LARINGU

Laringu është gypi që lidh faringun me trakenë. Në pjesën e jashtme ai është i mbrojtur nga një ind kërcor i fortë që quhet molla e Adamit. Kur ne kapërdihemi vëmë re se molla e Adamit ngrihet sipër. Kjo është një lëvizje e natyrshme dhe bëhet që hyrja e laringut të mbyllet nga nëngjuhëza. Por para së gjithash laringu është organi i zërit. Në natyrë ka shpend që cicërojnë shumë bukur; vetë njeriu ka krijuar vegla të mrekullueshme muzikore, por asnjë prej tyre nuk mund të krahasohet me laringun, me këtë «harpë të mahnitshme» të organizmit tonë, që është e aftë të flasë, të këndojë, të qeshë e të qajë.

Për të nxjerrë të gjithë këto zëra njerëzore laringu nuk ka nevojë për shumë korda (tela). Në ndryshim nga veglat e tjera muzikore, laringu përdor vetëm dy rrypa indorë shumë të hollë, të shtrirë horizontalisht dhe të vendosur në formën e germës V, me majë nga sipër. Këto quhen korda vokale (të zërit). Ajri që del nga mushkëritë, duke kaluar ndërmjet këtyre dy kordave, i bën ato që të dridhen. Kështu prodhohen tingujt e ndryshëm. Kur anët e kordave janë pranë njëra-tjetrës e kur hapësira që formojnë ato është e ngushtë, prodhohen tinguj të mprehtë e të lartë. Në të kundërt, nëse hapësira ndërmjet tyre fillon e zmadhohet, tingujt bëhen gjithnjë e më të thellë më të ulët.

Toni, lartësia e fortësia e zërit varen nga disa faktorë e, në radhë të parë, nga hapësira ndërmjet kordave dhe nga tërheqja që ushtrojnë muskujt e laringut mbi to. Të gjitha këto kryhen me shpejtësi shumë të madhe dhe në mënyrë të vetvetishme. Ne gjatë një dite flasim, qeshim e këndojmë, e përdorim laringun në çdo rast dhe nuk preokupohemi aspak për lëvizjet që duhet të kryejmë.

Natyra e zërit të një njeriu ndryshon nga ajo e një njeriu tjetër. Në botë nuk ka dy njerëz që të kenë të njëjtin zë. Kjo ndodh sepse laringu dhe kordat vokale ndryshojnë nga një njeri tek tjetri. Nga ana tjetër, duhet të shtojmë se natyra e zërit varet edhe nga forma e grykës, e gojës dhe e hundës. Të gjitha këto nuk mund të jenë të njëjta në njerëz të ndryshëm. Ndërsa artikulimi i fjalëve varet jo vetëm nga forma e grykës, e gojës dhe e hundës, por edhe nga forma e gjuhës dhe e buzëve, si edhe nga mënyra se si ne i lëvizim ato kur flasim. Ka shumë kafshë të pajisura me korda vokale dhe disa zogj, si p.sh. papagalli, që mund edhe të artikulojnë ndonjë fjalë, të imitojnë. Por duhet të dimë se të folurit e vërtetë në kuptimin e plotë të tij është një karakteristikë vetëm e njeriut dhe është formuar në procesin e gjatë të evolucionit, për mijëra e mijëra vjet.

Trupi — Ynë

[cite]