KODIKU I MANASTIRIT TË SHËN KOZMAIT
LLAMBRINI MITRUSHI
Ky kodik, në të cilin janë regjistruar kontratat e martesës prej vitit 1819-1843, ka qenë ruajtur
deri në maj të vitit 1957 në manastirin e shën Kozmait në fshatin Kolkondas, dhe më 1957
zëvendësia e Fierit ia dërgoi ipeshkvnisë (peshkopatës) së Beratit, ku ndodhet dhe sot 2.
Kodiku është i mbuluar me tre kapakë. Kapaku i jashtëm është pergamenë, me ngjyrë krem
dhe mjaft i zverdhur nga koha. Mbi sipërfaqen e tij dallohen kuadrate të formuara nga dy viza
të holla paralele në ngjyrë kafe; në pjesën anësore ky kapak paloset me një gjerësi prej 5.6
cm., në një mënyrë që e mbulon krejt kodikun; faqja e sipërme e kapakut është e grisur së
gjati dhe mungon gati gjysma. Sipër, mbi pjesën e pagrisur, lexohen këto shënime: ky
regjistër… i të shentit Belegradit, Joasafit … martesat. Kapaku i midistë është karton i bardhë
dhe paloset në pjesën anësore si i pari. Në sipërfaqen e tij janë shkruar disa shënime të
parregullta, me karakter fetar. Kapaku i brendshëm është letër pak e trashë me ngjyrë të
murrme. Në sipërfaqen e fletës së parë të këtij kapaku është shkruar në dy rreshta ky shënim
i plotë: Ky regjistër i përket të shenjtit të Belegradit Joasafit, për kontratat e martesës, dhe në
fletën e dytë janë shkruar në mënyrë të çrregullt: Unë Kola, dhe më poshtë: Unë Petro shkruaj.
Fletët e kodikut janë të bardha dhe pak të zverdhura nga koha, të trasha, pak të ashpra dhe
pa vija, me format 22.5 cm x 15.5 cm. Përmban gjithsej 96 fletë të ndara në 5 fashikuj që
kanë qenë të qepur me spango, kurse tashti janë të shkëputur dhe 8 fletë të veçanta me
format të ndryshëm.
I gjithë kodiku është i shkruar me dorë, në gjuhën greke3. Për shkrimin e tij është përdorur
ngjyrë e zezë dhe kafe, diku e errët dhe diku e zbardhur. Regjistrimi i kontratave është bërë
nga persona të ndryshëm, siç e venë në dukje kaligrafitë e ndryshme ose siç e shkruajnë ata
vetë mbi kapakun e regjistrit: Unë Kola, Unë Petro shkruaj. Shkruesit, shpesh herë, duke
mos e njohur mirë gjuhën greke, shkruajnë me gabime ortografike dhe shumë veshje i
emërojnë në formën dialektike4 të përdorur nga vetë vendësit. Data nuk shënohet rregullisht
në çdo kontratë, ngandonjëherë shkruhet vetëm muaji, ose shkruhet në të njëjtin muaj ose
në të njëjtin vit ose nuk shkruhet datë fare. Në fletët e bashkuara të kodikut janë regjistruar
303 kontrata martese dhe në 7 fletët e veçanta janë regjistruar 12 kontrata martese të viteve
1824 dhe 1825. Në njërën nga këto fletë, me format 20 cm x 14.5 cm, në faqen verso është
shkruar me një shkrim jo fort të lexueshëm dhe me gabime një dëftesë që u përkthye në këtë
mënyrë:
Nëpërmjet kësaj letre bëj të ditur, unë, Naumi i Pjetrit në Çipllak, mijëra aspra, njëqind grosh,
100 tallara kollorate dhe kthehen me diferencë (kamatë) një velenxë, deri në afatin e Shënmitrit
dhe të jetë sigurimi i së vërtetës në çdo kriter.
Njëzetë e gjashtë tetor 1824. Dëshmitar Dhimitrin.
Unë, Risto Trifoni, dëshmitar.
Kurse në një fletë tjetër të veçantë me format 14 cm x 9.5 cm, janë mbajtur shënime llogarie
për marrjen e taksës për çdo kontratë të shkruar.
Sipas listës së emrave të fshatrave të nxjerra nga kontratat e këtij kodiku, në juridiksionin e
manastirit të shën Kozmait bënin pjesë 86 fshatra; 74 emra fshatrash prej tyre gjenden dhe
sot përreth Kolkondasit, kurse 12 emra fshatrash të tjerë nuk gjenden. Interes të veçantë
ndër këta ka emri i fshatit Muzaqi, si mbeturinë e emrit të krahinës së Myzeqesë, të cilin e
gjejmë të shkruar disa herë në këtë kodik; ai duhet të ketë qenë brenda këtij territori që bën
pjesë në juridiksionin e manastirit të shën Kozmait.
Manastiri i shën Kozmait është ndërtuar pranë kishës së shën Mërisë në fshatin Kolkondas,
rreth 10 km larg Fierit, për të kujtuar murgun Kozma. Ky murg ishte mik i Ali pashë Tepelenës
dhe u vra nga njerëzit e Ahmet Kurt pashës së Beratit në kohën kur po kthehej nga predikimet
që kish bërë në Myzeqe. Manastiri u ndërtua pikërisht në afërsi të vendit ku u gjet trupi i
murgut Kozma, i cili pas vrasjes u quajt nga të krishterët dëshmor i krishtërimit dhe u mbiquajt
shën Kozma. Manastiri u ndërtua me ndihma të mbledhura në popull pas thirrjes që Ali pashë
Tepelena u bëri me anë të këtyre dy letrave që po ribotojmë këtu poshtë5:
Letra e parë:
“Juve rum6 të nahijes së Beratit, myzeqarë dhe vlleh grabovarë, katunde dhe çifliqe. Ju
lajmëroj se ja ku vura një epitrop që të më ndreqë manastirin e plakut Kozma; ndihmova dhe
unë me aspra e të ndihmoni dhe ju si t’ju thotë dhespoti, me qëllim që të ndreqet ky manastir.
Për ata që nuk do të japin ndihmën e tyre, do të më mbetet hatëri dhe pastaj do t’i paguajnë
dyfish.
Sikundër ju urdhëroj ashtu të bëni pas këtij vendimi.
Në Gjirokastër, më 12 shtator 1813„.
Letra e dytë:
“Hair duaxhitë e mi, mitropolit i Beratit, Kolë Mitro dhe Haxhi Janko. Ju përshëndes dhe ju
kallzoj se i mora vesh sa më shkruat dhe u informova me anën e igumenit; u gëzova shumë
që u kujdesët për plakun Kozma. Ja tek po vjen aty tani igumeni dhe Nikolla bashkë me
kryemjeshtrin dhe të vini të ndreqni odat dhe kullat e manastirit, i cili të bëhet më i miri nga të
gjithë manastiret, sepse me ardhjen time aty dëshëroj ta gjej të mbaruar. Pra, të kujdeseni të
gjithë që ta ndreqni dhe të gjithë rumët e Beratit, të mëdhenj e të vegjël, të ndihmojnë. Po i
shkruaj dhe Ibrahim Arapit t’ju ndihmojë në çdo punë. Të bëni si ju shkruaj. Ju përshëndes.
Në Janinë, 12 shtator 1813.7
Për miqësinë e Ali pashë Tepelenës me murgun Kozma në popull ruhet kjo gojëdhënë: Një
ditë shën Kozmai, gjatë një udhëtimi, takon në Tepelenë Ali pashën, i cili në këtë kohë ishte
bej dhe jo i dëgjuar, dhe i thotë fjalët e tij profetike: “Do bëhesh pasha i madh, do marrësh
Janinën dhe selinë e Kurt pashait të Beratit, do zgjerosh shumë kufijtë e pashallëkut tënd me
mjekrën e kuqe në Stamboll”. Pas disa vjetësh, kur Ali pasha pa se thëniet e Shën Kozmait
po vërtetoheshin, e bëri mik të tij, por pa e kuptuar shprehjen e fundit të murgut “me mjekrën
e kuqe në Stamboll”, që donte të thoshte se turqit do ta vrisnin dhe kokën e prerë me mjekrën
e skuqur në gjak do ta çonin në Stamboll.
Populli i Myzeqesë murgun Kozma e besonte deri vonë si parashikues të ngjarjeve me rëndësi,
si të shpërthimit të luftërave dhe varfërimit të popullit; prandaj, pas çdo ngjarje me rëndësi që
ndodhte ose mendonin se do të ndodhte, thoshnin: “ka thënë Shën Kozmai„. “… Jeromanahu
(kallogjeri) Kozma, shkruan Gj. Haxhi Mihali, në atë kohë të egër dhe të errët, përveç këshillave
fetare, popullit i jepte dhe këshilla njerëzore… dhe rekomandonte nxehtë dhe çeljen e shkollave
të veçanta…”. “Shkolla e parë në këtë kështjellë (Berat) u çel më 1870, një vit pas ardhjes
jeromonakut Kozmajt…”, vazhdon Haxhi Mihali8. Por data e ardhjes së murgut Kozma në
Berat provohet më saktë nga një shënim në një libër fetar të kishës së shën Gjergjit të kalasë
së Beratit, ku thuhet: 1777, muaji gusht, 22, ditë e martë. Erdhi asqeti dhe na predikoi tri ditë,
i quajtur Kozma Hieromonahu dhe preu florinjtë e grave9. Aty nga fundi i shekullit të 18-të,
shtypjet dhe raprezaljet e qeveritarëve turq kundër të krishterëve kishin bërë që krahina të
tëra të ndërronin fenë. Për t’i bërë ballë kësaj gjendjeje veproi në Shqipërinë e jugut murgu
Kozma.
Në këto veprime, me sa duket, ai gëzonte në fillim përkrahjen e Kurt pashës së Beratit, i cili
i kishte dhuruar një fron për të hipur mbi të kur do të predikonte, dhe pastaj edhe të Ali pashë
Tepelenës. Por më vonë Kozmai u vra nga njerëzit e Kurt pashës, ndërsa Ali pashë Tepelena
e nderoi duke ndërtuar për kujtim të tij manastirin në Kolkondas. Kjo kujdesje nga ana e Aliut
na bën të themi se murgu mund të ketë qenë një këshilltar i fshehtë i Ali pashë Tepelenës dhe
i shërbente me veprimet e tij, sidomos kundër Kurt pashës së Beratit, dhe për këtë shkak
kryesor mundet që u diktua dhe u vra nga njerëzit e Kurt pashës.
Ky kodik, si dokument i së drejtës zakonore, ka rëndësi historike dhe etnografike. Në këtë
kohë Turqia ruante ende mënyrën e vjetër të administrimit, të mbështetur në ligjet fetare të
sheriatit, kurse popullsive jomuslimane sulltanët u kishin njohur të drejtën të administroheshin
sipas zakoneve dhe kanuneve të tyre. Kështu elementi ortodoks, i udhëhequr nga kisha,
formonte një komunitet më vete dhe kishte si organ drejtues mitropolinë; kjo përfshinte në
juridiksionin e saj jo vetëm çështjet fetare, por edhe ato civile. Myzeqeja, në fillim të kësaj
periudhe, bënte pjesë në pashallëkun e Ali pashë Tepelenës dhe pas shembjes së këtij
pashallëku përfshihej në sanxhakun e Beratit. Po kështu dhe nga pikëpamja administrative
kishtare varej nga mitropolia e Beratit me dhespot Joasafin.
Mitropolitët i pajisnin kishat e manastiret e dioqezës së tyre me regjistra të quajtur “kodikë”,
ku regjistroheshin çështje të ndryshme, si veprime llogarie mbi të hyrat e të dalat e kishës
ose manastirit, lindjet, martesat, shkurorëzimet, vdekjet, testamentet etj.
Dhespoti i Beratit, Joasafi, kishte pajisur me kodikë të tillë dhe manastirin e shën Kozmait.
Këtë kodik, që bën fjalë për kontratat e martesës, e quante pronë personale të tij, siç e
vërteton shënimi mbi kapakun e këtij kodiku, ku shkruhet: Ky regjistër i përket të shënjtit të
Beligradit, Joasafit. Joasafi nga këto lloje kodikësh kishte një burim të ardhurash që i vilte nga
populli, siç e vë në dukje shënimi i gjetur në një fletë të veçantë në këtë kodik, ku janë shënuar
llogaritë për regjistrimin e kontratave. Sipas këtij shënimi, për çdo kontratë të shkruar merrej
një taksë prej 3 groshësh.
Kodiku, si burim etnografik, hedh dritë për studimin e dokeve të martesës, të veshjeve dhe
onomastikës në krahinën e Myzeqesë në gjysmën e parë të shekullit të 20-të. Në këtë punim
do të marrim në shqyrtim vetëm doket e lidhura me kontratat e martesës, të cilat, me disa
ndryshime, u ruajtën në përgjithësi deri në vitet e para të pasçlirimit të vendit nga banorët
fshatarë autoktonë të Myzeqesë, të mbiquajtur “lalë”; madje dhe sot aty-këtu gjejmë mbeturina
me forma të reja të këtyre zakoneve.
Sipas kodikut formulimi i kontratave bëhej në këtë mënyrë:
Me mirëdashjen e Atit, me bashkëveprimin e birit dhe me fuqinë e shpirtit të shenjtë, sot unë,
Sotir Gjino nga Korkutasi, fejoj nipin tim, Thoma, me të bijën e Papa Avramit, nga Kolkondasi,
Sotira, për grua legale dhe i jap asaj dhuratë para martese 150 grosh d.m.th. njëqind e
pesëdhjetë dhe rrobat si më poshtë:
Të djalit Të nuses
2 jelekë stofi të mira Prika sipas zakonit bashkë
me shtojet këmishët dhe ndërresat.
1 peshli
1 shegun shajaku
1 qeleposh dhe brez argjendi
1 pushai, futa dhe brez
1 gjerdan me rupe
2 palë këpucë
6 palë këpucë
Jam dakord Jam dakord
Unë Sotir Gjino veqil i djalit Babai i vajzës Papa Avrami
Dëshmitarët: Marku i Janko Gjinos, shkes; dhe dëshmitar Vasil Dhespoti. Dëshmitar Niko
Doda.
Uroj atyre shëndet dhe bekimin e Avramit dhe qoftë për dëshmi.
Siç shihet nga përmbajtja e kontratës, qëllimi i shpalljes së një dokumenti të tillë ishte i dyfishtë:
në një anë të legalizohej fejesa dhe në anën tjetër të mbahej premtimi i dhënë nga dy palët
për përgatitjen e pajës.
Më vonë, deri në vitet e para çlirimit, aktmarrëveshja për fejesën dhe prikën bëhej në këtë
mënyrë: Ditën e fejesës, në shtëpinë e djalit shtrohej një drekë e pasur. Pasi hahej dreka,
fillohej biseda e përgatitjes së pajës dhe afati i ndejtjes në fejesë. Në bisedim merrnin pjesë
2-3 veta nga të afërmit e vajzës dhe një mik; po kështu dhe nga pala e djalit, 2-3 veta të
familjes dhe lajmësi (fejesat më parë janë bërë me lajmësi). Pala e vajzës i kërkonte babait
të dhëndrit një sasi paràsh, të quajtura “para agërllëku“, velenxën, rrobat e nuses dhe këpucë
për prindët ose xhaxhallarët e nuses, kurse pala e dhëndrit kërkonte sasinë e pajës së arkës
dhe disa peshqeshe, si këmisha ose peshqirë për burrat dhe linja për gratë e fëmijët e familjes
dhe të farefisit, të cilat detyrohej t’i sillte nusja bashkë me pajën. Në kërkesa, thonë pleqtë,
zakonisht nuk janë prishur fejesat, se kërkesat bëheshin brenda gjendjes ekonomike të të dy
palëve; por, megjithatë, bëhej një farë përpjekjeje nga të dy palët sa të arrinin marrëveshje.
Pas marrëveshjes kjo shkruhej në dy kopje dhe e ruante secila palë deri sa bëhej martesa e
të rinjve.
Sot, si kudo në krahina të ndryshme të Shqipërisë ashtu dhe në Myzeqe, zakoni i fejesave
me lajmësi dhe përpilimi i kontratave pothuajse është lënë krejt. Të rinjtë vendosin vetë për
fejesën dhe martesën e tyre dhe së bashku, nga të ardhurat e tyre, përgatisin mobiljet dhe
veshjet e tyre. Por aty-këtu ndeshet që disa prindër ushtrojnë një farë autoriteti në fëmijtë e
tyre dhe kërkojnë të ruajnë traditën e kontraktimit të paktën në formë verbale10. Për fejesën e
të rinjve dhe përgatitjen e pajës ka këtë ndryshim nga e kaluara: në vend të agërllëkut në para
(pasi marrja e parave, që konsiderohet si blerje, ndalohet me ligj), kërkojnë copa tekstili të
shprehura në “metra“; sipas gjendjes ekonomike kërkesa shkon nga 30 deri në 70 metra
kambriku, pupline e stofash të tjera për ndërresa, fustane etj.11.
Tradita e prikës në para, dhënë nga pala e djalit për vajzën, e quajtur në kodik “dhuratë para
martese“ ose “agirliq“, e njohur te fshatarët e Myzeqesë me emrat “agërllëk“ ose “argllëk“ siç
del nga hulumtimet e bëra te pleqtë e Myzeqesë, nuk ka pasur qëllime shpërblimi për marrjen
e vajzës, por shpërblim për përgatitjen e pajës dhe të dhuratave që do të çonte nusja në
shtëpinë e burrit. Këtë formë shpërblimi që e dokumentojmë që nga fillimi i shekullit të 19-të
e vërteton më së miri forma e re që ka marrë “agërllëku“ sot i shprehur në “metra“ me të cilat
vajza përgatit pajën e saj.
Sipas këtij kodiku, zakoni që pala e dhëndrit t’i bëjë nuses rrobat e martesës dhe të japë një
sasi para, ka qenë i banorëve autoktonë, lalëve të Myzeqesë. Kurse ardhësit nga krahinat e
tjera në disa raste u ishin përshtatur këtyre dokeve dhe shënonin në fund të kontratës së
kodikut “sipas zakonit të myzeqarëve“. Kurse në raste të tjera ardhësit mbanin doket e tyre,
siç shihet në kontratën 193 të këtij kodiku, sipas së cilës dhëndri merrte nga prindët e nuses
një sasi para dhe detyrohej t’i bënte asaj vetëm rrobat e nusërisë. Ky zakon, aty nga çereku
i parë i shekullit tonë, filloi të hynte dhe në disa banorë autoktonë të Myzeqesë, sidomos në
qytetin e Fierit dhe më rrallë në fshatarët, dhe qëndroi deri në çlirimin e vendit. Sipas këtij
zakoni, ata prindër që dëshironin të martonin vajzat e tyre me djem të mirë, me zeje ose
shkollë, i jepnin dhëndrit një sasi para ose pasuri tjetër të patundshme, si tokë, rrënjë ullinj
etj., që përdoreshin ose mbeteshin si pasuri në emër të nuses.
Burime bibliografike:
1. Ky artikull është botuar për herë të parë në “Studime historike”, viti 1965, nr.3, fq.175-180. Në këtë
artikull të gjitha shënimet me korsive janë të redaksisë. Shënimet e tjera janë të autorit. Për të njëjtin
kodik, nga e njëjta autore, shih: Ll. Mitrushi, Dasma në lalët e Myzeqesë, në “Etnografia shqiptare“ II,
1963, f.182.
2. Në kohën kur u shkrua artikulli. Ky kodik prej kohësh gjendet në AQSH.
3. Përkthimi u bë nga Koço Bozhori.
4. Dialektore.
5. Përkthimi u bë nga Koço Bozhori.
6. „Rumë“ quheshin nga Perandoria Osmane shtetasit e krishterë të perandorisë. Prej këndej dhe
„Rumeli“ për pjesën europiane të perandorisë. Është një shmangie fonetike nga forma „romë“, banorë
të Perandorisë Romake të Lindjes.
7. Letrat janë botuar për herë të parë në vitin 1868 nga A. Aleksudhi, fl. 8.
8. Gj. Haxhi Mihali në “Dituria“, 1927, f. 336.
9. Po aty.
10. Teksti është lehtësuar nga frazeologjia e kohës.
11. Këto të dhëna tashmë janë vetëm me vlerë informuese historike.