LEJLEKU
✤ (Ciconia eiconia L.). Shpend shtegtar i familjes Ciconidae, me trup të madh, me puplim të bardhë me përjashtim të një pjese me ngjyrë të zezë, me qafën, sqepin e këmbët shumë të gjata. Ndeshet në Evropë, Azi dhe Afrikën e Veriut; dimëron në ‘ Afrikën Tropikale dhe në vende të ndryshme të Azisë (Indi, Birmani etj). Në Shqipëri është nga të parët shpend verues, i përhapur sidomos në moçalishtet e Ultësirës P. Vjen në pranverë (mars) dhe largohet në vjeshtë (duke filluar nga gushti gjer në fund të shtatorit). Pëlqen vende të hapura buzë kënetave, buzë lumenjve etj. Ndërton fole në drurë të lartë, edhe në oxhakë e pullazet e shtëpive. Pjell 4-5 vezë të bardheme. Ushqehet me peshq, bretkosa, zvarranikë, gjitarë të vegjël, insekte uji, rrallë përdor edhe pjesë bimësh. Jeton rreth 30 vjet. Në të kaluarën ka qenë mjaft i përhapur, por me kohë ka ardhur duke u rralluar për shkak të tharjes së kënetave. Si shpend i rrallë mbrohet me ligj.

(I.Ze.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Lejleku


[cite]