LIMONI
✤ (Citrus limonia, Osbeck). Dru frutor gjithmonë i gjelbër i familjes rutore (Rutaceae) i lartë deri 5 m, me degë të gjata e të përkulshme, me gjethe të këmbyera, të thjeshta pak a shumë eliptike, të shndritshme, me buzë të sharruara ose ura-ura, me lule të bardha ose trëndafili të vendosura në sqetullat e gjethes që çelin sipas kultivarit një herë në vit (mars-prill) ose gjatë gjithë vitit. Bën fryt në formë gjatore ose vezake rreth 6.5-12.5 cm që kur piqet merr ngjyrë të verdhë, me 8-10 thela e shije të thartë. Frytëzon në qershor-gusht. L. ka prejardhjen nga vendet e ngrohta të Azisë J, në Shqipëri kultivohet gjatë bregdetit sidomos në Sarandë, Vlorë, pak në Tiranë, Elbasan, Durrës, Fier etj. Fryti i L. ka vlera ushqimore, lëngu i tij përmban vitamina C, B,, B2, acici citrik etj. Përdoret në gjellëtari dhe për të përgatitur pije freskuese. Prej lëkurës së L. nxirret një esence meerë të këndshme që përdoret në farmaceutikë dhe në ind. e parfumerisë.

(J.Dh.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Limoni


[cite]