Kaligrafia Kaligrafi-a:
(Term nga Kodikët e Shqipërisë)

Stil mjeshtëror të shkruari me germa dore, stil bukurshkrimor të shkruari. Arti i të formuarit bukur të karaktereve (shkronjave) të dorës. Përdoret për rastet kur vetë shkrimi është një art i zbatuar dhe karakterizohet nga vlera të veçanta estetike. Sido që përkon në formë të kalkuar (gr. “kalos”-bukur dhe “grafion”-shkrim), nuk është e njëjta me bukurshkrimin, term në pedagogji. Kaligrafia në shkrimet e shenjta ka individualitetin e shkruesit. Arti i kaligrafisë ka një traditë të spikatur në hapësirën historike shqiptare. Një qendër bukurshkrimi ka qenë qyteti i Beratit, ku në Mesjetë kishte të paktën gjashtë shkolla bukurshkrimi. Një qendër tjetër e mjeshtërisë së shkrimit të dorës ishte Durrësi, ku pranë katedrales “vazhdimisht vërtiteshin kopjuesit e dorëshkrimeve“. Sipas një historiani raguzian të Mesjetës, Lukari, të cituar nga Noli, edhe fermani me të cilin Gjergj Kastrioti mori në dorë Krujën ishte i kopjuar prej shkruesve vendës, që njihnin mirë edhe shkrim e lartë aristokratik osman.

Lista e fjalëve të fjalorthit
* Kodikët e Shqipërisë

[cite]