KODIKU I 79-TË, I GJIROKASTRËS
(KATËRUNGJILLËSH)
Materiali: Pergamenë.
Përmasat: 19.9 x 13.5 cm.
Sasia e fletëve: 303.
Grafia: E tipit të vonë, por me vlerë të lartë artistike. Shkrimi i kodikut është në ngjyrë
kafe, me 21 rreshta për faqe.
Teksti: Ndjek linjat e presuara mbi pergamenë. Inicialet janë me shkronja kapitale të kuqe, por
jo të mëdha, veçse të stolisura me zbukurime. Këto janë të dukshme në fillim të tekstit të
ungjijve.
Zbukurimet: Si ato të kodikëve të vjetër, me shije, veçse jo me ato vlera artistike që kishin të
vjetrit, që janë me finesë të rrallë.
Grafia: Punë e një dore, pra dhe teksti është uniform, përveç faqes 183 verso dhe asaj 184,
që janë të një dore tjetër, shkruar me një penë më të trashë. Teksti ruhet i gjithë i padëmtuar.
Vetëm fleta e fundit ka një copë të grisur, po duke mos cënuar tekstin.
Kapakët: Prej dërrase, veshur me argjend, të stolisur me skena të punuara me savat. Skena
është ndërtuar me përfytyrimin e Krishtit në tre çaste: 1. Krishti me tre apostuj, duke u ngjitur
në majë të malit Thava; 2. Krishti i shpërfytyruar në majë të malit ku, përveç apostujve anash
tij, janë edhe dy profetët: Moisiu dhe Elia. Apostujt janë kompozuar përmbys, sipas tekstit të
ungjillit, nga drita e shpërfytyrimit. 3. Krishti përfytyrohet brenda një mandorle, që interpreton
dritën e hyjnitetit.
Dekorimi: Kodiku stoliset me skena të pikturuara me pamje të dy ungjillorëve: të ungjillor
Gjonit dhe të ungjillor Lukës. I pari del në faqen 238 dhe i dyti në faqen 147. Ungjillorët janë
pikturuar para një tryeze shkrimi dhe një pulti. Gjoni paraqitet i ulur mbi një fron të madh me
një mbështetëse sipër, që vjen e harkuar. Froni dhe tavolina e shkrimit janë ngjyrë kafe të
errët, stolisur me linjëza ari. Gjoni i ulur mban në dorë kallamin e shkrimit. Pjesa e sipërme e
trupit të tij, si dhe portreti, kanë qëndrim vertikal, stolisur me hiton të kuqërremtë të çelët dhe
intonacion në blu të çelët. Ungjillori i ka këmbët të mbathura me shollëza, mbi një nënkëmbëse
të madhe të kuqërremtë të çelët. Portreti i tij, me një ballë të lartë, me mjekër e flokë mjaft të
thinjura, është i arrirë. Ka një vështrim duke u menduar, siç ndodh me figurat e filozofëve
antikë të vonë. Ngjyra okër e intonuar me nuanca i jep njëfarë plastike figurës. Kjo figurë, me
ngjyra të çelëta, shquhet mbi një blu të errët dhe mbi dysheme të gjelbër.
Kompozimi: Ungjillori Luka, sikurse dhe Gjoni, paraqitet para tryezës së shkrimit dhe pultit,
ulur mbi një fron pa mbështetëse. Eshtë kompozuar me një qëndrim të zgjatur, duke ngjyer
kallamin e shkrimit në bojë mbi tavolinë. Veshjet e tij, si të Gjonit, paraqiten me rrudha e pala
dhe ngjyra të njëjta, si dhe me mjaft nuanca në detajet e trajtimit të figurave. Megjithatë,
vështruar nga trajtimi i përgjithshëm, në krahasim me figurat e dorëshkrimeve të shekujve të
10-të deri të 12-të, këto dy figura paraqiten të një niveli artistik më të ulët, ndonëse nuk janë pa
art.Duke pasur parasysh grafinë bukurshkrimore të kodikut, si dhe trajtimin e figurave të
ungjillorëve në miniaturë, mendojmë që kodiku, afërsisht, mund t’i atribuohet shekullit të 14-të.

* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve

 

[cite]