«KUZHINIERET» E TRUPIT TONË
Lëndët ushqimore me të cilat furnizohen qelizat e trupit tonë, gatuhen dy herë: një herë në kuzhinën e shtëpisë, para se t’i hamë, dhe një herë në aparatin tonë tretës. Në aparatin tonë tretës, ushqimet ë ndryshme copëtohen e zbërthehen në pjesë shumë-shumë të vogla, saqë mund të shihen vetëm me mikroskop. «Kuzhinierët» që kryejnë këtë «gatim» të imët, janë disa lëndë të posaçme që quhen enzima. Janë pikërisht enzimat që zbërthejnë në pjesët e tyre më të vogla karbohidratet, proteinat e yndyrat, që janë lëndët përbërëse kryesore të ushqimeve që ne hamë. Enzimat prodhohen në gjëndrat e pastaj kalojnë në aparatin tretës. Këto gjëndra veprojnë si një rubinet uji: hapen e mbyllen sipas nevojës; kur ka nevojë për enzima. rubineti hapet dhe e kundërta.
Zbërthimi kimik i ushqimeve fillon në gojë. Pështyma përmban dy enzima të rëndësishme: amilazën dhe maltazën. Këto dy enzima kanë aftësinë të zbërthejnë karbohidratet (amidonin) e t’i shndërrojnë në lëndë sheqerore e në glukozë. Organizmi ynë nuk është i aftë të përvetësojë karbohidratet, ndërsa ai përvetëson shumë mirë lëndët sheqerore, glukozën. Tretja e ushqimeve vazhdon në stomak dhe zgjat disa orë. Lëngu i stomakut ose lëngu gastrik, që prodhohet nga gjëndrat e stomakut; përmban një enzimë që quhet pepsinë. Pepsina vepron mbi proteinat dhe i zbërthen ato në peptone dhe në albumoze. Tretja përfundimtare e ushqimeve ndodh në zorrët e holla nën veprimin e lëngjeve që prodhojnë mëlçia e zezë, pankreasi dhe gjëndrat e zorrëve. Lëngu i tëmthit vepron mbi yndyrat, ndërsa lëngu i pankreasit mbi lëndët sheqerore, mbi proteinat dhe yndyrat. Këto lëndë, nën veprimin e këtyre lëngjeve, shndërrohen në acide yndyrore, në aminoacide dhe në glukozë. Këto janë lëndët përfundimtare të procesit të tretjes, janë lëndët për’ të cilat ka nevojë organizmi ynë dhe të vetmet që ai mund të përvetësojë.