LATERITET


LATERITET
✤ Toka të kuqe me pamjen e tullës së pjekur, që janë formuar në të kaluarën gjeologjike nga tjetërimi kimik i shkëmbinjve të ndryshëm në kushtet e një klime tropikale, me reshje të shumta të këmbyera me periudha kohe të thatë. Përmbajnë okside dhe hidrokside të aluminit, të hekurit etj, herë-herë në përqendrime të tilla saqë shërbejnë si lëndë e parë për nxjerrjen e këtyre metaleve. Pas formimit L. mund të mbeten në vend, ose mund të merren nga ujrat sipërfaqësore e të ridepozitohen. L. e formuara nga shkëmbinjtë acidë dhe mesatarë përbëhen pothuajse vetëm nga hidrokside të aluminit, prandaj ato quhen L. aluminore. Të tilla janë deltinat kaolinike dhe kaolini (shih) të rajonit Korthpulë-Kashnjet, të formuara nga tjetërimi kimik i shkëmbinjve gabrorë. L. e formuara nga shkëmbinjtë ultrabazikë e bazikë përbëhen në pjesën më të madhe ose tërësisht nga hidrokside të hekurit dhe si rrjedhojë quhen L. hekurore. Të tillë janë xeherorët e nikelit silikat në vendburimin e Trullit pranë Kukësit dhe në atë të Bitinckës, si dhe xeherorët e hekur-nikelit (shih). Ka edhe L. alumino-hekurore ose hekur-aluminore, në të cilat ndryshimet ndërmjet përmbajtjeve të hekurit dhe të aluminit nuk janë shumë të mëdha. Me këto L. lidhen vendburimet e boksiteve (shih) hekurore, që janë mjaft të përhapura në vendin tonë.

(E.P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Lateritet


[cite]