shkurtër në krahasim me vepra të tjera të letërsisë së hershme shqiptare,
vetëm me 28 faqe, Doktrina e Krishterë e Matrëngës është me rëndësi historike e letrare jo
vetëm si botimi i dytë më i vjetër i letërsisë shqiptare, por edhe si vepra e parë nga një arbëresh
dhe e para vepër e shkruar në toskërishte. Të gjithë autorët e tjerë të hershëm shqiptarë, Gjon
Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani, kanë shkruar në dialektin e tyre të
gegërishtes. Me sa duket, Matrënga në Sicilinë e vendlindjes nuk do ta ketë njohur Mesharin e
Buzukut të botuar tridhjeteshtatë vjet më parë. Ai nuk u ndikua fare nga drejtshkrimi i këtij të
fundit. U mjaftua me shkronjat e alfabetit latin, ndërkohë që shkrimtarët shqiptarë veriorë në
Ballkan përdornin veç tyre edhe disa shkronja cirilike. Matrënga përdori ae për zanoren e
pazëshme që tani shkruhet ë, italishten sc(i) për sh dhe ishte i pari që përdori th për frikativen
dentale. Shqipja e tij16 ka një ngjyrim të fortë me leksik të greqishtes, jo vetëm sepse greqishtja
ishte gjuha e kishës ortodokse, por edhe sepse pikërisht nga Greqia kishin ikur arbëreshët e
Sicilisë gjashtëdhjetë vjet më parë. Në atë eksod duhet të kenë marrë pjesë gjyshërit e tij, në
mos edhe prindërit. Ky shtresim nga leksiku i greqishtes në dialektet arbëreshe ka ardhur duke
u dobësuar ashtu si ka ndodhur me leksikun turqisht në shqipen e Ballkanit, i cili pak nga pak
ka dalë jashtë përdorimit. Vepra e Matrëngës përmban një leksik të përgjithshëm prej 450
fjalësh.
Vjersha e parë që i takoi të botohet në gjuhën shqipe, përbëhet nga tetë vargje në
njëmbëdhjetërrokësh me rimë të këmbyer. Ajo përmban një ide prekëse dhe titullohet thjesht
‘Canzona spirituale’ (Këngë e përshpirtshme):
___________
11 La Piana 1912, f. 4, jep vitin 1560, por sot kjo datë merret si tepër e hershme.
Shuteriqi 1987, f. 97, ditëlindjen e vendos në vitet 1571-1572.
12 Arkivi i Katedrales në Horën e Arbëreshëve. Regjistri i pagëzimeve, vëll. 3, nr.
835, fletë 85.
13 kr. La Piana 1912, Rrota 1939, Sciambra 1964, dhe F. Sulejmani 1979.
14 kr. Riza 1962, 1965b. Një variant tjetër i dorëshkrimit, i zbuluar nga Skiroi më
1909 dhe i përdorur nga La Piana më 1912, me sa duket është zhdukur.
15 kr. Roques 1932b, f. 19.
16 kr. Ashta 1957, 1965.
11 La Piana 1912, f. 4, jep vitin 1560, por sot kjo datë merret si tepër e hershme.
Shuteriqi 1987, f. 97, ditëlindjen e vendos në vitet 1571-1572.
12 Arkivi i Katedrales në Horën e Arbëreshëve. Regjistri i pagëzimeve, vëll. 3, nr.
835, fletë 85.
13 kr. La Piana 1912, Rrota 1939, Sciambra 1964, dhe F. Sulejmani 1979.
14 kr. Riza 1962, 1965b. Një variant tjetër i dorëshkrimit, i zbuluar nga Skiroi më
1909 dhe i përdorur nga La Piana më 1912, me sa duket është zhdukur.
Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia