HOÇISHTI
✤ Fshat në rrethin e Korçës (L), në rrëzë të malit të Moravës, në fushën e Devollit të Sipërm. Qendër e fshatit të bashkuar ku përfshihen dhe fshatrat: Çipan, Eçmenik, Stropan, Baban, Përparimaj (Vëzlen), Grapsh, Bradvicë dhe Gracë, popullsia gjithsej 6725 banorë. Mjaft fshatarë kanë marrë pjesë në çetat e Çerçiz Topullit, Mihal Gramenos dhe Spiro Bellkamenit. H. është vendlindja e patriotes Marigo Pozio që qëndisi Flamurin e Pavarësisë Kombëtare më 1912. Shumë banorë të këtyre fshatrave kanë marrë pjesë në Luftën e Vlorës më 1920 dhe në Revolucionin demokratiko-borgjez të qershorit 1924. Gjatë luftës ANÇ nga shtatori deri në dhjetor 1942 u ngritën këshillat NÇ. Në H. më 10.7.1942 u formua Çeta e Moravës dhe më 7.5.1943 batalioni «Fuat Babani». Në luftimet e Çetës së Moravës për të çarë rrethimin armik në mars 1943 ra heroikisht komandanti i saj Fuat Babani dhe shokët e tij Avdulla e Demir Progri. Fshati u çlirua në shkurt 1943. H. është qendër e koop. së bashkuar «Fuat Babani.». Drejtimi kryesor i ekonomisë është prodhimi i grurit, misrit, panxharsheqerit, patateve, perimeve dhe rritja e lopëve, derrave. H. ka shkollë 8-vjeçare, muze, vatër kulture, librari, qendër shëndetësore, njësi tregtare e komunale.
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Hoçishti
[cite]