Joan Gojarti
(greqisht: Ιωάννης ο Χρυσόστομος ) Joan Gojarti (344-407) ka lindur në vitin 344 në Antioki. Babai i tij quhej Sekundo, ndërsa e ëma Anthusa. Sekundo ishte gjeneral dhe vdiq herët. Për edukimin e Joanit u kujdes e ëma. Në vitin 365 Joani u regjistrua në shkollën idhujtare të Livanit. Ky i fundit mendonte ta linte si trashëgimtarin e tij, por Joani e braktisi atë dhe studioi teologji. Në vitin 370 Joani u pagëzua nga Meleti i Antiokisë. Joani asketoi për tre vjet dhe në vitin 380 u kthye në Antioki. Më 381 u dorëzua dhjak nga Meleti i Antiokisë dhe më 386 u bë prift. Pas vdekjes së Nektarit, më 15 dhjetor të vitit 397, Joani u fronëzua Kryeepiskop i Kostandinopojës. Joan Gojarti udhëhoqi grigjën gjatë viteve 398-404. Pas një konflikti që pati me perandoreshën Evdhoksi, Joanin e internojnë. Joani vdiq në internim në vitin 407. Kujtimin e tij e kremtojmë më 13 nëntor. Shkrimet: 1) Për Gjenezën, e përbërë nga nëntë fjalime të shkruara në vitin 386. 2) Përshkrime të psallmeve, të shkruara rreth viteve 395. 3) Për Isaian, përbëhet nga gjashtë biseda. 4) Rreth Davidit dhe Saulit, që përbëhet nga tri fjalime. 5) Rreth Matheut, 90 fjalime të cilat u shkruan në Antioki në vitin 390. 6) Rreth Joanit, 88 fjalime të cilat u shkruan në vitin 391.7) Rreth Veprave të Apostujve, 55 fjalime të shkruara në Kostandinopojë në vitin 400. 8) Rreth Romakëve, 32 fjalime të shkruara në Antioki në vitin 391. Shenjti ka shkruar shumë vepra dhe ka kompozuar shumë vargje të Liturgjisë që mban emrin e tij.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)