Kodiku Kodik-u:
(Term nga Kodikët e Shqipërisë)

Nga lat. “codex”. Në greqisht:“kodikos”, në kuptimin e parë një përmbledhje dispozitash apo rregullash legjislative. Në këtë botim përdoret në kuptimin e ngushtë: dorëshkrim, si rregull, i një vepre të plotë, me përmbajtje biblike, ungjillore, liturgjike, agjiografike, martirologjike, patrologjike; përgjithësisht teologjike-kishtare. Në një kuptim më të gjerë kodik do të thotë dorëshkrim, si rregull në formën e një vepre të plotë, që përmban trajtesa filozofikemorale laike në frymën e shkrimeve të shenjta. Term ende i pangulitur mirë. Përdoren paralelisht format:“kodik”, “kod”, “kodeks”, madje edhe “kondik”. Kodik është edhe “Meshari i Gjon Buzukut”. Kodik është gjithashtu dorëshkrimi i Pal Engjëllit, në të cilin gjendet formula e pagëzimit. Sipas disa dijetarëve, janë ruajtur rreth 6000 kodikë me vepra ungilllore dhe biblike (dom Simon Filipaj), që meritojnë vëmendje në pikëpamje të tekstologjisë kritike. Por hartuesit e katalogëve më të mëdhenj të këtyre dorëshkrimeve (Aland) identifikojnë afërsisht 2300 kodikë të tillë, në tre grupe. Kodikografi-a:Dija që merret me përshkrimin e kodikëve. Me përshkrim kodikografik kuptohet: a. Paraqitja e jashtme e dorëshkrimit; b. Të dhëna të përgjithshme (përmasat, numri i fletëve, numri i kolonave dhe i rreshtave për kolonë; c. Lloji i lëndës së përdorur (papirus, pergamenë, letër); d. Karakteristika të shkrimit (germëmadh, germëvogël); e. Tipologjia e përmbajtjes së dorëshkrimit (biblike, ungjillore, patrologji, agjiografi, martirologji, teologji, liturgji, antologji muzikore, oktoih, omilie, orolog, minej, sinops, filozofi, filologji); f. Shënime rreth autorit / kopjuesit; ktitorit / porositësit; pronarit, dhuruesit, përkushtuesit; g. Anëshkrimet, kronika historike që përmbajnë; h. Shenjat (shigjeta, gishti tregues, klepsidra, shenja të zodiakut); i. Zbukurimet (bukurshkrimi, kryeshkronjat, portretet e ungjillorëve dhe ilustrime të tjera, miniaturat, vinjetat, kanonet / tabelat e Eusebit, zbukurimet e kapakëve); j. Gjendja e dorëshkrimit, dëmtimet e mundshme, si mund të shërohen këto dëme; k. Koha kur u shkrua kodiku (datim relativ dhe absolut, kur është e mundshme); l. Prejardhja, vendi ku është krijuar ose është ruajtur. Kodikografia dallohet nga kodikologjia për faktin se kjo e fundit studion vlerën e dorëshkrimit në kuadër të tekstologjisë kritike (interesim i historisë së evolucionit të mendimit të krishterë).

Lista e fjalëve të fjalorthit
* Kodikët e Shqipërisë

[cite]