Kafka dhe ndërtimi i saj

Kafka dhe ndërtimi i saj

Skeleti i kokës ose kafka është një nga realizimet më të përkryera të organizmit të njeriut. Ajo është e përbërë nga një sistem i tërë eshtrash të lidhura e të qepura në mënyrë të përsosur. Skeleti i kokës formohet nga dy pjesë kryesore: nga kafka trunore dhe nga kafka e fytyrës. Kafka trunore është e përbërë kryesisht nga eshtra të sheshta e të lakuara. që formojnë një hapësirë të mbyllur në formë vezake, shumë të fortë e të qëndrueshme. Dhe kjo ka arsyen e vet, sepse në këtë hapësirë ndodhet truri, qendra e sistemit tonë nervor. Eshtrat e kafkës së fytyrës ndodhen në pjesën e përparme e të jashtme të kafkës dhe formojnë zgavra e hapësira, në të cilat janë të vendosura organet kryesore të shqisave, si p.sh. sytë, hunda etj.

Eshtrat që përbëjnë kafkën trunore janë tetë: katër eshtra teke dhe katër eshtra çifte. Eshtrat teke janë: kocka ballore (temporali), shoshore (etmoidi), pykore (sfenoidi) dhe zverkore (oksipitali); eshtrat çifte janë dy kockat tëmthore (temporale) dhe dy kockat parietale. Ndërsa kafka e fytyrës përbëhet nga 14 eshtra që janë: nofulla e sipërme që është ashti kryesor i fytyrës dhe që është e përbërë nga dy eshtra të lidhura në mes me njëra-tjetrën; dy kockat e mollëzave; dy kockat e holla të ashtit lotues; dy kockat e hundës, që nyjëtohen me njëra-tjetrën; dy kockat e ashtit të qiellzës; konka e poshtme e hundës, që është një petë e hollë eshtrore; vomeri dhe nofulla e poshtme, që është një kockë e vetme.

Trupi — Ynë

[cite]