7.3 Gjurmë të fundit të shkrimeve katolike në Shqipërinë e shekullit të tetëmbëdhjetë

Në Shqipërinë e shekullit të tetëmbëdhjetë nuk u krijua një letërsie e vërtetë në traditën
katolike. Megjithatë kemi në dorë një numër të vogël dokumentesh të rralla në gjuhën shqipe,
të gjitha të lidhura në një farë mënyre me Italinë.
Në fillimin e shekullit të tetëmbëdhjetë Roma pati, për të parën e të vetmen herë, një
papë me prejardhje shqiptare, Klementin XI (Papë në vitet 1700-1721). Më 1702, Klementi XI
urdhëroi peshkopin kroat Viskë Zmajeviqi (Vincentius Zmajevich, 1670-1742) të Tivarit
(Antivari) për të raportuar mbi gjendjen e kishës katolike në Shqipërinë e veriut. Ky
kryepeshkop e vizitoi Shqipërinë për tre muaj si ‘Vizitor apostolik i Serbisë, Shqipërisë,
Maqedonisë dhe Bullgarisë’ dhe përgatiti një raport për vendin e vogël, për ‘natione prediletta’
e tij (kombin e parapëlqyer), të titulluar Notitie universali dello stato di Albania (Shënime të përgjithshme mbi gjendjen e Shqipërisë)56, i cili ka shërbyer si burim parësor të dhënash për
Shqipërinë e veriut të fillimit të shekullit të tetëmbëdhjetë. Me rastin e vizitës së kryepeshkopit,
u mbajt një kuvend, i quajtur Kuvendi i Arbënit57, në Mërqi afër Lezhës në dhjetor 1703. Si fjala
e hapjes së Zmajeviçit ashtu edhe vendimet e Kuvendit qenë hartuar në gjuhën shqipe. Këto
dokumente me rëndësi historike, gjuhësore dhe kishtare u dërguan në Romë për t’u parë nga
Papa dhe u botuan shqip dhe latinisht nga Propaganda Fide më 1706 me ndihmën e Françesk
Maria da Leçes O.F.M (ital. Francesco Maria da Lecce). Ato përbëjnë një burim me vlerë për
njohuritë tona mbi gjuhën e Shqipërisë veriore në fillimin e shekullit të tetëmbëdhjetë.
Vetë Da Leçe, misionar dhe gjuhëtar italian, kishte qenë dërguar në Shqipëri nga
Propaganda Fide më 1692 si prefekt apostolik i misioneve dhe kishte mësuar atje shqipen gjatë
veprimtarisë së tij misionare. Një çerek shekulli më pas ai botoi librin Osservazioni
grammaticali nella lingua albanese, Romë 1716 (Vëzhgime gramatikore mbi gjuhën shqipe),
si e para gramatikë e shqipes e botuar ndonjëherë58. Kleriku françeskan Da Leçe ka qenë edhe
autori i një fjalori italisht-shqip59 të shkruar para vitit 1702, i përmendur si më i zgjeruar se ai i
Frang Bardhit (1635). Një kopje e këtij fjalori gjendej në Palermo deri në vitin 1890, kurse për
një kopje tjetër ka fjalë se ruhet në arkivin e Propaganda Fides në Romë.
Gjon Nikollë Kazazi S.J. (1702-1752), i njohur në latinishte si Johannes Nicolevich
Casasi dhe në italisht si Giovanni Battista di Nicola Casasi, lindur më 1 janar 1702 në Gjakovë,
ka qenë autori i një përkthimi në shqipe të një Breve compendio della Dottrina Cristiana, Romë
1743 (Përmbledhje e shkurtër e Doktrinës së Krishterë)60, i cili përbën të parin dokument të
shkruar në dialektin e Gjakovës. Kazazi studioi për teologji në Kolegjin Ilirian të Loretos afër
Ankonës dhe në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë, ku dhe mori titullin e doktorit në
teologji e filozofi. Më pas u bë kryepeshkop i Shkupit derisa vdiq më 5 gusht 1752. Pikërisht
gjatë studimeve në Kolegjin e Propaganda Fides, më 1740, Kazazi bëri zbulimin monumental
të së vetmes kopje të mbetur të librit më të vjetër shqip, Meshari-t të Gjon Buzukut të vitit
1555. Ai bëri një kopje të pas-thënies dhe ia dhuroi Gjergj Guxetës, themeluesit të
sipërpërmendur të seminarit grek në Palermo.
Po në këtë hulli është një Bonaventura Prucher, prift italian nga Kastel Xhovio (ital.
Castel Giovio) me shërbim si misionar në Shqipëri. Ai është autori i një katekizme italishtshqip,
të cilit me sa duket i është vënë si shtojcë një fjalor italisht-shqip. Të dyja këto vepra,
pjesë të një dorëshkrimi të shkruar para vitit 1752, ruheshin deri më 1765 në Propaganda Fide.
Se çfarë u bë më vonë me këto vepra, nuk ka të dhëna.

_______
56 kr. Bartl 1972 dhe 1975/1979.
57 kr. Stadtmüller 1956, P. Malaj 1971-1972, Bartl 1972, 1975 dhe 1979, dhe
Ismajli 1985.
58 Një gramatikë e shqipes dhe një fjalor italisht-shqip më të hershëm, që tani i
vishen Diego da Desios (Didacus a Desio), mbeti e pabotuar asokohe. Ruhet një kopje që mban
datën 1710 në manastirin e Grottaferratës dhe është botuar nga Ismajli, 1982.
59 kr. Mandalà 1994, 1995.
60 kr. Shuteriqi 1976, f. 110-111.

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]