LAMBERC MAKSIMILIAN


LAMBERC MAKSIMILIAN
✤ (Maximilian Lambertz, 1882-1963). Gjuhëtar austriak, specialist në fushën e gjuhësisë së krahasuar e të filologjisë klasike, i cili është marrë për një kohë të gjatë edhe me studimin e gjuhës shqipe, të folklorit e të letërsisë shqiptare. Vëmendje të veçantë i ka kushtuar studimit të dialekteve arbëreshe e ndarjes dialektore të shqipes dhe ka vënë në dukje njësinë e gjuhës shqipe në larminë e të folmeve të saj. Gjatë viteve të Luftës I Botërore ’bëri një ‘udhëtim studimi në Shqipëri, mblodhi lëndë folklorike dhe mori pjesë në punimet e Komisisë Letrare Shqipe (shih) dhe në diskutimet për çështjen e formimit të një gjuhe letrare shqipe të njësuar. Në studimin Poezia popullore shqiptare (Die Volkspoesie der Albaner, Sarajevo, 1917) trajtoi probleme të përmbajtjes e të formës artistike të tyre. Një vepër ndër më të mirat e tij Përralla shqiptare dhe të tjera tekste të folklorit shqiptar (Albanische Marchen und andere Texte zur albanischen Volkskunde, Vjenë, 1922), ka një hyrje të gjatë mbi figurat e përrallave e të besimeve popullore shqiptare etj. Studimet e përrallës popullore shqiptare ai i çoi më tutje me një varg botimesh të tjera, ndër të cilët është Shqipëria rrëfen (Albanien erzahlt, Berlin, 1956). Ka hartuar një varg librash për mësimin e shqipes dhe, pas Luftës II Botërore, mbajti kursin e gjuhës shqipe në Universitetin e Lajpcigut. Me vlerë janë edhe punimet e tij për çështje të sintaksës së shqipes. Ka sjellë argumente, kryesisht nga onomastika, për burimin ilir të shqipes. Ka ndjekur nga afër zhvillimin e gjuhës shqipe dhe arritjet e gjuhësisë e të letërsisë shqiptare pas Çlirimit, duke shkruar artikuj e recensione vlerësuese për to. Një analizë të thellë e të gjithanshme u ka bërë M.L. problemeve të eiklit shqiptar të kreshnikëve në studimin e hapët Epika popullore shqiptare (Die Volksepik der Albaner, Halle, 1958). Pas vdekjes u botua punimi Mitologjia shqiptare (në veprën kolektdve IVorterbuch der Mythologie, 1969,9 Lieferung). Për shërbimet që i ka sjellë vendit tonë me studimet e tij, Presidiumi i Kuvendit Popullor e ka dekoruar me Urdhrin e Flamurit. (Q.H.—E.La.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Lamberc Maksimilian


[cite]